Politikë

‘S’jam sherif, por më pëlqen humori!’ LaCivita shuan shpresat e Berishës: Nuk flas në emër të qeverisë Amerikane, jam qytetar privat që merrem me fushatat elektorale nëpër botë!

16 Prill, 15:05| Përditesimi: 16 Prill, 16:26

  • Share

Konsulenti i fushatës së opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, amerikani Chris LaCivita deklaroi sot para të rinjve të FRPD-së gjatë një takimi elektoral, se nuk përfaqëson qeverinë e SHBA-ve, por ‘një qytetar privat’, që merret me fushatat elektorale në vende të ndryshme të botës.

Në këtë mënyrë u hodhën poshtë edhe aludimet e shumta nga grupet opozitare pranë PD-së, se ish-pjesëtari i shtabit të presidentit Donald Trump vinte në Shqipëri në emër të Amerikës apo për lobim dhe për t’i hequr ‘non gratën’. Në këtë mënyrë u ka shuar edhe shpresat demokratëve dhe vetë Berishës, që përpiqeshin ta shisnin si "të dërguarin e Donald Trump".

I shoqëruar edhe nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, që e ka cilësuar si “magjistarin” qëdo i sjellë fitoren më 11 maj, LaCivita u pyet nga të rinjtë për eksperiencën e tij në SHBA. Njëri prej tyre e cilësoi edhe me epitetin ‘sherif’, por konsulenti u përgjigj se “nuk jam sherif, por më pëlqen të bëj nga pak humor”.

“Unë mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që në politikë, qoftë në Shtetet e Bashkuara apo këtu në Shqipëri, të rinjtë dhe votuesit e rinj të përfshihen dhe të marrin në dorë fatin e qeverisjes së tyre, sepse e ardhmja jeni ju. Ka një shprehje të vjetër në Amerikë: “Bota drejtohet nga ata që ngrihen.” Dhe është shumë, shumë e rëndësishme që ju të merrni pjesë dhe të bëni që zëri juaj të dëgjohet”, tha ai.

LaCivita e quajti qeverisjen socialiste të 12 viteve të dështuar, duke bërë edhe paralelizime për ngjashmëri mes gjendjes në SHBA dhe Shqipëri.

 Pyetjes së një të riu që iu drejtua me “sherif”, se çfarë e motivoi rininë amerikane të votonte Donald Trump, LaCivita iu përgjigj:

“Pyetje shumë e mirë, dhe faleminderit që e bëtë. Që ta dini të gjithë, unë nuk jam vërtet sherif. Më pëlqen thjesht të bëj pak humor. Por, sa i përket zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht votuesit më të rinj nuk janë shumë të angazhuar. Dhe, e dini, e majta gjithmonë shpreson që të rinjtë të mos marrin përgjegjësi dhe të mos përfshihen. Ata iu përgjigjën shumë mirë mesazheve që përcillte Presidenti Trump. Dhe përsëri, çështjet që i çuan amerikanët në qendrat e votimit në vitin 2024 janë të njëjtat çështje që ekzistojnë edhe këtu. Rrethana shumë, shumë të ngjashme. Prandaj, është e rëndësishme të sigurohemi që ata ta dinë që ekziston një parti që është e përqendruar te e ardhmja dhe që konservatorët kanë zgjidhjet më të mira. Siç e thashë edhe dje, 12 vitet e fundit kanë qenë një dështim i tmerrshëm. Atëherë, pse do të votoje për partinë ose për personin që është përgjegjës për ato 12 vite? Është koha për ndryshim”, shpjegoi konsulenti zgjedhor i PD.

Por a përfaqëson ai qeverinë amerikane apo presidentin Donald Trump?

“Sa i përket Shteteve të Bashkuara, natyrisht, unë nuk flas në emër të qeverisë amerikane. Jam këtu si një qytetar privat dhe merrem me fushata politike në vende të ndryshme të botës. Por ajo që e bën të veçantë për mua këtë rast, është fakti që këtu kemi konservatorë të vërtetë që po përballen me një regjim socialist dhe me një udhëheqës shumë të paqëndrueshëm, i cili ka sjellë paqëndrueshmëri si në qeveri, ashtu edhe në ekonomi. Dhe, natyrisht, është e domosdoshme të sigurojmë stabilitet në rajon. Kjo është arsyeja pse zhvillimet në Shqipëri ndiqen me vëmendje edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç ndodh me çdo vend tjetër. Është shumë e thjeshtë. Ju mund të keni ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e çdo zgjedhjeje, për sa kohë që ngriheni dhe bëheni pjesë e vendimit”, u shpreh LaCivita para të rinjve.

Ora 15:25
Berisha me të rinjtë e FRPD, gënjen sërish për ‘darkën e Ramës’ në Strasburg: I ati vari poetin desident, ky vari Tik-Tokun, si Gadafi, Enveri dhe Habitullahu

 

Kryesocialisti Edi Rama mblodhi dje të rinjtë e Kamzës, por Sali Berisha iu përgjigj sot me të rinjtë e FRPD-së, ku pas vetes kishte edhe “sherifin” dhe “magjistarin” e fushatës së tij elektorale me “madhështorët” e opozitës, Chris LaCivita.

Teksa ky i fundit deklaroi se nuk flet apo vjen në emër të qeverisë së SHBA-ve ose të presidentit Donald Trump, kreu i PD-së hodhi akuza të përsëritura ndaj kryeministrit.

Madje duke gënjyer sërish edhe për darkën e pretenduar që i është anuluar Ramës në Strasburg apo se ka kërcënuar me njerëzit e krimit eurodeputetët e PE-së pas këtij anulimi.

Berisha hoqi paralele duke përmendur babanë e kryeministrit si autor të varjes së poetit desident Havzi Nela, kurse Ramën si autor të varjes së TikTokut.

“Në Shqipëri ka dy Europa. Një Europë që censurohet, dhe tjetra që manipulohet dhe deformohet. E vërteta është, Europa që censurohet në Shqipëri këtë javë ka folur për Shqipërinë më fuqishëm se kurrë ndonjëherë në 32 vite, dhe ndofta më fuqishëm se për çdo vend tjetër në 32 vite. Kjo Europë, në Këshillin e Europës, në një kohë krejtësisht të pazakontë mbajti 2 seanca me dy grupet kryesore parlamentare. Kjo Europë, që ta dini ju, në vizitën e tij në KE, drejtuesit e këtij institucioni do të më informonin se ata Edi Ramës ia anuluan darkën zyrtare të planifikuar për nder të tij. Akt që nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e atij institucioni. Darkën ia anuluan dhe ia anuluan për shkak të keqsjelljeve të tij, për shkak se aty ai nuk e përmbajti veten dhe demonstroi se cili ishte. Por, nuk është e tëra kjo. Pas anulimit të darkës, duket se ky kishte mbledhur grupet kriminale shqiptare nëpër Europë, dhe pas anulimit të darkës me qindra mesazhe kërcënimi shkuan drejt drejtuesve të KE-së”, tha Berisha në fjalën e tij para të rinjve demokratë.

Ai e quajti qeverisjen e Ramës si një fasadë që tani ka marrë fund pas rezulutave nga PE, teksa e akuzoi edhe për “varjen e TikTok”.

“Sepse, në qoftë se marim deklaratën e fundit të të dy komisionereve, që të dy e bënë të qartë se nuk mund të ketë integrim pa reforma të thella, të cilat Edi Rama kurrë nuk i bën. Edi Rama bën fasadë. Mirëpo, fasada e Edi Ramës mori fund ditën e hënë dhe ditën e mërkurë në dy institucionet themelore të demokracisë europiane dhe të BE-së, dhe të politikës europiane. Duhet të përpiqemi që ta kalojmë censurën. Edhe kjo. Unë e thashë në KE. Akti i mbylljes së Tik Tok, është akti i Habitullahut të Kabulit. Sqarova dhe një gjë. Mos e merrni për të thjeshtë, se i ati i tij në vitin 1988, në 10 gusht firmosi varjen në litar të një poeti disident, guximtar, vetëm pse shkroi vargje për fjalën e  lirë, shkroi vargje për frymën e Helsinkit. Kurse ky, tani var në litar Tik Tokun, sepse të rinjtë e përdorin shumë dhe e kritikojnë, e tallin, ose e qortojnë. Ai ishte tashmë i vetmi kryeministër në historinë e Europës që i kishin anuluar darkën zyrtare, sikur të përfaqësonte Enver Hoxhën apo Gadafin”, akuzoi ai.

Berisha iu drejtua të rinjve me fjalët se në politikë duhen misionarë, teksa qartazi misioni i tij në 35 vite politikë ka lënë pas shumë çështje “të nxehta”, që jo vetëm i kanë kushtuar 2 “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, por edhe një aferë e dosjes “Partizani” ku është i pandehur për korrupsion.

“Shqipërisë sot i duhen misionarë. Në situatën në të cilën ajo ndodhet, atë e shpëtojnë vetëm misionarët. Shqipëria nuk mund të jetë kurrë Shqipëri madhështore pa rininë e saj madhështore, pa ndrrën të bërë realitet të të rinjve të saj”, u shpreh kreu i selisë blu.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?