Sali Breisha, Ilir Meta dhe Ridvan Bode

Berisha, Meta dhe Bode u paditën në SPAK për aferën e privatizimit të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2! Kostoja 232 milionë euro

24 Gusht, 16:54| Përditesimi: 24 Gusht, 17:13

  • Share

1724512237_acx.jpg

Më 4 prill 2023, avokat Idajet Beqiri kallëzoi në SPAK ish kryeministrat Sali Berisha dhe Ilir Meta, për rolin e tyre në aferën e privatizimin të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.

Përpos Metës dhe Berishës, avokati kërkon ndjekjen e penale edhe për ish ministrin e Financave, Ridvan Bode, ish ministrin e Energjetikës, Edmond Haxhinasto, ish zëvendësministrin e Energjetikës Sokol Dervishaj dhe ish drejtorin e KESH Engjëll Zeqo.

Në kallëzim thuhet se ish zyrtarët në fjalë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kaluar në duart e privatit pasurinë publike (4 hidrocentralet), në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në mënyrë korruptive, duke shkaktuar një dëm me vlerë 232 milionë euro.

Në kallëzim pretendohet se kanë kryer disa vepra penale si korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, organizatë kriminale, fshehje pasurie etj. Sipas kallëzimit, Sali Berisha, Ilir Meta dhe grupi i tyre, pasi kanë shitur pasurinë publike, kanë ndarë më pas interesat, pasi kompania private ka fituar rreth 10 milionë euro çdo vit, pa kryer asnjë investim.

“Të dhënat zyrtare tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat, e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it.... Përmes shitjes së këtyre 4 hidrocentraleve, u pakësoi shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit  10 milion dollarë të ardhura për çdo vit. Nga viti 2013 dhe deri më sot buxhetit të shtetit dhe taksapagueseve shqiptarë u janë vjedhur 100 milion dollarë.... Ish Kryeministri Sali Berisha, ish ministri Ilir Meta, ish ministri Edmond Haxhinasto, ish ministri Ridvan Bode, ish zëvendësministri Sokol Dervishaj, si dhe ish Drejtorit të KESH Engjëll Zeqo, në bashkëpunim me disa ekspertë të tyre, përgatitën aferën korruptive duke ndryshuar fillimisht vendimet e Këshillit të Ministrave, si dhe duke nëpërkëmbur dhe anashkaluar Ligjin nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Këta të kallëzuar i shitën katër HEC-et, me 132. 2 milion euro më pak”, thuhet në kallëzim që Shqiptarja.com e ka bërë publike 1 vit më parë. 

Në shkrimin me titull "Berisha, Meta dhe Bode kallëzohen në SPAK për aferën e privatizimit të HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, kostoja 232 milionë euro" gazetari Adriatik Doçi rendit dhe 3 shkeljet. Lexoni ketu artikullin e plote

Pjese nga shkrimi

Shkelja 1

Me një manovër institucionale, u shmang ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”. Neni 4 i ligjit nr.8306, datë 14.3.1998 ka një paragraf ku shkruhet: “...Nuk do të konsiderohen pjesë të sektorëve me rëndësi të veçantë ndërmarrjet, shoqëritë tregtare ose pjesë të tyre, të cilat kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike dhe kanë rezultat financiar me humbje për mbi 3 vjet rresht”. Kjo pikë nuk lejonte shkëputjen nga KESH për objektet rentabël siç ishin katër hidrocentralet dhe as privatizimin e tyre ndryshe.

Por çfarë ndodhi? Qeveria Berisha hetoi dhe miratoi ligjin nr. 10410 datë 9.6.201 ”Për krijimin e shoqërive....., përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “Hec Ulëz-Shkopet”sha dhe “Hec Bistrica 1 dhe Bistrica 2”sha.”. Në këtë manovër nuk i referohet fare ligjit nr. 8306 dhe as neneve që kushtëzojnë nxjerrjen e objekteve/sektorëve jashtë KESH sha. Kjo për të hapur rrugë procedurave të paramenduara sepse ligji nr.8306 nuk i lejonte të privatizonin katër hec-eve. Por qeveritarët ishin të vendosur, mbase nën presionin e kohës dhe ikjes së pushtetit, që këto katër Hec-e t’i shisnin.

Shkelja 2

Për të realizuar qëllimin korruptiv, institucionet dhe qeveria, ndryshe nga sa parashikohej në kuadrin ligjor, deformuan kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik. Fillimisht shpallen kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik (Neni 4.1), VKM nr. 152 dhe VKM 153 dt 29/02/2012. Mbasi iu dështoi tenderi, bënë vendime qeverie (VKM nr. 676 dhe 677 dt 03/10/2012) për të ndryshuar kriteret mbi cilësimin e investitorit strategjik, duke shkelur haptazi ligjin 8306 edhe pse për ironi vet vendimmarrësit i referoheshin këtij ligji

Referenca hyrëse në VKM nr. 676 dhe 677 është si më poshtë: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7 të ligjit nr. 8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”..).

Pika 4.1 në VKM 152 dhe 153 dt. 29/02/2012, që i qëndron besnik përcaktimeve në ligjin 8306, është e formuluar: (Pjesëmarrja në procesin e tenderimit është e hapur për të gjithë investitorët e interesuar të cilët janë investitorë strategjikë,... METE do të rezervojë të drejtën t’u dërgojë ftesa për ofertë vetëm atyre investitorëve të interesuar, të cilët …., kanë treguar që përmbushin kriteret e kualifikimit të mëposhtëm: 1. Të jenë themeluar …; 2. Të kenë aftësi paguese….; 3. Të zotërojnë burime njerëzore, teknike, profesionale dhe eksperiencë organizative në operimin e hidrocentraleve - një ofertues i cili zotëron/operon një ose më shumë hidrocentrale, me një fuqi të instaluar, veçmas ose të kombinuar prej të paktën 15 MË, konsiderohet që e përmbush këtë kriter; 4. Të zotërojë burimet financiare për operimin e hidrocentraleve – një ofertues konsiderohet se e plotëson këtë kriter nëse kapitalet e veta, siç rezulton nga llogaritë financiare të vitit të fundit financiar, janë të paktën të barabarta me 25 milionë euro (ose ekuivalenti në një monedhë tjetër); 5. Të ketë një reputacion rajonal dhe/ose ndërkombëtar si operator në tregun e energjisë.

Dy VKM të reja për të përmbysur kriteret

Ligji dhe VKM-të 152 dhe 153 dt. 29/02/2012, parashikonin që investitorit strategjik të ketë eksperiencë në menaxhim HEC-esh. Meqenëse fituesi i piketuar nga qeveria Berisha nuk plotësonte këtë kusht, Berisha bën dy VKM të reja në tetor 2012, duke lehtësuar kriteret në kundërshtim me ligjin. Mbasi nuk ia dolën që të respektonin kriteret ligjore të investitorit strategjik, hartojnë dy VKM të tjera (676 dhe 677), ku kriteret e investitorit strategjik bëhen jo sipas ligjit por sipas Berishës.

Neni 4.1 në VKM 676 dhe 677 dt 03/10/2012 është i formuluar: (Oferta të vlefshme do të konsiderohen ofertat e investitorëve të interesuar, të cilët janë investitorë strategjikë, sipas përkufizimit vijues, ....: 1.Të jenë themeluar.....: 2.Të kenë aftësi paguese...; 3.Të zotërojnë burime njerëzore, teknike, profesionale eksperiencë organizative në menaxhimin e kompanive të mëdha; 4.Të zotërojnë burime financiare që nga llogaria.., të jenë të paktën 25mln euro..).

Pra është hequr eksperienca në menaxhimin operimin e HEC-ve dhe zotërimi i një Hec-i me fuqi prej të paktën prej 15 MË.  Kjo është shkelje e rëndë e ligjit 8306 është bërë qëllimisht. VKM del mbi ligjin! Dhe fituesi rezulton se nuk ka asnjë eksperiencë në operimin e hidrocentraleve.

Shkelja 3

Mbasi është shpallur fituesi, bëhet vendim i qeverisë Nr. 411, datë 15.5.2013 për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “Kurum International” sha, për pagimin e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Ky vendim i detyronte Ministrinë e Financave për të zbritur nga vlera e ofertës fituese detyrimet që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i kishte kompanisë Fituese për Tvsh e pa rimbursuar!. Kjo nuk ka qenë parashikuar në kushtet e dokumenteve standarte të tenderit (DST).

Evidentohen dy shkelje të rënda. Së pari, neni 9 i ligjit 8306 përcakton: “... Në çdo rast paketa që do të privatizohet me pjesëmarrjen e investitorit strategjik, do të paguhet me para.”. Duke kompensuar përmes TVSH së pa rimbursuar është shkelur edhe neni 9 i këtij ligji. Kuptohet, gjithçka është bërë me qëllim favorizimi!

Së dyti, nëse përjashtimi nga ligji 8306 parashikohej në kushtet e dokumenteve standarte të tenderit, në garë mund të merrnin pjesë edhe kompani të tjera, pse jo edhe shqiptare..! Qartazi është bërë favorizim dhe shkelje e barazisë që mesa duket fituesi e ka ditur hilen që në nisje të procedurës! Sali Berisha dhe Ilir Meta duhet se e kanë të qartë se çfarë ka ndodhur në këtë procedurë me shkelje të rënda e të qëllimshme të ligjeve.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)


Lajmi kryesor:

Skandali me mbetjet toksike, ish-ministri: KURUM bëri edhe më herët pis politikën, Qeveria Berisha i shiti 2 HEC-e! Ish kryeministri e Meta të paditur në SPAK


S.G//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?