Kur numërimi mbrapsh drejt ditës së zgjedhjeve ka nisur dhe fushata elektorale ka hyrë në 10 ditëshin e fundit, Sali Berisha sërish e sfidoi kryesocialistin Edi Rama me ftesën për debat, nga një takim që zhvilloi sot me qytetarët në Astir.
“Prapë i them hajde në Astir, të dalim para këtyre burrave dhe grave. Po ti je lloji i shpifur i censurës, njëlloj si yt atë që vari në shtyllë poetin e pavdekshëm Havzi Nelën, për vargjet e tij kundër regjimit. Edhe ti ke ndaluar debatet sepse janë të gjitha kundra teje. Nuk del në debat Edi Rama, jo, jo, se si mund të dalësh ti në debat dhe të justifikosh sarajet e tua me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjatë se sarajet e Enver Hoxhës dhe me oborr 4 herë më të madh, 8300 metra', tha ai.
Deklaratave të Ramës për fitore, kryedemokrati iu përgjigj duke thënë se do të jetë 11 maji që do të zbulojë një rezultat në favor të ndryshimit.
'Rri e bën polle dhe stërpolle. Prite pollin e datës 11, qytetarët do të japin ty atë që meriton. 11 është polli i polleve. Njishat e Astirit, njishat e Shqipërisë do të çojnë ty atje ku e meriton. Firmosim fitoren, firmosim ndryshimin', tha ai.
Nga takimi në njësinë 14 në kryeqytet, kreu i aleancës opozitare PD-ASHM akuzoi qeverinë se e ka lënë këtë zonë në harresë. Berisha premtoi se, me ardhjen në pushtet, këto problematika do të trajtohen me përparësi dhe se situata do të ndryshojë që në 100 ditët e para.
‘Unë jam këtu sot, sepse me ardhjen në pushtet do të adresohen me emergjencë problemet që janë krijuar nga urrejtja e Edi Ramës ndaj kësaj zone do të jetë përparësi.
Kjo zonë kaq e madhe pa asnjë kopsht dhe çerdhe do të thotë të kesh urrejtje për fëmijët, të lësh një popullatë kaq të madhe pa shkollë do të thotë se urren fëmijët. Po Edi Rama nuk habit njeri, sepse ai këtë qëndrim mban edhe ndaj atyre të rinjve dhe të rejave që përballen me sëmundje në spitale që ministrave dhe drejtorët e tij i lanë pa ilaçe dhe i lanë në mëshirë të sëmundjes. Kjo situatë do të marr fund brenda 100 ditëve të para’, tha ai.
Berisha tha se Kongresi i Partisë Popullore Europiane votoi rezolutën në të cilën i jepet mbështetja PD-së.
'Përshëndetjet më të përzemërta ju sjell ju qytetareve dhe qytetarëve të Astirit, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane në të cilin u fol për ju më shumë se për të gjithë të tjerët. Në Valencia 2 mijë delegatë që përfaqësonin 86 parti të qendrës së djathtë nga të cilat janë 14 kryeministra në Europë, votuan njëzëri rezolutën në mbrojtje të votës tuaj. Votuan rezolutën në të cilën dënohej me ashpërsinë më të madhe Edi Rama. Votuan rezolutën në të cilën i jepet mbështetja më e fuqishme opozitës shqiptare dhe PD-së. Ju jepet ju mbështetja më e madhe që keni pasur ndonjëherë që nga themelimi i kësaj partie. Miq, qëndresa juaj, angazhimi juaj, përmbysja që po i bëni narkodikaturës, po jehon në Europë dhe në botë', tha ai.
Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, ishte i pranishëm këtë të mërkurë në takimin elektoral të Sali Berishës në Astir.
Demokratët u mburrën me praninë e reperit në takim, ndërsa ky u fundit shpërtheu në puthje për kryedemokratin.
Sali Berisha nga takimi me banorët e Astirit në Tiranë, tha se gjatë Kongresit të Partive Popullore Evropiane që u mbajt në Valencia ngriti shqetësimin për shpopullimin e vendit.
Sipas tij, largimi i masiv shqiptarëve nga vendi ka arritur në shifra të larta dhe shkaku kryesor sipas tij është varfëria dhe mungesa e mundësive për punësim.
‘Miqtë e mi, në Valencia unë informova audiencën evropiane se në 10 vite, sipas statistikave të tyre, nga Shqipëria u larguan 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm për zonën e Shengenit. Kombi po boshatiset. Shkaku kryesor i këtij largimi masiv është varfëria, është papunësia. Ju lutem, i dëgjoni pak Edi Ramën dhe ministrat e tij çfarë thonë. Dje sikur fliste përçart. Punësimi, thoshte, është rritur dhe papunësinë do e zbresim në 6 përqind. U garantoj se vetëm në 10 vite kanë ikur 600 mijë të rinj, 600 mijë krahë pune. Ky i pamëshirë tallet me shqiptarët. Ua them unë, merrni statistikat, prodhimi ka 3 vite që bie në mënyrë dramatike nga viti në vit.
Eksportet nga viti 2023 në vitin 2024, sipas statistikave të tij që ai nuk i lexon, ra me 32 përqind. Kjo do të thotë se të paktën, minimumi 50-60 mijë shqiptarë humbën vendet e punës dhe i punësoi Edi Rama në Greqi, Itali, Gjermani dhe vendet e tjera. Sot, t’u them të vërtetën, u ktheva nga Valencia, por kur unë u tregoja kryeministrave të vendeve të tjera për djegësin e Tiranës, u them me sinqeritet, shprehnin habi të papërmbajtur. Dhe më duhej t’ua ktheja dhe riktheja bisedën, sepse një ndodhi e tillë nuk ka të përshkruar. Kurse tek u tregoja për McGonigalin, mendimi i përgjithshëm ishte se Rama do e ndjekë ata nga mbrapa’, tha ai.
Kreu i PD Sali Berisha nga Astiri u premtoi qytetarëve të kësaj zone se do të kenë infrastrukturën më moderne arsimore dhe rrugore. Berisha u angazhua gjithashtu për shërbime më të mira shëndetësore për qytetarët.
‘Të dashur miq, është nder i madh të flasësh në këtë zonë sepse këtu përgjegjësia qytetare, beteja qytetare me mafien dhe krimin, guximi qytetar në këtë betejë shënoi rekorde evropiane. Ju që mbrojtët vlerat qytetare, mbrojtët banesat tuaja, ju do të keni infrastrukturën më moderne arsimore, shëndetësore, rrugore dhe të gjithanshme. Garantoj çdo të sëmurë në këtë vend se nuk do t’u mungojnë kurrë ilaçet për shëndetin tuaj. Edhe sikur të mos kishim, përsëri them atë që thashë për rrugët, stolitë e grave do i shisnim që ju të mjekoheni. Por nuk ka nevojë të shesim asnjë stoli, i kemi të gjithë paratë, por duhet të ketë shpirt ai që u lë ju pa ilaçe.
Ai është, mund t’i vësh çdo epitet, por vetëm njeri nuk është. Ai që u lë ju pa ilaçe kryen krime kundër njerëzimit dhe është i aftë të bëjë gjithçka. Kështu që tre muajt e parë merr fund ky kalvar dhe shqiptarët do kenë të njëjtën listë rimbursimi të ilaçeve si republika italiane. Por njeriu që shkelmon mbi fisnikërinë njerëzore, mbi bamirësinë njerëzore, mbi dhembshurinë njerëzore, është vite dritë larg nga njeriu i qytetëruar’, tha ai.
Kreu i PD Sali Berisha ka zhvilluar një takim sot me banorët e njësisë nr. 14, Tiranë, ku u bë prezantimi i kandidatëve ‘PD-Shqipëria Madhështore’.
Në krah të Sali Berishës, gjatë këtij takimi elektoral është parë edhe reperi Stresi, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj.
Stresi është djali ish- truprojës së Berishës Sali Lushaj dhe ka qenë edhe më herët në mbështetje të Berishës.
Komente
