Nga protesta, Sali Berisha tha se PD po bën gjithçka që opozita të bashkohet në një front për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Një thirrje për bashkim e kishte për të gjitha ato parti, që sipas tij, e ndjenë veten opozitare. Ndërsa tha se presin në PD edhe socialistët e ndershëm që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës
“Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.
Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët. Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.
Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.
Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës. E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë.
Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare. Rrofshi ju, rroftë Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Protesta e opozitës/ Kapsolla drejt Kryeministrisë, harrohet 'qeveria teknike'! Berisha: Trump ia preu kokën gjarprit Soros, do e bëjmë dhe ne! Meta sulmon Dumanin
SI.E./r.k./ReportTv.al