Politikë

Protesta e opozitës/ Kapsolla drejt Kryeministrisë, harrohet 'qeveria teknike'! Berisha: Trump ia preu kokën gjarprit Soros, do e bëjmë dhe ne! Meta sulmon Dumanin

8 Shkurt, 08:47| Përditesimi: 8 Shkurt, 21:47

  • Share

TIRANE-  Protesta "historike" që kishte premtuar Sali Berisha, nuk zgjati as një orë para kryeministrisë drejt së cilës veç disa kapsollave dhe shashkave nuk iu drejtua kërkesa për ‘qeverinë teknike’.

E planifikuar të niste në orën 17:00, protesta nisi 40 minuta me vonesë kur Berisha doli nga selia e PD-së për të  marshuar drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit' para kryeministrisë ku e prisnin dhe aleatët.

Më shumë se një protestë, i ngjajti një mitingu paralektoral 'një provë numrash' për Berishën dhe aleatët. Në këtë prag zgjedhjesh sondazhet e fundit kanë evidentuar një firo gjigande të mbështetjes së PD-së në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2021.  

"Nuk e di sa i kënaqur mundë të ketë dalë Berisha nga kjo protestë pasi shifrat nuk ishin aq të kënaqshme. Duke e parë nga afër protestën, pjesëmarrja nuk ishte aq e kënaqshme dhe dallonte nga protestat e kaluara kur PD mbushte sheshet"  raporton gazetarja e Report Tv dhe Shqiptarja.com nga sheshi. Gjë që e dëshmojnë edhe pamjet me dron të Report Tv. 

Fjalimet e përqëndruara në garën elektorale të 11 majit, në podiumin e ngritur para godinës së qeverisë e nisi kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu. 

 "Këtu nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka drejtësi sepse përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve të qeverisë. Duhet të bashkohemi për ta shembur këtë mur, diaspora ka sot më shumë se kurrë shansin për të ndryshuar Shqipërinë" tha Mediu. 

Edhe kreu i PAA-së Agron Duka tha se beteja elektorale nuk ishte për karrige por për shtetin. 

"Më besoni.  Unë nuk synoj as karrigen e deputetit dhe as ministrit. Unë dua që në këtë vend të punohet e jetohet me nder e dinjitet. Të sundohet rendi, ligji e barazia para tij"

Mesazhin zanor nga burgu 313, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e përdori për të shigjetuar drejtësinë e re dhe kreun e SPAK, Altin Dumani. 

"Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që  e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA. Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet  e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij"

Ndryshe nga aleati i tij i ngushtë,Berisha në fjalimin e tij nuk e përmendi fare kreun e SPAK, Altin Dumanin as kërkesën për qeveri teknike, që ishte kauza e 'mosbindjes civile' deri në dhjetor 2024. Fjalimin elektoral e përdori për të dhënë premtimet elektorale me të cilat kërkon të fitojë zgjedhjet e 11 majit. Një prej tyre ishte dhe eliminimi i Sorosit nga Shqipëria, të cilin e bën me faj për 'nongratën e tij'.

"Ne ia dolëm në kushte më të vështira, ndërsa tani që presidenti Donald Trump i preu kokën gjarprit, Soros, edhe desoirizimi, flladi i tij nga Ëashingtoni po fryn gjithë botën. Ju garantoj se nuk fiton kush më shumë se shqiptarët. Kemi programin tonë të desorifikimit të vendit, të vendosjes në piedestal të familjes e vlerave të saj", tha Berisha. 

Për të akuzuar qeverinë për vjedhje e korrupsion, përdori intervistën e dhënë nga Arben Ahmetaj në televizionin e familjes së tij. Sipas tij, ish numri dy i Ramës faktoi se ky i fundit është udhëheqësi i bandave. U ndal tek tuneli i Llogarasë, për të cilin tha se Rama me "Lubi Ballukun", referuar zv/kryeministres Balluku,'me një udhëtim në Ankara rritën çmimin e tunelit 50 mln euro".

Pjesë e fjalimit elektoral ishin dhe premtimet elektoral për pagë minimale 500 euro dhe pagë mesatare 1200 euro e ulja e çmimit të energjisë.

Berisha menjëherë pas fjalimit u nis për në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, nga ku në orën 21:00 të mbrëmjes do të udhëtojë drejt Italisë. Kryedemokrati do të ndalet në Romë, ku do të ketë nesër takime me emigrantët shqiptarë që jetojnë në kryeqytetin italian, në kuadër të turit të Diasporës.

Ndiqni lajmet në zhvillime

Ora 19:17
Berisha nga protesta: Të na bashkohen edhe socialistët e ndershëm që i shfrytëzoi gjer në palcë Rilindja

Nga protesta, Sali Berisha tha se PD po bën gjithçka që opozita të bashkohet në një front për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Një thirrje për bashkim e kishte për të gjitha ato parti, që sipas tij, e ndjenë veten opozitare. Ndërsa tha se presin në PD edhe socialistët e ndershëm që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës

“Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj. Të bashkohemi! Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.

Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët. Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.

Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës. Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.

Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës. E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë.

Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare. Rrofshi ju, rroftë Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj”, tha Berisha.

Ora 18:45
Mbyllet protesta e PD-së, Berisha niset për në Romë nën 'shoqërinë' e militantëve

Mbyllet protesta e PD dhe opozitës te kryeministria pasi përfundoi fjalën e tij kryetari Sali Berisha. Protesta e nisur rreth orës 17:30 u mbyll pas rreth 1 orë e 15 minuta.

Pjesëmarrja ishte e vakët, teksa vëmendja ishte te fjala e Berishës që vijoi me akuzat ndaj Ramës dhe premtimin se PD është fitore.

Floriana Garo lajmëroi pjesëmarrësit në protestë se Berisha tani niset për në Romë për takim me shqiptarët e Diasporës atje.  

Ora 18:42
Berisha flet në podium, militantët sulmojnë me kapsolla Policinë, 3 efektivë të plagosur, njëri u dëmtua në sy nga shpërthimet

Teksa kryetari i PD-së mbante fjalimin në podium, militantët nuk nguruan të sulmonin edhe kordonin e Policisë së Shtetit me kapsolla dhe flakadanë. 

Nga hedhja e tyre fillimisht u njoftua lëndimi i një efektiveje në gardhin e sigurisë që u ndihmua nga kolegët, por nuk mjaftoi me kaq. Hedhja e lëndëve të tjera piroteknike më pas, ndërsa Berisha nuk e kishte përfunduar ende fjalimin, shkaktoi dëme të tjera.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema, informon se janë plagosur edhe dy efektivë të tjerë. Në total ka 3 policë të plagosur.

Mësohet se njëri ka marrë lëndime në sy nga shpërthimet, një në dorë e një tjetër në fytyrë.

Ora 18:36
'Pas zgjedhjeve do t'a paketoj Edi Ramën', Berisha: Programi i Partisë Demokratike e ka tmerruar! Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro

 

Kreu i PD-s Sali Berisha mbajti fjalën e tij në protestën e pasdites së sotme të opozitës përpara kryeministrisë. Berisha vijoi me akuzat ndaj kryeministrit Rama.

Ai u shpreh se pas fitoreve në zgjedhjet e 11 majit, do e paketoj Edi Ramën që të dënohet. Më tej nënvizoi premtimet për pensionistët, pagën minimale dhe për taksat e biznesit të vogël.  

'Çdo natë dy muajt e fundit ai në ëndërr i del ishulli Riker, atje do përfundoj. Garantoj se pas zgjedhjeve do ta paketoj, po. Të bëjë dënimin pastaj të kthehet. Miqtë e mi, ky nuk është një miting elektoral, por përsëri ne duhet të jemi krenar me programin tonë. Edi Ramën e ka tmerruar programi ynë, Edi Ramën e ka sfazuar programi ynë. Ne me programin tonë kemi shembur piramidën e tij të mashtrimeve, kemi faktuar vjedhjet e tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve. I pashpirt, i la pensionistët shqiptarë në gjendjen më të mjerë. Shumë nuk blejnë dot as ilaçet e një jave. Ka 3 muaj që kalon nga një skenë në tjetrën për ti mashtruar. Ja ku jemi dhe i themi çdo pensionisti, se kurrë pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do jetë më pak se 200 euro në muaj.

Çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit e barabartë me 3 pensione. Mbaji për vete bonuset e mashtrimeve elektorale. Çmime krejt të tjera do kenë për qira në ndërtesa sociale, për ujë dhe drita. Kjo përpjekje nuk ndalet derisa të marrin pensionet më të mëdha në rajon. Programi ynë e ka tmerruar, verbuar. Po nxjerr në dritë  gjithë mashtrimet e tj monstrueze. U premtojnë gjithë punonjësve me rrogë të ulët se në Shqipëri pas 11 majit, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilën do ecim drejt rrogës mesatare më të lartë në rajon, 1200 euro. Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne besojmë se paratë në xhepat e qytetarëve janë më të vlefshme se në arkat e shtetit.

Biznesi i vogël, shikoni çfarë bën mashtruesi. Ja u ka dhjetëfishuar taksat lokale. Garantoj bizneset e vogla se pas 11 majit do përgjysmohen, do ecet drejt 1/5 së tyre. Energjia që sot e paguajnë 18-24 lekë do jetë 3.2 herë më e ulët, 7 lekë. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve do pjestohen me 3, do ulen 3 herë. Taksa e sheshtë është 10%. Biznesi i vogël do paguajë gjysmën e asaj që paguan. Shqipëria në emergjencë, ne do i çlirojmë, fermeri shqiptar do subvencionohet. Për çdo njësi prodhimi.'  

Ora 18:27
Protesta/ Berisha: Rama e qeveria e tij organizatë kriminale! Me një udhëtim në Ankara, bashkë më Ballukun rritën çmimin e tunelit të Llogarasë me 50 mln euro

 

Në fjalimin e tij në protestën para Kryeministrisë, kreu i PD, Sali Berisha u ndal edhe tek intervista e dhënë nga Arben Ahmetaj në televizionin e familjes së tij. Sipas tij, Ahmetaj faktoi se kryeministri Edi Rama është udhëheqësi i bandave.

Berisha u ndal edhe tek tuneli i Llogarasë, për të cilin tha se Rama me Lubi Ballukun, referuar zv/kryeministres Balluku, me një udhëtim në Ankara rritën çmimin e tunelit 50 mln euro.

“Menduan se do të na trembnin. Por gabuan rëndë. Ja ku e kemi ne 200 metra tutje prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun. Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, populli i lirisë. Jo mor jo, përkundrazi do mjerohen ata që mund të mendojnë të na trembin ne. Të dashur miq, pak ditë më parë unë isha në Berlin. Mora pjesë në kongresin e partisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë, bashkimit kristian demokrat gjerman CDU. Atje shtrëngova duart përzemërsisht me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm. Takova miq të rinj. Ata mezi po presin fitoren e PD-së për të ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve. Unë u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerancë.

U censurua krejtësisht intervista e Arben Ahmetajt, i cili në fakt i bëri autopsinë regjimit të krimit nga viti 2015 gjer sot. Arben Ahmetaj, si dëshmitar me dokumenta, si dëshmitar fizik, okular, u tha shqiptarëve se Edi Rama dhe qeveria e tij funksionojnë si organizatë kriminale. Se Edi Rama detyroi Erion Veliajn të firmosë djegësin e Tiranës dhe së bashku me të kanë vjedhur 130 milionë euro. Se Edi Rama me Lubi Ballukun në një udhëtim në Ankara, para syve të tij, rritën çmimin e tunelit 50 milionë euro për t’i marrë në xhep.

Se Edi Rama ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e vjedhjeve të tij ku me familjarët e vet ka marrë dhjetëra milionë dhe ka grisur dy urdhra arresti për baxhanakun dhe drejtoreshën e AKSHI-t. Arben Ahmetaj faktoi se Edi Rama i ka duart e tij të zeza në aferën e Porto Romanos dhe se është udhëheqësi i të gjitha bandave në Shqipëri.

Lubi Balluku, Lubi Loti, administron për llogari të Edi Ramës 12 miliardë euro dhe dëmet e saj shkojnë më shumë se dëmet e tërmetit. Pra, miq, të gjitha këto janë shkaku pse jemi ne sot këtu. Për t’u thënë shqiptarëve dhe mbarë botës se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë hajdut që historia e Shqipërisë nuk ka njohur kurrë të tillë", tha Berisha. 

Ora 18:25
VIDEO/ 'Ju keni vrarë...', aktorja mban fjalim në protestën e PD, por i kujton Berishës të vrarët e 21 janarit

Partia Demokratike mbajti protestën e radhës para Kryeministrisë. Një nga folëset e tubimit të sotëm të PD-së, duket se vuri në ‘siklet’ shefat e saj, të cilët duket se qeshnin me zor teksa dëgjonin fjalimin e saj.

Aktorja Juli Emiri në fjalimin e saj foli për vjedhjet për vrasjet. Por, duket se ‘padashje’ i kujtoi Berishës 21 janarin. Ironia është se aktorja flet për vrasjet pikërisht në sheshin ku në vitin 2011 u vranë 4 protestues me plumbat e shtetit gjatë qeverisjes Berisha.

“A e dini ju që vidhni që një jetë keni. Po ju shkon jeta kot ngaqë kërkoni për t’i fshehur e nuk din iku t’i çoni ata që keni vjedhur. A e dini ju që vrisni se një jetë keni dhe jeta e atij që e merrni një bëhet e juaja”, tha ajo.

Ora 18:21
'U ngritëm nga hiri si Feniksi', Berisha: Gjithçka u bë që Shqipëria të mbetej pa opozitë! U godit Salianji, martiri i fjalës së lirë

 

Kryetari i PD-së Sali Berisha mbajti fjalën e tij në protestën që po zhvillon opozita pasditen e sotme përpara kryeministrisë. Berisha tha se opozita dhe PD është e pamposhtur. Më tej shton se PD është ngritur në këmbë megjithëse sipas tij, ndaj opozitës janë vënë prokuroria dhe gjykata.

'Në pak kohë, ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak vetëm një ditë më parë, në shkurtin e kaluar. Ne  ishim këtu në shesh, në protestën e 20 shkurtit, lideri i opozitës i arrestuar në kundërshtim me ligjin në kundërshtim me kushtetutën dhe unë fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv i burgosu politik. Por në atë protestë hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si feniksi dhe se ata që menduan që do na mposhtin ne, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur. Sepse u bashkuam, jemi të pamposhtur sepse mbrojmë kauzë të drejtë. Sepse mbrojmë vlerat më të arrira të njeiurt, interesinkombëtar, dinjitetin njerëzor, kombin. Vimë sot këtu si opozitë e së pamundurës si PD që bën të pamundurat të mundura. Jemi më të bashkuar se kurrë. me 3 rezoluta ndërkombëtare jemi forca politike më e përkrahur.

Sot jemi në këmbë, më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën. Do fitojmë, hisotria e deshi që ne të jemi e vemtja forcë pilitike që përmbys dy diktatura, diktaturën staliniste të Hoxhë dhe diktaturën e narko bastardit të Hoxhës, Edi Ramës. Asgjë nuk marrim si dhuratë.Rroftë PD, nderim qëndrestarve opozitarë. Përsëri krimi dhe bota e tij është kundër nesh. Prokurroia dhe gjykatata janë kundër nesh. Por ne qëndrojmë yë pamposhtur. Jemi të sigurtë në fitoren tonë.

Ne arritëm të bëjmë pluhur ëndrën e pasardhit të xheltatit komunist, Edi Ramës dhe monstrës së njerzimit George Soros, të Shqipërisë pa opozitë. Gjithçka u bë, që Shqipëria të mbetej pa opozitë. Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës. Ish presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mestë rrugës dhe u filmua duke menduar se do tmerronte opozitën, me urdhër të Ramës, deputeti Ervin Salianji, martir i gjallë i fjalës së lirë, u burgos se u përball dhëmbë për dhëmbë me kalnin mafioz të Shqipërisë, Ballkanit, Rama-Xhafa.'

Ora 18:20
Protesta te Kryeministria, hidhen kapsolla e flakadanë! Një efektive e Policisë ndihet keq dhe lëndohet, kolegët e largojnë nga tymi asfiksues

Teksa mbaheshin fjalimet nga podiumi i protestës së opozitës te Kryeministria, tubuesit kanë hedhur kapsolla pas kordonit të Policisë së Shtetit te godina e qeverisë.

Më tej u pa edhe një flakadan te shkallët. Minuta më pas shpërthimet nga kapsollat u përsëritën edhe ndërsa kryetari i PD-së mbante fjalimin e tij nw podium.

Nga shpërthimi është krijuar një re tymi teksa raportohet se ka pasur edhe një efektive që është ndjerë keq dhe është larguar menjëherë. Kolegët e saj e kanë larguar nga zona ku kishte përqendrim të tymit asfiksues.

Ora 18:17
Protesta e PD/ Meta nga qelia: Drejtësia e re është korrupsioni më i madh! Dumani më mban të izoluar! SPAK, inkuizitor dhe pengmarrës (MESAZHI I PLOTË)

Në fjalimin e tij para militantëve të opozitës, Meta sulmoi reformën në drejtësi, për të cilën tha se është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh. Shigjetoi edhe kreun e SPAK, Altin Dumani, për të cilin tha se po e mban të izoluar në qeli.

Mesazhi i plotë i Ilir Metës

Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju, misionarë të lirisë, demokracisë dhe patriotizmit që protestoni plot guxim kundër Narkoregjimit të vetëm në Europë. Përshëndetjet më të përzemërta për Prof. DRr. Sali Berishën, qëndrestarin e paparë dhe gjithe drejtuesit e opozitës. Përshëndetje të veçanta për Ervin Salianjin, zemërluanin opozitar dhe të gjithë të burgosurit politikë të Narkoregjimit që është në grahmat e fundit.

Çdo shtet ka mafian e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Tani kjo dëshmohet publikisht edhe nga ish-Zv/Kryeministri socialist, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo është një dëshmi historike, sepse vjen nga një dëshmitar okular i disa prej mega-aferave më tronditëse të Edi Ramës.

Kjo dëshmi vjen me prova dhe shkresa zyrtare, por mbi të gjitha me gatishmërinë për të dëshmuar edhe para një Gjykate Ndërkombëtare. Ahmetaj na provoi se si shteti është shndërruar në organizatë kriminale dhe se Edi Rama është Kryetar i Organizatës. Ai na tregoi se SPAK-u është një instrument i Edi Ramës që përdoret si komando elektorale për mbulimin e krimeve zgjedhore dhe goditjen e opozitës politike.

Edhe për arsye të rrethanave ku ndodhem, po edhe i bindur se shumë çështje ju do t’i prekni dhe denonconi vet, por do të ndalja në dy çështje që më kanë bërë përshtypje të veçantë. Edi Rama u kujtua mbas 12 vitesh në pushtet për të hedhur sytë nga bujqësia dhe për të krijuar edhe një Bankë Zhvillimi me fokus bujqësinë.

Po kush e pengoi këtë deri tani, për 12 vite? Apo ky kujton se me këtë shashkë do mashtrojë pa mbarim mbi 35% të shqiptarëve që merren me bujqësi, të cilëve për këtë vit buxhetor do t’ju japë më pak se ryshfeti që ka marrë, sipas Ahmetajt, për tunelin e Llogarasë. Mirë deri në 2017-ën mund ta ketë penguar LSI-ja për t’ju përkushtuar zhvillimit të bujqësisë, po këto 8 vite kush e pengoi?

Sipas vet INSTAT-it të tij, si shpjegohet që në vitin 2017, numri i gjedhëve ishte 505 mijë, ndërsa tani është vetëm 226 mijë. Si shpjegohet që numri i të imtave, dhi e dele ishte 2 milion e 930 mijë dhe sot është vetëm 1 milion e 200 mijë, kur Maqedonia e Veriut fqinje vetëm në një vit ka eksportuar 1 milion qengja në Bashkimin Europian.

Si shpjegohet që sa e mori edhe Ministrinë e Bujqësisë u riktheu TVSH-në me 20% fermerëve? Ai e ndriti me fondet e IPARD-it që i jepte dhe i kontrollonte BE- ja, duke i çuar në zero, sepse dhe këto fonde dedikuar për bujqësinë nga BE, ai i dërgonte te bizneset e lidhura me inceneratorët.

Ndaj sot jo vetëm që jemi vendi me mbështetjen më mjerane për bujqësinë, por dhe me politikat më armiqësore për fermerët, për blegtorët dhe për prodhuesin vendas. Jemi vendi që për çmimet e bulmetit ua kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara në BE.

Si s’pati kohë ky para dy muajsh të votojë amendamentet e opozitës në Kuvend për të rritur mbështetjen buxhetore për bujqësinë, meqë ka porositur edhe shumë emisione në televizione për të diskutuar për Bankën e Zhvillimit të Bujqësisë? A mund t’ju thotë ky fermerëve, shqiptarëve e sidomos blegtorëve, se ku e ka ndërtuar atë Akademinë e famshme të çobanëve që premtoi para 8 viteve?

Apo kështu e ka ky, në prag të çdo zgjedhje premton mashtrime të reja, pa dhënë llogari për mashtrimet e vjetra? Ku është shëndetësia falas? Ku është nafta e Shpiragut që do begatonte jo Shqipërinë, por edhe Ballkanin.

Po premtimi i tij që do udhetonte në "economy class" si qytetarët e thjeshtë ku përfundoi? E tha Ahmetaj vet, me bilance në dorë, të minus 20 milionë euro të Air Albania, që për të mbuluar shpenzimet e këtij anullon fluturimet dhe i le mijëra shqiptarë të flenë natën në stolat e aeroportit të Stambollit dhe aeroporteve të tjera.

Po kështu nuk ka shtresë më të diskriminuar në këto 12 vite se sa pensionistët, ku Edi Rama si kurrë më parë shkeli edhe ligjet në fuqi dhe u është borxh deri në fyt çdo pensionisti në zonat urbane  dhe në zonat rurale për mos indeksimin sipas ligjit të pensioneve të tyre.

Ky kujton se duke u ofruar bonusin e mjerimit  në prag të zgjedhjeve do t'i mashtrojë për t'i varfëruar më mizorisht në katër vitet që vijnë. Opozita thotë ky mashtron se s’mund të përmbyset skema e pensioneve.

Po përse Kosova që e ka buxhetin shumë më të vogël se ne i ka pensionet dyfish më të larta apo Mali i Zi tre herë më të larta. Kjo ndodh se ky kusar i bën rrugët disa herë më të shtrenjta, jo se në këto vende, por edhe se në vendet e BE-së dhe këtë na e tha vetë Ahmetaj, numri dy i Qeverisë.

Kjo ndodh se ky i ble respiratorët disa herë më shtrenjtë se vlera e tyre reale dhe këtë përsëri Ahmetaj na e tha. Kjo ndodh se ky AKSH-in e ka kthyer në kopsht familjar në funksion të kompanive  me normën e fitimit më të larta në botë.

Kjo ndodh se ky përzë investitorët e huaj, si në Portin e Durrësit dhe Becchetin e shumë të tjerë  dhe shqiptarët duhet të paguajnë qindra milion euro në arbitrazhet ndërkombëtare , ndaj nuk ka lekë për pensionet.

Kjo ndodh se ky firmos vet për të shpallur firma fituese,  të cilat lindin ligjërisht vetëm pasi ky i shpall në mënyrë të paligjshme fituese. Kjo ndodh sepse ky i çon lekët te inceneratorët që nuk ekzistojnë apo që nuk punojnë.

Ku do i gjejnë lekët, pyet ai, që pi një shishe verë 33 mijë euro? Ato 3.2 miliardë euro që ti i vjedh çdo vit shqiptarëve  me organizatën tënde kriminale pa i futur fare në Buxhetin e Shtetit, të cilat shkojnë 13 miliard euro me një mandat 4-vjeçar, mjaftojnë për të tejkaluar të gjitha premtimet e opozitës.

Se ti mbledh vetëm 28% të të ardhurave në raport me PBB, kur Mali i Zi, Bosnja, Serbia mbledhin 42%. E pra, kjo diferencë 14% është 3.2 miliardë euro që ti i vjedh vetëm në një vit shqiptarëve, përveç vjedhjeve që bën me tenderat dhe PPP-të e tua.

Prandaj edhe Ministër të Brëndshëm ke caktuar një të shkarkuar për korrupsion, siç na e dëshmoi Ahmetaj vet , që s’ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Flet për ekonominë ky, që e ka lënë Shqipërinë të fundit për prodhim dhe eksporte.

Vetëm 8% të Produktit të Brendshëm Bruto eksporton Shqipëria sot, 5 herë më pak se mesatarja e rajonit dhe 7 herë më pak se Maqedonia e Veriut fqinje që eksporton  57% të PBB. Ndërsa se si funksionon SPAK-u dhe "Drejtësia e Re", na e sqaroi aq mirë Arben Ahmetaj, i cili edhe ka votuar vet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota në mënyrë antikushtetuese  e po kështu për çdo ligj e vendim antikushtetues e të njëanshëm të Edi Ramës, që e shndërroi Reformën në Ramaformë.

Pra Ahmetaj na dëshmoi se u largua nga vendi, sepse po arrestohej për t'u bërë "kokë turku" për aferën e inceneratorëve, të cilën me shkresa zyrtare ai e ka kundërshtuar që të mos financohej nga Buxheti i Shtetit.

Ahmetaj na dëshmoi për herë të parë se përse Altin Dumani nuk e heton Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për firmën e paligjshme për inceneratorin fantazëm në 2017. Sepse e paska urdhëruar e detyruar vet Rama për këtë akt të paligjshëm dhe çdo hetim do tregonte se koka e vërtetë e kësaj mega-afere është vet Edi Rama.

Ndërsa emisioni  “Plug” te Syri TV, na tregoi para pak ditësh se përse "Afërmendshi" nuk i heton këto shkresa të Ramës dhe Veliajt për inceneratorët dhe jo vetëm, sepse "Afërmendshi" me dy shtëpi, vilë, një dyqan e paska kaluar vettingun për 24 orë.

Sepse "Afërmendshi" i "Drejtësisë së Re", qenka promovuar me shpejtësi rrufeje, në mënyrë të paligjshme nga i vetmi Prokuror i Përgjithshëm i shkarkuar me vota konsensuale të socialistëve e demokratëve e po kështu i shkarkuar edhe me firmen e një Presidenti  me integritet si Mejdani, i zgjedhur nga socialistët.

"Drejtësia e Re" është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Koha e gjykimit u shumëfishua, transparenca u zëvendësua me dhomat e mbyllura. Për të ndjekur një çështje, tani duhet të paguash. Po kështu harta e re gjyqësore e  bëri drejtësinë edhe më të paarritshme edhe më të largët edhe më të pamundur edhe më të shtrenjtë për qytetarët.

Ndaj asnjë vend  tjetër se pranon këtë  eksperiment të turpshëm. Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që  e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA.

Si shpjegohet që ka 2 vite që nuk e thërret  njëherë Edi Ramën ta pyesi për McGonigalin edhe pse emri i tij del dhjetëra herë në procesin e McGonigalit dhe këtë e di e gjithë bota.

Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet  e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij.

Se ky është SPAK-u, inkuinzitor për opozitarët e pashantazhueshëm dhe patriotë, pengmarrës për ata që kanë  gëlltitur një lugë çorbë të prishur, të cilët i konverton në shërbërtorë të “Rilindjes” dhe garant i pandëshkueshmërisë së Ramës dhe pamundësimit të rotacionit politik .

Ndaj 11 Maji është dita historike e skadencës së Narkoregjimit dhe Narkodrejtësisë. 11 Maji do të jetë dita e triumfit të sovranit, të patriotëve dhe liridashësve.

11 Maji do të jetë dita e përmbysjes së këtij modeli  të Narkoekonomisë në shërbim të një pakice mizore  dhe të pastrimit të parave të tyre dhe ndërtimit të një modeli ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe zhvillimin e bujqësisë, të industrive, inovacionit dhe nxitjen e eksporteve që rrit produktivitetin dhe garanton paga dinjitoze për të rinjtë tanë.

Gjej rastin t'i ftoj të gjithë vëllezërit tanë emigrantë kudo ndodhen, që të nxitojnë që të regjistrohen, që të mos humbasin këtë mundësi historike për të kontribuar për rivendosjen e vendit të tyre në shinat e Kushtetutës, për rikthimin e lirisë, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe në këtë menyrë i hapet rruga dhe riintegrimit të tyre në Atdheun e tyre.

Edhe njëherë suksese protestës tuaj dhe mirënjohje për patriotizmit tuaj dhe për gjithçka që ju bëni për triumfin e demokracisë në vendin tonë!

Ora 18:13
Pamjet me dron/ 'Më e madhja në histori', shikoni sa njerëz mblodhi Berisha në protestën para kryeministrisë

Sali Berisha dhe Partia Demokratike thanë se do të ishte protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë në Shqipëri.

Po a është kështu? Shikoni pamjet me dron që Report Tv sjell ekskluzivisht për të parë sa njerëz u mblodhën pas thirrjes së Berishës.

Ora 18:02
Aleati i Berishës pesimist para protestës, Duka: Opozita ka bërë gafa të rënda, është negative dhe duan kohë që të rikuperohen

 

Agron Duka duke folur sot para protestës

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, foli për mediat pak para se të niste protesta e sotme e opozitës te Kryeministria.

Ai pohoi se opozita ka bërë gafa të rënda politike që i kanë kushtuar shumë dhe që është e vështirë të rikuperohen, pasi do shumë kohë.

“Opozita ka bërë gafa të mëdha që janë të vështira për t’u rikuperuar në kohë. Reforma territoriale, mospjesëmarrja në zgjedhje dhe djegia e mandateve janë disa nga shkaqet. Nuk është shumë e lehtë, duhet kohë, ka diçka negative se ka shumë forca që kanë ikur nga PD dhe aleatë, por nëse ata bashkohen në aleancë atëherë mund të kemi një shans rotacioni. Por ka një lloj fryme”, tha Duka në fjalën e tij.

Ai i bëri thirrje fraksioneve të PD-së të përçara nga partia që të ribashkohen me aleancën opozitare, sepse vetëm kështu do të rivinin në pushtet.

Ora 17:59
'Drejtësia përdoret si armë politike kundër opozitës’, Mediu: Kjo është qeveri antikombëtare, s’jemi këtu për pushtetin, por për fatin e Shqipërisë

 

 Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në fjalimin e tij nga protesta e PD, hodhi akuza ndaj qeverisë se e ka zhytur vendin në krime dhe korrupsion, ndërsa e cilësoi si qeveri antikombëtare. 

Ai tha se edhe drejtësia përdoret si armë politike kundër opozitës.

'Ju doni një Shqipëri pa korrupsion dhe pa krime dhe doni që të vendosini me votë të ardhmen e Shqipërisë. Ju sjell përshëndetje nga miqtë republikanë dhe senatorët e Amerikës, nga ata që na kanë mbështetur në anëtarësimin në NATO dhe duan një Shqipëri pa korrupsion, pa krim, pa një drejtësi që përdoret kundër opozitës. S'jemi këtu për pushtetin por për shtetin e shqiptarëve, jemi këtu sot në emër të prindërve që na dedikuan çdo gjë dhe sot qeveria tallet me ta me pensione qesharake, jemi në emër të së ardhmes tonë. Jemi ne që në këtë godinë pritëm Xhorxh Bush dhe në krah të Berishës deklaroi se dy janë synimet Shqipëria në NATO dhe pavarësia e Kosovës.

Këtu nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka drejtësi sepse përdoret si armë politike kundër kundërshtarëve të qeverisë. Duhet të bashkohemi për ta shembur këtë mur, diaspora ka sot më shumë se kurrë shansin për të ndryshuar Shqipërinë. Nuk mund të pranojnë që qeveria të jetë zot e familjeve, luftoni ti ktheni Shqipërisë të ardhmen europiane. Kjo është qeveri antikombëtare, që punon me Serbinë, në kurriz të Kosovës.  Rruga e Shqipërisë nuk është nga Serbia, por nga BE dhe SHBA. Ta kthejmë Shqipërinë për nga rruga e saj euro-atlantike', tha ai. 

Ora 17:58
'Nuk dua poste deputeti as ministri', Duka flet në protestën e opozitës: T'i heqim me votë pushtetin atij që abuzon

 

Agron Duka, kreu i PAA foli në protestën e sotme të opozitës përpara kryeministrisë. Duka renditi disa nga arsyet pse duhet të dilet në protetsë kundër kësaj qeverie.

Më tej shtoi se ai vetë nuk synon, edhe pse në koalicion me PD-në, asnjë post deputeti apo ministri, vetëm do një vend që punohet.

'Siç e dini jam kryetar i PAA dhe pjesë e koalicionit. Do isha dhe si qytetar i vendit. Duhet kohë të rendisësh arsyet pse të protestosh. E para kjo mazhorancë ka dalë nga binarët e ligjit. Ata që qeverisin sillen si pronarë, bëjnë resorte me para publike. Ia vënë çmimin e km të rrugës sa të duan. Kompensojnë qytetarë me çmim qesharak. Ndryshojnë ligjet për të ndërtuar në zonat e mbrojtura. Ligji për ta nuk është pengesë. Kanë humbur çdo sens seriozteti për të qeveeisur. Shell iku nga Shqipëria pas dështoi në Shpirag. Ky nuk është lajm i mirë.

Sa herë kanë dalë në konferenca kryeministri sa mld do fitoheshin nga nafta. Dhe filluan ti ndajnë. Sa herë na rritën pensionet me këto para. A duhet të kenë moral sot? Si mund të gënjesh pa marrë përgjegjësi. E dëgjoj shpesh shprehjen: Çfarë u zgjidh? Nuk zgjidhëm por para gjithë këtyre vjedhjeve a është mirë të qendrojmë në gjendje apo ta ndryshojmë? Kush do e ndryshoj këtë situatë? Duhet ta ndryshoni ju. Ndaj është vota për tja hequr pushtetin atij që abuzon. Dua që në këtë vend të punohet, nuk dua poste as ministri, as zv.ministri.'

Ora 17:45
Berisha i rrethuar me 50 truproja nga selia deri në shesh! Gardh ‘ushtarak’ sigurie, nga kush trembet ish-kryeministri?!

 

Gardhi i sigurisë ndaj Berishës duke shkuar te Kryeministria

E ka cilësuar si protestën më të madhe opozitare, por në fakt grupi më i madh që u vu re në shesh ishte ai i truprojave që rrethuan kreun e selisë blu Sali Berisha. 

Teksa doli nga PD-ja i rrethuar fillimisht nga nënkryetarët dhe drejtues të tjerë, në mungesë të kreut të grupit, Gazment Bardhit, Berisha iu drejtua bulevardit. 

Por gjithmonë pranë tij ndodheshin të paktën 50 truproja që i krijuan një gardh në formë drejtkëndëshi derisa mbërriti tek Kryeministria, pranë podiumit ku mbahen fjalimet.

Nuk dihet se nga kush trembej ish-kryeministri nën akuzë prej më shumë se një viti nga SPAK për aferën e dosjes “Partizani”, por masat e sigurisë nga strukturat e partisë ishin maksimale.

Një gardh sigurie që ishte i vështirë të çahej, sikur një formacion ushtarak në luftrat mesjetare ku krijohej kordoni i ‘mburojës së mbretit’.

Ora 17:32
Protesta e PD te Kryeministria, opozitës i mungon një nga ‘shtyllat’ kryesore, Gazment Bardhi ndodhet në SHBA! Mungojnë dhe shumë deputetë

Teksa protesta e PD-së pritet të nisë nga momenti në moment, u pa se kryetari Sali Berisha doli nga selia pa zëvendësin e tij, një nga ‘shtyllat’ kryesore të partisë.

Pikërisht kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhi. Deputeti ndodhet së bashku me një përfaqësi tjetër politike dhe parlamentare në SHBA.

Bashkë me të ndodhet edhe Bledion Nallbati dhe Jorida Tabaku. Deputetët duhet të ishin kthyer për protestën, por mësohet se për shkak të takimeve me diasporën kanë qëndruar.

Nuk dihet nëse shkak i mosardhjes së Bardhit është edhe deklarata e Berishës kundër SPAK-ut dhe reagimi që ai i bëri te "Zëri i Amerikës", ku deputeti e mbështeti drejtësinë e re dhe i doli kundër kryetarit të tij.

Por ka edhe shumë deputetë të tjerë që për shkak të tureve të Diasporës për zgjedhjet e 11 Majit ndodhen jashtë vendit.

Ora 17:29
Berisha del nga selia e PD-së, nis marshimin me militantët drejt kryeministrisë

 

Sali Berisha ka dalë nga selia e PD-së, rreth gjsyëm orë pasi duhej të niste protesta e opozitës në bulevardin përpara kryeministrisë.

Berisha është i shoqëruar nga Flamur Noka, Luçiano Boçi, Asllan Dogjani, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa dhe militantët e PD-së.

Berisha ka nisur marshimin tashmë nga selia drejt kryeministrisë, ku do të mbahet protesta e paralajmëruar për të nisur në orën 17:00.

Ora 17:12
Ora e shpallur e protestës ishte 17:00, numër i ulët pjesëmarrësish për tubimin e PD te Kryeministria

Ora e protestës së shpallur kombëtare të PD-së te Kryeministria ishte 17:00, por kur kanë kaluar më shumë se njëçerek ore, ky miting ende nuk ka nisur, pasi pritet ende grumbullimi i qytetarëve dhe mbështetësve.

Por ajo që bie në sy është numri i vogël i mbështetësve nga shumë pika të Tiranës.

Si përpara selisë së PD-së, ashtu edhe në bulevard dhe pranë Kryeministrisë ku është ngritur podiumi ku do mbahen fjalimet, shihet qartë numri i pakët i protestuesve.

1739031283_protestaeopozites.jpg

Moment nga studio e Report TV dhe pamje nga dy vende ku janë mbledhur tubuesit
Ora 16:57
Protesta te Kryeministria, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha shkon në zyrë 20 minuta para tubimit

1739030169_hoxha.jpg

Ministri Ervin Hoxha duke shkuar në zyrë

Protesta e opozitës është lajmëruar të mblidhet në orën 17:00 dhe pak minuta ndajnë nga ky moment.

Teksa Policia e Shtetit ka marrë masat për ruajtjen e institucioneve dhe mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha u pa teksa kalonte rrugën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe shkonte për në zyrën e tij.

I shoqëruar edhe nga truprojat, i veshur civil dhe jo me kostum zyrtar, rreth orës 16:40 ai u pa teksa përshëndetej me efektivët në detyrë para dikasterit, vetëm pak çaste para se të hynte në derën kryesore.

Ora 15:24
Protesta e opozitës tek kryeministria/ Rrugët që bllokohen në Tiranë, 1 mijë efektivë në gadishmëri

Policia e shtetit do të bllokojë disa rrugë në kryeqytet pasi u njoftua nga PD për 3 orë protestë pasditen e sotme nga ora 17:00 deri në 18:00 para Kryeministrisë. 1 mijë efektivë do të angazhohen për të ruajtur rendin e sigurinë.

Rrugët ku do të kufizohet lëvizja:

-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;   

-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.  

-Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. 

-Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Ora 14:07
Meta mesazh qytetarëve nga qelia para mitingut, me dy gishtat lart: Të protestojmë për votën e lirë dhe kundër narkoregjimit mafioz!

Foto e publikuar nga Ilir Meta në Facebook, disa orë para protestës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar prej 21 Tetorit 2024 për tre akuza të rënda, ka reaguar nga qelia e Burgut 313 në Tiranë, disa orë para protestës së opozitës para Kryeministrisë në orën 17:00 (sot).

Teksa pritet të mbajë edhe një fjalim të regjistruar në miting, Meta ka bërë postimin në profilin e tij të rrjetit social Facebook, ku shquhet edhe një foto e tij me dy gishtat e të dyja duarve të ngritura lart. Fjalimin me video-mesazh e konfirmoi pak para protestës edhe Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi.

Ai u bëri ftesë të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës “kundër narkoshtetit që ka përzënë nga vendi 1 milionë shqiptarë”.

Më tej ai theksoi se motive të protestës janë edhe vrasja e pazbardhur e nxënësit Martin Cani, pensionistët e varfër, fermerët e braktisur, mësuesit dhe pedagogët, mjekët dhe infermierët me ‘pagat mizerabël’.

“Protestojmë sot për të shpëtuar Atdheun nga zhbërja, për të shpëtuar familjen shqiptare dhe fjalët e shenjta Nënë dhe Babë nga “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, për t'u mobilizuar për largimin e Kryetarit të Organizatës që për të vjedhur pushtet shet sovranitet, për t'i dhënë fund modelit të narkoekonomisë bazuar në pasurimin e një pakice nëpërmjet industrisë së pastrimit të parave dhe për t'i hapur rrugën një modeli të ri ekonomik që mbështet prodhuesit vendas dhe e shndërron Shqipërinë në fuqi eksportuese në rajon”, u shpreh Meta ndër të tjera.

Dhe në fund një thirrje qytetarëve që të “protestojmë për votën e lirë dhe pa kërcënimet e narkopatronazhistëve dhe narkoqeverisë”, me qëllim ‘largimin përfundimtar të kësaj qeverie të korruptuar dhe mafioze’.

Postimi i Ilir Metës në Facebook
S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 08/02/2025 17:08

    Kur flen me qen, zgjohesh me pleshta. A i jepet qeveria nè dorè njè njeriu me tè meta mendore, qè jo vetèm nuk njeh kahèsim majtas apo djathtas, por qè tè shfaros farèn komplet me hajdutèt qè mbledh rreth vetes. Pse tè mos flasè Meta nga burgu? Kjo èshtè esenca e sè gjithès,,,,kètu i ke 3 hajdutèt bashkè,,,SPAK, le tè kuptojè qè nuk ia del dot, nè kètè vènd qè e kemi pèrdhunuar ne vetè. Do tè shkatèrrosh njè shtet dhe njè komb? Vèru tipin e Ramès nè krye. Aq keq èshtè puna,,saqè edhe gjyqtarèt italianè kanè vèshtirèsi tè mbyllin sytè, me njè papèrgjegjshmèri tè tillè barbare? Problemi shqiptar, mbetet qè nuk kanè gjykata fare dhe aty i ka rrènjèt fryrja e hajdutit qè gafurret si trim.

    Përgjigju
  • Ilir: 08/02/2025 17:08

    Plan makaber sot i opozites per djegjen e kryeministrise e parlamentit ne te njejten kohe...policia te kete kujdes

    Përgjigju
    • A...Zh: 08/02/2025 17:15

      Jo Ilir, do ishte vetvrasje.

  • I.META: 08/02/2025 17:08

    ME NXIRRNI SE U CMENDA KETU,,,,àaaaaaaaaaàaaa////

    Përgjigju
  • AltinTop: 08/02/2025 16:57

    Nese Meta jep mesazh nga burgu…ky shtet ka rene.

    Përgjigju
  • Qellimi i protestes: 08/02/2025 16:43

    Saliu po nemron delet e tija qe nga protesta ne proteste po ja ha ujku rruges.Po i dolen shume pak do te pengoi votimin e diaspores....

    Përgjigju
  • Gjergj: 08/02/2025 15:35

    Na ndihmoni mo aman,,,kush èshtè dhe çdo tè thotè "buf i stèrplakur" kur ky qè kemi zgjedhur èshtè njè mashtrues i dorès sè parè? Jo mo jo,,,,as bufin por edhe mashtruesin ama,,,,JO.

    Përgjigju
  • KASAP Rexhep Bule Leka [ kepi ]: 08/02/2025 15:35

    Sali Bajga do protestoi qē Shkēlzeni gjēn e vjedhur ta gēzoi e kur mos ta lēshoi. Prandaj ju o tē mjer pēr Shkēlzen sy peshkaqenin protestoni se hajrin ksaj gjēje do i shikoni e gjithmon mē shum do pasuroheni e noc rrokun do fitoni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha planifikon të shpërbëjë SPAK nëse fiton më 11 maj, çfarë mendoni?