Në fjalimin e tij para militantëve të opozitës, Meta sulmoi reformën në drejtësi, për të cilën tha se është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh. Shigjetoi edhe kreun e SPAK, Altin Dumani, për të cilin tha se po e mban të izoluar në qeli.
Mesazhi i plotë i Ilir Metës
Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju, misionarë të lirisë, demokracisë dhe patriotizmit që protestoni plot guxim kundër Narkoregjimit të vetëm në Europë. Përshëndetjet më të përzemërta për Prof. DRr. Sali Berishën, qëndrestarin e paparë dhe gjithe drejtuesit e opozitës. Përshëndetje të veçanta për Ervin Salianjin, zemërluanin opozitar dhe të gjithë të burgosurit politikë të Narkoregjimit që është në grahmat e fundit.
Çdo shtet ka mafian e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Tani kjo dëshmohet publikisht edhe nga ish-Zv/Kryeministri socialist, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës për 10 vite në pushtet. Kjo është një dëshmi historike, sepse vjen nga një dëshmitar okular i disa prej mega-aferave më tronditëse të Edi Ramës.
Kjo dëshmi vjen me prova dhe shkresa zyrtare, por mbi të gjitha me gatishmërinë për të dëshmuar edhe para një Gjykate Ndërkombëtare. Ahmetaj na provoi se si shteti është shndërruar në organizatë kriminale dhe se Edi Rama është Kryetar i Organizatës. Ai na tregoi se SPAK-u është një instrument i Edi Ramës që përdoret si komando elektorale për mbulimin e krimeve zgjedhore dhe goditjen e opozitës politike.
Edhe për arsye të rrethanave ku ndodhem, po edhe i bindur se shumë çështje ju do t’i prekni dhe denonconi vet, por do të ndalja në dy çështje që më kanë bërë përshtypje të veçantë. Edi Rama u kujtua mbas 12 vitesh në pushtet për të hedhur sytë nga bujqësia dhe për të krijuar edhe një Bankë Zhvillimi me fokus bujqësinë.
Po kush e pengoi këtë deri tani, për 12 vite? Apo ky kujton se me këtë shashkë do mashtrojë pa mbarim mbi 35% të shqiptarëve që merren me bujqësi, të cilëve për këtë vit buxhetor do t’ju japë më pak se ryshfeti që ka marrë, sipas Ahmetajt, për tunelin e Llogarasë. Mirë deri në 2017-ën mund ta ketë penguar LSI-ja për t’ju përkushtuar zhvillimit të bujqësisë, po këto 8 vite kush e pengoi?
Sipas vet INSTAT-it të tij, si shpjegohet që në vitin 2017, numri i gjedhëve ishte 505 mijë, ndërsa tani është vetëm 226 mijë. Si shpjegohet që numri i të imtave, dhi e dele ishte 2 milion e 930 mijë dhe sot është vetëm 1 milion e 200 mijë, kur Maqedonia e Veriut fqinje vetëm në një vit ka eksportuar 1 milion qengja në Bashkimin Europian.
Si shpjegohet që sa e mori edhe Ministrinë e Bujqësisë u riktheu TVSH-në me 20% fermerëve? Ai e ndriti me fondet e IPARD-it që i jepte dhe i kontrollonte BE- ja, duke i çuar në zero, sepse dhe këto fonde dedikuar për bujqësinë nga BE, ai i dërgonte te bizneset e lidhura me inceneratorët.
Ndaj sot jo vetëm që jemi vendi me mbështetjen më mjerane për bujqësinë, por dhe me politikat më armiqësore për fermerët, për blegtorët dhe për prodhuesin vendas. Jemi vendi që për çmimet e bulmetit ua kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara në BE.
Si s’pati kohë ky para dy muajsh të votojë amendamentet e opozitës në Kuvend për të rritur mbështetjen buxhetore për bujqësinë, meqë ka porositur edhe shumë emisione në televizione për të diskutuar për Bankën e Zhvillimit të Bujqësisë? A mund t’ju thotë ky fermerëve, shqiptarëve e sidomos blegtorëve, se ku e ka ndërtuar atë Akademinë e famshme të çobanëve që premtoi para 8 viteve?
Apo kështu e ka ky, në prag të çdo zgjedhje premton mashtrime të reja, pa dhënë llogari për mashtrimet e vjetra? Ku është shëndetësia falas? Ku është nafta e Shpiragut që do begatonte jo Shqipërinë, por edhe Ballkanin.
Po premtimi i tij që do udhetonte në "economy class" si qytetarët e thjeshtë ku përfundoi? E tha Ahmetaj vet, me bilance në dorë, të minus 20 milionë euro të Air Albania, që për të mbuluar shpenzimet e këtij anullon fluturimet dhe i le mijëra shqiptarë të flenë natën në stolat e aeroportit të Stambollit dhe aeroporteve të tjera.
Po kështu nuk ka shtresë më të diskriminuar në këto 12 vite se sa pensionistët, ku Edi Rama si kurrë më parë shkeli edhe ligjet në fuqi dhe u është borxh deri në fyt çdo pensionisti në zonat urbane dhe në zonat rurale për mos indeksimin sipas ligjit të pensioneve të tyre.
Ky kujton se duke u ofruar bonusin e mjerimit në prag të zgjedhjeve do t'i mashtrojë për t'i varfëruar më mizorisht në katër vitet që vijnë. Opozita thotë ky mashtron se s’mund të përmbyset skema e pensioneve.
Po përse Kosova që e ka buxhetin shumë më të vogël se ne i ka pensionet dyfish më të larta apo Mali i Zi tre herë më të larta. Kjo ndodh se ky kusar i bën rrugët disa herë më të shtrenjta, jo se në këto vende, por edhe se në vendet e BE-së dhe këtë na e tha vetë Ahmetaj, numri dy i Qeverisë.
Kjo ndodh se ky i ble respiratorët disa herë më shtrenjtë se vlera e tyre reale dhe këtë përsëri Ahmetaj na e tha. Kjo ndodh se ky AKSH-in e ka kthyer në kopsht familjar në funksion të kompanive me normën e fitimit më të larta në botë.
Kjo ndodh se ky përzë investitorët e huaj, si në Portin e Durrësit dhe Becchetin e shumë të tjerë dhe shqiptarët duhet të paguajnë qindra milion euro në arbitrazhet ndërkombëtare , ndaj nuk ka lekë për pensionet.
Kjo ndodh se ky firmos vet për të shpallur firma fituese, të cilat lindin ligjërisht vetëm pasi ky i shpall në mënyrë të paligjshme fituese. Kjo ndodh sepse ky i çon lekët te inceneratorët që nuk ekzistojnë apo që nuk punojnë.
Ku do i gjejnë lekët, pyet ai, që pi një shishe verë 33 mijë euro? Ato 3.2 miliardë euro që ti i vjedh çdo vit shqiptarëve me organizatën tënde kriminale pa i futur fare në Buxhetin e Shtetit, të cilat shkojnë 13 miliard euro me një mandat 4-vjeçar, mjaftojnë për të tejkaluar të gjitha premtimet e opozitës.
Se ti mbledh vetëm 28% të të ardhurave në raport me PBB, kur Mali i Zi, Bosnja, Serbia mbledhin 42%. E pra, kjo diferencë 14% është 3.2 miliardë euro që ti i vjedh vetëm në një vit shqiptarëve, përveç vjedhjeve që bën me tenderat dhe PPP-të e tua.
Prandaj edhe Ministër të Brëndshëm ke caktuar një të shkarkuar për korrupsion, siç na e dëshmoi Ahmetaj vet , që s’ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Flet për ekonominë ky, që e ka lënë Shqipërinë të fundit për prodhim dhe eksporte.
Vetëm 8% të Produktit të Brendshëm Bruto eksporton Shqipëria sot, 5 herë më pak se mesatarja e rajonit dhe 7 herë më pak se Maqedonia e Veriut fqinje që eksporton 57% të PBB. Ndërsa se si funksionon SPAK-u dhe "Drejtësia e Re", na e sqaroi aq mirë Arben Ahmetaj, i cili edhe ka votuar vet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota në mënyrë antikushtetuese e po kështu për çdo ligj e vendim antikushtetues e të njëanshëm të Edi Ramës, që e shndërroi Reformën në Ramaformë.
Pra Ahmetaj na dëshmoi se u largua nga vendi, sepse po arrestohej për t'u bërë "kokë turku" për aferën e inceneratorëve, të cilën me shkresa zyrtare ai e ka kundërshtuar që të mos financohej nga Buxheti i Shtetit.
Ahmetaj na dëshmoi për herë të parë se përse Altin Dumani nuk e heton Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për firmën e paligjshme për inceneratorin fantazëm në 2017. Sepse e paska urdhëruar e detyruar vet Rama për këtë akt të paligjshëm dhe çdo hetim do tregonte se koka e vërtetë e kësaj mega-afere është vet Edi Rama.
Ndërsa emisioni “Plug” te Syri TV, na tregoi para pak ditësh se përse "Afërmendshi" nuk i heton këto shkresa të Ramës dhe Veliajt për inceneratorët dhe jo vetëm, sepse "Afërmendshi" me dy shtëpi, vilë, një dyqan e paska kaluar vettingun për 24 orë.
Sepse "Afërmendshi" i "Drejtësisë së Re", qenka promovuar me shpejtësi rrufeje, në mënyrë të paligjshme nga i vetmi Prokuror i Përgjithshëm i shkarkuar me vota konsensuale të socialistëve e demokratëve e po kështu i shkarkuar edhe me firmen e një Presidenti me integritet si Mejdani, i zgjedhur nga socialistët.
"Drejtësia e Re" është mashtrimi dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur. Koha e gjykimit u shumëfishua, transparenca u zëvendësua me dhomat e mbyllura. Për të ndjekur një çështje, tani duhet të paguash. Po kështu harta e re gjyqësore e bëri drejtësinë edhe më të paarritshme edhe më të largët edhe më të pamundur edhe më të shtrenjtë për qytetarët.
Ndaj asnjë vend tjetër se pranon këtë eksperiment të turpshëm. Pse hesht Dumani për çështjen McGonigal që e ka kyçur në sirtar? Ky që më mban mua të izoluar për lobimet e LSI- së në SHBA.
Si shpjegohet që ka 2 vite që nuk e thërret njëherë Edi Ramën ta pyesi për McGonigalin edhe pse emri i tij del dhjetëra herë në procesin e McGonigalit dhe këtë e di e gjithë bota.
Si shpjegohet që një ish-zyrtar i LSI-së, i cili ka firmosur për lobimet e ka qenë përgjegjës për financat, hyn te Dumani si opozitar e del nga Dumani si rilindas, e bën fushatë për Edi Ramën, ndërsa unë mbahem në burg për firmat e tij.
Se ky është SPAK-u, inkuinzitor për opozitarët e pashantazhueshëm dhe patriotë, pengmarrës për ata që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur, të cilët i konverton në shërbërtorë të “Rilindjes” dhe garant i pandëshkueshmërisë së Ramës dhe pamundësimit të rotacionit politik .
Ndaj 11 Maji është dita historike e skadencës së Narkoregjimit dhe Narkodrejtësisë. 11 Maji do të jetë dita e triumfit të sovranit, të patriotëve dhe liridashësve.
11 Maji do të jetë dita e përmbysjes së këtij modeli të Narkoekonomisë në shërbim të një pakice mizore dhe të pastrimit të parave të tyre dhe ndërtimit të një modeli ekonomik që mbështetet në prodhimin vendas dhe zhvillimin e bujqësisë, të industrive, inovacionit dhe nxitjen e eksporteve që rrit produktivitetin dhe garanton paga dinjitoze për të rinjtë tanë.
Gjej rastin t'i ftoj të gjithë vëllezërit tanë emigrantë kudo ndodhen, që të nxitojnë që të regjistrohen, që të mos humbasin këtë mundësi historike për të kontribuar për rivendosjen e vendit të tyre në shinat e Kushtetutës, për rikthimin e lirisë, të demokracisë dhe të llogaridhënies dhe në këtë menyrë i hapet rruga dhe riintegrimit të tyre në Atdheun e tyre.
Edhe njëherë suksese protestës tuaj dhe mirënjohje për patriotizmit tuaj dhe për gjithçka që ju bëni për triumfin e demokracisë në vendin tonë!
Lajmi kryesor:
Protesta e opozitës/ Kapsolla drejt Kryeministrisë, harrohet 'qeveria teknike'! Berisha: Trump ia preu kokën gjarprit Soros, do e bëjmë dhe ne! Meta sulmon Dumanin
SI.E./ReportTv.al