Sali Berisha pretendoi përsëri sot manipulimin dhe farsën zgjedhore të 11 majit, duke shfaqur disa pamje të reja nga dita e votimit, nga qendra në qarkun e Elbasanit.
Ai tha se disponojnë qindra materiale filmime me parregullsi ku patronazhistët e partisë në pushtet votojnë vetë dhe orientojnë apo kontrollojnë votën e zgjedhësve.
Në pamjet filmike që shfaqi ai tha se duken qartë komisionerët që ose votojnë në vend të zgjedhësve, ose i orientojnë dhe i ruajnë ata kur votojnë.
“Më 11 maj qytetarët kanë votuar nën terrorin e patronazhistëve, që qëndronin si xhelatë te dhoma e fshehta. Mund të sjell qindra e qindra raste, por unë kam sjell vetëm disa për shkurtim kohe. Imagjinoni po të shtriheshin në qendrat e tjera”, tha ai.
Dhe teksa përshkruante pamjet filmike që po shfaqte, duke i komentuar ai tha se ishte një nga qendrat e votimit të klanit të Suel Çelës.
“Ja rasti te qendra e votimit në Elbasan, është dora e kartelit Çela. Ja se si votohet nga komisionerët patronazhistë për votuesit, vetëm nga një qendër, e njëjta qendër. Ja shikoni, voto dhe kontrollo”.
Teksa i qëndroi diskursit të tij për farsën elektorale, kreu i PD akuzoi qeverinë si të implikuar, duke hedhur sulme edhe ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të SPAK, Altin Dumani, që e quajti përsëri Altin Troplini.
“Edhe pasi bëri 4500 evente para zgjedhjeve, edhe pasi bëri Giro D’Italia një ditë para ditës së zgjedhjeve, gjysmë miliardi koncesioni, miliona euro për bonusin e pensionistëve, dhjetëra mijëra punonjës administrate të terrorizuar me të dhënat personale, edhe pasi përdori punësimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për efekt vote, me fuqi ekzekutive, edhe për mijëra leje legalizimi e ndërtimi apo certifikata, ai ka licencuar edhe mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis nga 200 ha që lejon ligji, ai ka urdhëruar edhe patronazhistët se si të votojnë dhe kontrollojnë qytetarët. Ishte dhunim masiv i lirisë së votës. Ftoj qytetarët që të ngrihen me gjithë forcë”, pretendoi Berisha mes të tjerash.
I pyetur nga gazetarët se në qendrat e votimit që ai denonconte me filmime kishte edhe komisionerë të PD-së që kanë heshtur për arsye të ndryshme, Berisha mori në mbrojtje anëtarët e opozitës në komisione, duke thënë se ishin nën presionin e kartelit të drogës dhe porganizatës kriminale të klanit të Suel Çelës.
Ai u shpreh se "SKAPI i partisë mbrojti vjedhjen dhe manipulimin e votës", duke favorizuar Edi Ramën, teksa përmendi edhe emrat e drejtuesve të karteleve nga Elbasani në Durrës dhe që sipas tij "i mbron Altin Troplini".
"Operacionet nuk bëhen me iniciativë të SKAPIT të partisë apo Altin Troplinit, por me ndërhyrjen e partnerëve tanë të Italisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe të tjerë. Atje është zonë e Kartelit, qytetarët kërcënohen edhe me taksën e tokës atje", tha Berisha.
Kreu i PD-së mori në mbrojtje veten dhe "Bankers"-in pas operacionit të Prokurorisë së Fierit së fundmi, duke deklaruar se organi i akuzës mashtroi me mospagesën e detyrimeve gjatë qeverisjes së tij, duke sqaruar se "kontrata ishte firmosur nga qeveria e Fatos Nanos", kurse gjatë qeverisjes së tij kontrata u zbatuar nga palët dhe se kompania naftënxjerrëse "pagoi rentën 10%, tatimet, sigurimet shoqërore, detyrimet me naftë ndaj Albpetrolit dhe taksën e karbonit".
Ai tha se deklarata e prokurorit për mospagesën e detyrimeve nga Banjkers ishte e papërgjegjshme dhe e padenjë.
Gjithashtu Berisha mori në mbrojtje dhendrin e tij Jamarbër Malltezi për aferën e dosjes "Partizani", teksa u pyet për zbutjen e masës së sigurisë nga GJKKO pas dy viteve në arrest shtëpie, kundrejt garancisë pasurore. Krei i PD-së deklaroi se dhëndri i tij nuk kishte shkelur asnjë ligj, por "u burgos dy vite për hakmarrje politike nga Rama".
Për vizitën e këtij të fundit në Vlorë, Berisha tha se "kreu i narkoregjimit mund të bëjë ç'të dojë në një qytet ku ligji dhe institucionet janë të kapura prej fyti".
Ndërsa mbrojti kompaninë “Bankers” gjatë qeverisjes së tij, duke thënë se kishte paguar detyrimet që nga renta 10%, pagesa për Albpetrol, tatimet dhe taksën e karbonit, duke e quajtur prokurorin që bëri deklaratën për shtyp ku theksonte se nuk ishin paguar detyrimet, si mashtrues dhe pa moral, Sali Berisha u pyet sot në konferencë edhe për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Vlorë, për aksionin dhe urdhrin e lirimit të hapësirave publike.
Me një nënqeshje para përgjigjes dhe ironi, ai sulmoi kryeministrin si kreun e një narkoshteti që shkoi në një qytet ku ligji dhe institucionet nuk ekzistojnë.
“Flet vetë. Aty ku s’ka ligj, ku ligji nuk ekziston, aty ku institucionet janë të kapura deri në fyt, aty kreu i narkoshtetit mund të bëjë çfarë të dojë”.
Komente
