Berisha përlotet në fjalimin për Bujar Nishanin: Ngjiti shkallët më të larta të jetës dhe detyrës! Me ne do të jetojë gjithmonë demokrati i flaktë dhe guximtar

2 Qershor 2022, 13:29| Përditesimi: 2 Qershor 2022, 13:50

  • Share

 

Sali Berisha u përlot në fjalimin e lamtumirës për ish presidentin Bujar Nishanin. Teksa shprehte vlerësimin për Bujar Nishanin si politikan dhe vlerat e tij si njeri, Berisha tha se gjithmonë do të jetojë pranë tyre ish presidenti si demokrat i flaktë dhe guximtar.

"I dashur Bujar, sot fëmijët, Ersi, Fiona, shoqja jote e jetës Odeta, baba Faiku, vëllezërit, të afërmit, miqtë tu, qytetarët e këtij vendi jemi këtu rreth teje të të përcjellim me dhimbje të madhe e pikëllim të thellë në udhëtimin tënd pa kthim, të përjetshëm, të parakohshëm që nise pasi ke ngjitur si rrallë kush tjetër shkallët e jetës dhe ato më të larta të detyrës.

Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë që ne do jetojmë, do mbetesh i gjallë midis nesh në veprat, fisnikërinë, dhuntitë e larta morale, përkushtimin e pakufijshëm, shërbimet e mëdha dhe të çmuara ndaj Shqipërisë e shqiptarëve në rrugëtimin e tyre në liri. Vlerat morale, veprat, mirësitë e njeriut janë pavdekësia e tij. Me ne do të jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i ndershëm, qytetari i përgjegjshëm dhe atdhetar, , prindi i dashur e shembullor, shërbëtori i qytetarëve shqiptarë, demokrat i flaktë dhe guximtar, drejtuesi i talentuar i PD, burrështetasi fisnik, presidenti dinjitoz që i dha vendit nder e dinjitet të veçante. Pas kësaj lamtumire e të papritur me ty, secili prej nesh ndihet më i pakësuar se me ndarjen e trishtë me ty, kemi humbur një pjesë të çmuar të shpirtit dhe zemrës tonë.

Odeta ndihet sot më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe prej saj. Për Ersin dhe Fionën është dita më e dhimbshme e jetës së tyre por do të jenë krenar se patën fatin të kenë një baba si ty. Do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi. Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe të gjithë ata që bëjnë gjithçka që ti të mos niseshe sot në këtë rrugë. U prehsh në paqe. Miku ynë i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës, lamtumirë", tha Berisha.


Lajmi kryesor:

I jepet lamtumira Bujar Nishanit, nderimi i fundit në Presidencë, prehet në Sharrë! Djali: Humbëm busullën e familjes


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?