I jepet lamtumira Bujar Nishanit, nderimi i fundit në Presidencë, prehet në Sharrë! Djali: Humbëm busullën e familjes

2 Qershor 2022, 07:25| Përditesimi: 3 Qershor 2022, 08:39

  • Share

TIRANË- Përgjatë dy orëve, në Presidencë, ku ai mbajti postin e kreut të shtetit për 5 vjet, në nderim të Bujar Nishanit u zhvilluan homazhe, nga ku ju dha dhe lamtumira e fundit. I mbështjellë me flamurin kombëtar, i mbajtur nga trupa ceremoniale e gardës e veshur me të kuqe, arkëmorti i ish-Presidentit të Republikës Bujar Nishani u përcoll me një minutë heshtje për në banesën e fundit.

Arkëmorti me trupin e ish-presidentit u shoqërua në këmbë deri te Ura e Lanës, nga një kortezh i gjatë jo vetëm personalitetesh, por edhe njerëzish të thjeshtë, që vlerësuan tek ai politikanin që i mëshonte korrektësisë e qytetarisë edhe në ‘fushëbetejën’ politike. Trupi i ish-kreut të shtetit do të prehet në varrezat e Sharrës.

Ish-presidenti Nishani la pas bashkëshorten Odetën, djalin Ersin dhe vajzën Fjonën, të cilët së bashku me babain e ish-kreut të Shtetit pritën sot në Presidencë, ngushëllimet e të afërmve, miqëve dhe të personaliteteve nga politika. Me zërin që i dridhej, djali i tij Ersi Nishani, mbajti një fjalim të shkurtër në varrezat e Sharrës, ku tha se familjes i humbi busulla e saj drejtuese e kombit shqiptar një shërbëtor i përulur.

Në këtë ditë zie, shkrihen ngjyrimet politike, e u bënë bashkë ish presidentë, si dhe figura të Partisë Demokratike e të mazhorancës. I pari që kreu homazhe në nderim të Nishanit ishte presidenti i vendit Ilir Meta, i cili u shoqërua nga vajza e tij Bora Meta. Më pas ai la një shënim në librin e mesazhave dhe mbajti para të afërmve fjalimin e lamtumirës ku nderoi figurën e ish-kreut të shtetit.

Partia Demokratike edhe në këtë ditë ishte e ndarë. Ish-kryeministri Sali Berisha kreu homazhe me gruan e tij Liri Berisha, ndërsa deputetët që e mbështesin u panë pak më vonë teksa kryen nderime të gjithë bashkë. Ndërsa grupi mbështetës i Enkelejd Alibeajt u panë të veçuar nga Rithemelimi edhe në ngushëllimet ndaj ish-kreut të shtetit.

Homazhe në presidencë kryen edhe socialistët, ata të vjetrit e të rinjtë, ndërsa mungoi vetëm kryeministri Edi Rama për shkak të axhendës, pasi ndodhej në SHBA. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mbërriti në Presidencë dhe kreu homazhe për ish-Presidentin Bujar Nishani. Në ceremoni mori pjesë dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim. Po kështu dhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla. 

Mungesa e cila ra në sy përgjatë gjithë ditës ishte ajo e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në SHBA. Po ashtu, në homazhe mungoi edhe ish-kreu i PD-së Lulzim Basha si edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. 

Qeveria e Shqipërisë vendosi që 2 qershori të jetë ditë zie kombëtare, për humbjen e presidentit të 6-të të vendit në nderim të tij. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar u ul në gjysmështizë.

Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ndërroi jetë 3 ditë më parë, pasi prej javësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri. Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.  Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.

Ora 15:00
Lamtumira e fundit për Bujar Nishanin, Osmani: U kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore! Shtetar i paepur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte e pranishme në ceremoninë e lamtumirës së fundit të ish-presidentit shqiptar, Bujar Nishani.

Me një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se në emër të qytetarëve të Kosovës nderoi veprën e tij, derisa përmendi se Nishani është kujdesur gjithmonë që Kosova të jetë lart në agjendën shtetërore të Shqipërisë.

“Sot ia dhamë lamtumirën e fundit ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, i cili u nda nga jeta ditë më parë.  Në emër të qytetarëve të Kosovës u përkulëm para arkëmortit të Presidentit, shtetarit të paepur, njeriut të urtë e dinjitar, qytetarit të ndershëm e atdhetarit të përkushtuar. Ai u angazhua tërë jetën për shtetin e kombin shqiptar. Si President i Shqipërisë, ai u kujdes gjithnjë që Kosova të mbahet lart në agjendën e tij shtetërore”, ka shkruar Osmani.

Ora 13:33
Me zërin që i dridhet, djali i Nishanit i jep lamtumirën të atit: Humbëm busullën e familjes sonë

 

Me zërin që i dridhet, djali i ish-presidentit Bujar Nishani ka mbajtur fjalimin e lamtumirës për babain e tij në varrezat e Sharrës.

‘Të nderuar personalitete dhe miq të pranishëm u falënderoj për praninë tuaj na keni lehtësuar dhimbjen sado pak. Im atë për tre gjëra nuk bënte kurrë kompromis për tre gjëra, familjen, zotin dhe atdheu. Familja jonë sot i jep lamtumirën busullës së saj drejtuese, kombi shqiptar i jep lamtumirën një shërbëtorit të përulur dhe Zotit i shtohet një ëngjëll në parajsës. Lamtumirë baba!’- u shpreh Ersi Nishani.

Ora 13:29
Berisha përlotet në fjalimin për Bujar Nishanin: Ngjiti shkallët më të larta të jetës dhe detyrës! Me ne do të jetojë gjithmonë demokrati i flaktë dhe guximtar

 

Sali Berisha u përlot në fjalimin e lamtumirës për ish presidentin Bujar Nishanin. Teksa shprehte vlerësimin për Bujar Nishanin si politikan dhe vlerat e tij si njeri, Berisha tha se gjithmonë do të jetojë pranë tyre ish presidenti si demokrat i flaktë dhe guximtar.

"I dashur Bujar, sot fëmijët, Ersi, Fiona, shoqja jote e jetës Odeta, baba Faiku, vëllezërit, të afërmit, miqtë tu, qytetarët e këtij vendi jemi këtu rreth teje të të përcjellim me dhimbje të madhe e pikëllim të thellë në udhëtimin tënd pa kthim, të përjetshëm, të parakohshëm që nise pasi ke ngjitur si rrallë kush tjetër shkallët e jetës dhe ato më të larta të detyrës.

Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë që ne do jetojmë, do mbetesh i gjallë midis nesh në veprat, fisnikërinë, dhuntitë e larta morale, përkushtimin e pakufijshëm, shërbimet e mëdha dhe të çmuara ndaj Shqipërisë e shqiptarëve në rrugëtimin e tyre në liri. Vlerat morale, veprat, mirësitë e njeriut janë pavdekësia e tij. Me ne do të jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i ndershëm, qytetari i përgjegjshëm dhe atdhetar, , prindi i dashur e shembullor, shërbëtori i qytetarëve shqiptarë, demokrat i flaktë dhe guximtar, drejtuesi i talentuar i PD, burrështetasi fisnik, presidenti dinjitoz që i dha vendit nder e dinjitet të veçante. Pas kësaj lamtumire e të papritur me ty, secili prej nesh ndihet më i pakësuar se me ndarjen e trishtë me ty, kemi humbur një pjesë të çmuar të shpirtit dhe zemrës tonë.

Odeta ndihet sot më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe prej saj. Për Ersin dhe Fionën është dita më e dhimbshme e jetës së tyre por do të jenë krenar se patën fatin të kenë një baba si ty. Do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi. Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe të gjithë ata që bëjnë gjithçka që ti të mos niseshe sot në këtë rrugë. U prehsh në paqe. Miku ynë i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës, lamtumirë", tha Berisha.

Ora 11:52
Meta mban fjalimin e lamtumirës në nderim të ish- presidentit Nishani: Punoi me përkushtim në mbrojtje të Kushtetutës

 

Presidenti Ilir Meta ka mbajtur fjalimin e lamtumirës në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani.

‘Familjarë të presidentit Nishani. E nderuar kryetare e Kuvendit Lindita Nikolla. Të nderuar ish presidentë, ish kryetarë të Kuvendit dhe ish kryeministra të Shqipërisë dhe Kosovës. Të nderuar udhëheqës politikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi që na keni nderuar sot. Të nderuar ambasadorë. Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë. Faleminderit për praninë tuaj sot për t’i dhënë lamtumirën Bujar Nishanit.

Fundi i papritur lë plot pengje për mundësitë e humbura, për ato që nuk u thanë dhe ato që nuk u bënë dot. Dhimbja e bën të vështirë gjetjen e fjalëve që mund të kurojnë këto plagë njerëzore. Ai qe i rrethuar nga dashuria e familjes së prindërve dhe asaj që krijoi më pas me Odetën. Për presidentin Bujar Nishani këto ditë ka pasur vlerësime mëse të merituara. Kanë folur bashkëpunëtorët, miqtë, dashamirësit. Kanë folur shqiptarët edhe miqtë e Shqipërisë. I ardhur në politikë nga FA, ai solli virtytet më të mira të ushtarakëve në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Ai e shihte politikën si art dhe besonte se ishte instrument për të sjellë ndryshime. Ai besonte te demokracia dhe shteti ligjor. Presidentit Nishani i peshonte fjalë. Ai çmohej për thjeshtësinë në komunikimin publik. Do mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit. Si kryetar i shtetit ai punoi me përkushtim të radhë në mbrojtje të kushtetutës. Ai punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në vend. Ai besoi deri në fund te demokracia.

Si president në 100 vjetorin e shtetit shqiptar ai mëshiroi këto parime. Ai ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën. Presidenti Nishani pati bashkëpunim me faktori politik shqiptar në rajon. Ai diti të vendosë ekuilibrat në marrëdhëniet institucionale dhe vëllazëror. Sot në ditën e lamtumirë e falenderojmë për modelin që ai solli si shtetar, politika, familjar dhe shtetar dhe shembullor. I paharruar ish presidenti Bujar Nishani’, tha Meta.

Ora 11:38
Ambasadorja amerikane Yuri Kim homazhe në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani

 

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka kryer homazhe në nderim të ish-presidentit Bujar Nishanit.

Ora 11:33
Lamtumirë Bujar Nishani! Balla: Vlerësimi për të do jetë maksimal! Alibeaj: Lëshonte sinjale paqeje dhe mirësie

 

Krerët e grupeve parlamentare të PD dhe PS, Enkelejd Alibeaj dhe Taulant Balla pasi i dhanë lamtumirën e fundit, kanë dhënë një prononcim për mediat, në të cilën kanë vlerësuar figurën e ish-presidentit Bujar Nishani.

"Ikja e një copëze historie, ikja e një copëze politike të një burri të urtë, të qetë që lëshonte vetëm sinjale paqeje dhe mirësie, të pakta janë këto sinjale në botën tonë të trazuar, kjo e bën më të madhe humbjen, shpirti i tij të jetë në parajsë, Zoti i dhëntë forcë bashkëshortes dhe familjes së tij", tha Alibeaj.

"Do ruaj respektin për Bujar Nishanin kundërshtar, por edhe një personalitet që erdhi nga fusha ushtarake por që tregoi respektin ndaj Kushtetutës dhe interesit të vendit, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, Nishani pati momentet e duhura kur tregoi vlerësimin maksimal ndaj institucioneve, nuk qe e shkruar që Bujari t'ia kalonte dhe një beteje të rëndësishme për jetën, vlerësimi për të do të jetë maksimal", tha Balla.

Ora 11:26
Ministra e deputetë socialistë kryejnë homazhe për ish presidentin Bujar Nishani

 

Përveç kolegëve demokratë, në homazhet për ish presidentin Bujar Nishani ishin edhe kolegët socialistë, ministra e deputetë duke nisur nga Taulant Balla, Frida Krifca, Milva Ekonomi, Elisa Spiropali, Damian Gjiknuri dhe socialistë të tjerë, ndërsa Edi Rama mungon pasi ndodhet në SHBA. Kryeministri është në Amerikë pasi Shqipëria ka marrë kryesinë e Këshillit të Sigurimit të OKB për 30 ditë.

Kryeministri Edi Rama do të drejtojë sot debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

Ora 11:21
Ish-presidentët Moisiu, Topi dhe Sejdiu kryejnë homazhe së bashkuar në nderim të Nishanit: Humbje e madhe për shtetin shqiptar

 

Ish-presidenti Alfrend Moisiu si dhe ish-presidenti Bamir Topi bashkë me ish-presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu kryen homazhe në nderim të Bujar Nishanit. Në fjalën e tyre, ato vlerësuan figurën e Nishanit në shtetin shqiptar.

Alfred Moisiu: Mund të them që ka qenë president i mirë i përkushtuar për detyrën dhe për të zbatuar kushtetutën. Më vjen keq për këtë humbje të parakohshme për një njeri që ka kontribuar për vendin tonë. 

Bamir Topi: Sigurisht ishte një ditë e trishtuar për më tepër kur largohet në një moshë kaq të re duke i lënë një hidhërim të thellë familjes. E kam njohur rreth 22 vite më parë. La mbrapa një vepër shumë komplekse. I lehtë i qoftë dheu.

Fatmir Sejdiu: Është një humbje e madhe për shtetin shqiptar. Ka ditur që të prezantoj Shqipërinë në më të mirën e mundshme. Ne nuk kemi qenë në të njëjtën kohë president të vendit, por e ndjej veten me privilegj që kam njohur një njeri kaq fisnik. Një humbje që do të mbahet mend me pjesën e qetësisë që ai mori me vete. I qoftë i lehtë dheu shqiptar.

Ora 11:10
Alibeaj, Tabaku dhe Bardhi homazhe në nder të ish presidentit Nishani

 

Të tjerë përfaqësues nga grupi parlamentar i PD kanë mbërritur në Presidencë për të kryer homazhe në nder të ish presidentit Bujar Nishani. Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ishte i shoqëruar nga Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish bashkëpunëtorit të tyre.

Ora 11:00
Pasojat e post-COVID, aktorja Rajmonda Bulku me bastun në homazhet në nderim të ish-presidentit Nishani

 

Aktorja dhe ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku ka marrë pjesë në homazhet në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani. Aktorja dukej në gjendje jo të mirë shëndetësore pasi u shfaq duke ecur me një bastun. Burime për Report Tv bëjnë me dije se aktorja po vuan nga pasojat e post COVID.

Ora 10:30
Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, i shoqëruar nga Liri Berisha i japin lamtumirën e fundit ish presidentit Nishani

 

Ish kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga Liri Berisha i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish presidenti Bujar Nishani. Pranë tyre ishte edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Nishani ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sali Berishës.

Ora 10:28
Përfaqësues të grupit parlamentar të PD kryejnë homazhe në nder të ish presidentit Nishani

 

Përfaqësues të grupit parlamentar të PD mbërritën në presidencë për të bërë homazhe në nderim të ish Presidentit Bujar Nishani. Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma ishin në ceremoninë e lamtumirës së ish bashkëpunëtorit të tyre.

Ora 10:22
Beniada Nishani i jep lamtumirën e fundit ish-presidentit Bujar Nishani

Mes shumë emrave të politikës dhe ekranit që kanë marrë pjesë në homazhet në nder të ish-presidentit Bujar Nishani më herët ditën e sotme, është edhe Beniada Nishani, e cila ëhstë mbesa e ish-kreut të shtetit.

Beniada është fotografuar e vetme teksa mbërrinte për homazhe te xhaxhai i saj Bujar Nishani, në ambientet e presidencës.

Ora 10:06
I shoqëruar nga e bija, Meta kryen homazhe në nder të ish-presidentit Bujar Nishani

 

Presidenti i vendit Ilir Meta ka kryer homazhe në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në një spital në Gjermani. Meta është shoqëruar nga vajza e tij e madhe, ndërsa ka lënë edhe një shënim bllokun e kujtimeve.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vlore: 02/06/2022 15:44

    Mase te merr me vete pa bere vitin ty o Sali e shume te tjere si ju qe te shpetojme edhe ne

    Përgjigju
  • karma: 02/06/2022 12:15

    keta e shkatrruen shqipnine e shndruen ne vend krimi korrupsioni prje dekadash e duan dhe dite zie per shqiptaret e vuajtur prej dekadash ku akoma nenave tona sjane thare syte nga loted djelmoshave te vdekur e te masakruer qe prej 30 vitesh

    Përgjigju
  • Toni: 02/06/2022 12:14

    Per ate punetorin e shkrete te pasiguruar qe vdiq ne Milot kur do shpallni dite zie? Per politikanet hajdute nuk i ha palla shqiptareve.

    Përgjigju
  • LORA: 02/06/2022 12:10

    Nderim publik meritojne vetem policet dhe kushdo qe ndahet nga jeta duke ushtruar detyren. Kjo e sotmja,ne godinen presidenciale ,eshte pertej peshtirosjes.

    Përgjigju
  • Shkodrani ST: 02/06/2022 10:59

    Skemi pa ndoj dite te bardhe fale politikave te ketyre politikaneve qe sot duhet ti respektojme me nje Dite Zie kombetare…

    Përgjigju
  • Albi: 02/06/2022 09:58

    Ne Dite zije ashte shqipnija tash 30 Vjete

    Përgjigju
  • Hasani: 02/06/2022 08:46

    I perjetshem qofte kujtimi i Tij

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?