Politikë

Berisha publikon letrën e ministrit Hasani për OSBE, e quan kërcënim ndaj misionit vëzhgues

4 Gusht, 14:51| Përditesimi: 4 Gusht, 16:40

  • Share

Në qendër të akuzave për farsën elektorale Sali Berisha vuri sërish ministrin e Jashtëm Igli Hasani. Këtë herë, pretendimit të tij se Hasani ka kërcënuar ekipin e vëzhguesve ndërkombëtar, i bashkangjiti një letër.

Letra, që mban datën 12 maj, vetëm një ditë pas zgjedhjeve dhe që i është dërguar misionit të OSBE nga ministri, shihet nga Sali Berisha si provë e kërcënimit.

"Ketu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së.Ambasadorit Lamberto Zannier, kryetar i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it. Shikoni çfarë banditizmi, sapo kanë lëshuar komunikatën, atyre iu drejtohet kjo letër",- deklaroi Berisha.

Praktika, e ka që raporti para se të publikohet, i dërgohet autoriteteve të vendit pritës. Por, çfarë përmban letra? Ministri Hasani i kërkon delegacionit të OSBE që të ketë një qasje më të ekuilibruar për kritikat ose pasurimin me prova të tyre. Kështu, në rastin e konstatimit se u falën gjobat para zgjedhjeve, Hasani kërkon të pasqyrohet edhe sqarimi i KQZ, organi përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve.

“Partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i përhapur i burimeve administrative nuk është i mbështetur mjaftueshëm, veçanërisht për një vlerësim paraprak. Për shembull, referenca në faqen 2 (paragrafi 4) për “faljen e një numri të madh gjobash shtetërore pak para ditës së zgjedhjeve” nuk përfshin sqarimin e dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në letrën e datës 8 maj 2025. KQZ-ja konfirmoi se projektvendimi i qeverisë për masat administrative të paekzekutuara nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor të Shqipërisë",

Që kjo letër nuk përmban asnjë ton kërcënues në fakt e ka pohuar edhe vetë OSBE-ODIHR.

Në një reagim ekskluziv për Report Tv pak kohë më parë, OSBE hodhi poshtë pretendimet e Sali Berishës për kërcënime të ministrit Hasani, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë kërcënim apo përpjekje për frikësim” dhe se puna e vëzhguesve të saj është tërësisht e pavarur.

Në vjeshtë OSBE pritet të nxjerrë raportin përfundimtar për 11 majin ndërsa Berisha njoftoi sot se do të kërkohet në parlament me nisjen e legjislaturës së re edhe një komision hetimor për shkeljet në zgjedhje.

K.M/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?