Kandidati për Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ironizoi duke pyetur në distancë kreun e PD-së, Sali Berisha, pas shfaqjes krah Fredi Belerit në Bruksel, teksa po luan fortë kartën e lobit grek në Shqipëri vitet e fundit.
“Doktor, me absurditete madhështore do ta bësh fushatën? Aleanca e Antishqiptarisë Madhështore foli përsëri, këtë herë me “zërin e madhështorit” Fredi Beleri. Dhe çfarë na tha? Që minoriteti grek në Himarë qenka i dëmtuar… ngaqë ai u ndalua të hyjë në Kuvend, pasi u kap duke blerë vota. Po që kur drejtësia shqiptare u bë problem për minoritetin, doktor? Apo kur prek aleatët e tu?”, shkruan Bido ndër të tjera në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Dhe më tej pyet me ironi kreun e selisë blu:
“Ndaj, doktor, na e thuaj njëherë: është minoritet grek Nivica, Shën Vasili, Lukova, Piqerasi, Sasaj, Borshi, Çorraj, Fterra, Vunoi, Piluri, Kudhësi, Dhërmiu, Palasa? Apo thjesht për interesa elektoralë e bëni etninë me listë votimi? Doktor, do të na kthesh një përgjigje? A janë minoritete greke edhe Kallarati, Kuçi, Tërbaçi, Bolena apo edhe vetë Himara? Nëse do të vazhdoni të luani me identitetin e qytetarëve, mos u çudisni kur ata t’ju përgjigjen jo si “grekë”, as si “shqiptarë”, por si njerëz me dinjitet, që nuk shiten!”.
Teksa ngacmimet politike në distancë mes tyre janë shtuar gjatë javëve të fundit, pasi Bido njihet si mbrojtës i kartës kombëtare shqiptare, ai i hodhi edhe një ‘sfidë’ Berishës.
“Bashkë, shihemi në Parlamentin e shqiptarëve. Ti merre lavdinë me Belerin, ne merremi me punën”, thotë Bido në reagimin e tij.
Komente
