Sali Berisha, gjatë një konference nga arresti shtëpiak
Ish-kryeministri Sali Berisha, nën arrest shtëpie prej gati një viti, ka kujtuar atë që ai e quajti “masakra e terrorit të kuq” të tetor-nëntorit, teksa sot kujtohej 17 Nëntori, çlirimi i Tiranës.
Ai ka përshëndetur shoqatën e Unioni të të Përndjekurve, e drejtuar nga Besim Ndregjoni, që kujtoi viktimat e komunizmit, si dhe familjarët e viktimave “të terrorit të kuq”.
“17 Nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që do të zgjaste, jo 1 apo 2 vite, por do të zgjaste 46 vite. Me 17 nëntor banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit, do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare”, tha ai.
Më tej kujtoi se sot nderoheshin 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. “Në fakt ato janë mbi 100”, u shpreh kreu i PD.
“Nderojmë një nga masakrat, aktet terroriste më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit, dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, Enver Hoxha. E ekzekutuar nga terroristët Kristo Themelko, Beqir Balluku dhe banda të tjera. Heronjtë e kësaj masakre ishin atdhetarë, të cilët kishin luftuar kundër pushtuesve, ose kishin ndërgjegje të pastër, të qetë, dhe asnjë motiv për tu larguar dhe për të mos i shërbyer vendit dhe kombit të tyre”, tha Berisha ndër të tjera.
Berisaha tha se ata ishin “të papajtueshëm me ideologjinë çnjerëzore, komuniste, pasardhës të familjeve që kishin firmosur pavarësi, që kishin luftuar dhe dhënë kontribut thelbësor në ndërtimin e shtetit shqiptar”.
“U vranë në mënyrën më tinëzare, më mizore, më barbare. Në pragun e derës së shtëpisë së vet. Të mbledhur në Bristol dhe të ekzekutuar në një bodrum, të hedhur në Priskë në lum, masakra e tetor-nëntorit është një masakër makabre, të cilën vetë ata që e kryen e shpallën akt terrorist, por qyteti u përgjak. Vazhduan për 46 vite me radhë ekzekutimin e armiqve të tyre, qëndrestarëve, heronjve të fjalës së lirë, besimit tek Zoti dhe besimit tek Shqipëria”, përfundoi Berisha.
Lajmi kryesor:
Sot 80 vjetori i Çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazistë, homazhe te ‘Ushtari i Panjohur’! Veliaj: Të lëmë përçarjet për përparimin e shoqërisë
A.Q/ReportTv.al