Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të hënë takimin përmbyllës elektoral të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Madhështore" në Dibër.
Para dibranëve, Berisha ngriti shqetësimin e largimit të të rinjve jashtë vendit dhe zëvendësimin e krahut të punës në Shqipëri me të huaj nga vendet e botës së tretë.
"Miq, para një jave isha në Qafë të Malit, midis Pukës dhe Kukësit, aty gjeta një investim privat të një biznesmeni të suksesshëm mahnitës. Por gjeta punëtorë nga Bangladeshi. Para pesë ditësh isha në Borsh, gjeta punëtorë nga Mianmari. Kurse të rinjtë tanë vetëm ikin se ky i urren shqiptarët. Ky është një Pashiq shqiptar. Prandaj i bëj thirrje çdo dibrani që e ndjen veten dibran, që e ndjen veten shqiptar, me 11 Maj të ndëshkojë Pashiqin e shqiptarëve. Shqipëria nuk ka parti, Shqipëria është dheu i shqiptarëve. Kombi nuk ka parti, kombi është jeta, është ekzistenca e shqiptarëve. Ndaj dhe me 11 Maj çdo shqiptar duhet të votojë për Shqipërinë, duhet të votojë për kombin. Pas 12 vitesh, Edi Rama në një akt të turpshëm kalon nga një shesh në një tjetër me nëpunësit e tij që i merr me autobusë dhe i shëtit me detyrim, me teza bajate, me një humor banal, me qëllim të vetëm të mos përballet me ju. Me qëllim të vetëm të fshehë vjedhjet që ka bërë. U them unë ju o miq, në vitin 1991, në parlamentin shqiptar një deputet i Dibrës, i Partisë së Punës, u ngrit dhe tha: Ku ta dija unë se kishte tre dynymë qilima Enver Hoxha në shtëpinë e tij. O miq, Edi Rama e ka shtëpinë dy herë më të madhe se Enver Hoxha. Edi Rama e ka të reggistuar në emër të tij, Enver Hoxha nuk e kishte në emër të tij, as të fëmijëve të tij. Enver Hoxha kishte një oborr 2 mijë metra, Edi Rama ka një oborr 8 mijë metra",-tha Berisha.
Berisha u zotua se nëse PD fiton më 11 maj, frytet e qeverisjes së re do të ndihen nga qytetarët që në 100 ditët e para.
"Ju 12 vite e patë që Edi Rama, i cili premtoi shëndetësinë falas, krijoi shëndetësinë me ryshfetin më të madh në botë. Premtoi 300 mijë vende pune, përzuri mbi 1 milion shqiptarë. Premtoi ushqime me bollëk dhe çmim të ulët, ushqimet në Shqipëri janë mbi mesataren e çmimeve në BE. Premtoi shkolla moderne, zbrazi shkollat nga interneti dhe kompjuterët. Pra miq, na duhen 100 ditë dhe unë sonte këtu para çdo dibrani dhe dibraneje, pavarësisht nga bindjet politike, i bëj thirrje mençurisë së çdo dibrani dhe dibraneje, na jepni 100 ditë për të transformuar Dibrën dhe Shqipërinë. Jam këtu për t’u dhënë fjalën time të nderit se pas 100 ditësh, Dibra dhe Shqipëria nuk do jenë kurrë më kjo që janë sot",-tha Berisha.
Në takimin përmbyllës elektoral të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Madhështore" në Dibër, Sali Berisha "thumboi" edhe deputetin socialist Toni Gogu.
"Do ta mbyll, Edi Rama erdhi këtu dy herë, mirëpo si erdhi miq? E kuptova se e njihte Dibrën njëlloj sa Toni Gogu, Hajredin Pashën. Po miq, tani do ia them unë dy fjalë këtu. E kam treguar njëherë këtu në Dibër, por po e tregoj përsëri.Kam pasur një mik shumë të shquar. Një nga njerëzit më të mençur që kam takuar në jetën time, ish-ministër i shtatë qeverive britanike dhe që e kishte kaluar kohën e luftës në Shqipëri. Ky njeri kishte njësinë e parë të qëndresës kundër pushtimit nazifashist, kishte bashkuar Abaz Kupin, Sait Kryeziun dhe Lazër Fundon. Ky ishte Xhulian Emeri, biri i një aristokrati të shquar britanik. Po bisedoja një ditë me të, po i flisja për traditën tonë. Ai vetë kishte mbaruar një prej kolegjeve më të njohura të Kembrixhit. Më thotë Sali, universiteti më i madh i jetës time ka qenë oda e Dibrës. Ndaj dhe ua thashë atë, që Edi Rama e njeh Dibrën, si Toni Gogu, Hajredin Pashën. Dhe vjen këtu njëherë me ato terma banale, herën tjetër sjell Lamborghinin e Noizit. Nuk e di Dibrën ai. Por një moment. Ai nuk e di që burrat e shquar të Dibrës kanë pasur atllarë dhe kuaj që kushtonin sa një Lamborghini",-tha Berisha.
Komente
