Pasi kreu i PD-së Sali Berisha tha për gazetarët se PD do të mbështeste kandidatët e pavarur për zgjedhjet e pjesshme lokale, PD e Vlorës duket se i ka dalë kundër lidershipit të PD.
Pas mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme, PD e Vlorës bën me dije se kandidatin për zgjedhjet e Bashkisë Vlorë, do ta zgjedhin forumet e kësaj partie dhe emri do t’i delegohet kryesisë së PD.
Ndërsa Report Tv, ka mësuar emrat që janë diskutuar si kandidatë për Bashkinë. Bëhet fjalë për Eralba Kreshpa, Alta Azizi Haluci, Rezembrik Serjani, Atird Hoxha dhe Genti Hamzaraj.
PD e Vlorës bën me dije se deri më datë 9 nëntor, do të përfundojë përzgjedhja e kandidatit për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Vlorë.
Deklarata e plotë e PD-Vlorë:
Dje, datë 3 Tetor pranë Degës së Partia Demokratike Vlorë, u zhvillua mbledhja e radhës e kryesisë së degës, me fokus çështjet organizative në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar Bashkie në Bashkinë Vlorë, të cilat do të mbahen më 9 Nëntor 2025.
Pika kryesore e mbledhjes kishte të bënte me diskutimin dhe propozimin e emrave potencialë për kandidatin e Partisë Demokratike për Kryetar Bashkie. Kryesia propozoi disa kandidatë të mundshëm dhe vendosi nisjen e një procesi të gjerë konsultimi me të gjitha forumet e PD Vlorë, Kryesinë e Forumit Rinor, Lidhjes Demokrate te Gruas, si dhe me aktivin në nivel rajonesh dhe grupseksionesh.
Ky proces konsultimi është në fazën përmbyllëse dhe pritet të finalizohet së shpejti, duke i hapur rrugë publikimit të listës zyrtare të emrave të propozuar nga strukturat. Më pas, lista do t’i paraqitet Kryesisë së Partisë Demokratike në qendër, për miratimin përfundimtar të kandidatit zyrtar që do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet e 9 Nëntorit.
Ky proces synon të përfundojë brenda datës 9 Tetor, për të vijuar më pas me organizimin e fushatës dhe takimet me qytetarët vlonjatë.
Gjithashtu, ditën e sotme është mbledhur Kryesia e PDSh-së, ku priten të miratohen modalitetet e mbarëvajtjes së të gjithë procesit.
Partia Demokratike Vlorë garanton çdo qytetar se kandidati që do të propozohet do të jetë një qytetar vlonjat me integritet të lartë, profesionalizëm dhe i përkushtuar për të shërbyer me ndershmëri. Ai nuk do të jetë një marionetë e oligarkëve dhe nuk do të shërbejë për të firmosur “monumentet” e radhës të korrupsionit të sektit Rama në Vlorë.
Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i dhënë Vlorës një drejtim të ri, të ndershëm dhe në shërbim të qytetarëve.
Lajmi kryesor:
PD nuk ka emër, do mbështesë kandidatët e pavarur për 6 bashkitë, Berisha: Nëse s’del njeri për 2 ditë, kandidojmë propozimet jopartiake
A.D/ReportTv.al