Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi u nda sot nga jeta në moshën 86-vjeçare. I vetëshpallur “babai i kombit”, Silvio Berlusconi nuk ishte vetëm një nga politikanët më të njohur italian por edhe një nga personazhet më të pasur në Evropë. Në vitin 2015 kryeministri me tre mandate i Italisë u dënua për ryshfet, vetëm dy vjet pasi u shpall fajtor për mashtrime tatimore. Megjithë skandalet seksuale dhe dënimet, ato nuk e kanë dëmtuar pasurinë e tij.
Berlusconi, një manjat mediash vendosi të hynte në jetën politike italiane, mendohet se ka lënë pas një pasuri prej 7.97 miliardë eurosh. Ai ende kishte aksione në shtëpinë botuese “Mondadori”, në firmën e shërbimeve financiare Mediolanum dhe transmetuesin më të madh komercial italian “Mediaset”, raporton “Forbes”. Në gusht 2016, Berlusconi pranoi të shiste 80% të A.C. Milan, një nga ekipet më të suksesshme të futbollit në Evropë, për korporatën kineze “Sino-Europe Sports Investment” për 820 milionë dollarë.
Veç tyre, Berlusconi ishte i lidhur edhe me një pasuri në aksionet e Bursave me vlerën e tregut rreth 2.9 miliardë euro, të cilave u shtohet edhe një rrjet kompanish të tjera, si edhe vila dhe prona të patundshme. Ekipi i futbollit Monza apo edhe kompanitë digjitale Satispay dhe Soldo, flota prej tre avionësh dhe një helikopter, janë disa nga pasuritë që Berlusconi la pas.
Berlusconi e nisi karrierën e tij si këngëtar në anijet turistike dhe në klubet e natës. Në vitin 1961, ai u diplomua për juridik dhe themeloi “Edilnord”, një ndërmarrje ndërtimi dhe zhvillimi në Milano. Në vitin 2011, ai u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër dhe u hoq nga parlamenti dy vjet më vonë. Pasuria e tij përfshinte edhe aksionet që Berlusconi i transferoi pesë djemve të tij.
Lajmi kryesor:
Shuhet Silvio Berlusconi! Ndryshoi politikën, median dhe futbollin! Italia shpall zi kombëtare të mërkurën, në ditën e varrimit
S.Dh/ReportTv.al