Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është pyetur nga gazetarët në qeverinë serbe për planin franko-gjerman dhe ajo është shprehur se nuk e ka të qartë çfarë të thotë për këtë rast, kjo sepse sipas saj Kosova nuk ka zbatuar Marrëveshjen e Brukselit.
“Pala serbe është ende në pritje të zbatimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – Marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar në vitin 2013. Gjithmonë pyes ndërkombëtarët dhe partnerët e huaj se kush do të garantojë marrëveshjen e dytë, nëse e para ende nuk është zbatuar”, ka thënë ajo.
Bërnabiç ka folur edhe për situatën në veri të vendit, konkretisht për barrikadat dheka thënë se e ka të pamundur të mendojë që Policia e Kosovës t’i heqi barrikadat.
“As që do të doja të mendoja se policia e Kosovës po heq barrikada dhe po vë në pikëpyetje jetët e njerëzve, siç ka paralajmëruar Albin Kurti”, duke shtuar se po të ndodhte kjo do të përbënte “sulm ndaj grave dhe fëmijëve, të moshuarve që janë prapa barrikadave. Unë nuk besoj në një skenar të tillë", tha kryeministrja e Serbisë.
Plani franko-gjerman fillon me pajtim për marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, angazhimin për integrim në BE, zgjidhjen e mospajtimeve dhe respektimin e integritetit territorial, respektimin e subjektivitetit të njëra-tjetrës, respektimin e ndërsjellë të juridiksionit, zotimin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme - përfshirë ekonominë, shkencën, gjyqësorin, fushën e mbrojtjes etj. Plani, siç thuhet, parasheh edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme, si dhe pajtimin e palëve që kjo marrëveshje nuk ndikon në marrëveshjet e arritura më parë.
Lajmi kryesor:
Dita e 15-të e barrikadave në veri të Kosovës, Kurti paralajmëron takim me komandantin e KFOR-it
F.D/ReportTv.al