Besimtarët ortodoksë kremtuan këtë 15 gusht festën e Shën Mërisë, e njohur ndryshe si “Pashka e Vogël”.
Në Boboshticë të Korçës u mbajt Liturgjia Hyjnore, e drejtuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani. Ceremonia mblodhi qindra besimtarë, që u lutën për paqe dhe begati.
Në Manastirin e Zvërnecit, atmosfera është e veçantë: ndezja e qirinjve dhe lutjet zhvillohen në një ambient magjepsës mes natyrës dhe historisë.
Ky, është një moment i rrallë bashkimi dhe përjetimi shpirtëror për të gjithë ata që zgjedhin të marrin pjesë.
Një lutje, u bë gjatë meshës edhe për situatën e zjarreve, që njëjtë si në zona të tjera, edhe në Qarkun e Vlorës la jo pak pasoja.
“Në meshën e sotme i dhamë një theksim lutjes së gjerë për të ndihmuar të gjithë ata që u prekën nga kjo fatkeqësi, të gjithë ata që luftojnë në shuarjen e zjarreve. Edhe kisha është prezente në çdo problematikë që na shoqëron”, tha At Jani Tereziu.
Festës iu bashkuan jo vetëm besimtarë ortodoksë vendas, por edhe turistë.
“Kemi ardhur për festën, e festojmë çdo vit”.
“Jemi nga Narta, erdhëm të festojmë dhe jemi të gëzuar”.
“Festohet nga të gjithë, është festuar bukur, shoh që kanë ardhur shumë njerëz”.
Qindra besimtarë të krishterë të Myzeqesë u mblodhën edhe në Kishën e Shën Marisë në Rrupaj me rastin e Pashkës së Verës.
Dita e Shën Mërisë është një nga datat më të rëndësishme të kalendarit për besimin e krishterë.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, uroi ditën e Shën Mërisë, e kremtuar sot nga besimtarët e krishterë.
Nëpërmjet një reagimi, ajo ka shprehur devotshmërinë e veçantë edhe në Shqipëri për lutje për Shën Marinë, pavarësisht besimit fetar.
“15 gushti shënon kremtimin e Fjetjen e Hyjlindëses, Festën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, ditën më të rëndësishme kushtuar Shenjtes Mari. Në Shqipëri ka një devotshmëri të veçantë lutjeje për Shën Marinë, pavarësisht besimit fetar. Në këtë ditë feste e reflektimi për marrëdhënien mes hyjnores dhe njerëzores, lutje nga ne për të gjithë Ju, nën bekimin e Zojës”, shprehet kryeparlamentarja.
Komente
