Kryeministri Edi Rama e mbylli fjalën e tij me një thirrje drejtuar shqiptarëve që të besojnë për Shqipërinë në BE dhe të braktisin ata që ai i quajti si ‘profetët’ e rremë, që predikojnë madhështira qesharake.
Hallet dhe problemet, tha kryesocialisti, mund t’i zgjidhen me të dhe PS, jo me kënetën.
“Besojini kësaj profecie, motra e vëllezër, besojini kësaj profecie, shqiptarë e shqiptare, me bindje e kahje të tjera, besojini këtij momenti ndryshe se është ndryshe, jo për ne dhe as për ju, por është ndryshe për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkohuni me shumicën tonë, besojini Shqipërisë 2030 në BE dhe braktisini profetët e rremë, dhe braktisini qeniet qesharake, ata që predikojnë madhështira qesharake apo ofrojnë barna popullore për hallet e problemet tuaja, të cilat mund t’i zgjidhim vetëm së bashku dhe vetëm të bashkuar për të qenë në lartësinë e historisë së Shqipërisë me Europën dhe të Europës me Shqipërinë.
Sot është koha për këtë besim të lartë. Është një besim shumë i lartë, më shumë se kurrë sot është dita, dita që Naimi e pa dhe u ngazëllye kur këndoi:“Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë.
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!”Dhe zonjë, Shqipëria bëhet kur ne, bijtë e bijat e saj, t’ia vendosim mbi kokë kurorën me 12 yjet, që flamuri europian i huazoi kurorës së Zojës lart në qiell, asaj Zoje, nënë e pelegrinëve që shpresojnë, që si pajtore e Shqipërisë kremtohet pikërisht këtë muaj, njësoj siç populli me traditë kremton, po këtë muaj, lindjen e Shën Gjergjit të shqiptarëve.
Gjergji i Kastriotëve, Ati i shqiptarëve, na qoftë mbrojtje dhe udhërrëfyes në pelegrinazhin tonë europian, dhe Nana e Shqiptarëve na sjelltë Këshillën e Mirë dhe bekimin për misionin dhe pelegrinazhin tonë të shenjtë drejt tokës së premtuar, atje në atë shtëpinë ku na pret këndi ynë.
Rroftë Shqipëria si gjithë Europa!
Rroftë Europa e gjithë shqiptarëve!”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
PS hap fushatën nën ‘shenjën’ e BE-së, Rama kërkon votën përtej të majtës: Të mos humbasim takimin me historinë për mustaqet e Gjuzit! Drejtësinë s'e lëmë në dorë të bufit, solli një ‘latif’ nga SHBA (VIDEO)
Xh.D/H.K/ReportTv.al