Politikë

PS hap fushatën nën ‘shenjën’ e BE-së, Rama kërkon votën përtej të majtës: Të mos humbasim takimin me historinë për mustaqet e Gjuzit! Drejtësinë s'e lëmë në dorë të bufit, solli një ‘latif’ nga SHBA (VIDEO)

12 Prill, 14:01| Përditesimi: 12 Prill, 23:31

  • Share

TIRANË- Nën shenjën e Bashkimit Europian dhe në formën e një spektakli, Partia Socialiste hapi sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 majit, nga sheshi Skënderbej në qendër të Tiranës. Gjithçka e ndërtuar rreth numrit 12, aq sa janë yjet e flamurit të BE-së si dhe qarqet në të gjithë vendin, mbi bazë të të cilave janë ndarë dhe mandatet për parlamentin e ardhshëm, hapja e fushatës u la sot, duke përkuar po ashtu me datën 12, në orën 12.00.

Në shesh, skenografia ishte ngritur po mbi këtë koncept. Një rreth i madh i krijuar me yje të verdhë, pranë të cilëve qëndronin kandidatët e qarqeve, ndërsa në qendër një tjetër yll, më i madh, me konturet blu (ngjyra simbol e BE-së) e më tej me ngjyrat kuq e zi (simbolet kombëtare). Ai do të shërbejë si podium ku një nga një, si në hapjet e olimpiadave, u ngjitën përfaqësues të 12 qarqeve socialistët ishin kujdesur të zbusnin atmosferën politike të një ngjarjeje si hapja e fushatës, duke përfshirë në të elementë artistikë, që nga lahuta te këngët moderne apo vallet tradicionale, si për të përkëdhelur identitetin e secilit prej 12 qarqeve të vendit, pa i dhënë askujt më shumë peshë se tjetri, varësisht nga madhësia apo rëndësia elektorale.

Mbi yllin qendror do të ngjitet për të folur dhe kryetari socialist Edi Rama, që të njëjtin pesëcepësh e kishte të stampuar në bluzën e zezë, ndërsa numri 5, i Partisë Socialiste në fletën e votimit, qëndronte mbi kapelen sportive që ai mbajti gjatë gjithë kohës, si dhe në atletet e personalizuara, të cilat ai i shfaqi që gjatë ditës, ndërsa i vishte për t’u nisur drejt hapjes së fushatës. Gjatë gjithë spektaklit, shefi i selisë rozë u ul përkrah kandidates Kejsi Elezi e cila është kandidatja më e re e listës së PS-së.

Fjala e Ramës nisi dhe përfundoi me Bashkimin Europian, stacionin fundor për Shqipërinë. Plotësimi i të gjitha kushteve për anëtarësim brenda mandatit të ardhshëm, në mënyrë që vendi të bëhet anëtar, në vitin 2030, është premtimi kryesor i socialistëve, kali i saj i betejës në këtë fushatë për një mandat të katërt: “Para nesh vetëm një datë, pas saj vetëm 1 mandat, i gjatë sa 4 vjet, për ta fituar bastin historik me Europën për Shqipërinë dhe Shqipërinë për Europën”.

Dhe në fjalimin e tij zoti Rama, i mëshoi përkatësisë europiane të shqiptarëve, përmes referencave historike, figurës së Skëndërbeut, “profetit kombëtar”, dhe citimeve që nga rilindasit te Gjergj Fishta. Ai ftoi shqiptarët “në një marshim të fundit drejt tokës të premtuar të Evropës, profetit tonë kombëtar për t’u bërë një me fatin evropian që ai atje mbi kalë na e përcaktoi si tonin, që më pas rilindasit tanë, heronjtë e pavarësisë dhe luftërave të mendimit patriotik shqiptar na e konfirmuan si amanet përmes një odiseje të pafundme peripecish”.

E për këtë arsye, Rama kërkon që të mos bëjë dallime politike mes shqiptarëve, të cilët në shumicë sipas tij duhet të zgjedhin rrugën drejt BE-së. “Të bëhemi bashkë njëlloj si 5 gishtat e kësaj dore për t’i dhënë të nesërmes ngjyrën e fatit të Shqipërisë. Le t’i lëmë herë tjetër llogoret partiake, t’i harrojmë fanellat e tifozllëkut partiak. e të ngjitemi në lartësinë e takimit me historinë që na ka ardhur në derë e të mos lejojmë që porta e hapur e shtëpisë së madhe të BE-së të mbyllet”.

Rama nuk u mor gjatë me kundërshtarët e tij politik “profetë të rremë” e “qenie qesharake që predikojnë madhështi qesharake”, sipas tij. Ndërsa këshilltarin amerikan të Berishës e pagëzoi si “Latifin e PD-së, të fortin e lagjes që e thërrasin për t’u mbrojtur”.

Objektivin madhor të vendit, anëtarësimin në BE, ai e sheh si një mundësi të realizueshme vetëm falë Partisë Socialiste. Prandaj sipas tij këtë “takim me historinë, nuk mund ta humbasim për mustaqet e Gjuzit”.

Sipas PS, rreth 15 mijë veta u mblodhën në shesh, në një takim që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, ndërsa shifrat e audiencës për kryeministrin Rama ishin tepër të larta edhe në rrjetet sociale, ku arriti rreth 11 mijë e 40 ndjekës live. Mes entuziazmit të mbështetësve socialistë, Rama zbuloi edhe këngën 'Tungjatjeta' që do të shoqërojë PS gjatë fushatës, në momentin që u ngjit në skenë me reperin Noizy. Jo vetëm skena me motivet kushtuar Europës, apo prania vetëm e flamurit kombëtar dhe europian, por edhe kënga i dedikohet integrimit në BE, njëjtë si edhe slogani i zgjedhur nga socialistët ‘Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS’.

Ora 23:30
Detaji/ Simbolika e Ramës në çeljen e fushatës, ja krah kujt u ul kryesocialisti

1744493503_edirama.jpeg

Ditën e sotme Partia Socialiste ka çelur fushatën zgjedhore. Në sheshin Sënderbej ishin të pranishëm të gjithë kandidatët e PS për fushatën e 11 Majit dhe anëtarë e simpatizantë të shumtë.

Një nga gjërat që ka rënë në sy ka qenë ulja e kryesocialistit Rama përkrah kandidates Kejsi Elezi e cila është kandidatja me e re e listes së PS-së te cilen Rama e evidentoi edhe ne takimin e djeshem dje me gratë si detaj.

Kejsi Elezi, kandidate në listën e hapur të Tiranës është kandidatja më e re e Partisë Socialiste, 20 – vjeç, e lindur dhe banuese në Babrru.

Ora 17:02
“Familja ime ishte me PD”- Noizy pas mitingut të PS: Ajo kohë më kujton errësirë! Vetëm Edi Rama ma mbush syrin

1744470176_1744468608z13.jpg

Pas performacës në takimin hapës të fushatës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy, ka përsëritur mbështetjen e tij për Edi Ramën.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noizy tregon pa rezerva se periudha qeverisëse e Partisë Demokratike i kujton rrëmujë dhe një errësirë, të cilën thotë se nuk dëshiron të përjetojë sërish. 

Në fund të shkrimit të tij, reperi thekson se Rama është i vetmi lider që mund t'i ribesohet drejtimi i vendit. 

Postimi i Noizyt:

“Shiko, po e them një herë e mirë se çfarë mendoj dhe besoj. Familja ime dikur ishte me PD-në. Mirëpo unë personalisht kam kujtime dhe eksperienca jo të këndshme nga ajo periudhë më kujton një rrëmujë, një errësirë dhe as nuk dua ta imagjinoj të jetoj asnjë ditë si ajo kohë.

Me të thënë të drejtën, unë as nuk i shoh programet e partive. Sepse për mua, kushdo ta fitojë, unë prapë i njëjti jam dhe i njëjti do të mbetem: ai që fle i fundit dhe zgjohet i pari, ai që fle më pak se 5 orë gjumë gati çdo ditë, ai që shkon në punë pa orar, për të arritur atje ku asnjë artist rap shqiptar s’ka arritur kurrë.

Unë shoh individët kush drejton cilën parti dhe kush janë ministrat e deputetët e secilës parti. Dhe a mund t’u besoj unë këtyre individëve t’u jap votën time për vitet e ardhshme? Deri tani, me të thënë të drejtën, s’ma mbush syrin askush përveç Ramës.

Këta dy të rinjtë që dolën në protestë përballë bashkisë, ja nisën duke u kapur me grushta mes vete, nuk u habita, të them të drejtën. E sa i përket këtyre të tjerëve, as që bëhet fjalë. Sepse unë dua ndryshim, por ndryshimi s’ka kuptim nëse s’ka përmirësim.

Nuk e kemi luksin të rrimë në vend, e lëre më të shkojmë mbrapa. Kështu që, deri kur dikush të ma mbushë mendjen, unë votoj publikisht PS-në”, ka shkruar Noizy.

"Himni" i fushatës së Partisë Socialiste do të jetë kënga "Tungjatjeta" e reperit Noizy.

Ora 16:33
Çelja e fushatës së PS, momente unike të takimit masiv përmes fotove

1744468263_edirama.jpeg

Në një mënyrë krejt të veçantë, duke prezantuar traditat e 12 qarqeve nën shenjën e BE-së, PS hapi zyrtarisht fushatën me mijëra socialistë të mbledhur në sheshin Skëndërbej. 

Ora 14:56
Rama në çeljen e fushatës: Përshëndes Zamirën që u bashkua me ne për mos të hyrë në rolin e miut! Vlora është ajo që ndjen erën e historisë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme, gjatë çeljes së fushatës, ka sjellë në vëmendje sërish rastin e kandidates për deputete të Vlorës, Zamira Sina, e cila iu bashkua PS-së pas ikjes si anëtare aktive në PD. Rama tha se e falenderon kandidaten që, sipas tij, zgjodhi PS-në për mos u futur në rolin e ‘miut’.

"Historia jonë është gjë tjetër. Dua të përshëndes këtu Zamirën, dekanen e fakultetit të Vlorës, edhe si vlonjate që nuk e bënte dot rolin e miut, erdhi dhe u bashkua me ne duke përfaqësuar sot Vlorën në skuadrën tonë në 11 Maj. Erdhi jo vetëm po me shumë të rinj e të reja të FRPD të Vlorës, vlonjatë dhe ata, nuk mund të rrinin dot në radhë për t'u bërë minj. Shembulli i demokratëve të Vlorës është shembulli i Vlorës. Sepse Vlora është ajo që e ndjen në mënyrë të çuditshme erën e historisë."-tha Rama. 

Ora 14:53
‘Besojini Shqipërisë në BE’, Rama: Braktisni profetët e rremë dhe qeniet qesharake, që ofrojnë madhështira e barna popullore (VIDEO) 

Kryeministri Edi Rama e mbylli fjalën e tij me një thirrje drejtuar shqiptarëve që të besojnë për Shqipërinë në BE dhe të braktisin ata që ai i quajti si ‘profetët’ e rremë, që predikojnë madhështira qesharake.

Hallet dhe problemet, tha kryesocialisti, mund t’i zgjidhen me të dhe PS, jo me kënetën.

“Besojini kësaj profecie, motra e vëllezër, besojini kësaj profecie, shqiptarë e shqiptare, me bindje e kahje të tjera, besojini këtij momenti ndryshe se është ndryshe, jo për ne dhe as për ju, por është ndryshe për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkohuni me shumicën tonë, besojini Shqipërisë 2030 në BE dhe braktisini profetët e rremë, dhe braktisini qeniet qesharake, ata që predikojnë madhështira qesharake apo ofrojnë barna popullore për hallet e problemet tuaja, të cilat mund t’i zgjidhim vetëm së bashku dhe vetëm të bashkuar për të qenë në lartësinë e historisë së Shqipërisë me Europën dhe të Europës me Shqipërinë.
Sot është koha për këtë besim të lartë. Është një besim shumë i lartë, më shumë se kurrë sot është dita, dita që Naimi e pa dhe u ngazëllye kur këndoi:

“Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë.
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!”

Dhe zonjë, Shqipëria bëhet kur ne, bijtë e bijat e saj, t’ia vendosim mbi kokë kurorën me 12 yjet, që flamuri europian i huazoi kurorës së Zojës lart në qiell, asaj Zoje, nënë e pelegrinëve që shpresojnë, që si pajtore e Shqipërisë kremtohet pikërisht këtë muaj, njësoj siç populli me traditë kremton, po këtë muaj, lindjen e Shën Gjergjit të shqiptarëve.
Gjergji i Kastriotëve, Ati i shqiptarëve, na qoftë mbrojtje dhe udhërrëfyes në pelegrinazhin tonë europian, dhe Nana e Shqiptarëve na sjelltë Këshillën e Mirë dhe bekimin për misionin dhe pelegrinazhin tonë të shenjtë drejt tokës së premtuar, atje në atë shtëpinë ku na pret këndi ynë.
Rroftë Shqipëria si gjithë Europa!
Rroftë Europa e gjithë shqiptarëve!”, tha Rama.

Ora 14:48
Rama: Luli harroi që ishte një mi që u soll si ari, deri tek kandidati i primareve që 'bufi' e zhgënjeu!Kjo është historia e kënetës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë çeljes së fushatës në sheshin e ‘Skëndërbej’ është ndalur duke ironizuar opozitën, si një kundërpërgjigje ndaj videos së shpërndarë nga LaCivita me simbolin e miut. Rama u shpreh se ‘bufi i kullufiti si minj’ ata që e kanë besuar më shumë sipas tij.

"Edhe për të duartrokitur asaj që s’thuhet në atë farë feje është vërtet të kesh lindur me këmishë. Se që bufi është bufi, kjo s’ka diskutim, kurse për miun ka shumë kandidatë, që nga Luli i shkretë, që harroi që ishte mi dhe u soll si ari, dhe deri tek ai i shkreti nga Kavaja, fituesi i primareve të Tiranës, që besoi te bufi si njëri dhe ai e kullufiti si një mi. Kjo është këneta dhe historia e saj."-tha Rama. 

Ora 14:40
‘Prioritet i kënetës, kthimi i bufit për të tretën herë’, Rama reagon pas videos së LaCivita: Solli Latifin nga Amerika, kushedi me ça parash! Të kujton atë të fortin e lagjes që... (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ironizoi sërish opozitën duke thënë se i vetmi prioritet i kënetës është kthimi në pushtet i bufit për të tretën herë për të shkatërruar edhe më tej vendin, sikurse herët e tjera. Kryeministri ironizoi gjithashtu Chris LaCivitan pas videos së publikuar nga ky i fundit në rrjete sociale.

Rama thotë se LaCivita ka lindur më ‘këmishë’ pasi ka gjetur budallenj që e paguajnë me shuma të tilla parash.

“Tani këneta thotë se anëtarësimi ynë në BE nuk është prioritet dhe se sidoqoftë do ndodhë, por prioritet sipas kënetës është kthimi i bufit për të tretën herë në krye të vendit, pasi dy herët e mëparshme nuk e shkatërroi dhe rrënoi mjaftueshëm Shqipërinë. Me këtë prioritet ka sjellë kushedi me sa para, kushedi ku i ka gjetur, edhe një latif nga Amerika, i cili për të gjithë ne që jemi rritur në lagjet e Tiranës, të kujton atë të fortin e lagjes që qullësi poshtë pallatit e thërret: hajde latif se do më rrahin. Kishte publikuar dje një buf që hante një mi dhe ngrinte pyetjen se kush është miu. Atij bravo i qoftë se të gjesh budallenj dhe të paguash gjithë ato para për të duartrokitur edhe kur ia fut asaj që nuk thuhet në atë farë feje, vërtet të kesh lindur me këmishë. Se që bufi është bufi, kjo nuk ka diskutim, kurse për miun ka shumë kandidatë, që nga Luli që harroi se ishte mi dhe u soll si ari, deri te ai i shkreti nga Kavaja...”, u shpreh Rama.

Ora 14:30
Rama: Më 11 maj, ose drejt BE-së, ose në gropë! S’mund ta lini drejtësinë në dorë të orvatjeve të kënetës! As shitësve të qilimave fluturues (VIDEO)

 

Edi Rama, në hapjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, thotë se 11 maji është pikë ndarëse mes dy rrugëve: drejt Bashkimit Europian apo kthimit në gropë. Rama tha se vetëm në BE garantohet pathyeshmëria e reformës në drejtësi, duke thënë se nuk mund të lihet në dorë të çdo orvatje e kënetës.

“Barazinë para ligjit populli shqiptar nuk mund ta lërë në dorë të qeverive, por duhet ta marrë vetë në dorë. Duhet ta mbrojë, duke nisur nga 11 maji. Zgjedhja nuk është mes sa partive, por mes Shqipërisë 2030 në BE dhe Shqipërisë drejt e në gropë përsëri. Me ne, ose me kënetën madhështore dhe me shitësit e qilimave fluturues të pazarit të moçaleve të vegjël rreth saj, që kanë edhe lloj emrash: jo bëhet, jo s’bëhet, jo bashkë, jo veç. Vetëm Shqipëria 2030 në BE e blindon përfundimisht, pa asnjë mundësi prapakthimi, themelin e barazisë para ligjit që PS pati kurajon ta hedhë, dhe deri kur ne ta fusim zonjën Shqipëri në sallonin e madh, kryesor të BE, vetëm shqiptarët e bashkuar me mua dhe ju mund ta mbrojnë drejtësinë e re nga çdo orvatje e kënetës. Mund të mbyllim negociatat me BE brenda 2 vitesh”, tha Rama.

Ora 14:26
Rama: Shqipëria 2030 do të jetë e re, mbase edhe këneta do të jetë tharë! Kush hyn në BE nuk luan dot kukafshehti me qytetarët e vet (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria 2030 do të jetë një Shqipëri e re, ndërsa shtoi se mbase në atë kohë edhe këneta do të jetë tharë. Kreu i qeverisë përmendi benefitet që do të marrim me hyrjen në union, duke shtuar se nuk do të trajtohemi më si popull i dorës së dytë, por do të jemi të barabartë sikurse të tjerët.

Sipas kreut të qeverisë, më hyrjen në BE, s’mund të luhet më kukafshehti me qytetarët.

“Sa më të bashkuar e të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë, por jo përgjithmonë, se takimi me historinë nuk pret dhe as nuk shtyhet dot pas qejfit tonë, duhet t’i shkojmë rrugës së hapur të fatit pa paragjykime dhe tundime për budallallëqet e radhës. Nëse duam t’i japim fund historisë së një populli të mbetur si i dorës së dytë, dhe t’u dorëzojmë fëmijëve tanë edhe brezave që vijnë, një vend brenda kufijve të BE-së ku mes shqiptarit e italianit, grekut apo gjermanit të mos ketë më asnjë dallim. Por të mos ketë edhe asnjë shans për ta parë shqiptarin nga lart poshtë. Shqipëria sot nuk është gjëkundi njësoj me atë që ishte kur ne morëm detyrën, në asnjë fushë, përveçse në kënetën e opozitës dhe mediave rreth saj, kur për hir të së vërtetës situata është më keq seç ishte kur ne morëm detyrën.
Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria sot nuk do të jetë njësoj gjëkundi me Shqipërinë e 2030-ës. Mbase edhe këneta opozitare do të jetë tharë deri atëherë, por kjo është e vetmja gjë që ka në dorë pakica dhe jo shumica e shqiptarëve. Shqipëria e 2030-ës do të jetë Shqipëri e re, vend me një tjetër pozicion e tjetër fuqi si shtet anëtar i një familjeje të madhe lirish, të drejtash e mundësish që sot s’i kemi akoma dhe që as nesër s’mund t’i kemi pa u bërë pjesë e asaj familjeje. Kush hyn në atë shtëpi nuk luan dot më kukafshehti me qytetarët e vet. Në atë familje askush s’e vë dot në pikëpyetje barazinë para ligjit për qytetarët e vet.”, u shpreh Rama.

Ora 14:26
Rama në çeljen e fushatës: 2025 është një vit i shenjtë, nuk mund ta humbim historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në çeljen e fushatës në sheshin ‘Skënderbej’, ka folur për rëndësinë e zgjedhjeve të 11 Majit. Rama vijoi të theksojë se vota e këtij viti të shenjtë, siç e quajti ai, është një votë që, sipas tij, nuk duhet humbur për ‘mustaqet e Kujtim Gjuzit’.

"Ta nxjerrim atë të gjallë nga izolimi më i egër që ka njohur bota komuniste dhe ta bëjmë të pandalshëm, si fillim, me Europën. Përmes tyre ne pamë dhe u frymëzuam, se dhe Shqipëria jonë mund t’ja dalë kombëtarisht. Populli shqiptar ka vënë mund pa kursyer për të qëndruar me Europën. Popull i cilësuar si indiferent, shqiptarët mësuan të besonin në një thellësi të madhe dhe mësuan sesi të mos humbasin shpresën. Arbërit ishin i vetmi popull autokton në Europë. 1308 murgj që u shënuan si anonimë, shkruan se ky popull mezi pret të idealizohet me perëndimorët, kurdo që i shtrohet dora e besimit dhe ligjit. Për të katërtën herë, profeti ynë Gjergji i bën Europës, se çmimin se ca familje i takon arbënorit i cakton vetë, dhe si një fanatic i vendosur të jetë gur i rëndë në vendin e vet. Kjo është dekada e ardhjes së fatit europian mu në dorën tonë, ku, si asnjëherë më parë, që ne dolëm nga ferri komunist, Europa ka shkuar përtej premtimeve, ku na thotë se ne do të hyjmë në 2027 në BE. 2025 është një vit i shenjtë, rrëmuja gjeopolitike paralajmëron sfida të mëdha dhe ne nuk mund ta humbim historinë për mustaqet e Kujtim Gjuzit. Se kjo është e vërteta, edhe pse duket ironike."-tha Rama. 

Ora 14:17
‘Të ngremë së bashku flamurin shqiptar në BE’, Rama: Nuk ka në Ballkan një popull tjetër më të njesuar me ndjenjën e përkatësisë ndaj Evropës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në sheshin ‘Skënderbej’, tha se nuk ka popull më të njesuar sesa shqiptarët që e duan përkatësinë evropiane.

Kryesocialisti u shpreh gjithashtu se së bashku duhet të shkojmë drejt ‘marshimit të fundit’ drejt tokës së premtuar të Evropës, dhe për të ngritur së bashku flamurin shqiptar.

“Duke i shpallur Evropës se ata ishin pema e lashtë e kopshtit të saj dhe filizimi i njomë mes kombeve të saj të plakura. Nuk kam ardhur këtu sot që t’ju marr për dore për t’ju zhytur nëpër legjenda, për t’i shkuar pas, së bashku me ju, në një marshim të fundit drejt tokës së premtuar të Evropës, profetit tonë kombëtar, për t’u bërë një me fatin evropian që ai atje mbi kalë na e përcaktoi si tonin, që më pas rilindasit tanë, heronjtë e pavarësisë dhe luftërave të mendimit patriotik shqiptar na e konfirmuan si amanet përmes një Odiseje të pafundme peripecish, kaplimi malesh e detërash, dhe sot na ka zgjedhur ne fati për t’i dhënë shtysën e fundit gurit të pavarësisë, të lirisë dhe barazisë para ligjit, duke mos e lënë si guri i Sizifit, por duke e vendosur njëherë e mirë në këndin e ndërtesës evropiane.
Aty ku së bashku do të ngjisim edhe flamurin më të bukur në botë. Po ta mendosh, nuk ka në Ballkan një popull të dytë si arbërori, shqiptari, që në shekuj rraskapitës të jetë ngulur si një aspekt në majë të një shkëmbi për t’i pëmtuar gjithçkaje dhe gjithkujt, shpesh kundër çdo parashikimi. Prandaj nuk ka në Ballkan një komb tjetër më të njësuar me ndjenjën e përkatësisë ndaj Evropës, që, siç e shkruajnë rilindasit, dielli lind andej nga perëndon, sesa ky komb e ky popull”, u shpreh Rama.

Ora 14:11
Rama në hapjen e fushatës: Të fitojmë bastin historik me Europën, koha të ndahemi me ‘Azinë’ (VIDEO)

Kryesocialsiti Edi Rama hapi zyrtarisht fushatën e PS, nërsa tha se 11 maji është koha për të fituar bastin historik me Europën.

"Është krejt ndryshe nga të gjitha herët e tjera mbledhja jonë në këtë shesh ku qëndron dëshmitar, shëmbëlltyra e profetit tonë kombëtar hipur mbi kalin e historisë. Nëse është e vërtetë, siç e pohon edhe vetë Kurani, se Zoti i ka dhuruar çdo populli një profet, Shqipëria ka Skënderbeun. Me qindra dhe mijëra pllakëzat e sheshit që mban emrin e profetit rrëfejnë hijen e gjatë të qenies tonë shqiptare nga njëri cep i vendit në tjetrin. Tokën e zhuritur nga gjaku, lotët dhe djersa e shqiptarëve në shekujt e shumtë të ekzistencës së tyre, rrëfejnë një copë martire të trupit të Europës, dëshmitare kombesh të padëgjuara. 100 vjet më parë një udhëtar europian shkruante se, ndonëse pak orë lundrimi e ndajnë Italinë nga Shqipëria, do kishte vënë bast se ky vend nuk ishte Europë, por Azi. Të thoshe që Shqipëria ndodhej në Azi, çdo profesor do të vinte zero në gjeografi, por sensi i realitetit do të kishte vënë notën 10. Koha e deshi që në këtë shesh të Skënderbeut, xhevahir i kryeqytetit europian, ne të kemi shansin historik që të hedhim hapin përfundimtar drejt bashkimit me Europën dhe ndarjes pa kthim me Azinë. Për ne sot këtu, përfaqësuesit dhe përfaqësueset e popullit, nisin e përpjeta e fundit të Europës dhe fundi i historisë sonë jashtë saj. Para nesh është vetëm një datë: 11 maji, i afërt sa 30 mëngjese; pas saj është vetëm 1 mandat i gjatë sa 4 vite, për ta fituar bastin historik me Europën", tha Rama.

Ora 13:53
Fushata e PS-së në sheshin ‘Skënderbej’ / Rama fton Noizyn të performojë: Po ju sjell një çun problematik, se nuk doja të rrija këtu vetëm me zërin tim

 

Kryeministri Edi Rama, pas performancave të çdo qarku, ka marrë fjalën për çeljen e fushatës në sheshin ‘Skënderbej’. Rama nuk ka nisur menjëherë fjalimin e tij, por ai ka ftuar këngëtarin e njohur Noizy. Rama, mes batutash, tha se do të ftojë një ‘çun problematik’, meqë çdo qark solli nga një këngëtar dhe kreu i qeverisë tha se edhe ai do të sillte këngëtarin e tij.

“Përshëndetje të gjithëve, duke qenë se të gjitha qarqet sollën këtu një surprizë, edhe unë kam sjellë një surprizë. Kam sjellë surprizë një çun problematik, kërkova që të vij këtu dhe të flas përmes fjalësh dhe tingujsh.
Para ca ditësh isha në studion e tij dhe dëgjova një këngë të re. Noizy është i joni, i imi dhe i juaji. Hajde, se unë do ngelem vetëm me zërin tim.”-tha Rama.

 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?