Kronikë

Bllokimi i domateve me pesticide nga Kroacia, Braçe: Ky është krim me ushqimin, ndëshkim për çdo bujk! Ministria e Bujqësisë ka qepur gojën

10 Shtator, 20:24| Përditesimi: 10 Shtator, 21:23

  • Share

 

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me rastin e bllokimit nga Kroacia të domates nga Shqipëria me pesticide mbi normën e lejuar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shkruan se çdo bujk që përdor pesticide mbi normë duhet të ndëshkohet.

Ai thekson se përdorimi i pesticideve për mbrojtjen e bimës dhe frutit në Shqipëri është i ligjshëm, brenda normave dhe afateve të përcaktuara me ligj, dhe se e njëjta praktikë përdoret edhe në vendet fqinje dhe Europë. Braçe shton se Shqipëria nuk prodhon pesticide dhe që 35 vjet importon vetëm prodhime të ligjshme nga vende si Kroacia dhe Sllovenia.

Braçe kritikoi Ministrinë e Bujqësisë për mosreagim dhe theksoi se duhet të ndërhyhet shpejt për të mbrojtur prodhimin vendas. 

Reagimi i Erion Braçes: 

Dua të them që në krye të herës, mbështes plotësisht ndëshkimin e çdo bujku që përdor pesticide mbi normë në procesin e prodhimit të perimeve e frutave; kjo duhet realisht të ndëshkohet si krim me ushqimin! Ndaj e kuptoj rastin e sotëm të policimit të prodhimit të domates dhe të domates vetë. Ajo që meriton sqarim, shpjegim, ka të bëjë me të gjithë këta që kanë nisur këtë fushatë të poshtër kundër prodhimit vendas, duke thënë "na helmuan; helmuan dynjane", etj. E para që dua të them: përdorimi i pesticideve për mbrojtjen e bimës e të frutit në Republikën e Shqipërisë është i ligjshëm, gjithmonë në bazë të normave dhe afateve të përcaktuara me ligj.

Po kaq i ligjshëm është përdorimi i pesticideve edhe në çdo vend rreth nesh, në Europë e më gjerë; pra, po të bënin autoritetet e kësaj qeverie analiza për perimet e frutat që vijnë, për shembull, nga Greqia, Turqia etj., do të gjenin prezencën e pesticideve në to, pa asnjë dyshim! Në anën tjetër, ne nuk prodhojmë pesticide këtu; kemi 35 vjet që nuk prodhojmë gjë të tillë.

Këto prodhohen nga Kroacia e vende të tjera në BE dhe jashtë saj si prodhime të ligjshme. Prandaj, nga Kroacia, Sllovenia e deri në Tiranë, ndaleni histerinë, qetësohuni! Vitin e kaluar i kemi shitur Kroacisë 9,000 ton perime e fruta të shëndetshme; këtë vit mbi 6,000 ton deri tani dhe ky është rasti i parë me ngarkesë pesticidësh mbi normë. Kemi prodhuar mirë, besojeni; ashtu sikundër ka dhe bujq që kanë gabuar dhe duhet të pranojnë ndëshkimin.

Ky sqarim duhet ta kishte bërë Ministria e Bujqësisë, e cila ka qepur gojën; si statistike raporton domaten, por për ta mbrojtur tërësinë e prodhimit vendas hesht. Nuk shkon! Ashtu si nuk shkon heshtja për TVSH-në që akumulohet pafund si humbje; kësaj humbjeje i mbivendoset edhe humbja nga kursi i këmbimit në eksport (prandaj ministria raporton sasinë, jo vlerën). Për shkak të humbjeve, bujku rrezikon të vjelë para afatit të karencës dhe gabon rëndë, nxit për çmimin më të lartë! Duhet ndërhyrë tani, shpejt, sepse humbja po bëhet kolosale, pa kthim. Skema e mbështetjes buxhetore duhet të nxisë dhe të paguajë alternativën: mbrojtjen biologjike, me insekte të bimës e të frutit! Ta duash këtë punë, produktin e saj. 


Lajmi kryesor:

Kroacia bllokoi rreth 8 ton domate me pesticide, tre të arrestuar në Berat! Pranga administratorit të ‘Era-Fruit’ dhe dy inspektorëve të AKU


S.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?