Kronikë

Kroacia bllokoi rreth 8 ton domate me pesticide, tre të arrestuar në Berat! Pranga administratorit të ‘Era-Fruit’ dhe dy inspektorëve të AKU

10 Shtator, 09:24| Përditesimi: 10 Shtator, 20:35

  • Share


Tre persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Beratit pasi Kroacia bllokoi rreth 8 ton domate me pesticide të eksportuara ng Shqipëria. Analizat treguan se domatet që u bllokuan më 27 gusht kishin nivel të preparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë. 

Në pranga është vënë pronari i subjektit eksportues "Era Fruit", Mariglen Qorri 40-vjeç, si dhe dy inspektorë të AKU-së të Beratit, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani, 27 dhe 25-vjeç. 

Sipas Prokurorisë së Beratit, Qorri ka përdorur një faturë fiktive të lëshuar në emër të një fermeri, e cila më pas është përdorur për procedurat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të përpiluar nga AKU Berat, me qëllim shmangien e përgjegjësisë për produktin që ka prodhuar dhe më pas treguar.

Dy inspektorët e AKU-së, pas marrjes së njoftimit nga sistemi RASFF, kryen më 29 gusht një inspektim në subjektin në fjalë, ku kanë marrë si të mirëqenë faturën fiktive të lëshuar nga pronari, duke ndryshuar faktet mbi origjinën e produktit dhe duke penguar hetimet. Për më tepër, inspektorët e sigurisë ushqimore kanë deklaruar se në magazinën e subjektit "Era Fruit" nuk kishte asnjë sasi domateje. 

Pronari i subjektit është vënë nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’. Ndërsa ndaj dy inspektorëve rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Sakaq, policia dhe prokuroria thonë se pasi u ushtrua kontroll në subjekt, janë sekuestruar perime të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca, si dhe janë marë mostrat pasi dyshohet se mund të jenë të kontaminuara. 

Akuzat ndaj tre të arrestuarve:
1.       Mariglen Qorri, 40-vjeç, pronar i subjektit  “Era fruit” si i dyshuar për veprat penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
2.       Ronaldo Lika, 27 vjeç, inspektor për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
3.       Griselda Doksani, 25-vjeç, inspektore për sigurinë ushqimore pranë AKU Berat, si e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, kërkoi ndalimin e tre shtetasve M.Q., R.L. dhe G.D., mes të cilëve dy inspektorë për sigurinë ushqimore për veprën penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ si dhe për ‘shpërdorim detyre’, parashikuar nga nenet 288, 288/c, 186 dhe 248 të Kodit Penal.

Pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat në bashkëpunim me seksionin kundër Krimit Ekonomik e Financiar dhe forcat operacionale të policisë, rezultoi se autoritetet Kroate konstatuan dhe më pas asgjesuan një sasi prej rreth 8 tonë domate e eksportuar nga subjekti “Era-Fruit”, me administrator shtetasin M. Q., sasi kjo që pas analizave rezultoi me nivel të perparatit “Chlorfenapyr” mbi normat e lejuara, 0.06 mg/kg nga 0.01 mg/kg që duhet të jetë.

Në lidhje me këtë sasi, rezultoi se shtetasi M. Q. ka prerë një faturë blerje fiktive nga një fermer dhe e ka përdorur për praktikat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të mbajtur nga AKU Berat, duke u munduar të shmangë përgjegjësinë e tij ligjore për produktin që ka prodhuar dhe tregtuar.

Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo sasi domate e rrezikshme për shëndetin e njerëzve është prodhuar dhe më pas eksportuar nga vetë shtetasi M.Q. Ky shtetas është nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se inspektorët e AKU-së Berat, shtetasit R.L. dhe G.D., pas njoftimit nga sistemi Rasff, kryen inspektim më datë 29.08.2025 në subjektin “Era Fruit” dhe nuk konstatuan sasinë e domateve të ndodhur në magazinën e subjektit, duke plotësuar praktikën sikur aty nuk gjendej asnjë sasi domateje, duke mos bërë kështu edhe bllokimin dhe marrjen e mostrave për kryerjen e analizave për këtë produkt.

Këta inspektorë, kanë marrë të mireqenë si të rregullt faturën fiktive të prerë nga shtetasi M.Q., të pa firmosur nga fermeri/shitësi duke mbajtur mbi bazën e tij raportin e gjurmshmërisë së produktit dhe duke tjetërsuar faktet në lidhje me origjinën e produktit të konstatuar me probleme.

Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u sekuestruan dhe morën mostra për analiza të produkteve të ndryshme si domate, speca dhe kastraveca të konstatuara në subjektin “Era Fruit”, produkte këto të dyshuara të kontaminuara.

Ora 20:24
Bllokimi i domateve me pesticide nga Kroacia, Braçe: Ky është krim me ushqimin, ndëshkim për çdo bujk! Ministria e Bujqësisë ka qepur gojën

 

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me rastin e bllokimit nga Kroacia të domates nga Shqipëria me pesticide mbi normën e lejuar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shkruan se çdo bujk që përdor pesticide mbi normë duhet të ndëshkohet.

Ai thekson se përdorimi i pesticideve për mbrojtjen e bimës dhe frutit në Shqipëri është i ligjshëm, brenda normave dhe afateve të përcaktuara me ligj, dhe se e njëjta praktikë përdoret edhe në vendet fqinje dhe Europë. Braçe shton se Shqipëria nuk prodhon pesticide dhe që 35 vjet importon vetëm prodhime të ligjshme nga vende si Kroacia dhe Sllovenia.

Braçe kritikoi Ministrinë e Bujqësisë për mosreagim dhe theksoi se duhet të ndërhyhet shpejt për të mbrojtur prodhimin vendas. 

Reagimi i Erion Braçes: 

Dua të them që në krye të herës, mbështes plotësisht ndëshkimin e çdo bujku që përdor pesticide mbi normë në procesin e prodhimit të perimeve e frutave; kjo duhet realisht të ndëshkohet si krim me ushqimin! Ndaj e kuptoj rastin e sotëm të policimit të prodhimit të domates dhe të domates vetë. Ajo që meriton sqarim, shpjegim, ka të bëjë me të gjithë këta që kanë nisur këtë fushatë të poshtër kundër prodhimit vendas, duke thënë "na helmuan; helmuan dynjane", etj. E para që dua të them: përdorimi i pesticideve për mbrojtjen e bimës e të frutit në Republikën e Shqipërisë është i ligjshëm, gjithmonë në bazë të normave dhe afateve të përcaktuara me ligj.

Po kaq i ligjshëm është përdorimi i pesticideve edhe në çdo vend rreth nesh, në Europë e më gjerë; pra, po të bënin autoritetet e kësaj qeverie analiza për perimet e frutat që vijnë, për shembull, nga Greqia, Turqia etj., do të gjenin prezencën e pesticideve në to, pa asnjë dyshim! Në anën tjetër, ne nuk prodhojmë pesticide këtu; kemi 35 vjet që nuk prodhojmë gjë të tillë.

Këto prodhohen nga Kroacia e vende të tjera në BE dhe jashtë saj si prodhime të ligjshme. Prandaj, nga Kroacia, Sllovenia e deri në Tiranë, ndaleni histerinë, qetësohuni! Vitin e kaluar i kemi shitur Kroacisë 9,000 ton perime e fruta të shëndetshme; këtë vit mbi 6,000 ton deri tani dhe ky është rasti i parë me ngarkesë pesticidësh mbi normë. Kemi prodhuar mirë, besojeni; ashtu sikundër ka dhe bujq që kanë gabuar dhe duhet të pranojnë ndëshkimin.

Ky sqarim duhet ta kishte bërë Ministria e Bujqësisë, e cila ka qepur gojën; si statistike raporton domaten, por për ta mbrojtur tërësinë e prodhimit vendas hesht. Nuk shkon! Ashtu si nuk shkon heshtja për TVSH-në që akumulohet pafund si humbje; kësaj humbjeje i mbivendoset edhe humbja nga kursi i këmbimit në eksport (prandaj ministria raporton sasinë, jo vlerën). Për shkak të humbjeve, bujku rrezikon të vjelë para afatit të karencës dhe gabon rëndë, nxit për çmimin më të lartë! Duhet ndërhyrë tani, shpejt, sepse humbja po bëhet kolosale, pa kthim. Skema e mbështetjes buxhetore duhet të nxisë dhe të paguajë alternativën: mbrojtjen biologjike, me insekte të bimës e të frutit! Ta duash këtë punë, produktin e saj. 

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mjaft me "Dekllarata"!: 10/09/2025 18:31

    Per te qeshur e per te qare! -------- Arrestohen keta te tre sepse na "turperuan" e "na nxine faqen" e Shqiperise "bio" ne Kroaci, e keshtu per automatizem na "turperuan" e "na nxine faqen" e Shqiperise "bio"ne seline e Bashkimit Europian si dhe ne ato te te gjitha vendeve anetare. ----- Pra arrestohen ekportuesi per fallsifikim dokumentesh dhe dy inspektoret e AKU-se Berat per pranimin e dokumenteve te fallsifikuara. Keta te tre ne fakt jane pergjegjes per veprimet e fundit para eksportimit. -------- Pertej "turpit" e "faqes se zeze", pyetjet jane: domatet ku u prodhuan? ----- Cila eshte ferma qe i ka prodhuar? ----- Sa eshte infektuar vete toka bujqesore ku u perdoren keto pesticide? ----- Cfare duhet bere me te? ----- Sa nga keto produkte jane hedhur, shitur e konsumuar ne brenda Shqiperise? ----- Sa i larte eshte rreziku dhe efekti kancerogjen i ketyre produkteve qe po konsumohen tashme nga shqiptaret? ----- Pse nuk informohet popullsia ne detaje per kete situate rreziku te larte ushqimor e shendetsor? ----- Cili eshte agronomi qe ka ndjekur ecurine e prodhimit qe nga pergatitja e tokes per mbjellje, te farat apo filizat e bimes se domates, te plehrat kimike, fertilizuesit e deri te pesticidet, te prashitja e ujitja, duke konsideruar ne vecanti kontrollin e rrepte te moskontaminimit te ujerave nga ndotje te tjera rrethanore? ----- Cilet jane laboratoret e laborantet e perfshire ne kete zinxhir te thelle korruptiv "certifikimi" me rrezik te larte per shendetin e njerezve? --------- Po te ndiqen keto procese seriozisht nga te gjitha hallkat e te imponohen Ligjerisht e ne menyre procedurale te gjitha veprimet biologjike si nje protokoll i detyruar ne prodhimin bujqesor, blegtoral, industrial, etj, etj, imagjinoni sa vende pune me shume do te krijoheshin, sa specialitete e specialiste do te riaktivizoheshin, sa vlere e cilesi do te merrte jo vetem produkti, por edhe vete puna, njerezit, dhe gjithe jeta e jone ne pergjithesi, deri te imazhi i Shqiperise Bio.

    Përgjigju
  • visi: 10/09/2025 14:10

    Inspektorët e AKU duhet të marin dënim maksimal....

    Përgjigju
  • zakarel zaka: 10/09/2025 12:51

    NORMAL T JET DREJTOR I PERGJITCEM VELLAI I PROKURORIT NORMA, KESAJ GOCES MOS I BONI GJO SE QENKA SI RRUSH

    Përgjigju
  • Roni: 10/09/2025 11:40

    Miiitantet adoleshente te punesuar ne shtet. KCK te bejne lek te shoejte….

    Përgjigju
  • lexues: 10/09/2025 11:03

    inspektore adoleshente per nje post me shume pergjegjesi, besoj se instagramse e zhvilluar ose nje ekselente partie

    Përgjigju
  • Lab denbabaden: 10/09/2025 10:23

    Ça popull leshi jemi..gjithmonë me të futur..vetëm me gënjeshtra,spunuam njëherë drejt...pa pikë turpi helmojnë dynjanë..tani i hani specat vetë injorant

    Përgjigju
    • 136: 10/09/2025 10:51

      Shqiperia zhbehet

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?