Dy mjete lundruese janë bllokuar në plazhin e Ksamilit dhe Llamanit pasi nuk dispononin dokumentat përkatëse. Secili prej drejtuesve është gjobitur me 10.000 lekë të rinj.
Në plazhin e Ksamilit është konstatuar një mjet lundrues tip gomone, me drejtues K. P., banues në Ksamil, i cili nuk dispononte dokumentacionin përkatës dhe menjëherë është bërë shoqërimi dhe bllokimi i tij në portin e Sarandës.
Po në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë Kufitare në Dhërmi, kanë konstatuar në plazhin e Llamanit, një tjetër mjet lundrues tip skaf, me drejtues R. P, banues në Vlorë, i cili po ashtu, nuk dispononte dokumentacionin përkatës dhe menjëherë është bërë shoqërimi dhe bllokimi i tij në portin e Himarës.
“Në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2021, neni 14/1/b, të dy drejtuesit e mjeteve lundruese, të identifikuar si K. P dhe R. P, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, për mungesë dokumentacioni (në bord)”, njofton policia.
Pas tragjedisë në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, Policia Kufitare është vënë në lëvizje dhe bën çdo ditë kontrolle me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit.