Kronikë

Blushi: Lirimi i Salianjit akt i vonuar, u burgos me urdhër të Ramës

8 Korrik, 19:42| Përditesimi: 8 Korrik, 19:43

  • Share

Partia e Lirisë përmes sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushit ka reaguar për lirimin e Ervin Salianjit nga qelia. Blushi tha në një deklaratë për mediat, se lirimi i Salianjit ishte i vonuar, ndërsa akuzoi se u burgos me urdhër të Ramës.

“Partia e Lirisë përshëndet lirimin nga burgu të ish-deputetit zemërluan demokrat, Ervin Salianji, një akt shumë i vonuar, që nuk mund të fshijë aspak agresionin kriminal politik dhe moral që i është bërë jo vetëm një zëri të fuqishëm opozitar, por edhe vetë demokracisë dhe pluralizmit politik.

Burgosja e Salianjit ishte një akt i pashembullt në historinë e shtetit të së drejtës në Shqipëri, sepse një denoncues i fuqishëm i korrupsionit dhe inkriminimit qeveritar u dënua, u persekutua dhe u burgos për faktin e vetëm se ekspozoi botërisht një të vërtetë për vëllain trafikant të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, autorin e shkatërrimit të reformës në drejtësi, të kapjes dhe të shndërrimit të saj në Ramaformë.

Vetëm në një regjim autokratik ndodh që krimi të mbrohet dhe denoncuesi të burgoset! Burgosja e Salianjit ishte një kalkulim i neveritshëm elektoral nga Edi Rama dhe veglat e tij në drejtësi. Sepse Edi Rama nuk mund ta përballonte dot fuqinë politike dhe elektorale të një deputeti të votuar nga populli, si në Korçë ashtu edhe në Kavajë – ku humbja u manipulua vetëm nga kutitë e votimit në burgun e Rrogozhinës.

Sot, akti i lirimit të Ervin Salianjit është një dorëzim i heshtur i sistemit përballë forcës së opinionit publik dhe së drejtës, që sado që të zvarritet apo të pengohet, gjithmonë do të triumfojë. Drejtësia gjoja e re në Shqipëri vazhdon të jetë absolutisht thjesht dhe vetëm një drejtësi me regjinë politike të Edi Ramës. Një drejtësi që merr urdhra politikë nga zyrat e pushtetit, që shantazhon, kërcënon, ndëshkon, arreston dhe burgos politikisht kundërshtarët politikë, ndërsa afërmendsh hesht, mbyll sytë e nuk hap asnjë dosje për Edi Ramën dhe klientët e tij”, tha Blushi.


Lajmi kryesor:

‘Babalja’/ 9 muaj në burg për kallëzim të rremë, Ervin Salianji fiton lirinë me kusht në Gjykatën e Fierit! Ish-deputeti: Dënim politik (VIDEO)


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?