Politikë

Zgjedhjet e 11 Majit/ Meta në listat e deputetëve të Tiranës, Blushi 1 orë takim në PD për koalicionin parazgjedhor dhe protestën e 8 shkurtit

4 Shkurt, 12:32| Përditesimi: 4 Shkurt, 17:46

  • Share

TIRANE-  Dy ditë pas sfidës publike që Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta bëri nga burgu, duke konfirmuar për herë të parë që më 11 maj, do të jetë kandidat për deputet në listat e Tiranës nën koalicionin me Sali Berishën, i deleguari i tij Tedi Blushi u shfaq në Selinë e PD.

Numri dy i Partisë së Lirisë zhvilloi një takim rreth një orë me Sekretarin e Përgjithshëm të PD Flamur Nokën me fokus veç protestës së 8 shkurtit, edhe tek emrat për kandidatë për deputetë që në koalicion me PD-në, partia e Metës pritet t’i ketë në disa qarqe.

“E rëndësishme të kontribuojmë sa më shumë për rrëzimin e narkoregjimit”, tha Blushi për gazetarët.

Në negociata PD është edhe me parti të tjera opozitare për koalicionin parazgjedhor. Aleatët që do të jenë pjesë e kompozimit të koalicionit, mbeten të pandryshuar por me ta PD po diskuton qarkun ku do t’i pozicionojë.

Deri më tani, diskutimet janë për 1 përfaqësues të PL të jenë në zonë të sigurt në qarkun e Tiranës me Metën që kërkon të jetë pjesë e listës së hapur, Fatmir Mediu i Republikanëve mund të rikthehet në Fier, Vangjel Dule në Vlorë dhe një kandidat I Partisë Agrare Ambientaliste në listën e mbyllur në Durrës.

Krahas diskutimeve me aleatët për listat, PD është në limitet e kohës edhe për të zgjedhur kandidatët e saj për deputet, proces që do të zhvillohet përmes primareve.

Për to, PD ende nuk ka asnjë datë, por burime për Report Tv në selinë blu konfirmojnë që ato do të mbahen në rang qarku, sipas një formule që do të sigurojë përfaqësim nga të gjitha bashkitë e qarqeve, ndërsa pritet të mbahen sa më pranë afatit për regjistrimin e listës së kandidatëve në KQZ, për të shmangur debatet dhe pakënaqësitë mes anëtarësisë demokrate.

Ndërkohë Sali Berisha pritet të kthehet sot nga Gjermani ku mori pjesë në kongresin e CDU-së.

Çfarë deklaroi Meta në konventë?

Takimi në selinë PD, vjen fill pas Konventës së Partisë së Lirisë, ku për herë të parë, Ilir Meta në një mesazh zanor paralajmëroi se ai do të ishte kandidat për deputetët në Tiranë.

“Ilir Metën nuk e përjashton dot kush nga politika as Rama as Dumani. Unë e kam nisur fushatën time edhe nga qelia numër 5 dhe do të zgjidhem deputet ndër më të votuarit edhe me pranga në duar nga qytetarët e qarkut të Tiranës që do të votojnë këtu, por edhe gjitha ata që do votojnë nga emigracioni”, tha Meta në Konventën e Partisë së Lirisë mbledhur më 1 shkurt. 

S.G/Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?