Tedi Blushi

Politikë

Blushi nga Vlora: Mungesa e ujit të pijshëm, shkak korrupsioni! PL interpelancë urgjente në Këshill me Ermal Dredhën

29 Qershor, 17:49| Përditesimi: 29 Qershor, 17:55

  • Share

Partia e Lirisë kërkon interplancë urgjente në Këshillin Bashkiak të Vlorës me kryetarin e Bashkisë së qytetit bregdetar, Ermal Dredha.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, së bashku me kryetaren e grupit të këshilltarëve të PL në bashkinë e Vlorës, Anxhela Shenaj, në një deklaratë nga qyteti i Vlorës, u shprehën se mungesa e ujit të pijshëm është shkaktuar nga korrupsioni dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion hesht dhe nuk heton.

"Mungesa e ujit të pijshëm në Vlorë nuk është çështje thjesht papërgjegjshmërie, por një çështje abuzimi flagrant me taksat e qytetarëve të Vlorës. Brenda 2-3 viteve të fundit, në këtë bashki janë shpenzuar rreth 9 milionë euro për projektin e ujësjellësit të Unazës në Lungomare, 12 milionë euro për ujësjellësin e fshatrave të Novoselës, 2 milion euro për ujësjellësin që mbulon zonën e "Kuzum- Baba" dhe lagjes "Partizani", sot e kthyer ne simbolin e mungesës së ujit të pijshëm dhe rreth 20 milionë euro pritet të hidhen për ujësjellësin e qytetit të Vlorës, në total pra rreth 43 milionë euro të avulluara, sepse sot Vlora nuk ka ujë të pijshëm, madje nuk ka as ujë për tu larë.

Dështimi i thellë i ujësjellësit të bashkisë së Vlorës në fakt është dështim i "Rilindjes", e cila në këto 3 mandate nuk ka garantuar dot as ujë të pijshëm për vlonjatët e jo më për turistët e shumtë që janë sot në këtë qytet në kulmin e sezonit turistik. 43 milionë euro janë më pak se sa ryshfeti i paguar për tunelin e Llogarasë, që mund të zgjidhte njëherë e përgjithmonë çështjen e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës ose 43 milionë euro të shpenzuara dhe të avulluara deri tani janë të barabarta me fundin total që "Rilindja" ka përcaktuar për vitin 2025 për gjithë sektorin e bujqësisë.

Në fakt mungesa e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës lidhet vetëm me korrupsionin dhe me faktin se Institucioni, ujësjellësi i kësaj bashkie nuk është gjë tjetër veçse një strofull patronazhistësh që vetëm shpenzon në mënyrë barbare taksat e qytetarëve të Vlorës, të cilët sot vuajnë dhe për ujë të pijshëm.

Ku përfunduan miliona euro është pyetja të cilën ne sot ngrejmë nga ky qytet dhe për të cilën ftojmë edhe Strukturën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit të përgjigjet. Ky nuk është një krim "intelektual", ky është një krim kundër njerëzimit, sepse ti mohosh Vlorës një nga elementët më bazike si ujin e pijshëm është vërtet një dramë e madhe.

Gjithashtu dua t'ju informoj se grupi i këshilltarëve në Bashkinë e Vlorës, shumë shpejt do të depozitojnë në Këshill kërkesën për një interpelancë të menjëhershme me kryetarin e papërgjegjshëm të kësaj bashkie, i cili jo vetëm është  përgjegjës për mungesën e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës,  por sigurisht edhe përgjegjës për ndotjen alarmante të kësaj bashkie, landfilli i së cilës është një bombë ekologjike që ende vijon të ndoti këtë qytet

Gjithashtu dua t'ju informoj me konkluzionet më të fundit të bëra publike nga Agjensia Europiane e Mjedisit, që ka renditur së fundmi Shqipërinë në një tjetër rekord të zi, sipas të cilës vetëm 16% e ujrave të notueshme në të gjithë vendin mund të jenë të përdorshme, ndërkohë 84% e deteve, lumenjve dhe liqeneve të mrekullueshme të këtij vendi kanë sot higjienën personale të Edi Ramës ose kundërmojnë erë njësoj siç kundërmon kjo qeverisje e korruptuar dhe e inkriminuar", tha Blushi.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?