Kronikë

Moti i keq/ Veriu e juglindja në ‘pushtetin’ e borës! Izolohet Dibra, rruga e Arbrit e pakalueshme! Probleme me energjinë, pezullohet mësimi në 77 shkolla

13 Janar, 08:57| Përditesimi: 13 Janar, 19:03

  • Share

I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq. Zonat veriore dhe juglindja janë nën pushtetin e dëborës, ndërsa pjesa e tjetër e vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu sidomos gjatë ditës së djeshme. Mësimi është pezulluar në 77 shkolla të vendit, sidomos në fshatrat ku ka pasur reshje të dendura dëbore.

Ndërkohë që prej 3 ditësh 6 njësi në Lezhë dhe një pjesë e qytezës së Shëngjinit janë pa energji elektrike, ku mijëra banorë qëndrojnë në terr, për shkak të defekteve në rrjet.

DIBËR

Qindra banorë në fshatrat e Dibrës janë të izoluar, pasi trashësia e borës shkon deri në 1 metër në fshatrat e Lurës, Kalaja e Dodës, Trebisht, Martanesh, ndërsa në qytetin e Peshkopisë 35 cm. Ushtria ndërhyri për transportimin e një fëmije të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit. Mësimi u pezullua në 25 shkolla. Përpos bllokimit të rrugëve, mungon energjia dhe interneti. Lidhja e Dibrës me Tiranën bëhet nga rruga e vjetër e Klosit, pasi Rruga e Arbrit është e pakalueshme.

KUKËS

Qarku i Kukësit, mbetet i përfshirë nga reshje bore, shoqëruar me erë të fortë. Borëpastrueset po mbajnë hapur Rrugën e Kombit dhe akset e tjera nacionale. Në 20 shkolla të Kukësit e Hasit u pezullua mësimi për shkak se rrugët janë të bllokuara nga bora dhe mungon energjia në fshatrat Kolsh, Surroj, Krumë, Gjinaj.

KORÇË

Kalimi në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është i ndaluar për autobusët e kamionët për shkak të borës në zonën greke të Grevenas. Kjo situatë ka sjellë orë të gjata pritje për drejtuesit dhe pasagjerët. Ndërsa rrugët nacionale të Korçës janë të hapura, por këshillohet përdorimi i zinxhirëve sidomos në Qafë Thanë. Në izolim janë fshatrat Vithkuq-Shtyllë-Panarit si dhe mungon energjia.

SHKODËR- LEZHË

Rruga e Thethit ka ngrire ndaj kalohet me veshtiresi, ndersa zona e Dukagjinit ne Shkoder eshte ne izolim. Per shkak te eres me qindra banore jane pa drita ne bashkite e Shkodres e Vaut te Dejes. Ndërsa në Fushë-Arrëz trashësia e borës shkon në 1 metër ndaj rruga e Qafe Malit është e pakalueshme, po kështu dhe Iballa.

Në Bashkitë Lezhë, Mirdite dhe Kurbin për shkak të erës së fortë dhe dëmtimit të shtyllave ka ndërprerjeje të energjisë. Mësimi u pezullua në 24 shkolla, të cilat s’kanë ngrohje. Në zonën e Milotit janë përmbytur tokat bujqësore, pasi kanalet kulluese s’janë pastruar prej vitesh.

Mijëra banorë të fshatrave të Lezhës, në njësitë Kallmet, Blinisht, Dajç, Kolsh, Zejmen, Shënkoll dhe një pjesë e Shëngjinit, ndodhen pa energji elektrike prej 3 ditësh. 
Dëmtimet e shkaktuara në rrjet nga moti i keq, me erë të fortë, nuk janë arritur ende që të rikuperohen. 

Në Torovicë shkëmbi u shkëput nga mali duke rrëzuar shtyllën elektrike, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

BERAT-ELBASAN

Në Skrapar gjithashtu ka reshje të dendura dëbore dhe ngrica. Mungon energjia elektrike në Corovodë, Bogove. Rruga që lidh Skraparin me Beratin është e kalueshme me vështirësi pasi ka rrëshqitje gurësh.  Në Përrenjas, Librazhd dhe Gramsh era e fortë shkaktoi probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike. Rruga e Labinotit në Elbasan gjithashtu është e bllokuar nga bora.

LUSHNJE-VLORE

Reshjet e shiut me intesitet të lartë shoqëruar me erë shkaktuan probleme në Lushnje e Divjakë. Qindra hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit në Dushk, Golem, Grabjan dhe buzë lumit Seman.

Vlora u përmbyt një natë më parë, por sot situata u përmirësua. Uji është terhequr nga rrugët kryesore, si Pavarsia, zona e Skelës, por ka mbetur balta. Ndërsa në lagjen periferike Kushtrimi mbi 20 banesa janë të rrethuara nga uji në oborre. 

Ora 18:55
Moti i keq, Lezha në terr! Mijëra banorë të 6 njësive dhe Shëngjinit pa energji elektrike prej 3 ditësh, shkak defektet në rrjet! (VIDEO)

1736791841_lezhe.jpg

Pamje nga një zonë e Lezhës me probleme të energjisë elektrike

Mijëra banorë të fshatrave të Lezhës, në njësitë Kallmet, Blinisht, Dajç, Kolsh, Zejmen, Shënkoll dhe një pjesë e Shëngjinit, ndodhen pa energji elektrike prej 3 ditësh. 

Dëmtimet e shkaktuara në rrjet nga moti i keq, me erë të fortë, nuk janë arritur ende që të rikuperohen. 

Gazetari i Report TV, Elvis Hila, informon se kjo situatë ka vënë në vështirësi shumë familje dhe biznese në këto zona, ndërsa kjo situatë është e vazhdueshme sa herë që ka mot të keq, për shkak edhe të amortizimit të rrjetit.

Në pamjet filmike dallohet qartë se shumë zona janë pa energji elektrike, si dhe një pjesë e qytetit të Shëngjinit.

Ora 14:34
Dëbora zbardh pikën turistike të Funarit në Elbasan

1736774957_elbasan.png

Reshjet e dëborës kanë zbardhur dhe pikën turistike të Funarit në Elbasan.

Shumë vizitorë kanë udhëtuar drejt kësaj zone për të shijuar pamjet e mrekullueshme që të dhuron kjo zonë.

Megjithatë pavarësisht se rruga është e hapur në disa vende ka prani të akullit dhe kjo gjë ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve duke bërë që disa prej tyre të kthehen mbrapsht.

Ora 13:47
Lezhë/ Prag-tragjedie në Torovicë, shkëmbi këput shtyllën elektrike, shpëton për mrekulli shoferi! (VIDEO)

Pragtragjedie në Torovicë të Lezhës. Shkëmbi shkëputet nga mali dhe rrëzon shtyllën elektrike. Shpëton mrekullisht pa goditur automjetin

Ngjarja është konstatuar ditën e sotme (13 Janar), kur një tjetër gur i shkëputur nga mali rrëzoi shtyllën elektrike që bie në rrugë. Fatmirësisht shoferi që kaloi në ato momente aty shpëtoi.

Nga rënia e gurëve në rrugën e Torovicës, pak vite më parë humbën jetën dy vëllezër dhe bashkëshortja shtatzënë e njërit prej tyre.

Gazetari i Report TV, Elvis Hila, informon se që prej asaj kohe asnjë masë nuk është marrë për gurët që rrezikojnë rënien nga çasti në çast në pika të ndryshme në këtë zonë!

Ora 12:16
Moti i keq në Kukës/ Borë e ngrica, izolohen zonat malore, mungon energjia! Pezullohet mësimi në 20 shkolla

Territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje bore me intensitet të ulët dhe i shoqëruar me erë të fortë e cila bën të mundur mbartjen e borës dhe bllokim të përkoshëm të rrugëve malore.

Të gjitha rrugët janë të kalueshme me paisje dimërore përveç rrugës që lidh Njësinë Administrative Arrën dhe Zapod me rrugën nacionale. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të lëvizin me shpejtësi të kufizuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe në akset me dëbore të përdorin gomat dimërore.

Në rrugën e Kombit qarkullimi është normal deri më tani nuk bllokim ndërkohë që nga Miloti deri më Morin në  punë janë 23 borëpastruse për të mbajtur rrugën e qarkullueshme.

I gjithë Qarkut i Kukësit furnizohet me energji elektrike përveç Nj Adm Kolsh Surroj, Arren, Lagjia Drinas dhe Ram-Has, Nj Adm Qendër Kukës, fshati Qam, Leproj, Nj Adm Malzi, Bashkia Kukës. Fshati Zrahisht, Njësia administrative Qendër Krumë, fshati Vlahen Nj.Adm Golaj, fshati Kishaj, Pogaj, Nj.Adm Gjinaj, Bashkia Has. Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Kuksësit,ka njoftuar se është pezulluar përkohësisht mësimi në disa shkolla të Bashkisë Kukës.

Në Kukës ,pezullimi i mësimit është bërë në shkollat  Shishtave, Kalimash,Mamëz, Orogjost, Cinamakë, Shëmëri, Zapod, Kukës,Ujmisht, Bushtrice. Edhe në Has është bërë  pezullimi i përkohëshëm i mësimit.

Pezullimi është shkollat në Helshan,Letaj,Metaliaj, Fajza, Metaliaj, Golaj,Vlahën,Nikoliq,Tregtan. Proçesi deri në një njoftim të dytë është pezulluar për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq, rekomandimeve te autoriteteve përgjegjëse për emergjencat civile.Proçesi mësimor në këto shkolla do zëvendësohet në javët në vijim.

Shkollat ku është pezulluar mësimi:
Shkolla e Bashkuar Shishtave Kukës
Shkolla 9 vjeçare Kalimash,Kukës
Shkolla 9-vjeçare Mamëz, Kukës
Shkolla 9 vjeçare Orogjost, Kukës
Shkolla 9-vjeçare Cinamakë, Kukës
Shkolla Shën Mëri Kukës
Shkolla e bashkuar Zapod, Kukës
Shkolla 9-vjeçare Malqene,Ujmisht, Kukës
Shkolla e Bashkuar Bushtrice, Kukës
Shkolla 9-vjeçare Helshan,Has
Shkolla 9-vjeçare Letaj Has
Shkolla 9-vjeçare Metaliaj Has
Shkolla 9-vjeçare Fajza Has
Shkolla Metaliaj, Has
Shkolla e mesme e bashkuar Golaj Has
Shkolla Sejdi Dida, Has
Shkolla 9-vjeçare Vlahen Has
Shkolla 9-vjeçare Nikoliq Has
Shkolla 9-vjeçare Tregtan Has
69-Shkolla e mesme Skenderbeu, Has
Ora 12:00
Moti i keq/ Dhjetëra hektarë tokë bujqësore e përmbytur në Kurbin

Reshjet e shiut gjatë natës së kaluar kanë përmbytur disa dhjetra hektarë tokë bujqësore në zonën e Kurbinit.

Shkak për këtë situatë është bërë mospastrimi i kanaleve kulluese - sipas banorëve në fshatin Fushë Milot dhe në zonën e fshatit Lap, pranë autostradës.

“15 vjet pa pastruar kanalin. Nuk kemi drita prej 3 ditës. Është djegur gabina. Kemi shkuar në bashki po nuk kam marrë përgjigje”, tha një banor i zonës për Report Tv.

Uji rrezikon të dëmtojë prodhimet bujqësore, ndërsa disa bagëti të imta të një fermeri kanë ngordhur.

Po ashtu banorët tregojnë se situata me përmbytjet ndodh çdo vit, nga reshjet, teksa theksojnë se asnjëherë fermerët nuk janë dëmshperblyer.

Kështu një familje në Fushë Milot jeton në kushte të vështira me banesë të dëmtuar nga tërmeti.  

Ora 10:58
Moti i keq/ Disa zona në Librazhd pa energji elektrike

Moti i keq që përfshiu vendin në 48 orët e fundit me reshje bore, temperatura të ulëta dhe erë të fortë shkaktoi probleme në linjat e furnizimit me energji elektrike në disa zona, kryesisht në veri dhe juglindje.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bën të ditur se për shkak të avarisë në linjën e OST “Guri i Kuq-Përrenjas”, që prej mëngjesit  të sotëm rreth orës 08:37 kanë mbetur pa energji disa zona në Librazhd:

Konkretisht bëhet fjalë për Prrenjasin, fshtatrat Skroskë, Peshtan, Pishkash, Selishtë, Varovë, Luqinjë, Proptisht, Stravaj, Stranik, Vishok, Katjel, Qukës, Rrajcë, Bardhaj, Kotodesh, Kovanik, Sutaj, Urakë, Pocivallë, Lin.

OSSH bën të ditur se grupet e avarisë janë në terren dhe po punojnë për eleminimin e defektit e rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët.

Ora 10:40
Moti i keq/ Makina me 3 persona bllokohet në Qafën e Murrizit! Ambulanca në vendngjarje

1736761365_qafmurriz.png

Si pasojë e motit të keq Emergjencat Civile kanë lajmëruar përmes një njoftimi zyrtar se një makinë me tre persona është bllokuar në Qafën e Murrizit për shkak të dëborës.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit teksa, ekipet e emergjencës ndodhen në vendngjarje për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve.

"Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar", thuhet në njoftim.

Ora 10:36
Moti i keq/ Ja si paraqitet situata në gjithë vendin, kush janë rrugët e bllokuara

1736756458_borenekorce.JPG

Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata nga moti deri në këto momente paraqitet si më poshtë:

 Akset rrugore

- Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

- Në bashkinë Dibër janë bllokuar disa qendra administrative me akset kryesore si; Lurë, Selishtë, Luzni, Kala e Dodës dhe Zall Dardhë.

- Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara njësitë administrative Ostren, Trebisht.

- Në bashkinë Klos janë bllokuar rrugët dytësore të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Suç, Gurë dhe Xibër.

- Në bashkinë Mat janë bllokuar disa rrugë të fshatrave që lidhen me qendrat administrative Macukull, Lis, Derjan dhe Komsi.

- Aksi rrugor Peshkopi-Ulëz, në vendi e quajtur Qafë Ulëz ka qenë e bllokuar për shkak të pranisë së dëborës, akullit dhe mjeteve që lëvizin pa goma dimërore. Ditën e sotme qarkullimi kryhet normalisht.

- Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

- Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka patur  prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë Thanë pati reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Gjatë natës dhe në orët e mëngjesit të ditës së sotme po vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës ne aksin Qafë Thane - Pogradec. Qarkullimi kryhet me goma dimri.

- Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në dalje të tunelit, pati probleme me qarkullimin pasi terreni ishte shumë i lagësht dhe me ngrica. Qarkullimi u krye vetëm në një sens lëvizje. Gjatë natës dhe ditën e sotme është bërë shpërndarja e kripës dhe qarkullimi behet me goma dimri.

- Në bashkinë Krujë, aksi rrugor Cudhi Kamp-Qafështamë është i bllokuar nga reshjet e dëborës.

- Në aksin rrugor Vuno - Himarë, në vendin e quajtur ura e Vishës ka rënë një masiv shkëmbor. Rruga është e kalueshme në një sens lëvizje dhe po punohet për hapjen e krahut tjetër.

- Rruga për në Shëngjergj, bashkia Tiranë është e vështirë për tu kaluar nga sasia e reshjeve të dëborës.

- Në Lanabregas si pasojë e bllokimit të kolektorit ka patur prezencë të ujit duke rrezikuar përmbytjen e një banese.

- Në segmentin Fresku - Trau Dajt, në km 5 pati rrëshqitje të skarpatës duke bllokuar njërën prej korsive. Po punohet për pastrimin e rrugës.

- Në bashkinë Vlorë, situata është e qetë. Nuk ka prezencë uji në qytet.

Gjatë ditës së sotme po punohet me borëpastrueset për të mbajtur të hapura rrugët e qarkullueshme dhe për të hapur rrugët e bllokuara nga dëbora.

Ekipet e OSSHE janë duke punuar për rikthimin sa më parë të energjisë elektrike në disa zona të thella.

Lumenjtë dhe rezervuarët

Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik, përveç se në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, bashkia Krujë, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 20 Ha tokë bujqësore. 

Në Qafën e Murrizit (Rruga e Arbrit) u bllokua nga dëbora një automjet me 3 persona. Sot në orët e para të mëngjesit është nisur një automjet tip “Buldozer” dhe një autoambulancë. Ekipet e emergjencës po përpiqen të ndihmojnë qytetarët e bllokuar.

Parashikimi motit në vijim

Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare dhe të dendura, megjithatë nuk do të mungojnë intervale të herëpasherëshme afatshkurtra me kthjellime kryesisht përgjatë  Ultësirës Perëndimore. Reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, dhe lokalisht shtrëngata afatshkurtra të izoluara deri në mesditë. Pas orëve të mesditës gradualisht ulje të intensitetit të reshjeve të shiut. Në relievet malore verilindje-lindje-jug në lartësitë mbi 400-600 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në mënyrë të izoluar, në periudha afatshkurtra në Alpe dhe relievet e larta malore reshjet e dëborës parashikohen në formën e stuhive të dëborës. Mjegull e dendur/mjegullinë për shkak të reshjeve të dëborës dhe shiut. Ngrica të forta përgjatë akseve rrugore, kryesisht në relievet malore.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Lindje me shpejtësi mesatare 4-14 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi 16-26 m/s.

Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.

Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -2°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është duke ndjekur nga afër situatën në veri dhe Vlorë si dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile për çdo situatë emergjente që mund të krijohet si pasojë e kushteve atmosferike.

Ora 10:22
Bulqizë, rruga e Ostrenit e bllokuar nga bora, ushtria shpëton fëmijën e sëmurë, e çojnë në spital

Foto: Forcat e Armatosura duke transportuar fëmijën e sëmurë për në spital

Efektivët e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë, pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore, kanë ndërhyrë për të transportuar një fëmijë të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit të qytetit.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke theksuar angazhimin e Forcave të Armatosura në ndihmë të qytetarëve në raste emergjente.

Mësohet se fëmija fillimisht u transportua me një mjet ushtarak nga fshati, ndërsa më pas u transferua në një ambulancë për të vazhduar rrugën drejt spitalit.

“Efektivët e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore kanë përfunduar me sukses operacionin për transportimin e një fëmije të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit të Bulqizës.

Fëmija u transportua fillimisht me mjetin ushtarak të Batalionit të Tretë, ku më pas u krye kalimi në ambulancë për të vijuar drejt spitalit.

Ky operacion është një shembull i përkushtimit dhe humanizmit të Forcave të Armatosura, të cilat qëndrojnë gjithmonë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente”, thuhet në njoftim.

Ora 09:52
Moti i keq/ Në Korçë 893 abonentë pa energji! Pala greke ndalon hyrjen e kamionave dhe autobuzëve në Kapshticë

 

Si pasojë e stuhisë së dëborës për më shumë se 24 orë, gjithashtu edhe gjatë natës në juglindje të vendit, trashësia e dëborës u regjistrua nga 15-35 cm në vende te ndyshme. Ndërkohë raportohet se 893 abonentë pa energji pa energji elektrike. Konkretisht bëhet fjalë për Njësinë Adminstrative Lekas fshatrat Tudas, Denas, Xerje, Mazrekë dhe Brozdovec, në Bashkinë Maliq, Njësinë Administrative Moglicë, fshatrat Lumaj, Kodras, Dushar dhe Zerec. Në bashkinë Kolonjë, Njës.Admin. Barmash., fshatrat, Shalës, Gërmenjë, Kalatanj, Qesarakë, Radivickë dhe Novoselë, në Bashkinë Pogradec, antenat Çervenakë.

 Ndërkohë edhe temperaturat kanë zbritur në -2 gradë në zonat e ulëta dhe deri në -4 gradë në zonat malore. Akset nacionale të kalueshme me goma dimërore, ndërsa segmentet me goma dimërore dhe zinxhirë

Me problematike mbeten rrugët e fshatrave të largëta në Bashkitë e qarkut, teksa po punohet në segmentin Qafa e Thanës-Doganë i cili ka përqëndrim të dëborës për shkak të erës.

Po ashtu për shkak të dëborës në Grevena, (qytet jo shumë larg nga dogana) pala greke ka ndaluar hyrjen e kamionave dhe autobuzëve prej ditës së djeshme nga Kapshtica. Sipas burimeve autoritetet greke po punojnë në këtë aks që mjetet të vijojnë normalisht qarkullimin.

Ora 09:35
Moti i keq/ Vijon i mbyllur prej borës Bypass-i i Murrizit në Rrugën e Arbrit! Aksi rrugor Peshkopi-Librazhd i kalueshëm me zinxhirë

Në orët e para të mëngjesit intensiteti i reshjeve të borës në qarkun e Dibrës është dobësuar. Trashësia në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës kalon 35 cm, ndërsa në zonat e thella arrin në 70 cm.

Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë mundësi kompanive kontraktore të punojnë me hapjen dhe kriposjen e rrugëve.

Ndërkohë vijon të mbetet i mbyllur bajpasi i Murrizit, Aktualisht po punojnë 3 borëpastruese që po punojnë për hapjen e saj në orët në vazhdim

Aksi Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm nga Klosi drejt Burrelit dhe Milotit. Në këtë aks ka probleme në segmentin Fushë Bulqizë-Pishat deri në Planin e bardhë, për shkak të erës së fortë.

Aksi Peshkopi-Kukës kalimi bëhet pjesërisht me zinxhirë, ka probleme në Vasie për shkak të erës së fortë.

Aksi Peshkopi-Librazhd i kalueshëm me zinxhirë.

Janë pastruar rrugët e qyteteve dhe disa njësive administrative më të afërta. Mbeten ende të bllokuara Lura, disa fshatra të Kalasë së Dodës, Selishta në Dibër.

Në Bulqizë, të bllokuara janë rrugët për në Fushë Bulqizë, Ostren, Trebisht, Martanesh. Ndërkohë në Mat, është bllokuar Njësia Xibër dhe Lis.

Ora 09:32
Moti i keq në Lushnjë/ Qindra hektarë tokë bujqësore nën pushtetin e ujit

 

Reshjet e rëna me intensitet të lartë dhe të shoqëruara me erëra të fuqishme kanë shkaktuar probleme në territorin e bashkive Lushnje e Divjakë. Qindra hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit në njësinë administrative Dushk, Golem, Grabjan gjithashtu dhe buzë lumit Seman në imshtë njësia administrative Bubullimë.

Krahas kësaj situate, gjatë natës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në bashkinë Divjakë njësinë administrative Dushk dhe Golem. Erërat e forta kanë thyer e shkulur dhjetëra pemë në qytet dhe rrethina.

Sipas informacionit në orët e para të mëngjesit nga bordi i kullimit Lushnje, të tre hidrovoret i Tërbufit, Karavastasë dhe Divjakës punojnë me kapacitet të plotë, por intensiteti i lartë i reshjeve ka bërë të jetë tepër e vështirë evadinin e ujërave nga gruri jonxha elbi e tjera kultura.

Sektori i zjarrfikësve dhe punonjësit e shërbimit të bashkisë po punojnë për rregullimin e problematikave si heqjen e pemëve të rëna e tjera.

Ora 09:21
Moti i keq/ Autoritetet thirrje banorëve pranë lumit të Vjosës në Fier: Rrini në gatishmëri nëse do ketë prurje të larta

1734946227_fier.JPG

Në qarkun e Fierit nuk paraqiten probleme nga moti i keq. Në të gjitha Bashkitë raportohet se ka furnizim të rregullt me energji elektrike. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të fshatrave buzë lumit të Vjosës që të kenë kujdes e të rrinë në gatishmëri që të marrin masa nëse do ketë prurje të larta të sasisë së ujërave të lumit Vjosa.

Situata në qarkun Fier

Situata deri tani është normale dhe mbahet në vëzhgim në bashkitë e Fierit dhe Mallakastrës.

Mallakastër:  Situata është nën kontroll. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike është normal. Në  zonën Aranitas kaluan mbrëmë disa orë pa energji  elektrike, por pas riparimit të defekteve situata është normalizuar ndërsa nuk ka probleme ne komunikimin e  rrugëve.

Patos: Deri në këto momente nuk ka probleme. Furnizimi me ujë dhe energji elektrike i popullatës është normal. Nuk ka rrugë të bllokuara apo me shkarje dherash.

Situata mbahet nën kontroll dhe shtabi i emergjencës civile është në gatishmëri.

Rroskovec:  situata është nën kontroll. Grupet e punës janë në gatishmëri. Nuk ka probleme me furnizim me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Problem me komunikim rrugësh në fshatra nuk ka.

Fier: Situata është nën kontroll. Nuk ka probleme në furnizim të popullatës ne ujë të pijshëm e energji elektrike. Komunikimi.me rrugë mes fshatrave nuk ka probleme. Tokat bujqësore kanë ujra sipërfaqësore që janë krijuar nga reshjet e rëna herë pas herë por që largohen kur reshjet ulin intesitetin e tyre.

Janë njoftuar banorët e fshatrave buzë lumit të Vjosës që të kenë kujdes  e të rrinë në gatishmëri që me marr informacionin për prurje të sasisë së ujërave të lumit Vjosa të marrin masa.

Hidrovoret në Darrzezë e Seman funksionojnë me kapacitet të plot duke bërë të mundur largimin e ujërave nga kolektorët kryesore.

Shtabi i emergjencave civile , grupet e punës, zjarrfikëset janë në gatishmëri te plote.

Ora 09:19
Bora në Korçë/ Të gjitha rrugët e kalueshme, borëpastrueset në terren

 

Situata e orës 6:00 të mëngjesit në segmentet Qafë Thanë, Libonik-Rëmbec-Plasë, Korçe-Ersekë dhe Zëmblak-Goricë.

Shërbimi për largimin e dëborës dhe kriposjen nuk është ndërprerë gjatë gjithë natës e do të vijojë pa ndërprerje edhe gjatë ditës.

Çdo segment po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti Rrugor Qendër-Lindje dhe Policia e Qarkullimit Rrugor.

Kërkohet nga drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes të shtuar e të pajisen me goma dimërore kur udhëtojnë për në zonat me prezencë dëbore ose zinxhirë kur kjo komunikohet nga autoritetet.  Gjithashtu, kërkohet mirëkuptim nga qytetarët kur fluksi i mjeteve që lëvizin gjatë ditës është më i lartë e për pasoje ulet ritmi i shpejtësisë së përshkrimit të segmenteve rrugore nga borëpastrueset.

Ora 07:26
Moti i keq/ Rrëzohen dy pemë pranë spitalit të Lezhës, dëmtohen disa makina

Lezhë-Moti i keq me erë të fortë ka rrëzuar gjatë natës dy pemë të mëdha pranë oborrit të spitalit rajonal të Lezhës.

Për pasojë janë dëmtuar disa automjete të parkuara dhe një dyqan që ndodhej aty pranë.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar për disa orë për largimin e pemëve dhe rikthimin e normalitetit. Nga ana tjetër moti i paqëndrueshëm ka dëmtuar edhe rrjetin elektrik ku shumë fshatra në të gjithë territorin e qarkut vijojnë të jenë pa energji elektrike.

Pavarësisht se reshjet janë ndërprerë që prej mbrëmjes së kaluar, temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme duke sjell ngrica kryesisht në zonën e Mirditës.

S.G/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emigranti: 13/01/2025 15:52

    Shtet i falimentum

    Përgjigju
  • milo: 13/01/2025 13:04

    C'DO GJE E BLLOKUAR DHE E PERMBYTUR,,,TE MARRSHA TE KEQEN E SHTETIT....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?