Me një ceremoni ku morën pjesë nga mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota, u varros sot Papa Françesku, i cili ndërroi jetë më 21 prill 2025, pasi udhëhoqi për 12 vite 1.3 miliardë katolikë në mbarë botën.
Ceremonia mortore u mbajt në sheshin "Shën Pjetri" në Vatikan, me arkivolin që u vendos në qendër të oborrit të kishës, pasi qëndroi i hapur për homazhe 3 ditë radhazi brenda bazilikës, në të cilat morën pjesë 200 mijë besimtarë.
Procesioni i kardinalëve në Bazilikën "Shën Pjetri" shënoi fillimin e ceremonisë mortore. Arkivoli i kreut të Kishës Katolike u mbajt mbi supe nga sediarët, duke dalë nga Bazilika "Shën Pjetri" .Mbi arkivolin e Papës Françesku u vendos i hapur Ungjilli.
Duartrokitjet e forta, aq sa hidhërimi që kishte kapluar sheshin "Shën Pjetri", hapën dhe mbyllën ceremoninë mortore të drejtuar nga kardinali Giovanni Battista Re, Dekan i Kolegjit Kardinalëve.
"Shpërthimi i dashurisë që kemi dëshmuar ditët e fundit pas kalimit të tij nga kjo botë në përjetësi na tregon sa shumë ndikoi papati i thellë i Papës Françesku në mendjet dhe zemrat e njerëzve",- tha kardinali Giovanni Battista Re gjatë drejtimit të ceremonisë mortore.
""Të ndërtojmë ura dhe jo mure” është një thirrje që ai e ka përsëritur shpesh, dhe shërbimi i besimit si Pasardhës i Apostullit Pjetër ka qenë gjithmonë i lidhur me shërbimin ndaj njeriut në të gjitha dimensionet e tij. Në bashkësi shpirtërore me të gjithë Krishterimin, jemi këtu në numër të madh për të lutur për Papën Françesku, që Zoti ta pranojë atë në pafundësinë e dashurisë së tij. Papa Françesku kishte zakon ta përfundonte çdo fjalim dhe takime duke thënë: Mos e harroni të luteni për mua. I dashur Papa Françesku, tani ne kërkojmë prej teje që të lutesh për ne dhe që nga qielli të bekosh Kishën, të bekosh Romën, të bekosh tërë botën, ashtu siç e bëre të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj Bazilike në një përqafim të fundit me gjithë popullin e Zotit, por gjithashtu në mënyrë ideale edhe me njerëzimin që kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe mban lart flakadan e shpresës",- shtoi kardinali Re.
Pas ceremonisë mortore që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:03, arkëmorti i kreut të Kishës Katolike u dërgua në Bazilikën "Shën Maria e Madhe", ku u varros, ndërsa 150 mijë besimtarë ishin të pozicionuar në trotuaret e rrugëve ku kaloi kortezhi. 250 mijë të tjerë ishin të pranishëm brenda dhe përreth Bazilkës "Shën Pjetri", ku u mbajt ceremonia mortore.
Françesku është Papa i parë që varroset në Bazilikën "Shën Maria e Madhe" pas 400 vitesh, dhe i pari Papë që varroset jashtë Vatikanit pas 100 vitesh.
Ceremonia e varrimit në Bazilikën "Shën Maria e Madhe"- që u kryesua nga kardinali Kamerlengo, Kevin Farrell, i cili do të kujdeset për çështjet e përditshme të Kishës deri në zgjedhjen e Papës së ri - nisi me një skenë shumë domethënëse. Lulet e fundit për Françeskun u vendosën nga fëmijë të racave të ndryshme, pjesë të shtresave të margjinalizuara, për të cilët Papa i Kishës së të varfërve foli dhe kërkoi më shumë.
Në mesin e dhjetëra liderëve botërorë ishin dhe presidenti Donald Trump, presidenti Emmanuel Macron, kryeministri Keir Starmer, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, presidenti Volodymyr Zelensky, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, delegacioni zyrtar i Federatës Ruse, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës, Olga Borisovna Lyubimova. Në ceremoni është i pranishëm edhe ish-presidenti amerikan Joe Biden, bashkë me bashkëshorten e tij, Jill Biden.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishte ndër të parët që mbërriti në shesh, duke përfaqësuar shtetin mikpritës të Vatikanit në një nga momentet më të rëndësishme ceremoniale të dekadës.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga presidenti Bajram Begaj, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni, ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj dhe krerët e komunitetev fetare në vendin tonë: Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani.
Pas ceremonisë mortore që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:03, arkëmorti i kreut të Kishës Katolike u dërgua në Bazilikën "Shën Maria e Madhe", ku u varros, ndërsa 150 mijë besimtarë ishin të pozicionuar në trotuaret e rrugëve ku kaloi kortezhi.
Pas ceremonisë madhështore mortore në nder të Papa Françeskut, e cila u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u pasua nga kortezhi solemn në rrugët e Romës deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, kryeministrja italiane Giorgia Meloni vlerësoi organizimin dhe angazhimin institucional të treguar gjatë kësaj dite historike.
Ajo shprehu mirënjohjen për të gjitha strukturat shtetërore dhe vullnetarët që kontribuan në mbarëvajtjen pa probleme të ngjarjes, duke e cilësuar si një "dëshmi të jashtëzakonshme efikasiteti".
"Pas ceremonisë mortore në Shën Pjetër dhe kortezhit që shoqëroi arkivolin e Papa Françeskut përgjatë rrugëve të Romës deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, dua të theksoj përkushtimin e madh dhe efikasitetin e jashtëzakonshëm që u tregua nën koordinimin e Departamentit të Mbrojtjes Civile. Shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjitha institucionet e përfshira, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Prefekturën dhe Drejtorinë e Policisë së Romës, forcat e policisë, zjarrfikësit, forcat e armatosura, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, strukturat shëndetësore dhe të mbrojtjes civile të Rajonit të Lazios dhe rajoneve të tjera, qytetin e Romës, ndërmarrjet bashkiake që menaxhojnë shërbimet thelbësore, ENAC-in, ENAV-in, Grupin e Hekurudhave të Shtetit Italian, kompanitë që menaxhojnë infrastrukturën e transportit, lëvizshmërinë dhe telekomunikacionin, si dhe të gjitha gratë dhe burrat e angazhuar në vullnetarizëm.
Të gjithëve u shpreh falënderimet e qeverisë dhe të miat personale për profesionalizmin, përkushtimin dhe frymën e shërbimit që treguan, duke siguruar zhvillimin e qetë të një dite historike për Italinë dhe për gjithë botën."-tha Meloni.
Deri në orët e drekës, 82 persona janë ndihmuar nga personeli i urgjencës mjekësore gjatë funeralit të Papa Françeskut, në të gjithë zonën e përfshirë.
Shkaqet më të zakonshme të ndërhyrjeve ishin të fikët, gjendje të këqija fizike dhe goditje nga nxehtësia.
Tetë prej tyre janë transportuar me ambulancë në spital. Shërbimi i emergjencës ka trajtuar pacientët në 6 qendra mjekësore të përkohshme të ngritura posaçërisht pranë zonës së funeralit.
Megjithatë, duke marrë parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve rreth 400 mijë vetë të pranishëm nga Sheshi Shën Pjetër deri në rrugën drejt ‘Shën Maria e Madhe’ dita nuk paraqiti probleme serioze në aspektin shëndetësor.
Një ditë me diell por me temperatura të freskëta, si edhe ndihma e vazhdueshme e vullnetarëve të Mbrojtjes Civile, që shpërndanin ujë për njerëzit e shumtë në rrugët dhe sheshet e Romës, ndihmuan që gjithçka të kalonte pa komplikime të mëdha.
Në rreshtin e dytë të kardinalëve të ulur në ceremoninë mortore të Papa Françeskut në sheshin "Shëm Pjetër" ishte dhe kardinali shqiptar Ernest Troshani.
Ditëm e djeshme (25 prill 2025) kardinali i vetëm shqiptar shoqëroi presidentin Bajram Begaj, krerët e komiuniteteve fetare në Shqipëri dhe presidenten Vjosa Osmani në homazhet për kreun e Kishës Katolike në Bazilikën "Shën Pjetër".
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ishte sot pjesë e delegacionit zyrtar nga Shqipëria që mori pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut në Vatikan.
Hasani shkruan se Ati i Shenjtë ishte udhëheqës i paqes dhe në shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin.
“Sot, në Vatikan, i japim lamtumirën Atit të Shenjtë, një udhëheqësi të paqes dhe një njeriu me dashuri dhe shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin.”, shkruan Ministri Hasani në një publikim në rrjete sociale ndërsa vlerëson gjithashtu figurën e Papa Françeskut: Papa Françesku dëgjoi me zemër, qëndroi pranë më të brishtëve dhe udhëhoqi me shembull gjithmonë duke zgjedhur forcën e butë të mëshirës dhe fuqinë e heshtur të përulësisë.Trashëgimia e Tij shpirtërore do të mbetet e gjallë në zemrat e miliona njerëzve për brezat që vijnë. Me lutje dhe mirënjohje nga Shqipëria, nderojmë kujtimin e Tij të paharruar”, shprehet ai.
Papa Françesku do të varroset në rreshtin e bazilikës së 'Shën Maria e Madhe', ai do të veshë një mantel të krijuar nga Filippo Sorcinelli, stilisti dhe artisti italian, rrobaqepës i papëve. Por një detaj i veçantë ka tërhequr vëmendjen në veshjen e tij mortore.
Papa Françesku do të varroset i veshur me të njëjtat këpucë të zeza të thjeshta dhe të veshura që ka mbajtur prej vitesh në të gjitha daljet e tij publike. Një palë këpucë modeste të konsumuara, në vend të pantoflave tradicionale papale, simbol i pushtetit. Një gjest i fundit në përputhje me stilin e matur dhe të përulur që ka karakterizuar Papën.
Papa guxoi dhe në zgjedhjen për të hequr dorë nga madhështia e varrimit të Vatikanit, duke preferuar thjeshtësinë e dhomës 201 në Domus Santa Marta. Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për Papët.
Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut, i cili do të varroset në Bazilikën “Shën Pjetri” në Romë.
Përmes një videoje të shpërndarë në faqen e Presidencës, Osmani shihet teksa mbërrin në Bazilikë bashkë me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriun.
E prapa saj shihet edhe Albin Kurti i shoqërua nga bashkëshortja e tij, Rita.
Në përfundim të funeralit të Papa Françeskut në Sheshin e Shën Pjetrit, për arsye sigurie, disa delegacione të rëndësishme ndërkombëtare do të largohen të parat. Këto janë delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ukrainës, Palestinës, Francës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar (familja mbretërore), Brazilit dhe presidenti italian Sergio Mattarella.
Delegacionet e tjera do të qëndrojnë në vend deri sa të largohet kortezhi mortor me trupin e Papës nga Vatikani.
Pra, ata që konsiderohen më të rrezikuar ose më të rëndësishëm për sigurinë, do të largohen menjëherë pas ceremonisë, për të shmangur ndonjë rrezik. Kjo është bërë e ditur nga prefektura e policisë së Romës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, u shtrënguan duart gjatë ceremonisë mortore të Papës Françesku që po zhvillohej në sheshin e Shën Pjetrit.
Shtrëngimi i duarve mes dy krerëve të shteteve ndodhi në momentin kur ceremonia liturgjike parashikonte shkëmbimin e një shenje paqeje, një praktikë e zakonshme gjatë kremtimeve katolike.
Papa Françesku “kishte zakon ta përfundonte çdo fjalim dhe takime duke thënë: 'Mos e harroni të luteni për mua'. I dashur Papa Françesku, tani ne të kërkojmë ty që të lutesh për ne dhe që nga qielli të bekojsh Kishën, të bekojsh Romën, të bekojsh tërë botën, siç e bëre të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj Bazilike në një përqafim të fundit me të gjithë popullin e Zotit, por gjithashtu në mënyrë ideale edhe me njerëzimin që kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe mban lart flakadan e shpresës". Ky është përfundimi i homelisë së kardinalit Giovanni Battista Re.
Trump dhe Zelensky patën një takim "shumë produktiv" pak para funeralit të Papa Françeskut. Kështu raporton Shtëpia e Bardhë.
Nga ora 5:30 të mëngjesit, sheshi i Shën Pjetrit u hap, ku besimtarët erdhën në masë, duke e mbushur sheshin që në orët e para të agimit.
Mesha e varrimit
Në orën 10:00 nisi meshën, kremtimi i Eukaristisë. Mesha mortore kryesohej nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalëve, së bashku me 220 kardinalë dhe 750 ipeshkëvë dhe priftërinj. Me këtë ceremoni fillon periudha e quajtur "Novendiali", një periudhë liturgjike prej nëntë ditësh dedikuar meshave për shpërblimin e shpirtrave, sipas asaj që ka përcaktuar Kushtetuta Apostolike.
Në përfundim të ceremonisë do të zhvillohen "Ultima commendatio" dhe "Valedictio", të udhëhequra nga kardinali Baldassare Reina dhe patriarku Youssef Absi. Gjatë meshës, leximet do të jenë në gjuhë të ndryshme: anglisht, spanjisht, italisht për lutjen e besimtarëve, dhe pastaj frëngjisht, arabisht, portugalisht, polonisht, gjermanisht dhe në gjuhën kineze.
Rreth orës 11:30, do të niset kortezhi në drejtim të Santa Maria Maggiore.
Arkëmorti në një popemobile do të ndjekë rrugën përmes Corso Vittorio Emanuele – Piazza Venezia – Via dei Fori Imperiali – Koloseu – Via Labicana – Via Merulana. Në qytet janë vendosur ekrane të mëdha për të ndjekur rrugëtimin. Ky është një udhëtim rreth 4 kilometrash, që pritet të zgjasë rreth 30 minuta.
Arritja dhe varrimi në Santa Maria Maggiore
Rreth orës 12:00, trupi do të mbërrijë në Santa Maria Maggiore, ku do të pritet nga një grup simbolik, përfshirë të varfrit, migrantët, të burgosurit dhe personat transgender, në përputhje me kujdesin që Papa kishte për ata që ishin më të margjinalizuar.
Ceremonia e varrimit, që do të zhvillohet me dyer të mbyllura, do të kryesohet nga kardinali Camerlengo Kevin Farrell, i cili do të drejtojë punët e përkohshme të Kishës deri në zgjedhjen e pasuesit të Papës.
“Në këtë moment autoritetet kompetente informojnë se në varrimin e Papa Françeskut marrin pjesë rreth 200 mijë persona . Kështu ka bërë të ditur Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë.
Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe bashkëshortes së tij Melania, u është rezervuar një vend në rreshtin e parë.
Në të djathtën e tij ndodhej presidenti i Finlandës dhe në të majtë presidenti i Estonisë. Pranë presidentit estonez ishte Mbreti Felipe i Spanjës, ndërsa pranë presidentit finlandez ishin presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte një vend në rreshtin e parë, por i ulur pak më larg nga Trump.
Prift që prej 68 vjetësh, ipeshkëv prej 37 vjetësh, kardinal prej 24 vjetësh. Pesë vjet shërbim në dioqezën e Brescias, 8 vjet në diplomacinë pontifikale, 54 vjet në kurinë e Vatikanit. Biografia e kardinalit Giovanni Battista Re përmbledhet në këto shifra. Impresionuese.
Nëse shtojmë edhe moshën e tij prej 91 vjetësh, pasi ka lindur në Borno më 30 janar 1934, numrat e kabalës së kardinalit Re janë të plota. Ai do të jetë, gjatë dy javëve të ardhshme, njeriu më i dukshëm i kurisë romake si Dekan i Kolegjit Kardinalëve.
Në qendër të sheshit përpara Bazilikës së Shën Pjetrit, mbi arkivolin e Papës Françesku është vendosur Ungjilli i hapur.
Në ceremoninë e lamtumirës së Papa Françeskut është parë dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj përkrah dy presidentëve të tjerë. Krah kreut të shtetit shqiptar duket presidenti i Italisë Sergio Mattarella dhe presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.
Ndërkohë Begaj, është pritur në dy Audienca të veçanta në Selinë e Shenjtë, Vatikan, nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku. Herën e parë, Presidenti Begaj u takua me Atin e Shenjtë në dhjetor të vitit 2022, disa muaj pasi kishte marrë detyrën e Kreut të Shtetit në Shqipëri. Takimin e dytë me Papa Françeskun Presidenti Begaj e zhvilloi në maj të vitit të shkuar.
Delegacioni shqiptar përfshin presidentin Bajram Begaj me bashkëshorten e tij, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni, si edhe ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangajn.
Po ashtu, të marrin pjesë edhe krerët fetarë në Shqipëri: Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani.
Nga Kosova merr pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë u shfaq në homazhe bashkë me delegacionin shqiptar dhe kardinalin Ernest Troshani. Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas tre ditëve homazhe, bota i jep sot lamtumirën Papa Françeskut. Arkivoli i Papës Françeskut u transportua nga Bazilika e Shën Pjetrit në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa Françesku do të prehet në një arkivol të thjeshtë prej druri, një kërkesë e tij.
Në cermoninë mortore të Papa Françeskut është parë dhe një takim mes presidentit të SHBA Donald Trump, presidentit Ukrainas Volodymyr Zelensky edhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Zelensky, i veshur me të zeza, mbërriti në shkallët e sheshit të Shën Pjetrit për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut.
Ai u takua me Trump para fillimit të funeralit dhe pritet ta takojë edhe më pas. Ky është takimi i parë 'kokë më kokë' pas atij në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump e përzuri.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ndodhet në Vatikan këtë të shtunë për varrimin e Papa Françeskut.
Para nisjes së ceremonisë mortore presidenti 78-vjeçari nderoi Papa Françeskun duke u përkulur para trupit të pajetë të Atit të Shenjtë.
Rreth një orë para fillimit të ceremonisë, Sheshi Shën Pjetër është pothuajse i mbushur me kapacitetin maksimal prej 40 mijë vetash.
Vlerësohet se rreth 140 mijë persona ndodhen tashmë përgjatë rrugës "Via della Conciliazione" dhe në rrugët hyrëse drejt sheshit.
Deri tani, 31 delegacione kanë hyrë në Vatikan. Lajmi është bërë i ditur nga Qendra për Menaxhimin e Sigurisë së Ngjarjes pranë Komisariatit të Policisë së Romës.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbërritur në Sheshin Shën Pjetër për të marrë pjesë në funeralin e Papës Françesku.
Rreth 200 mijë besimtarë pritet të marrin pjesë në funeralin për Papa Françeskun. Këto janë pamjet e turmave me besimtarë të cilët do i bashkohen ceremonisë mortore.
Edhe përfaqësues nga Shqipëria do të marrin pjesë në ceremoninë mortore për Papa Françeskun. Delegacioni shqiptar përfshin presidentin Bajram Begaj me bashkëshorten e tij, ministri i Jashtëm Igli Hasani, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni, si edhe ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Adea Pirdenji.
Po ashtu, të marrin pjesë edhe krerët fetarë në Shqipëri: Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani.
Nga Kosova merr pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë u shfaq në homazhe bashkë me delegacionin shqiptar dhe kardinalin Ernest Troshani. Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Komente

Amen
PërgjigjuI PRISHEN IMAZHIN PAPES FRANCESCO ME PREZENCEN E TE CMENDURIT TE BORES TRUMP
Përgjigju