Festa e Kombëtares pas fitores në Serbi dhe gjendja në Grupin K kualifikues

Sport

Botërori 2026/ Renditja e Grupit K kualifikues dhe dy ndeshjet e mbetura të Kombëtares pas fitores në Serbi! Shanset për zonën play-off dhe rivalët

12 Tetor, 12:10| Përditesimi: 12 Tetor, 12:42

  • Share

Fitorja 0-1 në Serbi i ka mundësuar kombëtares shqiptare shkëputjen me katër pikë kundër rivalëve ballkanas, në Grupin K kualifikues. Tanimë tanët pas gjashtë ndeshjeve të luajtura e shohin veten në vendin e dytë me 11 pikë, ndërsa Serbia ka luajtur pesë takime dhe mban vendin e tretë me shtatë pikë. Dy humbjet radhazi sollën shkarkimin e trajnerit Dragan Stojkovic nga Serbia, duke treguar gjendjen jo të mirë të rivalëve tanë. Dje, Letonia dhe Andorra barazuan 2-2 në ndeshjen tjetër.

Ndeshjet e radhës

Me Anglinë që pas pesë takimeve ka 15 pikë të plota dhe thuajse e ka siguruar vendin e parë të grupit, gjithë gara do zhvillohet për vendin e dytë. Shqipëria ndeshjen e radhës kualifikuese e ka kundër Andorrës më 13 nëntor në udhëtim, ndërsa tre ditë më pas presim në Tiranë skuadrën e Anglisë.

Edhe rivalët serbë, që kanë një ndeshje më pak dhe ndodhen poshtë nesh me katër pikë kanë një ndeshje kundër Anglisë në Londër. Mjafton të kujtojmë se Anglia fitoi 0-5 një muaj më parë në mes të Beogradit.

Kalimi në play-off

Me Shqipërinë dhe Serbinë që luajnë kundër Anglisë, më shumë se kurrë Kombëtarja jonë ka avantazhin për vendin e dytë. Një fitore në Andorra me 99 përqind do na jepte një vend në play-off e Kupës së Botës 2026 për zonën UEFA. Mjafton që në Tiranë ekipi ynë mos humbasë kundër Anglisë (në varësi edhe të ndeshjeve të tjera), e cila në 'Air Albania' do vijë e qetë dhe me biletën e Botërorit 'në xhep'

Kombinimet

Serbia luan kundër Andorrës dhe Letonisë, dy rivalë që në letër janë të kalueshëm. Edhe nëse merr gjashtë pikë, tanët me një fitore në Andorra do mbeteshin me një pikë më shumë dhe do jenë pikërisht ndeshjet kundër Anglisë që do vendosin fatet e grupit.

Me Serbinë që udhëton në Londër dhe me Shqipërinë që pret Anglinë në Tiranë, ekipi kuqezi nuk duhet të gabojë në finalen e radhës dhe ajo është Andorra. Nëse Shqipëria dhe Serbia e mbyllin me pikë të barabarta grupin, tanët do kalonin më tej në bazë të ndeshjeve direkte.

Si funksionon play-off

Për herë të parë në histori, Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet me 48 skuadra. 16 ekipe kombëtare europiane do të marrin pjesë në Botërorin që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, teksa shanset e Shqipërisë, pas suksesin madhështor në Serbi, duken reale.

12-të vendet e para të grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës 2026, ndërsa 4 vendet e mbetura do të përcaktohen nga faza play-off.

Si do të funksionojë faza play-off për Kupën e Botës 2026?

12 vendet e dyta nga grupet e kualifikueseve marrin pjesë në play-off, së bashku me 4 ekipe nga UEFA Nations League 2024/25 që në bazë të paraqitjeve në grup.

Pra në total vendet e dyta dhe 4 ekipet nga Liga e Kombeve, do të formojnë 8 çifte, nga ku do të dalin edhe 4 skuadrat që shkojnë në Botëror, përveç 12 vendeve të para.

Në vazon e dytë dhe të tretë pritet që të jenë takimet më delikate pasi do të ndeshen skuadrat, të cilat janë më pranë njëra-tjetrës në renditjen e FIFA-s. Kështu në vazon e dytë, e cila i intereson edhe më shumë Shqipërisë, për momentin gjenden skuadra si Suedia, Polonia, Republika Çeke dhe Skocia. Në vazon e tretë gjendet Hungaria, Sllovakia, Shqipëria dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Pra Shqipëria, në qoftë se e mbyll grupin në vendin e dytë, do të përballet me dy kundërshtarë që përcaktohen me short, në fazën “play-off” nga vazo e tretë.

Rezultatet dhe renditja e Grupit K të Kupës së Botës 2026

Ora 12:39
Play-off/ Shqipëria në vazon e tretë, në gjysmëfinale mund të ndeshet me njërën prej Suedisë, Polonisë, Çekisë ose Hungarisë

1760223571_kombetarjashqiptare.jpg

Me rezultatet dhe renditjen e deritanishme, skenari është që Shqipëria në play-off e Kupës së Botës 2026 të ndeshej me njërën prej Suedisë, Polonisë, Çekisë apo Hungarisë. Kombëtarja jonë ndodhet në vazon e tretë.

Në Botërorin 2026 do të kalojnë direkt 12 fitueset e grupeve në zonën UEFA. Sa u përket 12 ekipeve të dyta, të cilave do t’iu bashkohen edhe katër të dytat më të mira të Nations League, do të luajnë edhe dy ndeshje të tjera për “ëndrrën amerikane”.

Këto 16 skuadra do të vendosen në katër vazo me nga katër skuadra secila. Kombëtaret e katër vazove do të listohen sipas renditjes së FIFA-s të muajit nëntor.

Secila prej kombëtareve të vazos së parë, ku për momentin janë Belgjika, Italia, Turqia dhe Ukraina, do të ndeshet me ekipet e vazos së katërt ku për momentin janë Uellsi, Rumania, Irlanda e Veriut dhe Moldavia.

Ndërsa në vazon e dytë dhe të tretë pritet që të jenë takimet më delikate pasi do të ndeshen skuadrat, të cilat janë më pranë njëra-tjetrës në renditjen e FIFA-s. Kështu në vazon e dytë, e cila i intereson edhe më shumë Shqipërisë, për momentin gjenden skuadra si Suedia, Polonia, Republika Çeke dhe Skocia.

Në vazon e tretë gjendet Hungaria, Sllovakia, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina. Ekipet e dy vazove në fjalë do të çiftohen me njëra-tjetrën për të formuar katër gjysmëfinale, të cilat do të nxjerrin dy takime finale, të cilat do të japin dy fituese.

Ndeshjet luhen më 26 dhe 31 mars 2026

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?