Dy kapitenët e ekipeve, Gjimshiti dhe Mitroviç, dhe tifozët kuqezi në stadium

Sport

Botërori 2026/ Sot Shqipëri-Serbi, kuqezinjtë për historinë dhe ëndrrën amerikane! Formacioni i mundshëm dhe ‘lapsi’ i llogarive! Atmosfera elektrizuese

7 Qershor, 08:34| Përditesimi: 7 Qershor, 12:54

  • Share

Tirana ‘pushtohet’ sot nga dy fronte: I ‘dallgëve’ të tifozëve kuqezi që do mbushin “Air Albania” dhe ambientet e jashtme nëpër lokale e sheshe dhe forcave të sigurisë që e kanë futur kryeqytetin si në ‘shtetrrethim’.

Kombëtarja luan sot (7 qershor), në orën 20:45 të mbrëmjes, takimin e tretë të vlefshëm për Eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026, që do luhet në Amerikën e Veriut, për të aritur dy objektiva në horizont: Një biletë për fazën finale dhe historinë ndaj Serbisë.

Dhe për të mos u përsëritur ajo “deja vu” e shëmtuar e Beogradit nga tifozët serbë, janë marrë të gjitha masat e mundshme me tre gardhe sigurie, 2 mijë forca policore, dronë, qen kontrollues, kamera inteligjente dhe patrullime.

Gjithçka deklarohet se është gati, teksa masa ka që të mos lejohet asnjë send i paligjshëm në stadium, madje të mos përsëritet as droni i vitit 2014 apo banderolat nacionaliste, fishekzjarret, flakadanët e deri te çakmakët.

Biletat këtë herë kanë kaluar në filtër dyfish, edhe pse përpjekjet për tregun e zi nuk kanë munguar (3 të arrestuar deri tani). Ato do të jenë të personalizuara dhe hyrja në stadium do bëhet vetëm me kartën e identitetit që shoqëron edhe biletën që posedon tifozi.

Të paktën 22 mijë tifozë priten në shkallët e stadiumit në ‘dallgën’ kuqezi, si një lojtar shtesë për të ndihmuar djemtë e kombëtares që të marrin një fitore që do jetë me shumë peshë për rrugën e të ardhmes së kompeticionit.

Shqipëria vjen nga një fazë finale jo dhe aq e mirë e Europianit dhe një e dobët e Ligës së Kombeve, teksa në aspektin teknik, trajneri brazilian Silvinjo tha në konferencën e shtypit se gjithçka është gati.

I vetmi dyshim mbetet maja e sulmit, me treshen e mundshme sulmuese, pasi Rei Manaj ka shfaqur jo vetëm probleme fizike, por në një rast edhe shëndetësore për shkak të një helmimi ushqimi. Por deri në minutën e fundit, kur të bjerë fërshëllima e gjyqtarit, formacioni do mbetet pezull.

Shqipëria renditet në Grupin K dhe ka aktualisht 3 pikë në dy ndeshje, kurse Anglia, që është edhe favoritja për ta kapur vendin e parë dhe biletën direkte për Botëror, ndodhet në vendin e parë me 6 pikë në dy ndeshje të luajtura, një prej të cilave e fitoi ndaj nesh.

Nga ana tjetër Serbia nuk kaluajtur asnjë ndeshje deri tani, ndodhet me zero pikë dhe luan shanset e saj, pasi një rezultat pozitiv në Tiranë do i jepte avantazhin për t’u favorizuar në vendin e dytë, që të çon edhe në play-off.

Tekniku Silvinjo tha në konferencë se synimi mbetet vetëm përqëndrimi te loja, rezultati, fitorja e tre pikëve dhe ndeshja e radhës. Takimin e ardhshëm Shqipëria e luan në Letoni në datën 10 qershor.

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvio Mendes Campos Junior, ose thënë ndryshe Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë folur për mediet në ‘Arenën Kombëtare’ para ndeshjes kundër Serbisë, teksa u shprehën:

''Formacionin e kam në kokë, por gjithçka mund të ndodhë deri në fund. Ata kanë cilësi, por e kemi dhe ne. Ata na njohim dhe ne i njohim. Nuk ka ndonjë sekret të madh. Zgjedhjet do të jenë edhe strategjike apo taktike. E përgatisim pë fitore, pastaj flet fusha. Duhet të shfrytëzojmë 22 mijë tifozët, janë futbollisti i 12-të. Kam dëgjuar se ka pasur 800 mijë kërkesa për bileta. Do të jemi gati'', tha Sylvinho fillimisht.

Ai shtoi se Serbia ka një ekip të fortë me Mitrovic, Vlahovic, Jovic, lojtarë të mirë, fizikë, të fortë që dalin mirë para.

“Por ne kemi Uzunin, Brojën, Bajramin, Manajn dhe të tjerët, jam krenar për ta. Ne të gjithë punojmë për të fituar. Stojkovic e përgatit ndeshjen për të fituar, ashtu edhe ne. Çdo gjë është shumë e shpejtë në këto kualifikuese. Të bëjmë më të mirën dhe të marrim tri pikët”.

Kapiteni Berat Gjimshiti u ndal te fokusi në këtë duel.

“Duhet të mendojmë vetëm për fushën dhe të marrim pikët. Sytë e një kombi te ju? Vetëm me paraqitjen në fushë në 100 përqind, ky është mesazhi, të bëjmë më të mirën në fushë. Kemi pasur kohë dhe e kemi studiuar kundërshtarin që është shumë i fortë, ama edhe ne kemi lojën tonë”, tha kapiteni.

Edhe tekniku serb në konferencë u përqëndrua më shumë tek cilësitë teknike, sesa tek e shkuara. Të dy trajnerët u shprehën se duhet t’ia lënë fushës gjithçka. Silvinjo vlerësoi faktin që Shqipëria ka një lojtar më shumë, pikërisht tifozët kuqezi.

Treshja e sulmit para pritet të përbëhet nga Broja, Manaj ose Uzuni dhe Bajrami. Në pikëpyetje mbetet edhe Asani që për shkak të angazhimeve me ekipin e tij, ka mbërritur me vonesë.

Ekipi serb është pritur me masa të larta sigurie deri në akomodimin në hotel dhe situata duket e qetë. Përkundër asaj që ndodhi më 2014 në Beograd, do mungojnë tifozët serbë në stadium. Kuqezinjtë kanë nisur që ta elektrizojnë ndeshjen prej ditës së djeshme, me fluks tifozësh nga të gjitha trevat shqiptare dhe veçanërisht nga Kosova dhe deri Presheva.

historinë e përballjeve mes dy skuadrave, tanët nuk kanë asnjë fitore dhe ka ardhur koha për tri pikë në shtëpi, që do na afronin më pranë objektivit që është vendi i dytë që të dërgon në play-off e Botërorit. Nëse heqim fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë (14 tetor 2014), Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuar.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me tanët që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë. Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e nesërme është debutuese për ta në këtë grup. Megjithëse ndeshja luhet në Tiranë, kompanitë e basteve shohin më të favorizuar ekipin serb për të fituar.

Dhe deri tani, duket se ‘retë e zeza’ të vitit 2014 në Beograd duket se qëndrojnë larg.

Kalendari i Shqipërisë për ndeshjet e mbetura:
Ndeshjet sot, 7 qershor:
Andorra-Angli
Shqipëri-Serbi
Ndeshjet më 10 qershor:
Letoni-Shqipëri
Serbi-Andorra
Ndeshjet 6 shtator:
Letoni-Serbi
Angli-Andorra
-Shqipëria pushim
Ndeshjet 9 shtator:
Shqipëri-Letoni
Serbi-Angli
Ndeshjet 11 tetor:
Letoni-Andorra
Serbi-Shqipëri
Ndeshjet 14 tetor:
Andorra-Serbi
Letoni-Angli
-Shqipëria pushim
Ndeshjet më 13 nëntor:
Andorra-Shqipëri
Angli-Serbi
Ndeshjet e 16 nëntorit:
Shqipëri-Angli
Serbi-Letoni

Renditja aktuale e Grupit K

Ora 12:53
Emrat/ Sylvinho sakrifikon katër futbollistë, do e ndjekin sfidën me Serbinë nga tribunat

1749293591_mariodajsinanimedonberishaadrianbajramidheadrionpajaziti.jpg

Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare.

Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni.

Ora 12:20
FSHF publikon rregullat para ndeshjes Shqipëri-Serbi: Kamerat do mbajnë çdo tifoz nën vëzhgim

1749291832_kombetarjashqiptare.jpg

Sot zhvillohet ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, dhe në prag të këtij dueli, FSHF ka bërë publike disa rregulla që tifozët duhet të kenë parasysh.

Sipas njoftimit, çdo person që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një mjet identifikimi, ndërsa të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve fizike nga stjuardët. Ndalohet rreptësisht kalimi i barrierave dhe çdo tentativë për të shmangur pikat e kontrollit.

Gjithashtu, FSHF rikujton se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, konsiderohen vepra penale dhe do të ndiqen penalisht.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se gjatë gjithë kohës, tifozët do të jenë nën vëzhgim nga kamerat e sigurisë, çka do të thotë se çdo veprim i papërshtatshëm do të identifikohet menjëherë.

FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe sportive.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?