Sport

Ndeshja kundër Serbisë në Tiranë, Sylvinho: Sot lëmë shpirtin për tri pikët, doja të sillja babanë nga Brazili! Gjimshiti: E tregojmë në fushë sa vlejmë (VIDEO)

6 Qershor, 18:43| Përditesimi: 7 Qershor, 05:20

  • Share

TIRANË - Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvio Mendes Campos Junior, ose thënë ndryshe Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë folur për mediet në ‘Arenën Kombëtare’ para ndeshjes kundër Serbisë. Ky duel luhet sot në orën 20:45 në Tiranë dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.

''Formacionin e kam në kokë, por gjithçka mund të ndodhë deri në fund. Ata kanë cilësi, por e kemi dhe ne. Ata na njohim dhe ne i njohim. Nuk ka ndonjë sekret të madh. Zgjedhjet do të jenë edhe strategjike apo taktike. E përgatisim pë fitore, pastaj flet fusha.Duhet të shfrytëzojmë 22 mijë tifozët, janë futbollisti i 12-të. Kam dëgjuar se ka pasur 800 mijë kërkesa për bileta. Do të jemi gati'', tha Sylvinho fillimisht.

‘’Kombëtarja serbe dhe shanset për rezultatet e mundshme?

Serbia ka një ekip të fortë dhe këtë e dimë. Mitrovic, Vlahovic, Jovic, kanë lojtarë të mirë, fizikë, të fortë që dalin mirë para. Por ne kemi Uzunin, Brojën, Bajramin, Manajn dhe të tjerët, jam krenar për ta. Ne të gjithë punojmë për të fituar. Stojkovic e përgatit ndeshjen për të fituar, ashtu edhe ne. Çdo gjë është shumë e shpejtë në këto kualifikuese. Të bëjmë më të mirën dhe të marrim tri pikët.

Si janë lojtarët pas një sezoni të gjatë? A mund të luajmë me dy sulmues?

Unë kam parë shumë trajnerë që janë në vështirësi dhe ankohen për kalendarin. Ka futbollistë që kanë dhjetë ditë që kanë përfunduar një sezon të gjatë. Kemi pasur disa ditë shumë të mira dhe jemi gati. Në 19:45 do iu bëj me dije formacionin. Rivalët janë të fortë, kanë tranzicion të mirë në lojë. Kemi edhe një stërvitje dhe e kam në mendje formacionin.

Media serbe ju spiunoi, keni frikë se ju kanë zbuluar taktikat?

Mendoj se nuk kemi asgjë të fshehim. Ata kanë parë 5-6 ndeshjet tona të fundit, ne të atyre. Nuk më shqetëson kjo gjë. Ne e njohim njëri-tjetrin dhe kemi lojtarë në nivelin e lartë.

Gati dy vite e gjysme në ekip, për këtë ndeshje keni parë ndonjë emocion tjetër te lojtarët?

Shikoni, e qartë që kjo është një ndeshje e ndryshme. Për ne është një garë shumë e fortë sportive. Dje, sot dhe nesër do jetë ndryshe në këto ndeshje. Kemi lojtarë dhe trajnerë të mirë në fushë, kemi 22 mijë tifozë dhe kemi një lojtar shtesë. Doja të sillja babanë në Tiranë, por nga Brazili është një rrugë e gjatë. Le të shijojmë ndeshjen.

Mesazhi për lojtarët duke qenë se ju keni luajtur shumë ndeshje të mëdha?

Kam luajtur ndeshje të mëdha, sfida me peshë të mëdha. E kam bërë këtë gjë 15 vite më parë kur nuk kishte rrjete sociale. Flas me djemtë të jenë të fokusuar dhe mos ndikohen. Duhet 90 minuta që të lëmë zemrën dhe shpirtin në fushë.

Sa i keni përgatitur lojtarët me origjinë nga Kosova nga ana psikologjike?

Nga të dyja anët, andej dhe këtij kufirit jemi të përgatitur. Do futemi në fushë të luajmë futboll, por ne po flasim për futboll. Ata kanë trajner të shkëlqyer, ne trajner të mirë. Do luajmë futboll’’, tha trajneri Sylvinho.

Kapiteni Berat Gjimshiti u ndal te fokusi në këtë duel. ‘Duhet të mendojmë vetëm për fushën dhe të marrim pikët. Sytë e një kombi te ju? Vetëm me paraqitjen në fushë në 100 përqind, ky është mesazhi, të bëjmë më të mirën në fushë. Kemi pasur kohë dhe e kemi studiuar kundërshtarin që është shumë i fortë, ama edhe ne kemi lojën tonë’, tha kapiteni.

Në historinë e përballjeve mes dy skuadrave, tanët nuk kanë asnjë fitore dhe ka ardhur koha për tri pikë në shtëpi, që do na afronin më pranë objektivit që është vendi i dytë që të dërgon në play-off e Botërorit. Nëse heqim fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë (14 tetor 2014), Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim. Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuar.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me tanët që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë. Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e nesërme është debutuese për ta në këtë grup. Megjithëse ndeshja luhet në Tiranë, kompanitë e basteve shohin më të favorizuar ekipin serb për të fituar.

Renditja në Grupin K

 

Ora 19:27
E ka bashkëshorten serbe, Gjimshiti lë pa fjalë gazetarin nga Serbia: S’të tregoj ty jetën private (VIDEO)


Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli para ndeshjes kundër Serbisë. Një gazetar serb e pyeti mbrojtësin edhe për bashkëshorten serbe, por Gjimshiti ia preu shkurt.

“Forma? Ekipi është përgatitur mirë. Kemi pasur më shumë kohë, kemi mbaruar kampionatin me ekipet më herët. Kemi bërë shumë stërvitje bashkë. Jemi gati për nesër. Besoj nesër do jetë si gjithmonë tifozëria më e bukur në botë për mua, si për gjithë shqiptarët. Këtë kohë që kam qenë në kombëtare ka qenë mbështetja shtesë dhe e rëndësishme.

Shkuat në vendlindje - Kisha 3-4 ditë pushim, kam folur me trajnerin, pashë gjyshin dhe gjyshen në vendlindje. Ishte shumë e rëndësishme ta bëja, porosia ajo që keni dëgjuar të gjithë, jemi të fokusuar te ndeshja, gjithmonë kërkojmë fitoren, kështu do jetë dhe me kundërshtarin e fortë, por jemi gjithmonë me synim fitoren e ndeshjes.

Nuk besoj do jetë shumë e vështirë. Ka gjëra emocionale që mund të ndjekin pak më shumë disa lojtarë. Nesër të fokusohemi te futbolli, kundërshtari, të vendosim fokusin te vetja jonë. Duhet të mbahemi dhe të mendojmë nesër vetëm ndeshjen dhe 3 pikë.

Mesazhi që mund të japim është vetëm në fushë me paraqitjen në fushë. Të japim dhe të lemë gjithçka në fushë, atë që kemi brenda vetes. Tifozët do duatrokasin, jemi përgatitur, kemi pasur shumë kohë të studiojmë kundërshtarin, por edhe loja jonë. Besoj jemi të përgatitur.

Vlahoviç dhe Joviç? Nuk kam folur me të tjerët, vetëm me Samardzic që e kam në stërvitje te Atalanta. Nuk do them këtu çfarë kemi folur. Nuk janë vetëm ato, por gjithë Serbia që ka shumë lojtarë të fortë individualë, të fokusohemi te të gjithë do jetë çelësi i suksesit nesër.

Bashkëshortja nga Serbia? Nuk kam ardhur këtu që të përgjigjem për jetën private, jam për futboll dhe këto çështje janë të futbollit, jo personale të Gjimshitit, kështu e lëmë me futboll’’, tha Berati.

S.Dh/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • trajneri: 06/06/2025 19:32

    puna eshte te kualifikohesh.....jo vetem te fitosh nje ndeshje....

    Përgjigju
    • Or tej: 06/06/2025 22:40

      Gur gur behet mur or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?