FIFA ka vendosur të hapë një “dritare të dytë transferimesh” gjatë zhvillimit të Kupës së Botës për Klube, për t’u dhënë mundësi klubeve të kualifikuara për fazën finale që të përforcojnë skuadrat e tyre. Kjo fazë shtesë e merkatos do të jetë aktive nga 27 qershori deri më 3 korrik.
Kjo iniciativë vjen pas sesionit të parë të transferimeve në fillim të muajit, që lejonte klubet të shtonin përforcime përpara nisjes së turneut. Tani, ekipet që kanë kaluar në fazat eliminatore do të kenë një mundësi të dytë për të bërë ndryshime, sipas rregullave të përcaktuara nga FIFA.
Në deklaratën zyrtare të lëshuar më 21 maj, FIFA sqaroi se gjatë kësaj periudhe ‘Klubet mund të zëvendësojnë ose shtojnë lojtarë, brenda kufijve të përcaktuar dhe në përputhje me rregullat e federatave përkatëse, përfshirë faktin që një ‘dritare standarde regjistrimi’ duhet të jetë e hapur në atë moment për klubin në fjalë.’
Në rastin e klubeve evropiane dritarja zyrtare e transferimeve hapet më 1 korrik, duke përputhur kështu afatin e FIFA-s me kalimet zyrtare të lojtarëve. Shembulli më i përfolur është ai i Leroy Sané, i cili më 1 korrik do të transferohet nga Bayern Munich te Galatasaray dhe është i pranueshëm për t’u regjistruar me ekipin e ri për pjesën e mbetur të turneut.
Për më tepër, nga 27 qershori deri më 3 korrik, klubet pjesëmarrëse do të kenë të drejtën të modifikojnë apo shtojnë emra në listat e regjistruara për fazën e grupeve, duke garantuar më shumë fleksibilitet dhe cilësi në fazat vendimtare të turneut.
Qëllimi i FIFA-s është i qartë, të sigurojë pjesëmarrjen e lojtarëve më të mirë të mundshëm dhe të lehtësojë angazhimin e lojtarëve me kontrata që skadojnë, duke ruajtur kështu nivelin më të lartë konkurrues të turneut.
Komente
