Chelsea vs PSG

Sport

Botërori i Klubeve/ Sot finalja Chelsea - PSG, Maresca: Këtu për të fituar! Enrique: Sezon historik (Formacionet)

13 Korrik, 11:44| Përditesimi: 13 Korrik, 15:52

  • Share

SHBA, New Jersey - Chelsea dhe PSG diskutojnë sot (e diel) në orën 21:00 trofeun e Kupës së Botës për Klube. Në stadiumin "MetLife' në New Jersey, kampionët e Europës sfidohen nga Chelsea i Enzo Marescas, që kanë treguar forcë dhe cilësi në fushë. Finalja është për t'u fituar dhe këtë e dinë të dy trajnerët.

Enzo Maresca i Chelsea kërkon një trofe madhor, me kompeticionin që për herë të parë u luajt në këto përmasa. Italiani i Chelsea ka bërë një punë të mirë në ringritjen e Bluve dhe një trofe do i vendoste "vulën" një sezoni ku fituan edhe Conference League.

"Mendoj se çdo ndeshje mund të jetë e ndryshme. Ne kemi respektin më të madh për ta dhe më pëlqen shumë t’i shikoj, por në të njëjtën kohë, jemi këtu për të dhënë gjithçka dhe për të provuar të fitojmë finalen.

Një vit më parë, askush nuk fliste për Chelsean në aspektin e futbollit, flisnin vetëm për të pasur një ekip të shkëlqyer dhe shumë para, gjëra të tilla. Tani askush nuk i thotë më këto gjëra, të gjithë flasin për Chelsean, mënyrën se si luajmë, si i fitojmë ndeshjet dhe ky është personalisht suksesi më i madh", tha Maresca.

Maresca nuk do ketë të gatshëm për këtë duel pesë futbollistë. Castledine, Fofana, Kellyman, Lavia dhe Badiashile janë të dëmtuar.

Nga ana tjetër, Luis Enrique ka vlerësuar lojën e Chelsea dhe shprehet se ai e pëlqen punën që ka bërë kolegu i tij, Maresca. Për spanjollin që fitoi edhe Champions League, ky është një sezon i mirë që meriton të mbyllet me një trofe.

"Chelsea? Vetëm ata që nuk i njohin do të thoshin se është një formalitet. Ata kanë një trajner të shkëlqyer dhe një ekip të plotë. Ne do të japim gjithçka. Sezoni i jetës sonë? Ndoshta po. Por kemi një finale që duhet ta fitojmë. Kur ta fitojmë, do ta themi. Duhet të japim 100%”.

Kam parë një qëndrim të jashtëzakonshëm nga të gjithë. Sa i përket efektivitetit, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Ka qenë një sezon historik dhe duam ta përfundojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Enrique.

Trajneri i PSG-së nuk do ketë të gatshëm tre futbollistë, Lucas Hernandez, Mukiele dhe Pacho.

Shpërblimet - Fituesi në stadiumin 'MetLife' do të përfitojë afro 100 milionë dollarë (në total nga gjithë aktiviteti), ndërsa finalisti do të marrë gjithashtu një shpërblim po aq të majmë.

Formacionet e mundshme:

Chelsea (4-3-3): Sanchez; James, Chalobah, Colwill, Cucurella; Caicedo, Fernandez, Neto; Palmer, Joao Pedro, Delap Trajner: Enzo Maresca

PSG (4-3-3: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Beraldo, Mendes; Vitinha, Ruiz, Neves; Doue, Kvaratskhelia, Dembele Trajner: Luis Enrique

Ora 15:17
Milionat në lojë, shuma që arkëton fituesi i Botërorit të Klubeve! Infantino: Gjeneruam 2.1 miliardë $ të ardhura për 63 ndeshje

Chelsea dhe PSG nuk do diskutojnë sot në orën 21:00 vetëm rezultatin e ndeshjes, por edhe të ardhurat nga eventi i Kupës së Botës për Klube.

Fituesi në stadiumin 'MetLife' do të përfitojë deri në 100 milionë dollarë nga pjesëmarrja, trofeu dhe çmime të kombinuara, ndërsa finalisti do të marrë gjithashtu një shpërblim po aq të majmë.

FIFA do akordojë 50 milionë dollarë për ekipin që fiton Kupën e Botës për Klube (veç të tjerash), teksa ekipi i vendit të dytë do 'të marrë në shtëpi' 40 milionë dollarë.

FIFA ndau një fond çmimesh prej 1 miliard eurosh për turneun, duke shpërndarë fondet bazuar te pjesëmarrja dhe ecuria, me klubet e UEFA-s që siguruan pjesën më të madhe, madje duke i tejkaluar financiarisht disa skuadra jo-evropiane pavarësisht eliminimeve të mëparshme.

Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino tha para finales se ky turne ka gjeneruar 2.1 miliardë dollarë të ardhura.

"Epoka e artë e futbollit të klubeve ka filluar. Mund të themi me siguri se kjo Kupë e Botës për Klube ka qenë një sukses i madh. Dëgjuam se financiarisht nuk do të funksiononte, se askush nuk do të ishte i interesuar, por mund të them se gjeneruam pothuajse 2.1 miliardë dollarë të ardhura, nga 63 ndeshje. Kjo është një mesatare prej 33 milionë dollarësh për ndeshje”, tha Gianni Infantino.

Ora 13:06
Trump në tribunë për finalen e Kupës së Botës për Klube, blindohet 'MetLife Stadium'! Xhama antiplumb dhe qen nuhatës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të jetë sot në stadium për të ndjekur finalen e Kupës së Botës për Klube mes PSG dhe Chelsea (21:00) në 'MetLife' në East Rutherford.

Kjo prani do t’i japë ngjarjes edhe më shumë reklamim, por do të kërkojë gjithashtu masa të rëndësishme sigurie me mbi 80.000 spektatorë të pranishëm, gjë që potencialisht e bën ngjarjen edhe më të rrezikshme.

Sipas raportimeve, i mbrojtur me shumë mundësi nga xhama antiplumb, Trump do të ulet pranë Infantinos, disa drejtuesve nga të dy klubet dhe Emirit të Katarit, Al Thani.

E gjithë zona VIP do të kontrollohet me kujdes për të shmangur çdo surprizë. Por kjo nuk është e gjitha. Për sigurinë e presidentit amerikan, në stadiumin 'MetLife' do të përdoren gjithashtu qen për nuhatje eksplozivësh dhe detektorë metali të specializuar.

Ky sistem sigurie do ta blindojë objektin sportiv për finalen e madhe.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama kërkon shkarkimin e administratorëve e nënkryetarëve, si e vlerësoni?