Sport

Report Tv/ Ndeshja Shqipëri-Serbi, ‘deja vu’ një dekadë më pas? Nga dhuna e Beogradit, te rikthimi pa tifozë serbë! Flasin analistët

4 Qershor, 21:31| Përditesimi: 4 Qershor, 22:49

  • Share

Supersfida Shqipëri-Serbi rizgjon kujtimet e dhunës në Beodrad 11 vite më parë. Një ‘deja vu’, por këtë herë jo në Serbi, por në Tiranë dhe pa tifozë serbë.

Ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026 do luhet mbrëmjen e të shtunës, më 7 qershor, kurse “Repolitix” në Report Tv solli sot në mbrëmje kujtimet e asaj mbrëmjeje, tensionet, dhunën dhe pasojat pas dronit me banderolën e “Autoktonëve”.

Por a mund të përsëriten tensionet e vitit 2014 mbrëmjen e të shtunës? A do fitojë Kombëtarja takimin që do i japë qetësi për një shans më të madh që të kapë vendin e dytë që i çon në play-off, pasi Anglia ndodhet e shkëputur dhe gjithashtu favorite për kualifikimin direkt.

Për të diskutuar për sfidën e ardhshme dhe atë që ndodhi një dekadë më parë ishin të ftuar në panel Tami Kona, gazetar i pranishëm në Beograd kur u dhunua kombëtarja shqiptare, Andi Kapxhiu, gazetar i Report Tv, Artan Shyti specialist futbolli dhe Ekrem Spahia, politikan, ish-zv/ministër i Sporteve.

“Ata ashtu janë gatuar, nuk është çështje rezultati. Atë kulturë kanë ata. Madje unë mendoj se këto pamje duhet t’ia tregojmë para ndeshjes djemve tanë. Ne fituam 3 pikë atje me budallallikun që bënë serbët atje. Nuk e di, mund të ketë edhe tensione, ndaj uroj të mos ndodhë e të merren masa. Të kujtohen këto pasoja. Ideja është të mos kemi probleme, sepse po dëgjojmë edhe probleme me biletat. Ne duhet të tregojmë se nuk jemi këta. Ata janë më të dënuarit për sjelljen e huliganëve, janë më të ndëshkuarit nga FIFA dhe UEFA. Masat e sigurisë do jenë të larta, deri në 3 kordone policie. Edhe pse droni në Beograd na pëlqeu, duhet thënë se veprimi i kryer nuk ishte i duhuri, sepse sporti nuk është sherr, por ta mundësh në fushë kundërshtarin. Unë mendoj se Serbia do shërohet vetëm kur një lojtar shqiptar të arrijë të luajë në kampionatin serb”, u shpreh Shyti.

Kurse gazetari Kona rrëfeu përjetimet e tij gjatë ndeshjes së 11 viteve më parë.

“Unë kam qenë si tifoz në stadiumin e Beogradit dhe jo me delegacion. Kam qenë madje me miq të mi menaxherë, serbë, dhe ata ishin në tension të madh, ata donin të shënohej gol sa më shpejt. Donin të fitonin me patjetër, e kërkonin sa më shpejt atë gol dhe më pas ndodhi ajo që ndodhi. Problemi është se kur ata vijnë te ne, nuk ndodh asgjë këtu, vetëm duartrokitje. Kurse ata hyjnë në stadium me gjithëfarë sendesh e fishekzjarresh. Do të ketë edhe kamera për identifikimin e fytyrave”, tha ai.

Kurse politikani Spahia vuri theksin tek urrejtja dhe politizimi që serbët i bëjnë raporteve me shqiptarët.

“Ata i bashkon urrejtja për shqiptarët. E demonstrojnë urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve si luftë, e politizojnë atë. Vetëm pse ka marrë flamurin, po ta shohësh, çfarë goditje pësojnë. Ata nuk e motivojnë lojtarin në aspektin sportiv, por me urrejtje ndaj shqiptarëve. Mjafton edhe thirrja e presidentit serb ndaj skuadrës ishte motivim politik. Kurse te ne ndodh e kundërta. Është një histori që na ndan neve me serbët, unë mendoj se nuk duhet të ketë bllokadë ndaj tifozëve kuqezi, do jetë elektrizuese sportive. Ne kemi statistika të mira, pozitive, kemi renditje edhe në FIFA e shanset janë të larta. Duhet ta demonstrojmë si ndeshje sportive”, nënvizoi ish-zv/ministri i Sporteve.

Gazetari Andi Kapxhiu solli një detaj interesant gjatë diskutimit. Ai tha se lojtari i kombëtares shqiptare, Gjimshiti, ka bashkëshorte serbe dhe vetë është nga Lugina e Preshevës.

“Shortin për biletat e ndeshjes i përzgjedh kompjuteri pas aplikimit. E drejta është për të aplikuar deri në katër bileta secili, por mund të ndodhë të miratohen edhe dy. Ka të paktën 800 mijë aplikues (200 mijë persona, me të drejtë 4 bileta secili). Të vjen edhe e-maili dhe deri në tetë orë ta blesh, ndryshe humbet vlera. Në stadium hyn me emër mbiemër dhe kartë identiteti. Do ketë edhe masa të larta sigurie, deri në tre gardhe sigurie policore. Tifoëria serbe nuk do të jetë në stadium, pasi janë edhe të dënuar. Por duhet pasur kujdes, sepse vetëm një çakmak sikur të prekë lojtarin serb në ndeshje, do dëmtohet imazhi ynë, përveç pasojave”, shpjegoi Kapxhiu.

Ora 22:45
Analiza në ‘Repolitix’/ Kaosi me biletat e Shqipëri-Serbi, skema e re godet tregun e zi! Kapxhiu: Të personalizuara dhe me kartë ID

 

Një nga temat e analizuara në panelin e ‘Repolitix’ mbrëmjen e sotme, katër ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi, e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2026, ishte edhe ajo e kaosit me biletat, si dhe çmimet e kripura të tyre në tregun e zi.

Gazetari Andi Kapxhiu shpjegoi detajet nga skema e re dhe masat e sigurisë së FSHF-së me procesin e shortimit, aplikimit dhe goditjes së fenomenit të tregut të zi.

“Tani nuk mund ta shesësh lehtë një biletë në tregun e zi. Biletat janë të personalizuara, ai që bën aplikimin do japë edhe emrin e personit që do pajiset me biletë kur bënë procesin e pagesës. Nga 15-30 maj ishte faza e aplikimit në sistem, u zgjat edhe për disa ditë dhe tani mbyllet ky proces për të vijuar me e-mailin për fituesit dhe më tej fazën e pagesës. Nëse unë aplikoj për 4 bileta dhe më jepen dy, pasi me vjen e-maili do plotësoj emrat e personave që do pajisen me këto dy bileta. Koha është 8 orë dhe vetëm gjatë këtyre 8 orëve mund të ndodhë që ti ta shesësh këtë biletë në tregun e zi, jashtë këtij afati apo para tij nuk ke asnjë mundësi. Në momentin që do bësh pagesën, jep edhe emrat e personave dhe më pas me kartë identiteti e biletë do shkosh në stadium, asnjë person tjetër që s’e ka emrin në biletë, nuk hyn dot”, shpjegoi gazetari i Report Tv.

Edhe të pranishmit e tjerë i qëndruan kësaj skeme, edhe pse vetë FSHF nuk ka dhënë sqarime zyrtare se si do funksionojë apo si goditet tregu i zi.

Eksperti i futbollit Artan Shyti, tha:

“Mundësia për ta shitur në tregun e zi me këtë skemë, është vetëm gjatë 8 orarëshit të afatit që FSHF të lë për të bërë pagesën, ku ti e shet tek personi dhe i çon me link emrin e tij, nuk ka asnjë hapësirë tjetër. Pra i duhet thënë tifozëve dhe sqaruar se nuk mund të hyjnë më në stadium me një biletë të blerë në tregun e zi, nëse emri i tyre nuk është i regjistruar si blerës”.

Edhe gazetari Tami Koma theksoi praktikat e UEFA, ku ndiqet deri gjurmimi i biletës që shitet online.

“Kjo skemë që është bërë këtu tek ne tani, me personalizimin e biletës, është edhe një shkallë më tej”, tha ai.

Kurse ish-zv/ministri Ekrem Spahia vuri theksin te mungesa e transparencës nga ana e FSHF-së, e cila refuzon edhe të bëhet pjesë e paneleve për të sqaruar situata të ngjashme ndaj publikut.

Ai i bëri thirrje FSHF-së dhe Qeverisë që gjithashtu të ngrejë të paktën 4 pika Fan-Zone për tifozët ditën e ndeshjes me Serbinë, si një tjetër faktor motivues për kombëtaren.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?