Është një nga 36 poezitë e antologjisë shqip-gjermanisht “Përtej harrimit”. Përkthyesja Loreta Schillock dhe poetja Drita Ademi i përzgjedhin autorët nga e gjithë shqiptaria e diaspora, e përfaqësohen edhe me dy krijime të tyre poetike.
Nga Ledia Dushi, tek Primo Shllaku, Fatos Arapi e të tjerë, poezitë në këtë vëllim jepen në shqip e gjermanisht.
“Antologjia është botuar në dy gjuhët, shqip e gjermanisht, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit gjermano folës. Për faktin se është gjuha jonë amtare, por edhe sepse ne synojmë që ta lexojnë fëmijët e atdhetarëve tanë në Gjermani, Zvicër e Austri, e tu shërbejë pse jo për të perfeksionuar gjuhën shqip. Madje ne po tentojmë që ta fusim gjuhën shqipe në Universitetin e Stuttgart , në Gjermani”, shprehet përkthyesja.
Përkthen prej 13 vitesh e jeton në Gjermani, Loreta rrëfen se sa njihet atje poezia shqipe.
“Të flasësh për njohjen e letërsisë shqipe në Gjermani, së pari duhet të ndalesh në faktin se sa është e përkthyer ajo në gjermanisht. Njihet Kadare natyrisht, Martin Camaj, Arian Leka , përkthimin e të cilit e kam bërë unë në 8 vitet e fundit. Edhe Luljeta Lleshanaku po njihet natyrisht”, shton më tej.
Antologjia me afro 120 faqe pritet të promovohet në panairet e Frankfurt-it, Leipzig-ut e të tjerë. Në të mungojnë emra si Lleshanaku, e përzgjedhur së fundmi si Poetja Evropiane e Lirisë, sepse siç shpjegon përkthyesja antologjia tenton të promovojë edhe poetë më pak të njohur.
“Ky ka qenë vetëm hapi i parë, jo i fundit, por natyrisht që ky projekt do të vazhdojë”, thotë më tej Schillock.