TIRANË- Në seancën e fundit plenare, Kuvendi miratoi me 72 vota pro, zero kundër dhe zero abstenim “Strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”. Opozita braktisi sallën në momentin e votimit, ndërsa kryetari i Komisioni të Posaçëm të Dezinformimit, Erion Braçe prezantoi strategjinë duke thënë se ky projektligj është proces që shënon etapë të re të ndërtimit të imunitetit demokratik të vendit tonë, përballë sfidave më të sofistikuara të shekullit siç janë ndërhyrjet e huaja keqdashëse dhe dezinformimi në hapësirën publike, institucionale dhe politike.
Duke theksuar se është evidentuar depërtimi i interesave të huaja, Braçe shpjegoi se Strategjia Kombëtare e hartuar do shërbejë për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, si dy nga problematikat që cenojnë edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që kërcënimet ndaj demokracive moderne nuk shfaqen më në forma klasike. Dezinformimi, manipulimi i informacionit publik, depërtimi i interesave të huaja në procese zgjedhore apo sektorë kritikë të ekonomisë kombëtare janë kthyer në mjete efektive të ndikimit politik dhe strategjik, pa kaluar në forma të drejtpërdrejta të dhunës apo agresionit ushtarak”, tha ai.
Deputeti socialist u shpreh se Shqipëria si një vend kandidat për anëtarësimin në BE dhe anëtare e NATO-s nuk është imune ndaj këtyre formave të reja të ndërhyrjes. Sipas Braçes, pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë, tranzicioni i gjatë institucional dhe linjëzimi i qëndrimeve të qeverisë së Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare me vendimet e BE dhe NATO-s, e bëjnë vendin tonë të ekspozuar ndaj rreziqeve që vijojnë të jenë të pranishme dhe të shtohen.
“Duke qenë të vetëdijshëm për këto dinamika, dhe nevojën për t’i adresuar ato, Kuvendi vendosi ngritjen e një komisioni të posaçëm me një mandat të qartë që të koordinojë dhe mbikëqyrë veprimet institucionale për të adresuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike të vendit”, tha Braçe.
Bashkim të Shqipërisë në aleancën globale kundër dezinformimit që po përdoret si armë strategjike e cilësoi, deputeti Braçe Strategjinë kundër Dezinformimit, duke thënë se është e rëndësishme që e vërteta të mbrohet me seriozitet.
“Është më shumë se deklaratë politikash, është një vullnet i përbashkët demokratik i të drejtave themelore të qytetarëve dhe aspiratave integruese në një kohë kur dezinformimi nuk është vetëm një mjet propagandistik, por edhe një armë strategjike. Shqipëria nuk mund të jetë e papërgatitur. Ajo po i bashkohet aleancës demokratike duke afirmuar se transparenca dhe faktet do të mbrohen me të njëjtin seriozitet sa edhe kufijtë territorialë”, cilësoi Braçe.
Braçe evidentoi se Shqipëria është përballur prej vitit 2022 me sulme të huaja, kryesisht kibernetike si ai ndaj institucioneve të ndryshme, deri te Policia dhe Parlamenti, nga grupi i hakerave iranianë. Qëllimi i tyre sipas ligjvënësit, ishte cenimi i sigurisë së vendit nëpërmjet publikimit të informacioneve sekrete. Një prej sulmeve ai evidentoi edhe atë të fundit ndaj Bashkisë së Tiranës.
Në fund të fjalës së tij, deputeti Braçe falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në punën e Komisionit të Posaçëm, nga përfaqësues të institucioneve publike, deri tek akademikë, përfaqësues ndërkombëtarë, ekspertë të fushës kibernetike, ushtarake, të institucioneve të pavarura dhe deri tek faktori mediatik, mes tyre edhe gazetarë dhe botues të njohur.
Ndërsa opozita, e cila nuk u bë pjesë e komisionit të posaçëm të dezinformimit, përmes deputetes Ina Zhupa akuzoi mazhorancën se me këtë strategji ka synim kapjen e mediave dhe prerjen e kokave.
“Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe material strategji që e kam lexuar me vëmendje për çfarë do prodhonte, ishin klishe dhe i ngjanin programit të qeverisë, nga ekonomia te media, me qëllim të caktuar për të fshehur, por me qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik. Nuk pati vullnet për strategji, është injoruar gjatë gjithë kohës së procesit Komisioni i medias, që nuk kontrollohet nga ju dhe nuk plotëson oreksin tuaj”, tha deputetja.
Komisioni i posaçëm kundër dezinformimit u ngrit me synimin për rishikimin e kuadrit ligjor për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike dhe në proceset zgjedhore në të ardhmen. Puna e komisionit u bojkotua nga opozita parlamentare, por ai vijoi në mënyrë të njëanshme dhe realizoi seanca dëgjimore me një sërë institucionesh publike dhe aktorë të shoqërisë civile, duke dalë në përfundim me një strategji kombëtare. Objektivat kryesorë fokusohen në forcimin e kapaciteteve institucionale për të parandaluar, zbuluar dhe analizuar ndërhyrjet e huaja në fushatat zgjedhore, në përmirësimin e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit mbi ndikimet e huaja në proceset zgjedhore dhe financimin politik të partive politike dhe aktorëve që bëhen pjesë e zgjedhjeve.
Deputetja Etilda Gjonaj, duke folur sot në Kuvend për përmbylljen e punës së Komisionit të Posaçëm kundër Dezinformimit, tha se tashmë Shqipëria ka një strategji të qartë për të adresuar këtë fenomen.
"Ne sot, si në këtë strategji, ashtu edhe gjatë gjithë veprimtarisë së këtij komisioni dhe këtë e them me bindje të plotë si sekretare e këtij komisioni nuk kemi bërë asgjë tjetër përveçse kemi ndjekur modelin e Parlamentit Evropian dhe veprimtarinë e këtyre dy komisioneve të posaçme. Pa dyshim, kjo është një veprimtari që ka edhe background-in të përshtatur për realitetin shqiptar, por nga ana tjetër ne e dimë shumë mirë se ekzistojnë disa detyrime që Bashkimi Evropian i ka vendosur Shqipërisë edhe në grupkapitullin 6 për politikën e jashtme. Këtu përfshihet edhe lufta dhe parandalimi i dezinformimit dhe çdo forme tjetër ndërhyrjeje të huaj keqdashëse, do duhet që Shqipëria të marrë masa të detyrueshme, masa që janë të parashikuara pikërisht në këtë dokument strategjik", deklaroi Gjonaj.
Gjonaj shprehu më tej keqardhjen që opozita nuk u përfshi në këtë proces.
"Unë jam me keqardhje që opozita, në fakt, do të duhej të kishte qenë që në fillim pjesë e këtij komisioni të posaçëm. Kjo, jo vetëm për shkak të rëndësisë së objektit të punës së komisionit, por nga ana tjetër, si një vend anëtar i NATO-s, si vend që ka nevojë të përmbushë të gjitha detyrimet në kuadër të aleancave të ndryshme ndërmjet shteteve dhe strukturave euroatlantike. Duhej të ishit pjesë e këtyre diskutimeve dhe e kësaj strategjie, e cila ka pasur si udhërrëfyes, siç e përmenda strategjitë dhe dokumentet e Parlamentit Evropian dhe të komisioneve të posaçme që ai ka ngritur. Po ashtu, kjo strategji ka pasur si bazë të gjitha detyrimet që ne kemi si vend në rrugën drejt objektivit përfundimtar: anëtarësimi në familjen e madhe evropiane", tha Gjonaj teksa theksoi se sot do të ishte rasti që deputetët e opozitës të bënin një mea culpa.
"Unë do të dëshiroja shumë, në respekt të qytetarëve, që çdo koleg i opozitës, të paktën, të dilte në foltore dhe të thoshte: “Po, ne nuk e kuptuam që kishte rëndësi kaq të madhe se do të bëheshim pjesë që në krye të herës”, dhe të bënte një mea culpa. Sepse nuk është thjesht një dokument që e ka përgatitur mazhoranca, por është një strategji e nevojshme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, përfshirë edhe proceset zgjedhore që përmendi znj. Zhupa, ashtu si edhe të gjithë elementët e tjerë që u përmendën nga kryetari Braçe. Prandaj, të nderuar kolegë deputetë, nuk jemi vonë për mea culp-ën. Unë uroj që në fund, këtë dokument strategjik ta miratojmë të gjithë së bashku", tha Gjonaj.
Deputeti socialist Erion Braçe replikoi me kolegen opozitare Ina Zhupa, e cila e quajti një paçavurë projektligjin dhe Strategjinë Kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.
Ai u shpreh se ky dokument nuk është bazuar në llafe por në gjetje, mendime ekspertësh vendas e të huaj, akademikës dhe personalitetesh të huaja. Braçe kujtoi se opozita nuk donte të bëhej pjesë dhe të ushtronte mandatin e saj, ndërsa kujtoi se Shqipëria ka edhe një titull aktualisht në fuqi, "armikun e shtypit".
Ngjarjet e ndodhura me ndërhyrjet e huaja në Shqipëri, financimet, sulmet hibride dhe dezinformimi, deputeti i cilësoi si një damkosje e vendit njëherë e përgjithmonë dhe që duhet të merrnin fund nëpërmjet strategjive për parandalimin.
"Dokumenti nuk është bazuar në llafe. Dokumenti për të cilin unë fola është hartuar dhe përgatitur fal atyre njerëzve që unë përmenda. Ka nga bota akademika, shoqëria civile, profesorë katedrash dhe midis tyre edhe shumë kritikë, qoftë me qeverinë, por edhe me pjesën tjetër të shoqërisë.
Dokumenti i është nënshtruar jo vetëm ekspertizës, por edhe faktorëve ndërkombëtarë që janë themelore në BE, për betejën kundër dezinformimit të opinionit publik.
E kishim të pamundur që në pjesën e edukimit të përfshinim edhe opozitën, që e kishin mandatin dhe nuk e shfrytëzuan. Kur nisi komisioni çfarë nuk dëgjuam, është ngritur do nxjerri syrin, do shkuli veshin, do shkuli gjuhën, është ngritur dhe do burgosë fjalën e lirë, etj.
Kanë ndodhur disa ngjarje që nuk kanë pasur kurrë lidhje me Partinë Socialiste të Shqipërisë, me mua jo e jo, as me anëtarët e Komisionit, por janë ngjarje që e kanë damkosur Shqipërinë njëherë e përgjithmonë. Ky vend midis gjithë personaliteteve që ka e titujve që ka marrë vendi e njerëzit, ka edhe një tjetër, armiku i shtypit, është në fuqi, kudo që e kërkoni e keni atje. Faleminderit!”", tha Braçe.
Deputetja demokrate, Ina Zhupa, kritikoi punën e Komisionit të Posaçëm për Dezinfomimin, duke e cilësuar një klishe të programeve qeverisëse, ku u përjashtua edhe Komisioni i Medias që drejtohet nga opozita.
Ligjvënësja opozitare tha se qëllimi i Komisionit dhe Strategjisë që pritet të kalojë si projektligj në parlament, është kontrolli i medias.
“Mund të na e kishit kursyer minutazhin e falenderimeve zoti Braçe, është ditë tjetër ajo e falenderimeve. Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe material strategji që e kam lexuar me vëmendje për çfarë do prodhonte, ishin klishe dhe i ngjanin programit të qeverisë, nga ekonomia te media, me qëllim të caktuar për të fshehur, por me qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik. Nuk pati vullnet për strategji, ëhstë injoruar gjatë gjithë kohës së procesit Komisioni i medias, që nuk kontrollohet nga ju dhe nuk plotëson oreksin tuaj”, tha deputetja.
Zhupa theksoi se duhet të kishte pasur më shumë bashkëpunim me BE dhe NATO për këtë strategji dhe të ishte gjithpërfshirëse, duke e cilësuar atë të Komisionit si një ‘paçavure’.
“BE ka hartuar një strategji, ndryshe nga ajo paçavure e strategjisë që keni ju, ajo është gjithpërfshirëse, kurse ju e keni fut një paragraf të vogël”, tha deputetja demokrate.
Ligjvënësja sulmoi strategjinë, duke pretenduar se sulmet kibernetike i bën mazhoranca për të marrë informacionet dhe financimet në zgjedhje për kandidatët e saj të mbështetur nga krimi. Ajo ktitikoi edhe financimin nga shteti të gazetarisë investigative, duke pretenduar se do përdoret për "të prerë koka" të kundërshtarëve të kryeministrit dhe qeverisë.
"Keni ju strategji kundër financimit për zgjedhje, por jeni ju që keni kandidatët tuaj të mbështetur nga krimi, që financoni zgjedhjet, keni 28 kandidatë deputetë të mbështetur nga krimi. Sulmi më i madh kibernetik u bë nga PS-ja për të nxjerrë në publik apo për të marrë të dhënat personale të qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve", tha mes të tjerash Zhupa".
