Seanca e fundit e legjislaturës së 10-të nisi me debate për zjarrin në landfillin e mbetjeve në Elbasan. Opozita kërkoi debat parlamentar për këtë çështje, duke thënë se është një katastrofë mjedisore. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se Kuvendi duhet të mbajë përgjegjësi për tre kontratat korruptive të inceneratorëve. Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se kërkesën për debat ta bëjnë sipas rregullores dhe mos ta përdorin çështjen për propagandën e ditës.
Aktualisht po diskutohet për raporti vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2024. Deputetja demokrate Tabaku, teksa mori fjalën e saj, shprehu kritika për faktin se po mbyllin një legjislaturë, gjatë së cilës nuk arritën dakordësi për të mundësuar një proces gjithëpërfshirës integrues.
Sipas saj, opozita s’e ka penguar procesin e integrimit por qeveria. Duke e cilësuar integrimin vetëm në letra, Tabaku tha: “Në këtë legjislaturë kemi dështuar, për t’u ngritur mbi llogoret dhe interesat politike që kishte maxhoranca me çdo ligj ne debat në Komisione. Kemi dështuar për t’i dhënë shqiptarëve një proces gjithëpërfshirës, një proces i mbyllur në sirtarët e qeverisë, që nuk sjell asgjë për shqiptarët. Integrim vetëm në letra nuk i shërben askujt.”
Ndërkohë, deputeti socialist Toni Gogu thotë se:
“Po të kthejmë kokën pas, jemi afër agimit të 2030. Kur ky vend do të bëhet pjesë e familjes që i është mohuar prej shumë dekadash. Sot, integrimi europian ëhstë konsensusi më i madh kombëtar që ne kemi, kjo u vu re edhe në punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit...”, tha Gogu.
Krahas rendit të ditës, diskutime pritet të ketë edhe për zgjedhjet e 11 majit, të cilat opozita i ka cilësuar si farsë elektorale.
Projektligjet e tjera që janë parashikuar janë ai për investimet e huaja, për rezervat materiale të shtetit, për markat tregtare, për patentat dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë, për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa, si dhe ai për pushtetet dhe autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura.
Gjithashtu, në axhendë janë përfshirë dy marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me kërkimin-shpëtimin ajror dhe lehtësimin e tregtisë elektronike.
Rendi i ditës:
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 26.6.2025.
2. Njoftime.
3. Raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2024.
4. Akti normativ nr. 6 "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025"", i ndryshuar.
5. Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Bullgarisë, qeverisë së Republikës së Kroacisë, qeverisë së Hungarisë, qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë, qeverisë së Republikës së Sllovakisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e kërkimit dhe shpëtimit ajror, nënshkruar në Ohër më 22.2.2023".
6. Projektligji "Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike"".
7. Projektligji "Për rezervat materiale të shtetit".
8. Projektligji "Për markat tregtare”.
9. Projektligji "Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë”.
10. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar.
11. Projektligji "Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.
12. Projektligji "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit".
13. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7764, datë 2.11.1993, “Рër investimet e huaja”, i ndryshuar.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Lajm në përditësim...
Përfaqësues nga prezenca e BE-së në Shqipëri nuk e kanë humbur rastin për të ndjekur seancën e fundit parlamentare në Kuvend të sezionist të legjislaturës 2021-2025, para se në atë sallë të vijnë deputetët e zgjedhur më 11 maj.
Siç duket edhe nga këto pamje të siguruara nga Report Tv, diplomatët e BE-së mbërritën të ndjekin seancën e fundit parlamentare, ku nuk munguan diskutimet dhe debatet mes deputetëve të dy kampeve, një pjesë e mirë e të cilëve nuk do jenë legjislaturën e ardhshme.
Deputeti socialist Erion Braçe replikoi me kolegen opozitare Ina Zhupa, e cila e quajti një paçavurë projektligjin dhe Strategjinë Kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.
Ai u shpreh se ky dokument nuk është bazuar në llafe por në gjetje, mendime ekspertësh vendas e të huaj, akademikës dhe personalitetesh të huaja. Braçe kujtoi se opozita nuk donte të bëhej pjesë dhe të ushtronte mandatin e saj, ndërsa kujtoi se Shqipëria ka edhe një titull aktualisht në fuqi, "armikun e shtypit".
Ngjarjet e ndodhura me ndërhyrjet e huaja në Shqipëri, financimet, sulmet hibride dhe dezinformimi, deputeti i cilësoi si një damkosje e vendit njëherë e përgjithmonë dhe që duhet të merrnin fund nëpërmjet strategjive për parandalimin.
"Dokumenti nuk është bazuar në llafe. Dokumenti për të cilin unë fola është hartuar dhe përgatitur fal atyre njerëzve që unë përmenda. Ka nga bota akademika, shoqëria civile, profesorë katedrash dhe midis tyre edhe shumë kritikë, qoftë me qeverinë, por edhe me pjesën tjetër të shoqërisë.
Dokumenti i është nënshtruar jo vetëm ekspertizës, por edhe faktorëve ndërkombëtarë që janë themelore në BE, për betejën kundër dezinformimit të opinionit publik.
E kishim të pamundur që në pjesën e edukimit të përfshinim edhe opozitën, që e kishin mandatin dhe nuk e shfrytëzuan. Kur nisi komisioni çfarë nuk dëgjuam, është ngritur do nxjerri syrin, do shkuli veshin, do shkuli gjuhën, është ngritur dhe do burgosë fjalën e lirë, etj.
Kanë ndodhur disa ngjarje që nuk kanë pasur kurrë lidhje me Partinë Socialiste të Shqipërisë, me mua jo e jo, as me anëtarët e Komisionit, por janë ngjarje që e kanë damkosur Shqipërinë njëherë e përgjithmonë. Ky vend midis gjithë personaliteteve që ka e titujve që ka marrë vendi e njerëzit, ka edhe një tjetër, armiku i shtypit, është në fuqi, kudo që e kërkoni e keni atje. Faleminderit!”", tha Braçe.
Deputetja demokrate, Ina Zhupa, kritikoi punën e Komisionit të Posaçëm për Dezinfomimin, duke e cilësuar një klishe të programeve qeverisëse, ku u përjashtua edhe Komisioni i Medias që drejtohet nga opozita.
Ligjvënësja opozitare tha se qëllimi i Komisionit dhe Strategjisë që pritet të kalojë si projektligj në parlament, është kontrolli i medias.
“Mund të na e kishit kursyer minutazhin e falenderimeve zoti Braçe, është ditë tjetër ajo e falenderimeve. Ky komision nisi dhe bitisi në një mënyrë të njëanshme dhe material strategji që e kam lexuar me vëmendje për çfarë do prodhonte, ishin klishe dhe i ngjanin programit të qeverisë, nga ekonomia te media, me qëllim të caktuar për të fshehur, por me qëllim për të kontrolluar informacionin në media e për të ndërhyrë në atë që është pushtet i pavarur, pushtetin mediatik. Nuk pati vullnet për strategji, ëhstë injoruar gjatë gjithë kohës së procesit Komisioni i medias, që nuk kontrollohet nga ju dhe nuk plotëson oreksin tuaj”, tha deputetja.
Zhupa theksoi se duhet të kishte pasur më shumë bashkëpunim me BE dhe NATO për këtë strategji dhe të ishte gjithpërfshirëse, duke e cilësuar atë të Komisionit si një ‘paçavure’.
“BE ka hartuar një strategji, ndryshe nga ajo paçavure e strategjisë që keni ju, ajo është gjithpërfshirëse, kurse ju e keni fut një paragraf të vogël”, tha deputetja demokrate.
Ligjvënësja sulmoi strategjinë, duke pretenduar se sulmet kibernetike i bën mazhoranca për të marrë informacionet dhe financimet në zgjedhje për kandidatët e saj të mbështetur nga krimi. Ajo ktitikoi edhe financimin nga shteti të gazetarisë investigative, duke pretenduar se do përdoret për "të prerë koka" të kundërshtarëve të kryeministrit dhe qeverisë.
"Keni ju strategji kundër financimit për zgjedhje, por jeni ju që keni kandidatët tuaj të mbështetur nga krimi, që financoni zgjedhjet, keni 28 kandidatë deputetë të mbështetur nga krimi. Sulmi më i madh kibernetik u bë nga PS-ja për të nxjerrë në publik apo për të marrë të dhënat personale të qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve", tha mes të tjerash Zhupa".
Deputeti socialist, Erion Braçe, njëkohësisht edhe kryetari i Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit lexoi sot në Kuvend raportin e punës njëvjeçare për të analizuar, evidentuar dhe parandaluar ndërhyrjet e huaja që u evidentuan gjatë dëgjesave, analizimeve dhe ekspertimeve të kryera si dhe për Strategjinë Kombëtare, projektligj që pritet të miratohet në Kuvend për të parandaluar dhe goditur këto fenomeve.
Ai shpjegoi se Strategjia Kombëtare e hartuar do shërbejë për parandalimin e këtyre ndërhyrjeve dhe dezinformimit, si dy nga problematikat që cenojnë edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Braçe evidentoi se Shqipëria është përballur prej vitit 2022 ku është përballur me sulme të huaja, kryesisht kibernetike si ai ndaj institucioneve të ndryshme, deri te Policia dhe Parlamenti, nga grupi i hakerave iranianë. Qëllimi i tyre sipas ligjvënësit, ishte cenimi i sigurisë së vendit nëpërmjet publikimit të informacioneve sekrete. Një prej sulmeve ai evidentoi edhe atë të fundit ndaj Bashkisë së Tiranës.
Në fund të fjalës së tij, deputeti Braçe falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit në punën e Komisionit të Posaçëm, nga përfaqësues të institucioneve publike, deri tek akademikë, përfaqësues ndërkombëtarë, ekspertë të fushës kibernetike, ushtarake, të institucioneve të pavarura dhe deri tek faktori mediatik, mes tyre edhe gazetarë dhe botues të njohur.
Pjesë nga fjala e Erion Braçes në Kuvend:
"Dezinfomimi, manipulimi i perceptimit të opinionit publik, depërtimi i interesave të huaja në procese zgjedhore apo në sektorin kritik të ekonomisë shqiptare, janë kthyer në mjete efektive të ndikimit të drejtëpërdrejtë politik dhe strategjik, shpesh pa kaluar në forma të drejtpërdrejta të dhunës apo agresionit ushtarak. Shqipëria është një vend kandidat për integrimin evropian dhe anëtare e NATO-s, nuk është imune ndaj formave të reja të ndërhyrjes.
Jemi të ekspozuar ndaj rreziqeve që shtohen. Duke qenë të vetëdijshëm për këto dinamika dhe nevojën adekuate për t’i adresuar, Kuvendi ngriti Komisionin e Posaçëm me një mandat të qartë.
Strategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve dhe dezinformimit përfaqëson një qasje të re, të domosdoshëm dhe të krijuar në një proces institucional e të thelluar. Ai foli për një plan konkret, platforme dixhitale për kontrollin, evidentimin dhe parandalimin e financimeve të huaja, ndikimet në fushata para dhe gjatë elektorale, duke ngritur edhe platforma kibernetike.
Ngritja e Komisionit na tregoi një mesazh të qartë, lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja duhet të jetë një prioritet kombëtar, e që kërkon vëmendjen më të lartë të Kuvendit. Gjatë punës njëvjeçare Komisioni bëri një proces të thelluar e të qartë.
U mundësua evidentimi i problematikave ekzistente dhe ofrua strategjia. U bënë 14 mbledhje, në fokus ishte analiza e gjetjeve dhe platforma kombëtare dhe ligjore, kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit. Janë mbajtur 14 seanca dëgjimore me përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i ekspertizës kanë qenë shtyllat kryesore në këtë proces, si dhe nga vende me traditë të konsoliduar në këtë fushë. Organizimi i misioneve të mbështetura nga BE ka lehtësuar ekspertizën europiane në fushën ligjore ndaj fenomeneve të dezinformimit.
Përfshirje e një grupi të gjerë ekspertësh në këtë proces. I përbërë nga 22 funksionarë publikë nga 18 institucione, por edhe akademikë e proesionistë të spikatur, kibernetikës dhe ushtrisë, për të skanuar situatën aktuale lidhur me fenomenet. U evidentuan ndërhyrjet e huaja dhe masat për t’i parandaluar ato.
U hartua drafti i strategjisë kombëtare kundër ndërhyrjeve dhe dezinformimit, i hartuar në shkurt 2025, duke ftuar çdo palë të interesuar, që të kontribuonte.
Zbatimi i Strategjisë do ndiqet nga Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet një Komisioni parlamentar dhe me objektiva dhe udhërrëdyes me masa konkrete të ndara. Që nga analiza dhe evidentimi, deri te parandalimi i financimeve të huaja të dyshimta, ndërhyrjet dhe dezinfomimi. Mbështetje e gazetarisë investigative në evidentimin e këtyre fenomeneve, pra ndaj dezinformimit. Ngjarjet kanë treguar se Shqipëria është bërë objekt i vazhdueshëm i ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, ndaj del nevoja për masat parandaluese edhe me kontributin e partnerëve europianë.
Do doja të falenderoja Ambasadën e SHBA në Tiranë, e do vija theksin se marrëveshja mes dy vendeve ishte shtytja e nxitësja e këtij komisioni. Gjithashtu do doja të falenderoja edhe faktorin mediatik, personalitete dhe organizata të shoqërisë civile. BIRN, Faktoje.al, zonjën Klodiana Kapo që gjithashtu ishte pjesë e punës së komisionit, mbi të gjitha profesor Mark Markun, Rrapo Gurin, Arben Malaj, Zef Preçi, Iris Luarasi, Lufti Dervishi, Erjon Tasen, Carlo Bolino, e të tjerë që morën pjesë në punën e komisionit. Dua të falenderoj çdo institucion publik që u bë pjesë e këtij procesi, përfshi edhe Kuvendin e Shqipërisë. Ministrinë për Evropën e Punët e Jashtme me ekspertizën, Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtësisë, të Brendshme, agjencinë e inteligjencës, Policinë e Shtetit, KQZ, SHISH, Bankën e Shqipërisë e institucione të tjera”.
Deputeti socialist, Toni Gogu, iu përgjigj po me replikë kundërshtimit të koleges Jorida Tabaku, e cila tha se integrimin e Shqipërisë e pengonte mazhoranca me farsën zgjedhore.
Ai i kujtoi se Raporti i Brukselit nuk thotë se zgjedhjet u manipuluan, por se ishin konkurruese e se opozita pretendon se ato janë vjedhur.
Ligjvënësi socialist u shpreh se e vetmja vjedhje më 11 maj ishte ajo brenda kandidatëve të PD-së, që gjithashtu u vodhën edhe në Primaret e partisë. Kurse për ankesat e opozitës ai tha se kjo prognozë opozitare ishte paralajmëruar më herët para zgjedhjeve se në fillim do deklaronin fitoren e më pas do ankoheshin për humbjen.
“Të marrësh dhe të keqcitosh raportet e BE-së nuk i bën nder këtij diskutimi. Deri tani ishim korrekt, raportet e BE për Shqipërinë kanë qënë këto: Zgjedhjet kanë qenë konkurruese, forcat politike dhe kandidatët kanë pasur mundësi të konkurrojnë, profesionale, profesioniste. Dhe patjetër që fusha ka nevojë të nivelohet, njëlloj siç ka nevojë të nivelohet në vende të tjera për të arritur standardet në një demokraci dhe aq më tepër një demokraci si e jona që është në ndërtim. Raporti thotë, pjesëtarë të opozitës pretendojnë se zgjedhjet janë vjedhur etj. etj., ku të gjithë shqiptarët në dritën e diellit panë se çdo kuti ishte ajo më 11 maj dhe të vetmit të vjedhur ishin kandidatët e opozitës, që u panë, e kjo filloi që me Primaret. Po thonë opozitarët që na kanë vjedhur. Por ata nuk e dinë që kjo kënga e opozitarëve ka nisur që në 90-tën. Kjo ishte paralajmëruar, që do i ngjajë prognozës së humbësve, në fillim do festojnë, pastaj do thonë na kanë vjedhur, do marrin çantat, do shkojnë në Strasburg ku do ankohen e kështu do vazhdojë”, tha Gogu.
Deputeti pati edhe një përgjigje për kolegun Gjekmarkaj që mbajti një fjalim me ironi dhe sarkazmë ndaj socialistëve.
“Kurse për kolegun që u përpoq të bënte sarkazmë në sallë (Agron Gjekmarkaj), mendoj se kolegu mendon se nuk i përket kësaj salle, kështu që nuk i përket kësaj salle”, tha Gogu.
Jorida Tabaku në parlament
Deputetja Jorida Tabaku iu kundërpërgjigj me replikë fjalimit të kolegut socialist Toni Gogu, i cili akuzoi opozitën për nxirjen dhe baltosjen e Shqipërisë në Europë si një vend narkoregjim.
Ajo tha se Gogu dhe PS nuk duhet të shqetësohen për opozitën, por për korrupsionin dhe mungesën e standardeve dhe zgjedhjeve farsë të 11 majit.
“Mos ia qani hallin farë opozitës zoti Gogu, mos u shqetëso aspak për opozitën. Ti duhet të shqetësohesh për baltën ndaj Shqipërisë, për zgjedhjet e manipuluara në raportet që lexohen atje në Parlamentin Evropian, shqetësohu për korrupsionin dhe këtu citoj raportin që do lexohet më 9 korrik. Shqetësohu për baltën që ka hedhur mazhoranca dhe jo opozita.
Opozita e ka kryer detyrën e saj me përsosmëri. Nuk është bllokuar ky proces asnjëherë prej nesh, por prej jush. Prej mungesës së standardeve, ashtu siç do e bllokoni për zgjedhje, as në standarde ballkanike. Duhet të shqetësoheni për mungesën e standardeve, sepse nuk janë plotësuar, për këto duhet të shqetësoheni ju dhe jo për hallet e opozitës. Opozita i zgjidh vetë hallet e saj”, tha Tabaku.
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit në fjalën e tij në Kuvend, për raportin vjetor, u shpreh se Shqipëria ka bërë punë titanike në rrugën drejt BE. Toni Gogu tha se deri më tani janë hapur 5 grupkapituj dhe pritet i gjashti në vjeshtë. Ironizoi edhe opozitën për deklaratat e Sali Berishës në sy të ndërkombëtarëve, ku quajti Shqipërinë narkoshtetin e vetëm në Europë. “Nuk mundet pacienti zero i korrupsionit shqiptar, të dalë dhe të mbrojë korrupsionin duke i hedhur baltë Shqipërisë”, tha Gogu.
Pjesë nga fjala e Toni Gogut
Urtësia na tregon që shpresa është si puna e atij yllit që nuk shihet në diell. Duhet të vijë nata që të shndërrisë dhe të të orientojë. Shpresa europiane, ka qenë ylli që ka shoqëruar të gjithë shqiptarët në këtë dekada edhe kur qielli i pol është nxirë por edhe kur fatkeqësitë i kanë rënë këtij kombi, pikërisht sepse bën shqiptarët ia kanë dhënë Europës prej kohësh. Në fund të kësaj legjislature, ndërsa marrim në shqyrtim raportin vjetor të Këshillit kombëtar të integrimit, duhet të flasim siç duhet. Atje ku Shqipëria ka mbërritur sot, po të kthejmë kokën mbrapa, jemi afër agimit të 2030, kur ky vend do bëhet pjesë e familjes që i është mohuar prej shumë dekadash. Sot, integrimi europian është konsensusi më i madh kombëtar që ne kemi, kjo u vu re edhe në punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku kryetarja jonë megjithëse vetmitare në shumicën e mbledhjeve qëndroi me stoicitet në krye të atij Këshilli, duke drejtuar me dhjetëra takime. Janë hapur 5 grupkapituj dhe pritet i gjashti në vjeshtë, për të hapur tërësisht dialogun intensiv të shqiptarëve me Europën. Politika i jashtme e Shqipërisë është tërësisht e linjëzuar me politikën e BE. Shqipëria është aleati më strategjik, më i sigurt i BE në Ballkanin Perëndimor. Ajo që tha para disa ditësh nga Kos, që e ardhmja e Shqipërisë është në BE, është realiteti i çdo shqiptari. E kuptoj sikletin e kryetares që duhet të marrë pjesë edhe në takime ku dyshimi i madh sa është larguar Shqipëria nga BE, është vetëm në kokën e një njeriu që e ka të lidhur me fatinë tij personal dhe duhet të marrë pjesë edhe në ato takime ku i madh i vogël thonë që Shqipëria ka bërë punë titanike në punën për integrimin. Këtë se kanë bërë vetëm anëtarët e këtij këshilli, por çdo fermer shqiptar që është përpjekur të ndërtojë standarde punës me të gjitha vështirësitë dhe sfidat.
U përpoqët të bënit me baltë Shqipërinë si narko shtet, ndërkohë fermerëve u bie bretku nga mëngjesi në darkë të ushqejnë këtë vend, e njëjta gjë me mësuesit, zjarrfikësit. Patjetër që nxihet Toni Gogu kur dëgjon baltën që i hidhet Shqipërisë, Nuk mundet pacienti zero i korrupsionit shqiptar, të dalë dhe të mbrojë korrupsionin duke i hedhur baltë Shqipërisë. Të nderuar kolegë, raportet e fundit të BE e shohin Shqipërinë si udhëheqëse në rajon, jo vetëm europianët, por edhe qytetarët shqiptarë. Ndaj kur diskutojmë punën e këshillit kombëtar të integrimit të jemi në lartësinë e detyrës. Besimi i BE te Shqipëria është absolut. Ne nuk trembemi nga kritikat, ato kritika janë tinguj që ne na bëjnë ti përvishemi më shumë punës, ndaj e shihni shumicën qeverisëse në bazë me qytetarët, me njerëzit, për të diskutuar si BE do shkojë në fshat, në tregun financiar, bankar, komercial.
Duke marrë shkak nga zjarri në landfillinin e mbetjeve në Elbasan, opozita kërkoi debat parlamentar në Kuvend. Deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se Kuvendi duhet të mbajë përgjegjësi për tre kontratat korruptive të inceneratorëve.
Tabaku: Sot asnjë nga inceneratorët nuk punon, Kuvendi duhet të marrë përgjigje për tre kontrata korruptive. Ky skandal mjedisor vazhdon dhe agravohet. Nëse kuvendi nuk diskuton për këtë për çfarë do diskutojë. I bashkohemi kërkesë së Gjergjit për të pasur debat parlamentar për këtë çështja.
Spiropali: Bëjeni kërkesën siç ua kërkon rregulloja, jo duke u ngritur për propagandë të ditës.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, teksa po diskutohet në Kuvend për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit për vitin 2024, tha se opozita nuk e ka braktisur asnjëherë procesin e integrimit. Sipas saj pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE nuk është opozita, por qeveria.
Mes të tjerash, Tabaku tha: “Në këtë legjislaturë kemi dështuar, për t’u ngritur mbi llogoret dhe interesat politike që kishte maxhoanca me çdo ligj ne debat në Komisione. Kemi dështuar për t’i dhënë shqiptarëve një proces gjithëpërfshirës, një proces i mbyllur në sirtarët e qeverisë, që nuk sjell asgjë për shqiptarët. Integrim vetëm në letra nuk i shërben askujt.”
Pjesë nga fjala e Tabakut:
“Opozita asnjëherë s’e ka braktisur procesin. Në raportin e fundit të paraqitur në qershor, edhe për zbatimin e ligjit ngritën disa shqetësime thelbësore për detyrat e Kuvendit, 37 nisma deputetësh për të diskutuar. Parlamenti ka humbur nocionin e kryerjes së një procesi legjislativ, duke anashkaluar interesat kombëtare dhe duke u shërbyer interesave shumë të vogla partiake dhe të biznesit. 26 institucione e mbyllin këtë legjislaturë pa raportuar si asnjëherë më par. Raporti përmend paaftësinë e Kuvendit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky kuvend po e përfundon legjislaturën edhe pa reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore. Në 12 vitet e fundit, veçanërisht vitin e fundit, nuk arriti do të të merret me rishikimin e ndarjes së mandateve në qarqe. Votimi nga diaspora i plotë, ashtu siç i takon Shqipërisë që ka hapur negociatat ta kryente, e kreu me një njollë të madhe dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Këto detyra dështoi t’i kryente.
Çdo ditë e më shumë shohim se si institucionet e pavarura e humbin nocionin e tyre të pavarësisë, se si komisionet parlamentare janë të paaftë të kryejnë punën e tyre se janë kthyer në zgjatime të qeverisë. Për herë po mbyllet kjo legjislaturë pa asnjë rezolutë për integrimin, asnjëherë opozita s’ka ceduar për të kryer detyrat e saj, nuk ka krijuar pengesa, nuk është përmendur në raportet për pengim në këtë proces. I vetmi bllokim që i ka ardhur shqiptarëve ka ardhur nga qeveria për pamundësinë së pari për të organizuar procese demokratike me standarte evropiane dhe duke përfunduar te çështje normale të funksionimit të një shteti, te prokurimet publike, shkelje e marrëveshjes të stabilizim asoccimit me gara pa tendera dhe duke përfunduar te bujqësia që akoma se kemi letrën e presidencën daneze për hapjen e grupkapitujeve se Shqipëria “shkëlqeu” me zbatimin e fondeve të IPARD dhe i vuri njollë për vjedhjen më të madhe të fondeve të BE jashtë BE”, tha Tabaku.
Edhe deputeti demokrat, Qani Xhafa foli në Kuvend për zjarrin në landfillin e Elbasanit, ku sipas tij zjarri ka qenë i qëllimshëm për të zhdukur provat. Ai i ndal edhe tek takimi i kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Cërrik, të cilin e quajti një teatër.
“I është vënë zjarri fushës së mbetjeve pranë landifillit, një ditë pasi prokuroria e Elbasanit thirri 21 persona, nëpunës të bashkisë Elbasan dhe punonjës të inceneratorit, për zhdukjen e provave aty është vënë zjarri. Është i qëllimshëm. E kam paralajmëruar më herët që në Elbasan do kemi katastrofë të rëndë mjedisore. Tetari që bëri dje kryeministri, të ndalonte te inceneratori dhe t’i kërkonte falje banorëve të Elbasanit për ata katastrofë që ka krijuar. Ajo fushë të bllokohet dhe të gjendet vend i përshtatshëm për mbetjet urbane”, tha Xhafa.
Me tensione nisi seanca plenare në Kuvend, ku deputetja demokrate Zheni Gjergji mori fjalën për të folur për zjarrin në fushën e mbetjeve në Elbasan, por nuk kryetarja e Kuvendit nuk e lejoi me argumentin se nuk ishte çështje për procedurë. Deputetja demokrati mbajti për pak minuta të bllokuar foltoren dhe u përfshi në debate me Spiropalin.
Gjergji: Zjarri në Elbasan është një alarm i fortë për gjendjen dramatike të mjedisit dhe pasojë ë dështimit të projektit të inceneratorit.
Spiropali: Mos abuzo me procedurën...
Komente
