Hallet e fermerëve, kostot e prodhimit, pamundësia e tyre financiare dhe mungesa e tregut zbritën në sallën e Kuvendit në këtë seancë të fundit plenare.
Teksa po prezantohej akti normativ për rishikimin e dytë të buxhetit për këtë vit debatet u fokusuan në sektorin e bujqësisë, që opozita thotë se është braktisur nga shteti.
“Ka 5 vite me radhë që bujqësia që bujqësia është ose në rënie ose zero. Sot nuk prodhon më, nuk shtet më, fshati nuk prodhon më siç duhej”, tha Tabaku.
Ministri i Financave Petrit Malaj jep shifra fondesh, ndërsa Erion Braçe i kundërpërgjigjet me raportet e INSTAT që tregojnë tkurrjen e sektorit bujqësor në vend.
“Bujqësia në vitin 2013 përfitonte 34 milionë euro, në vitin 2024 ishin 146 milionë euro”, përgjigjet ministri.
“Ka tre vjet bujqësia me rënie. E shikon këtë grafikun (i tregon ministrit Malaj raportin e INSTAT) ka tre vite bujqësia kështu”, tha Braçe.
Garancia sovrane prej 3 miliardë lekësh që parashikohet në këtë akt normativ nuk është zgjidhje për prodhimin vendas tha Braçe nga foltorja e Kuvendit.
“Po pse 3 miliardë lekë që bujqit të marrin borxh dhe jo injektim direkt tek bujqit? Ky borxhi nuk kthehet në prodhim, bujku ka nevojë për para që të financojë prodhimin”, tha Braçe.
E ndërkohë që ministri Malaj tregoi arsyen e këtij rishikimi përmes aktit normativ, një kritikë i erdhi përsëri nga të vetët.
“Rishikimi i Ligjit për Buxhetin përmes Aktit Normativ përbën instrumentin më të përshtatshëm për adaptimin e tij në kohë, duke mundësuar që ndryshimet e nevojshme të përkthehen menjëherë në efekte konkrete”, tha Malaj.
“Nuk është praktikë e konsoliduar kushtetuese dhe as instrument për rishikimin e buxhetit sepse kjo praktikë i heq të drejtën kuvendit të vendos për buxhetin”, tha Braçe.
Me këtë rishikim buxheti rialokohen 118 milionë euro në projekte të ndryshme, që ministri i konsideroi kursim, por deputeti i PS-së thotë se tregojnë paaftësi për ti shpenzuar.
“Ne nuk shpenzojmë para, të mos shpenzosh para demostron paaftësi. Vitin që shkoi buxheti i shtetit nuk u realizua për 418 milionë euro. Në 5-muaj vit elektoral kemi pa përdorur përsëri para dhe nuk ka argument më të rëndë për një qeveri sesa të mos përdori paratë”, tha Braçe.
Përmes këtij rishikimi që u diskutua në këtë seancë plenare përveç garancisë sovrane për bujqësinë jepen edhe 56 milionë euro për forcimin e sigurisë digjitale.
Komente
