TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit ka ngritur shqetësimin e paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit po pastrohen në Tiranë nëpërmjet kriptomonedhave. Ish.zv-kryeministri tha se po kërcënohet stabiliteti financiar i vendit, për këtë arsye i ka thirrje të gjitha institucioneve që të bashkëpunojnë për të luftuar krimin.
"Informaliteti është një problem i madh, nuk zbehet, por sforcohet dhe informaliteti bën dëm shumë të madh. Para informalitetit institucionet nuk duhet të bëjnë pas. Institucionet bëjnë faj nëse nuk ndërhyjnë. Në 2016-2017u ngrit shqetësimi i disa kompanive që merreshin me FOREX që hynin në tregun e kapitaleve dhe përmes mashtrimit arrinin të grumbullonin shumë të mëdha parash. Mbeti vetëm letërkëmbim i institucioneve, kjo solli që ky rrjet u fuqizua shumë, u shtuan kompanitë aq sa filluan që të grabisnin deri në Gjermani, prej andej nga erdhi njoftimi për këtë aktivitete kriminal këtu, jo prej agjencive ligjzbatuese këtu, kërkoj me forcë e të vendoset në rezolutë është bashkëpunimi i të gjitha agjencive që të goditet ky aktivitet kriminal. Aktiviteti i kriptomonedhave është shqetësimi i dytë, ne kemi miratuar bazën ligjore., por nuk ka asnjë qoftë monedhë apo sipërmarrje të licencuar, ndërkohë vetëm 2 ditë pas mbledhjes së komisionit, na dëshmoi që aktiviteti ishte i hapur përmes Exchange, madje i lidhur me aktivitete të tjera kriminale që nga mashtrimi dhe mashtrimi me kartëmonedha të huaja, po edhe me tregtimin e kriptomonedha. E verifikuar dhe pastrimi i parave përmes kriptomonedhave në një xhiro nga Londra në Tiranë, natyrisht AMF mbikëqyr kompanitë e licencuar, por ca do bëjmë, do bëjmë hapa pas? Unë mendoj që kur kërcënohet stabiliteti financiar institucionet duhen bërë njësh. Është e qartë që teknologjia është avangardë, është risi, po krimi nuk është. Paratë e krimit organizuar dhe korrupsionit, po pastrohen përmes kriptomonedhave, arritjet i duartrokas, por ka probleme që duhet të përballemi dhe jo vetëm duke ndryshuar ligjin. Bashkëpunoni dhe godisni krimin", tha Braçe.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Braçe është edhe mungesa e konkurrencës në tregun e sigurimeve, për deputetin e gjitha ka ardhur nga bashkëpunimi mes vetë kompanive. Ndalur këtu, te tregu i kompanive të sigurimeve, Braçe theksoi se kompanitë nuk po dëmshpërblejnë të dëmtuarit dhe ajo që vlerëson si më të rëndë është mbështetja e politikës kundrejt këtyre kompanive.
"Së pari për konkurrencën veçanërisht në tregun e sigurimeve, ku nuk ka konkurrencë krijuar prej kompanive, në kundërshtim të ligjeve.
Së dyti, detyrimet e papaguara, ku shkëlqen Byroja e Sigurimeve, prej vitesh, me gjithë presionin e rekomandimet e Kuvendit, këto detyrime mbeten në një nivel, pavarësisht se paguhen, 1 mld, pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve lidhen me njerëz që kanë pësuar dëmtim, një pjesë të dëmtuar apo gjymtuar. Sistemi bonus malus, nuk është vënë në funksion. Kompanitë nuk duan që ky sistem të vihet në funksionim, se po u vu prishet niveli i tregut, prishen % dhe në fund përfundojnë qytetarët, po s'duan kompanitë.
Ajo që mua më shqetëson ka të bëjë me politikën që i bëhet krah ndonjëherë kompanive që tejkalojnë rregullat e bëra nga Autoriteti. Një kompani të marrë kurajën që të prekë depozitën e saj pa njoftuar, pa pyetur dhe pa lajmëruar AMF për të blerë qoftë edhe një bankë tjetër, është e papranusheme, Autoriteti i AMF, problem i madh", përfundoi Braçe në Kuvend.
Parlamenti i Shqipërisë në seancën e 21 majit 2020 miratoi ligjin mbi “Tregjet financiare të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” ose e thënë ndryshe, tregjet që operojnë përmes teknologjisë ‘blockchain’. Teksa blockchain sjell potenciale të jashtëzakonshme për të transformuar ekonomitë botërore, sikurse interneti në fillimet e tij, edhe kjo teknologji ka ngritur një sërë dyshimesh lidhur me anonimitetin që ajo ofron në një treg të parregulluar. Në mungesë të rregullave të qarta për identifikimin dhe raportimin e transaksioneve, përdorimi i kësaj monedhe mund të ndihmojë subjektet kriminale për të kryer transferta parash në mënyrë anonime, për të cilën sot Braçe ngriti zqrin duke thënë se ligjet kanë mbetur vetëm në letër.
Kriptomonedhat ose monedhat virtuale (bitcoin, etj) janë monedha dixhitale të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet, bankë qendrore, apo institucion ndërkombëtar. Vlera e tyre e tregut luhatet si rezultat i kërkesës së individëve për transaksione ose i pritshmërive të tyre mbi rritjen e mundshme të çmimit të tregut në të ardhmen.
Sot përdoren një mori terminologjish për t’iu referuar një paraje të tillë, si “kriptomonedha”, “monedha dixhitale” dhe “monedha virtuale”. Infrastruktura e një kriptomonedhe është një sistem elektronik pagesash i decentralizuar, i disponueshëm për publikun dhe i rregulluar nga një protokoll elektronik i hartuar privatisht. Protokolli elektronik kryen rolin që ndërmjetësit garantues të pagesave kryejnë në sistemet tradicionale të pagesave, sikurse bankat qendrore, autoritetet rregullatore apo sipërmarrësit privatë Visa dhe Mastercard.
Autori anonim Satoshi Nakamoto, publikoi dokumentimin e protokollit elektronik të Bitcoin dhe krijoi kriptomonedhën e parë Bitcoin, prej 50 njësish, më 3 janar 2009 (Nakamoto, 2008). Ndonëse fillimisht interesi publik për Bitcoin ishte i vakët, numri i transaksioneve elektronike të kryera në monedhën dixhitale Bitcoin u rrit me ritëm eksponencial. Përhapja e përdorimit të monedhës Bitcoin ka qenë në përmasa të paneglizhueshme për industrinë financiare, publikun dhe autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Në fund të vitit 2011, numri i transfertave të konfirmuara nuk ishte më tepër se 5-6 mijë transaksione në ditë. Në muajt e fundit (tetor 2017 – shkurt 2018), numri i transfertave të kryera nëpërmjet Bitcoin është luhatur në 200-400 mijë transaksione në ditë. Gjatë të njëjtës periudhë, vlera e këtyre transfertave të kryera arriti në rreth 1-4 miliardë USD në ditë.
Përmasat e këtyre transfertave kanë nxitur aktorë të tjerë të propozojnë monedha të tjera dixhitale që funksionojnë mbi një infrastrukturë të ngjashme. Aktualisht, numri i monedhave virtuale që operojnë në rrjetet kompjuterike të decentralizuara shkon në mbi 1000. Vëmendja e industrisë financiare si dhe e aktorëve akademikë është fokusuar tek infrastruktura e Bitcoin. Risia teknologjike e zbatuar në infrastrukturën e kryerjes së transaksioneve të Bitcoin, referohet me termin “blockchain” (në gjuhën angleze). “Distributed ledger technology” (DLT) është një term më i përgjithshëm i teknologjisë së “blockchain”, që përfshin versione të modifikuara të infrastrukturës për nevojat e industrive të ndryshme. Modifikimi i protokollit elektronik bën të mundur formatimin e teknologjisë “blockchain” sipas nevojave të autoriteteve rregullatore publike apo të sipërmarrësve privatë.