Anëtari i KAS, Ledio Braho, i propozuar nga PD, doli për procesin e rinumërimit në qarkun e Tiranës. Braho u pyet nga gazetarët edhe për rastin e Braçes, i cili prej dy ditësh ka publikuar foto të votave të tij që janë shpallur të pavlefshme në rastet kur shenja e votimit nuk ka qenë brenda kutisë. Braho tha se manuali i miratuar nga Komisioni Rregullator për votën e pavlefshme është orientues, duke theksuar se kanë ndjekur të njëjtin standard për të gjithë.
Braho komenton edhe një fletë votimi që është shpallur e pavlefshme, e ndarë nga Braçe, ku një votues në vend të shenjës së votimi plus, ka vendosur shenjën e një organi gjenital. Braho tha se nëse PS ka kontestime për këtë votë që e kanë shpallur të pavlefshme, t’i drejtohen KAS me kërkesë.
“Manuali i miratuar nga komisioni rregullator është orientues dhe nuk mund të parashikohet fantazia e çdo votuesi apo çdo sjellësi në manual, në mënyrë që të sillemi si një proces mekanik për të vlerësuar votat e vlefshme apo e pavlefshme. Mua ma dërguan postimin e Zotit Braçe. Vota ishte një shënim që kishte një organ gjenital mashkullor në fletën e votimit. Partia Socialiste, siç bëri edhe disa ditë më parë që bëri një kërkesë, mund t'i drejtohet KAS me një kërkesë tjetër. Dhe të kërkojë që çdo votë që ka një organ gjenital mashkullor apo femëror të konsiderohet nga KAS si e vlefshme dhe ne do të shprehim me vendim, siç u shprehem edhe në rastin e parë”, tha Braho.
Braho u pyet edhe për ankesat e kandidatit demokrat, Ilir Alimehmeti. Por, deri më tani ai thotë se rezultatet e rinumërimit tregojnë se kemi të bëjmë me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash.
“Kur nisi ky proces, nisi me pretendime për trafikim prej mijëra votash, kryesisht nga kandidatët, pa dashur t'i vë emrin. Të ishin kandidatë dhe nga ata që kanë bërë kërkesë ankimore dhe nga ata që s'kanë bërë kërkesë ankimore, por duket qartë që nuk kemi arritur në shifra të tilla. Jemi shifra shumë më të ulëta dhe sot që po diskutojmë, po të vihet re edhe nga postimet e kandidatëve apo edhe nga media, bëhet fjalë vetëm për pretendime për bishta kryqesh, pra është bishti brenda kutisë apo jashtë kutisë, është qendra e kryqit mes dy kutive apo brenda një kutie. Çka tregon qartësisht se ka të bëjë vetëm me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash. Për aq kohë sa nuk ka pasur një trafikim masiv sa i përket kandidatëve apo subjekteve. Unë besoj se tani askush nuk mund të bëjë pjesë pis procesin e numërimit. Pra, flasim për administrimin zgjedhor që është bërë nga KZAZ dhe grupet e numërimit dhe tani po tentohet nëpërmjet mënyrave të tjera që të bëhet pis procesit i rinumërimit këtu në KQZ nëpërmjet numëruesve të KQZ”, tha Braho.
Lajmi kryesor:
Rinumërimi për Tiranën vijon me të njëjtin ‘trend’, hapen 911 kuti! PD 471 vota që s’i takonin, PS 337 vota! Braho: S'ka trafikim
SI.E./ReportTv.al