Politikë

Rinumërimi për Tiranën vijon me të njëjtin ‘trend’, hapen 872 kuti! PD 453 vota që s’i takonin, PS 332 vota! Braho: S'ka trafikim

25 Qershor, 08:12| Përditesimi: 25 Qershor, 16:38

  • Share

TIRANË- Prej orës 09:00 në pallatin e Sportit “Farie Hoti” po vijon rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës. Deri më tani janë hapur 872 kuti nga 1282 në total, ose 64% e kutive. Trendi i rinumërimit vijon i njëjtë, ku deri më tani janë zbuluar vetëm gabime të vogla, që nuk sjellin asnjë ndryshim as në mandatet mes partive politike, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur.

Shanset që Partia Demokratike të marrë mandatin e 14-të në Tiranë, me këtë trend të rinumërimit, janë zero. Ajo kryeson me numrin e votave të marra padrejtësisht më 11 maj, ku deri më tani nga rinumërimi i zbriten 453 vota, ndërkohë që PS ka 332 që s’i takonin. Pjesa më e madhe e këtyre votave janë të pavlefshme, ose vota që u janë marrë partive të vogla.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka gjithashtu 38 vota të pamerituara, PSD 29 vota, Lëvizja Bashkë 49 vota ndërsa Partia Mundësia ka 31 vota më shumë. Të gjitha votat që s’u takojnë, këtyre partive u zbriten. Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik i shtohen 27 vota, të cilët rezultojnë se ia kanë marrë nga numërimi i parë. Edhe Koalicionit Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt rezulton se i kanë marrë 4 vota nga 11 maji.

Edhe kandidatët kanë marrë vota pa meritë. Ilir Alimehmeti i PD ka 103 vota të pamerituara, që u zbriten nga rezultati fillestar. Ilir Meta rezulton se ka marrë 50 vota pa meritë, Myslim Murrizi i janë shtuar padrejtësisht 45 vota. Vota pa meritë kanë shkuar edhe në drejtim të Jorida Tabakut, e cila deri më tani ka 71 vota të tilla.

Edhe në PS ka lëvizje votash. Numrin më të lartë të votave që i janë shtuar pa meritë e ka Ervin Hoxha me 260. Fatmir Xhafaj ka 148, Xhemal Qefalia ka 130, Erion Braçe ka 152. Ky i fundit reagoi ashpër duke akuzuar KAS se po ia kthen votat në të pavlefshme, ndërsa ka ndarë edhe disa foto, ku thotë se nëse KAS mendon se ai ka vjedhur vota, këtë duhet ta thotë me vendim. Nga ana tjetër, vetë anëtari i PD në KAS, Ledio Braho, thotë se deri tani nuk ka trafikim masiv votash për kandidatët.

Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit

Ora 12:35
Braho i përgjigjet Braçes: Nëse PS ka pretendime, t’i kërkojë KAS që votat me shenjën e organeve gjenitale të shpallen të vlefshme! S'ka trafikim

Anëtari i KAS, Ledio Braho, i propozuar nga PD, doli për procesin e rinumërimit në qarkun e Tiranës. Braho u pyet nga gazetarët edhe për rastin e Braçes, i cili prej dy ditësh ka publikuar foto të votave të tij që janë shpallur të pavlefshme në rastet kur shenja e votimit nuk ka qenë brenda kutisë. Braho tha se manuali i miratuar nga Komisioni Rregullator për votën e pavlefshme është orientues, duke theksuar se kanë ndjekur të njëjtin standard për të gjithë.

Braho komenton edhe një fletë votimi që është shpallur e pavlefshme, e ndarë nga Braçe, ku një votues në vend të shenjës së votimi plus, ka vendosur shenjën e një organi gjenital. Braho tha se nëse PS ka kontestime për këtë votë që e kanë shpallur të pavlefshme, t’i drejtohen KAS me kërkesë.

“Manuali i miratuar nga komisioni rregullator është orientues dhe nuk mund të parashikohet fantazia e çdo votuesi apo çdo sjellësi në manual, në mënyrë që të sillemi si një proces mekanik për të vlerësuar votat e vlefshme apo e pavlefshme. Mua ma dërguan postimin e Zotit Braçe. Vota ishte një shënim që kishte një organ gjenital mashkullor në fletën e votimit. Partia Socialiste, siç bëri edhe disa ditë më parë që bëri një kërkesë, mund t'i drejtohet KAS me një kërkesë tjetër. Dhe të kërkojë që çdo votë që ka një organ gjenital mashkullor apo femëror të konsiderohet nga KAS si e vlefshme dhe ne do të shprehim me vendim, siç u shprehem edhe në rastin e parë”, tha Braho.

Braho u pyet edhe për ankesat e kandidatit demokrat, Ilir Alimehmeti. Por, deri më tani ai thotë se rezultatet e rinumërimit tregojnë se kemi të bëjmë me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash.

“Kur nisi ky proces, nisi me pretendime për trafikim prej mijëra votash, kryesisht nga kandidatët, pa dashur t'i vë emrin. Të ishin kandidatë dhe nga ata që kanë bërë kërkesë ankimore dhe nga ata që s'kanë bërë kërkesë ankimore, por duket qartë që nuk kemi arritur në shifra të tilla. Jemi shifra shumë më të ulëta dhe sot që po diskutojmë, po të vihet re edhe nga postimet e kandidatëve apo edhe nga media, bëhet fjalë vetëm për pretendime për bishta kryqesh, pra është bishti brenda kutisë apo jashtë kutisë, është qendra e kryqit mes dy kutive apo brenda një kutie. Çka tregon qartësisht se ka të bëjë vetëm me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash. Për aq kohë sa nuk ka pasur një trafikim masiv sa i përket kandidatëve apo subjekteve. Unë besoj se tani askush nuk mund të bëjë pjesë pis procesin e numërimit. Pra, flasim për administrimin zgjedhor që është bërë nga KZAZ dhe grupet e numërimit dhe tani po tentohet nëpërmjet mënyrave të tjera që të bëhet pis procesit i rinumërimit këtu në KQZ nëpërmjet numëruesve të KQZ”, tha Braho.

Ora 11:37
Alimehmeti pakënaqësi me rinumërimin, publikon foton e një flete votimi: U konsiderua abuzivisht e pavlefshme

Fleta e votimit e publikuar nga Alimehmeti

Pakënaqësi për rinumërimin ka shfaqur edhe Ilir Alimehmeti, kandidati i PD që nuk mundi të siguronte dot një vend në Kuvend.

Ai ka publikuar një foto të një flete votimi, në të cilën shihet se shenja ka devijuar nga kutia e emrit të kandidatit tjetër demokrat Kreshnik Çollaku, ndërsa shtron pyetjen nëse është e pavlefshme, ashtu si e ka konsideruar KAS.

“Numëruesit tanë po mbrojnë aktivisht votat e Partisë Demokratike. Kjo votë e qartë e PD-së u konsiderua abuzivisht si e pavlefshme nga KQZ-ja. Faleminderit z. Ylli Subashi për reagimin e menjëhershëm! Vota është vullnet i pastër i qytetarëve dhe do të mbrohet me vendosmëri prej nesh. Po juve si ju duket kjo votë?”, shkruan Alimehmeti.

Nga rinumërimi i 798 kutive, rezulton se Alimehmeti ka 88 vota të pamerituara, që i zbriten nga  numërimi i parë. Alimehmeti ishte ndër kandidatët që nisën betejën ligjore për rinumërimin.

Nga PS, ankesa për rinumërimin ka shfaqur edhe deputeti Erion Braçe, i cili akuzoi KAS se po i kthen votat e tij në të pavlefshme.

Ora 10:12
Braçe publikon fotot: Nëse KAS mendon se kam blerë vota, ta thotë me vendim! Fleta me mënyrën e pazakontë të votimit

Një ditë pasi akuzoi KAS se po i kthente votat e tij në të pavlefshme, deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar sërish. Në një postim në rrjete sociale, Braçe shpjegon se në një fletë votimi që ka publikuar, brenda një kutie votimi në njësinë nr.5, vota është vetëm për PS por ngre pikëpyetjen se pse KAS e ka shpallur të pavlefshme.  

Ndërsa ka publikuar edhe manualin e KQZ se si duhet plotësuar fleta e votimit, Braçe shkruan se në asnjë nga shembujt për votën e pavlefshme nuk përputhet me shumicën e atyre votave të pavlefshme që po shpall KAS. Ai ka publikuar një tjetër fletë votimi, ku shenja “X” është vendosur saktë në kutinë për emrin e tij, por në rastin e partisë, është vendosur jashtë, e shpallur gjithashtu e pavlefshme.

“Përse një vullnet i shprehur me Topin e Mato Grudës është konsideruar e pavlefshme? Përse KAS këtë shenjë e quan të pavlefshme?! Pse zemra është e vlefshme dhe topi i Matos jo?”, shkruan ai.

Braçe i referohet gjithashtu edhe një artikulli për të nëse KAS ka zbuluar shitblerje votash në emër të tij, dhe në të cilin hidhen dyshime për formën se si kanë votuar disa votues për të. Në fund Braçe shton se nëse KAS mendon se ka blerë vota, duhet të dalë me një vendim të qartë.

“Tani, nëse KAS mendon siç e ka shpjeguar vetë në këtë shkrimin në foton e tretë e të katërt se “Erion Braçe ka blerë votë e për ta kontrolluar ka urdhëruar kryqin tek emri”, ok ta thotë me vendim të qartë këtë për të 192 votat në 740 kuti”, ka shkruar Braçe, duke iu referuar 129 votave që deri më tani i janë shënuar si të pamerituara nga rinumërimi.

Mes votave të pavlefshme, Braçe ka ndarë edhe një fletë votimi të një zgjedhësi, i cili ka votuar në mënyrë të pazakontë për PS, me shenjën e një organi gjenital. Kjo fletë votimi  solli edhe reagimin e anëtarit të PD në KAS, Ledio Braho.

Reagimi i plotë: 

RINUMËRIMI DHE TOPI I MATO GRUDËS!

JO PËR VOTAT E MIA;
PËR VULLNETIN E NJERËZVE SHPREHUR ME VOTË!

VOTA NË FOTON E PARË ËSHTË NUMËRUAR DJE;
ISHTE NË NJË NGA KUTITË E NJËSISË NR. 5 DHE ËSHTË VOTË VETËM PËR PARTINË!

KAS E KA SHPALLUR TË PAVLLEFSHME!
PO PËRSE?

Përse një vullnet i shprehur me Topin e Mato Grudës është konsideruar e pavlefshme? Përse KAS këtë shenjë e quan të pavlefshme?! Pse zemra është e vlefshme dhe Topi i Matos jo?!

Më në fund dje, një mik që arkivon, më dërgoi elektronikisht MANUALIN E KQZ PËR VOTËN E PAVLLEFSHME!
Në asnjë nga shembujt e KQZ, TOPI I MATOS NUK E BËN VOTËN E PAVLLEFSHME; SHIHINI!

Madje në MANUALIN E KQZ, asnjë nga shembujt për votën e pavlefshme NUK PËRPUTHET ME SHUMICËN E VOTAVE TË PAVLLEFSHME QË PO SHPALL KAS!

Shiheni foton E PESTË në radhë: NË CILIN NGA SHEMBUJT E KQZ PËR FLETËT E PAVLLEFSHME PËRFSHIHET E SHPALLET E PAVLLEFSHME KJO VOTË?!

Si kjo janë me dhjetëra!

TANI, NËSE KAS MENDON SIÇ E KA SHPJEGUAR VETË NË KËTË SHKRIMIN NË FOTON E TRETË E TË KATËRT SE “ERION BRAÇE KA BLERË VOTË E PËR TA KONTROLLUAR KA URDHËRUAR KRYQIN TEK EMRI”, OK, TA THOTË ME VENDIM TË QARTË KËTË PËR TË 129 VOTAT NË 740 KUTI;

Vetëm se duhet të shpegojë se si blihet një votë për çdo 6 kuti! 

E thjeshtë, bëhet!

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?