Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një lidhje live për Report Tv, ka bërë apel për banorët e fshatrave të Gramshit që të largohen me urgjencë për shkak se zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe u rrezikohet jeta.
Ai ka thënë se në spitalin e Gramshit morën trajtim 6 persona në total, nga të cilët 4 gra janë ende të shtruar me probleme që kanë të bëjnë me intoksikimin dhe sulme paniku. Megjithatë, gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut.
Në gatishmëri janë të gjitha ekipet mjekësore, përfshirë edhe helikopterin.
“Zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha. Në spitalin e Gramshit ishin 6 persona dhe kanë mbetur 4 ferma, që janë me atake paniku dhe intoksikime. Janë 3 ekipe të Gramshit, përfshirë dhe heklikopterin. Janë në gatishmëri ekipet e Elbasanit dhe të tjera po të jetë e nevojshme”.
Brataj u ka bërë thirrje banorëve të zonave përreth, që të njoftojnë përmes celularit të njohurit e tyre në fshatrat e rrezikuara, të largohen me urgjencë.
“Do t’u lutesha familjarëve që jetojnë jashtë këtyre zonave që t’i njoftojnë të njohurit përmes telefonit që të largohen nga zona sepse shtëpitë janë të shpërndara. Po shohim që po përfshihen shumë zona të banuara. Lutem që qytetarët e kësaj zone me njohjet që kanë t’i njoftojnë përmes telefonit të largohen nga zona”.
Për banorët, Skënder Brataj ka apeluar që të mbajnë para fytyrës një rrobë të lagur për të mos u asfiksuar nga tymi i dendur.
“Me një rrobë të lagur përpara fytyrës të zënë dhe hundën që mos të thithin tymrat. Helikopteri ynë është te spitali i Gramshit kastile për këtë punë”.
Lajmi kryesor:
Delvina rrethohet nga flakët, Vengu për Report Tv: Rreziku për banesat kaloi! Ditë dramatike në Gramsh, disa fshatra ‘pushtohen’ nga zjarri, vdes 80-vjeçari nga asfiksia! Digjen banesa, evakuohen banorët
V.GJ /E.H/ReportTv.al
