Kronikë

Delvina rrethohet nga flakët, Vengu për Report Tv: Rreziku për banesat kaloi! Ditë dramatike në Gramsh, disa fshatra ‘pushtohen’ nga zjarri, vdes 80-vjeçari nga asfiksia! Digjen banesa, evakuohen banorët

12 Gusht, 07:37| Përditesimi: 13 Gusht, 01:19

  • Share

Shqipëria në flakë nga jugu në veri. Fshatra të shumtë u evakuuan. Në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë 30 vatra aktive.

Gjatë ditës u shënua dhe viktima e parë në Gramsh, një 80-vjeçar, i cili humbi jetën nga asfiksia. Ishte zjarri që ai ndezi në oborrin e shtëpisë së tij, që u përhap me shpejtësi duke përfshirë dhe fshatra të tjerë të zonës, pranë pyjeve të pishës në faqen e malit Koshnicë.

Në orët e mbrëmjes (12 gusht) situata u rëndua së tepërmi nga vatra e shfaqur në Delvinë, pasi zjarri iu afrua puseve të naftës në zonë. Gjendja u deklarua si kritike dhe qindra forca zjarrfikëse dhe të Emergjencave u hodhën në aksion të madh për ta lokalizuar. Përmasat e zjarrit ishin të frikshme, teksa Report Tv siguroi edhe pamjet. Vatra e zjarrit rrezikoi edhe qytetin, e favorizuar nga era.

Më kritike situata në lagjet "Llakë" dhe "Mukërs", ku dhe shumë banoë u evakuan. Gjithashtu flakët kërcënuan edhe spitalin. Për masë sigurie janë evakuar pacientët dhe stafi mjekësor, teksa janë hequr edhe bombolat e oksigjenit për të shmangur shpërthimet.

Pas një situate të vështirë dhe masave të marra në disa orë aksion, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha për Report Tv rreth orës 01:00 të mëngjesit të së mërkurës, pas mbledhjes me Shtabin e Emergjencës, se "rreziku për banesat kishte kaluar dhe banorët do bënin një natë më të qetë", por shtoi se "do të jemi vigjilentë në orët në vijim". Ai shpjegoi se operacioni vijon me 200 forca dhe 13 mjete zjarrfikëse si në zonën e Delvinës, edhe në të Dropullit, për të mos lejuar përhapjen e vatrave të zjarrit dhe lokalizimin e plotë të tyre. me zbardhjen e ditës do të aktivizohen edhe mjetet fluturuese me hedhjen e ujit nga ajri.

Kurse në orët e pasdites, situata u shfaq problematike dhe në Poliçan, Finiq apo Lekël të Tepelenës, duke vënë në rrezik banorët, ndërsa disa shtëpi u përpinë nga flakët. Autoritetet urdhëruan evakuime të menjëhershme. Forca të shumta të ushtrisë, por dhe të emergjencave civile, zjarrfikëseve por dhe civilë janë angazhuar në betejat me zjarret. Helikoptëre të ushtrisë shqiptare por dhe të tjerë të ardhur në ndihmë nga jashtë, janë angazhuar aty ku situatat kanë qenë më problematike.

Për shuarjen e zjarreve, në rang territori u angazhuan në total 5 helikopterë; 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe; 1 Black Hawk nga Republika Çeke; 1 Black Hawk nga Sllovakia dhe 1 Black Haëk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë.

Zjarret në fshatrat e Gramshit u raportuan pak pas mesditës, ku ka humbur jetën një i moshuar rreth 80 vjeç, banor i fshatit Kullollas, i cili ndezi zjarr në kopshtin e banesës. Për pasojë, flakët dolën jashtë kontrollit duke djegur të gjitha fshatrat. 80-vjeçari vdiq si pasojë e asfiksisë.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Ekipet e emergjencace kanë evakuuar banorët e 9 fshatrave të Gramshit. Flakët e zjarrit kanë djegur edhe Teqenë e Shemberdhenjes që ndodhet në këtë zonë.Për shuarjen e zjarreve kanë shkuar 2 helikopterë Cougar që po ndihmojnë nga ajri. 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 8 banorë të fshatrave që janë përfshirë nga flakët në Gramsh, janë trajtuar me ndihmë mjekësore. Më tej, mësohet se 200 të tjerë janë evakuuar nga zonat e rrezikut dhe deri në përmirësimin e situatës ata do të akomodohen përkohësisht në hotele. Gjithashtu, në dispozicion të tyre janë edhe rreth 165 pako kampingjesh në palestrat sportive, të marra në rezervat e shtetit. Ministria e Mbrojtjes, përmes disa njoftimeve urgjente e të njëpasnjëshme, ka urdhëruar evakuimet e banorëve nga fshatrat e Gramshit.

Edhe në Poliçan të Beratit situata është e rënduar. Ministria e Mbrojtjes thotë se zjarri në Njësinë Administrative Terpan ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth. Banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, u është kërkuar të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.


Edhe në fshatin Lekël të Tepelenës situata është tepër e rënduar. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit duke djegur kishën dhe disa shtëpi.

Gjithashtu në Finiq, zjarre të mëdha kanë përfshirë fshatin Sirakat. Për shkak të rrezikshmërisë, banorët e zonës janë evakuuar.

Ora 01:13
Delvinë/ Vengu për Report Tv: Situata është stabilizuar! Zjarri u përhap brenda 1 ore nga era e fortë! Në qytet janë 13 mjete zjarrfikëse dhe rreth 200 forca

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu pati një prononcim për Report Tv nga Delvina, pas mbledhjes në godinën e bashkisë me drejtues të pushtetit vendor, prefekturën, kryetarët e bashkive të Qarkut Vlorë, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, me qëllim krijimin e një strategjie për përballimin e situatës me zjarret në këtë qytet, dhe jo vetëm.

Ai tha se zjarret në Delvinë u përhapën me shpejtësi brenda 1 ore gjatë mbrëmjes, për shkak të erës së fortë, ndonëse vatrat aktive ishin raportuar më herët.

“Gjendemi në bashkinë e Delvinës. Sapo kemi kryer një mbledhje të përbashkët me aktorë të përfshirë në mbrojtjen civile, pushtetin vendor, prefekturën, kryetarin e bashkisë dhe forcat e armatosura. Çështë e vërteta në një hark kohor prej një orë mbrëmje, kur Delvina u përfshi nga flakë shumë intensive, me erëra të forta, çka solli një rrezik të menjëhershëm në zonat e banuara dhe lagjet periferike të qytetit”,- tha Vengu.

Ministri deklaroi se në mbështetje të strukturave të bashkisë Delvinë, kanë ardhur në ndihmë forca nga të gjitha bashkitë e Qarkut Vlorë. Në fund të deklaratës së tij, Vengu tha se situata është stabilizuar dhe banorët janë në kushte të kenë një natë më të qetë.

"Në mbështetje kanë ardhur gjithashtu edhe nga bashkia e Sarandës, të gjitha bashkitë e qarkut kanë dërguar mjete.  Ndodhen 13 mjete në qytet, ndërsa kemi 100 trupa nga forcat e armatosura dhe po aq zjarrfikës. Në lartësitë e Delvinës ka edhe disa puse, ndaj të cilave kemi pasur edhe vëmendje të veçantë. Banorët janë në kushte të kenë një natë më të qetë”,- tha Vengu.

Ora 00:40
Delvinë/ Ministri Vengu mbledh drejtuesit vendorë dhe të Ushtrisë: Plan masash për izolimin e plotë të flakëve dhe rikthimin e normalitetit!

 

Ndërsa situata e zjarrit në Delvinë paraqitet kritike, në qytet ndodhet prej orësh ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, së bashku me strukturat e Emergjencave dhe Ushtrisë.

Ai ka mbledhur orët e vona të mbrëmjes së martë duke gdhirë e mërkura, edhe strukturat drejtuese vendore.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ministri shkruan:

“Së bashku me SHSHPF, gjeneral lejtnant Arben Kingji dhe drejtuesit vendorë, për të koordinuar planin e masave për izolimin e plotë të flakëve dhe rikthimin e normalitetit në qytet”.

Pirro Vengu gjatë mbledhjes me strukturat në Delvinë
Ora 00:10
Zjarri në Delvinë i afrohet fshatit Bistricë, flakë të mëdha dhe situatë kritike (VIDEO)

 

Situata e zjarrit në Delvinë mbetet problematike. Flakët i janë afruar periferisë së qytetit, teksa nga Emergjencat janë evakuar shumë banorë dhe shumë të tjerë janë larguar vetë me iniciativë.

Por në orët e mesnatës, gazetari Limos Didani informon se flakët i janë afruar edhe fshatit Bistricë, që ndodhet po në periferi dhe që përparonin me shpejtësi.

Report TV ka siguruar edhe pamjet e zjarrit në Bistricë.

Forca të shumta zjarrfikëse dhe të ushtrisë ndodhen në terren për t’i shuar, por situata mbetet kritike.

Ora 23:28
Era favorizon flakët në Delvinë, lagjet periferike të dëmtuara! Nisen disa autobote me ujë nga Saranda (VIDEO)

 

Era e fortë po favorizon së tepërmi vatrën masive të zjarrit në qytetin e Delvinës.

Disa nga lagjet dhe fshatrat periferikë raportohet nga gazetari Limos Didani se kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Madje edhe kalaja e qytetit është prekur nga zjarri i fuqishëm.

Banorët janë larguar nën panik, pasi flakët sipas pamjeve kanë qenë apokaliptike.

Aktualisht forcat operacionale janë shtuar, me përqendrime zjarrfikësish nga disa qarqe dhe forca ushtrie. Bëhet me dije se drejt Delvinës janë nisur edhe disa autobote me ujë nga Saranda.

Errësira dhe terreni pengon operimin e grupeve, por edhe ndërhyrja nga ajri është e pamundur deri mëngjesin e nesërm.

Ora 23:06
Ministri Vengu mbërrin në Delvinë dhe drejton aksionin, shtohen forcat! Nuk rrezikohen shtëpitë, evakuohen banorët për siguri

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka udhëtuar me urgjencë drejt Delvinës, ku ka mbërritur mbrëmjen e sotme për të ndjekur dhe drejtuar operacionin e Emergjencave për shuarjen e flakëve, lokalizimin dhe kontrollin e situatës kaotike dhe të rrezikshme.

Ministri ka dhënë edhe udhëzimet e duhura për masat dhe operacionin e shuarjes. Gjithashtu ka pasur edhe shtim të forcave mbështetëse me zjarrfikës, efektivë policie dhe ushtrie, sikurse edhe mjete.

Prezencë e shtuar e zjarrfikësve nga bashkitë e qarkut dhe trupa të shumta të FA-ve.

"Për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk ka rrezik për banesat", njoftoi Ministria për situatën e fundit nga Delvina.

Momentalisht vlerësohet që zjarri nuk rrezikon banesat, por trupat në bashkëpunim me policinë e shtetit kanë vendosur një perimetër të përkohshëm sigurie dhe po largojnë banorët nga zona.

Ora 22:44
Digjet Delvina! Pacientët dhe aparaturat e qendrës shëndetësore të qytetit dërgohen në Pallatin e Kulturës (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamje nga brenda dhe para Pallatit të Kulturës në Delvinë, ku janë transferuar përkohësisht, për shkak të flakëve masive, banorë dhe pacientë që ndodheshin në spitalin e qytetit. Siç duket edhe në video, brenda Pallatit të Kulturës po transportohen edhe disa prej aparaturave mjekësore të spitalit të Delvinës, përfshirë dhe bombolat e oksigjenit.

Ora 22:42
Ministria e Mbrojtjes: 27 vatra zjarri janë aktive! Rrezik për shtëpitë, evakuim banorësh (ZONAT)

1755024855_delvine.jpg

Zjarri në Delvinë

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bënë bilancin e zjarreve për ditën e sotme.

Me një njoftim të lëshuar mbrëmjen e sotme, informohet se numri i vatrave aktive ka rënë me tre, por situata në jug të vendit u cilësua si kritike, kryesisht në zonën e Delvinës, ku ka vatër masive zjarri që po i afrohet qytetit dhe po shkrumbon gjithçka.

Nga 34 vatra që janë regjistruar sot, 27 prej tyre janë aktive dhe 7 mbahen nën monitorim.

“Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën”, njoftoi MM sot në mbrëmje.

Situata mbetet problematike në Gramsh, Finiq, Lekël dhe Hormovë të Tepelenës, Terpan dhe Plashnik të Poliçanit.

Ministria jep detaje edhe nga zjarri në Delvinë, ku rrezikohet edhe qyteti, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.

Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes për hartën e zjarreve:

"Qarku Vlorë

Bashkia Delvinë – Zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.

Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.

Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.

Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.

Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.

Lagjja “15 Tetori”, Vlora – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.

Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.

Qarku Dibër

Ternovë, Zerqan – Bulqizë – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.

Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.

Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.

Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.

Qarku Berat

Fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Në fshatin Vokopolë  u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.

Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.

Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.

Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.

Qarku Tiranë

Spanesh – Rrogozhinë – Zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.

Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.

Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.

Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.

Qarku Gjirokastër

Hormovë – Tepelenë – Zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.

Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.

Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.

Qarku Elbasan

Kullollas – Gramsh – Situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.

Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Qarku Shkodër

Xath – Fushë Arrëz – Po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.

Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.

Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.

Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.

Qarku Kukës

Gegaj – Tropojë – Vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.

Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.

Qarku Korçë

Gërmenj – Leskovik – Zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.

Qarku Fier

Gjonc-Selisht – Cakran – Vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.

Bashkia Lushnje – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës".

Ora 21:52
Delvina në flakë, dëshmia e banorëve: Situatë apokaliptike, po digjen shtëpi dhe njerëzit po dalin me mbathje rrugëve! Ikëm nga shtëpitë, duam ndihmë!

 

Vijon të jetë kritike situata nga zjarri në rrethinat e qytetit të Delvinës.

Ndërsa Report Tv ka siguruar pamje nga ‘mbretëria’ e flakëve që përpin gjithçka dhe e shkrumbon në pak çaste, mësohet se vatra po zgjerohet në disa drejtime, po i afrohet puseve të naftës, dy lagjeve dhe spitalit.

Autoritetet qendrore dhe vendore kanë marrë masat për të parandaluar ndonjë tragjedi, teksa banorët dëshmojnë se situata është apokaliptike.

“Po digjen shtëpi, ka panik dhe njerëzit po dalin me mbathje rrugëve, situatë apokaliptike. U dogj gjithçka për 20 minuta. Nuk e di për njerëzit, por nesër mund të shihen dëmet, se drita s'ka dhe shikon vetëm zjarre. Nuk merr dot frymë, të mbyt tymi, na kanë bërë thirrje për t'u larguar. NUk kam parrë situatë të tillë asnjëherë, edhe të huajt janë tmerruar. Iku mbaroi gjithçka, po digjen të gjitha, nuk vihet nën kontroll fare, po zbret poshtë dhe po bëhet shkrumb çdo gjë. Era e shkaktoi të gjithë situatën se është e fuqishme. I kemi larguar familjet, por vetë jemi këtu”, dëshmon një prej tyre.

Gazetari Limos Didani informon se në qytet dëgjohen sirena ambulancash dhe bori makinash.

Një tjetër banor u shpreh i shqetësuar:

“Na dridhet trupi nga frika, gjendja është jashtëzakonisht keq, s’mund ta imagjinoni. Kërkojmë ndihmë, çfarë do bëjmë me 2 zjarrfikëse në këtë katastrofë. Po digjet Xhermallaha dhe Vllahati! Jemi larguar nga banesat, nuk e dimë çfarë bëhet më”.

Ndërsa një tjetër banore e zonës ku ndodhet vatra e zjarrit mes dy kodrave, u shpreh se nuk mund ta linte shtëpinë dhe mallin e të largohej, duke e përshkruar situatën shumë kaotike dhe të frikshme.

"Jemi në panik dhe frikë e madhe, nuk mund ta lë shtëpinë. Zjarri na erdhi në befasi. për pak minuta u dogj gjithçka".

 

 

 

Ora 21:35
Përshkallëzohet zjarri në Delvinë, i afrohet spitalit! Evakuohen pacientë dhe staf, hiqen dhe bombolat e oksigjenit për të shmangur shpërthimet (VIDEO)

 

Përshkallëzohet situata e zjarrit në Delvinë.

Flakët i janë afruar spitalit të qytetit dhe gjendja cilësohet si kritike nga autoritetet.

Për të shmangur ngjarje tragjike, është urdhëruar largimi i bombolave të oksigjenit në spital, që të mos shkaktojnë shpërthime dhe viktima.

Largimi i tyre po bëhet nga punonjësit dhe stafi. Gjithashtu mësohet se i gjithë stafi i spitalit është në gatishmëri dhe në perimetër sigurie përreth godinës.

Pak më parë është dhënë urdhri edhe për boshatisjen e spitalit nga pacientët dhe stafi, për arsye sigurie.

Për çdo banor apo pacient që ka qenë në spitalin e Delvinës, janë zhvendosur në Pallatin e Kulturës. Janë larguar bombulat e oksigjenit, pajisje mjekësore dhe medikamente.

Ora 21:00
Flakët në Delvinë dalin jashtë kontrollit, arrijnë afër puseve të naftës! Zjarri po 'zbret' në lagjen 'Llakë' të qytetit

Ndonëse 4 zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje, flakët i janë afruar shumë puseve të naftës në Delvinë. Aktualisht situata është jashtë kontrollit të autoriteteve dhe zjarri po shtrihet deri në lagjen "Llakë" të qytetit. Report Tv mëson se 3 autoambulanca të Delvinës janë vënë në gatishmëri. 

Krahas zjarrfikëseve që ndodhen në vendngjarje, për shuarjen e flakëve pritet të mbërrijnë edhe zjarrfikëse nga Himara dhe Konispoli.

Ora 20:10
Banori i asfiksuar nga zjarri tregon tmerrin nga spitali: U dogj gjithçka, po të mos kishte ardhur Policia dhe Ushtria nuk do isha larguar!

 

Një banor asfiksuar nga zjarri në fshatrat e Gramshit, teksa ndodhet i shtruar në shtratin e spitalit të qytetit, i asistuar nga vetë kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, shprehet se situata në fshat është e vështirë pasi është djegur gjithçka, shtëpi dhe bagëti.

Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, por mund të kishte qenë fatal vendimi i tij për të mos u larguar, derisa erdhi Ushtria dhe Policia, duke e larguar me forcë.

Ai shprehet se nuk donte të largohej, pasi kishte banesën dhe gjënë e gjallë dhe ishte vetëm.

“Isha vetëm, gruaja dhe djali në spital. Nuk doja të ikja, kisha shtëpinë dhe bagëtitë. Situata është e vështirë, është djegur çdo gjë, bagëti dhe shtëpi në fshatin Skënderbegas. Ca fshatra të tjerë janë djegur fare. Si ka mundësi të digjet Shqipëria për dy minuta. Ne shikonim zjarret nga malet, ai na erdhi te shtëpia. Kisha nja 10 kuintalë ujë te shtëpia dhe markusë dhe ndërhyra për ta shuar. Ata uruar qofshin që na shpëtuan, ushtria dhe policia, se unë nuk ikja po të mos ishin ata”.

Ora 19:39
Vijon zjarri në Parkun Natyror Munellë, por i izoluar! Deri tani është djegur 1 hektar sipërfaqe me pyje ahu, bimësi pyjore dhe lëgushë

 

Zjarri në “Maja e Zezë” të Parkut Natyror Munellë mbetet nën monitorim. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura dhe Prefektura e Kukësit, zjarri i rënë në zonën e quajtur “Maja e Zezë” në Parkun Natyror Munellë, në Njësinë Administrative Malzi, vijon të jetë aktiv brenda perimetrit të vatrës. Shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë Kukës njofton se flakët janë izoluar dhe nuk paraqesin rrezik përhapjeje të menjëhershme, ndërsa brenda vatrës po vazhdon djegia e trungjeve.

Zjarri ka përfshirë rreth 1 hektar sipërfaqe me pyje ahu, bimësi pyjore dhe lëgushë. Era që fryn në zonë rrit rrezikun e riaktivizimit të flakëve, për shkak të shtresës së trashë dhe të thatë barishtore, e cila favorizon përhapjen.

Aktualisht, situata po mbahet nën vëzhgim nga një punonjës i AdZM-së dhe monitorimi do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme, për të parandaluar çdo shpërthim të ri të zjarrit.

Ora 19:37
Gramsh/ U asfiksuan nga zjarret, 10 banorë në spital! Brataj: Pa rrezik jete! Rrëfehet dhe nusja e 80-vjeçarit viktimë: S'e di kush e vuri zjarrin, u mundova ta shuaja!

Gramsh- Kanë mbërritur 10 pacientët e parë në spitalin e Gramshit, ku gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar, kryesisht me asfiksim dhe ankth.

Ndërkohë mësohet se një repart është hapur posaçërisht nëse do të ketë pacientë të prekur nga zjarri. Pavarësisht thirrjes së autoriteteve për të lënë shtëpitë vetë banorët pohojnë se kanë refuzuar, pasi  kanë lënë pas gjithçka të ngritur me djersë e mund.

Ata tregojnë për Report Tv momentet e ferrit dhe sesi i shpëtuan zjarrit. Kërkojnë ndihmën e autoriteteve për t’u strehuar.

Ndërkohë nusja e djalit të 80-vjeçarit që dyshohet se shkaktoi zjarrin, shprehet në lot për ç’ka përjetoi dhe momentet e para të përballjes me zjarrin agresiv. Ajo e mohon se vjehrri e shkaktoi vatrën, duke thënë se nuk e dinte se si ra zjarri dhe se e njoftoi vajza.

“Po hiqja plehun, vjen goca dhe më thotë ‘mami ra zjarri’. Vajta mora ujë, nuk e fika dot zjarrin. Lajmërova vjehrrin, policinë, të gjithë. Erdhi vjehrri tha merr një markus me ujë për të shuar zjarrin në kasolle. E thirra nuk u përgjigj. Mendova se kishte shkuar poshtë nga çupa. E kërkoj, kur ç’të shikoj (qan dhe vë duart në kokë). Nuk e dimë se kush e vuri. Erdhi goca më tha ra zjarri, po s’e shpëtova dot, kaq di. Isha vetëm me çupën e vjehrrën, por s’e shuam dot. Bërtita të na ndihmonin dhe më pas erdhën nga komuna, që na larguan dhe na sollën këtu”.

Edhe kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, foli për gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe masat e marra për të përballuar situatën e krijuar.

“Situata e zjarreve në Gramsh mbetet e vështirë, sidomos në fshatin Skënderbegas. Kanë ardhur 10 pacientë, pas 6 të parëve kanë ardhur edhe 4 të tjerë. Fatmirësisht pa rrezik për jetën, me intoksikime, ankth dhe gjëra të lehta. Janë 6 ekipe këtu të urgjencës dhe helikopteri të fusha e sportit dhe sipas emergjencës do i nisim drejt Tiranës. Deri tani nuk ka raste të tilla, po i përballojmë këti, spitali i Gramshit në gatishmëri, madje kemi edhe nga Trauma dhe Elbasani nëse do të jetë e nevojshme. Por në këtë moment situata është nën kontroll. Kemi hapur repartë sipër, gjithë personeli është në detyrë”, tha Brataj.

Ai apeloi për banorët që të evakuoheshin sa më parë nëse haseshin me zjarre, pasi rreziku është i lartë. Brataj këshilloi qytetarët dhe veçanërisht banorët e zonave me rrezik që të përdornin peshqir apo rrobë të njomë gjatë zjarreve dhe ta vendosnin në hundë, që të parandalonin asfiksimin nga tymi, që sjell edhe pasoja fatale.

Një banorë i fshatit Bletëz rrëfen dëmet që ka shkaktuar zjarri në zonën e tij, teksa shpreh shqetësimin për gjënë e gjallë që ka lënë atje.

“Jemi të tronditur, të habitur, nuk e dimë dëmin, se na erdhi policia dhe na mori. Kam 30 kokë lopë, hajvanë pune, kam lënë shumë gjëra mbrapa, kam stallë atje. Kam 110 krerë bagëti. Nuk e di se çfarë bëhet atje, unë isha në thellësi të fshatit Bletëz dhe zjarri na erdhi që nga Kullollasi, deri në qendër. Kur më mori policia shumë shtëpi i pashë të djegura, disa në përfundim e sipër në zjarr. Ka banorë që kanë bagëtitë atje brenda, nuk e dimë, njerëz jo nuk pati të dëmtuar”.

Një tjetër banor i fshatit më të dëmtuar nga zjarret, Skënderbegasit, tregon momentet e panikut dhe largimit nga rreziku i flakëve, teksa shpreh edhe shqetësimin për dëmet e shumta.

“Nuk e dimë se si dolëm nga zjarri, nga fshati e pylli. Atje i kemi lënë me lopë, shtëpi dhe të tëra. Ku të vemi? Jam nga fshati Skënderbegas, nuk ka lënë gjë zjarri atje, ku të vemi, nuk morëm asgjë me vete, i lamë atje. Nisi zjarri në fillim dhe e pamë, pastaj zbriti te shtëpitë e i dogji me radhë e u ngritëm e ikëm se nuk rrihej. Shteti të verifikojë, kemi mall atje, është djegur komplet”, thotë ai, duke apeluar edhe për ndihmë nga shteti.

Ora 19:14
Berat/ Vatër e rrezikshme zjarri në Terpan dhe Plashnik, evakuohen banorët në lagjen Rexhaj! Zona mbulohet nga tymi dhe flakët (VIDEO)

 

Vatra zjarresh masive kanë përfshirë edhe Njësinë Terpan në qarkun e Beratit dhe rrethinat e saj.

Më problematike paraqitet situata nga tymi dhe flakët në kodrat e Terpanit dhe luginën poshtë saj që lidhet me fshatin Plashnik.

Gazetarja e Report Tv informon se në Plazhnik situata është më kritike, ku janë evakuuar banorët e lagjes Rexhaj.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, dallohet qartë ‘mbretëria’ e tymit që ka pushtuar të gjithë zonën dhe flakët që rrezikojnë shtëpitë dhe gjënë e gjallë. Forcat operacionale ndodhen në teren, ku prioritet mbetet mbrojtja e jetës së banorëve.

Ora 19:03
Fier/ Izolohen flakët në vatrën mes fshatrave Gjonç-Selishtë, u rrezikuan banesat! Digjen dhe 200 rrënjë ullinj

1755006841_zjarrnefier.jpg

Shuhet zjarri në fshatin Selishtë të Njësisë Administrative Cakran të Fierit.

Sipërfaqe me tokë bujqësore dhe shkurre u dogjën nga flakët pasditen e sotme në Gjonç-Selishtë, dhe pas disa orësh lufte u bë izolimi i vatrës. Në aksion ishin 2 mjete të Zjarrfikëses me efektivë nga Fieri.

Në fshatin Gjonç zjarri arriti deri pranë nënstacionit të pompave të Selishtës, duke rrezikuar djegien. Edhe pse në kushte të vështira të tymit dhe zjarrit, u bë e mundur fikja e tij nga reparti zjarrfikëseve. Gazetari i Report Tv, Kristaq Thano, informon se janë djegur edhe mbi 200 rrënjë ullinj.

Ora 18:52
Delvinë, flakët i afrohen puseve të naftës 

Zjarret në Delvinë i janë afruar shumë puseve të naftës, duke rrezikuar kështu të ndodhë një katastrofë me pasoja të paimagjinueshme. Mësohet se për të parandaluar afrimin e mëtejshëm të zjarrit pranë puseve të naftës, drejt vendngjarjes po shkojnë forca të shtuara zjarrikëse, ushtarë dhe një helikopterë për të hedhur ujë nga ajri. 
 

Ora 18:52
Zjarret në Gramsh/ Banorët akuzojnë shtetin për reagim të vonuar: Na sollën vetëm 1 zjarrfikëse, mund të fikej në kohë! Policia na evakuoi me forcë

 

Report Tv ju sjell prononcimet e disa prej banorëvë që janë evakuuar nga fshatrat të cilat u dogjën prej flakët masive, që përfshinë edhe disa shtëpi. Ata akuzojnë shtetin për reagim të vonuar dhe jo proporcional me rrezikshmërinë e situatës.

“Shkrumb me banesë, me lopë, të gjitha. Na dogji zjarri të këmbët. Siç qemë ikëm. Siç qemë në shtëpi ikëm. Për çfarë e kemi shtetin, për çfarë e duam shtetin. Mundësi shteti pati ta fikte, vërtetë ka zjarr në tërë rrethet, ama të bëhet shteti pak i gjallë. Ne e marrim në telefon, ai fik telefonin. Në orën 09:00 ka ardhur një zjarrfikëse. Një zjarrfikëse erdhi që në mëngjes, kur u kthye që erdhi zjarri te neve. Rroftë ai autobusi i fshatit që erdhi na mori. U dogjëm si minjtë, na u dogj malli, na u dogjën shtëpitë. Sikur mos të ketë shtet.”

“Po të na kishte lënë policia do e kishim mbrojtur shtëpinë, Shtëpia e vëllait m’u dogj. Janë djegur 3-4 shtëpi.”

“Ishte zjarri shumë i madh. Qëndruam deri në fund, edhe ne desh u dogjëm. U dogjën shtëpitë rreth e qark. Erdhi policia, ne nuk pranuam të ikim. Na mori me forcë nuk ikëm.”

Ora 18:49
Situatë kritike, pas Leklit zjarr i madh edhe në fshatin Hormovë! Dhjetë vatra njëkohësisht, dyshohen të qëllimshme (VIDEO)

 

Situatë kritike zjarresh edhe në qarkun e Gjirokastrës. Zona e Tepelenës është më e prekura nga vatrat e flakëve.

Pas Leklit flakët janë përhapur dhe kanë përfshirë edhe zonën e Hormovës.

Gazetari i Report Tv, Pirro Nase informon se flakët ndodhen shumë pranë fshatit në masivin pyjor. Zjarri po djeg gjithçka dhe kërkohet ndërhyrja. Report Tv ka siguruar edhe pamjet.

Ai tha se janë të paktën 10 vatra zjarri në këtë zonë, teksa banorët nxitojnë të largohen me makina. Ka edhe stane të djegura, bagëti, si dhe raportohet gjithashtu për 10 shtëpi po të dëmtuara nga zjarri.

Ka dyshime të forta se zjarret janë të qëllimshme, pasi nuk është parë një situatë e tillë asnjëherë në këtë zonë. Për më tepër, sa shuhet një vatër diku, sipas gazetarit, shpërthen një tjetër diku më tej dhe duket si një 'dorë e organizuar'.

 

Ora 18:26
Zjarret masive në Gramsh/ 8 banorë kanë marrë ndihmë mjekësore, 200 të evakuuar! Do të strehohen përkohësisht në hotele

 

Burime për Report Tv bëjnë me dije se 8 banorë të fshatrave që janë përfshirë nga flakët në Gramsh, janë trajtuar me ndihmë mjekësore. Më tej, mësohet se 200 të tjerë janë evakuuar nga zonat e rrezikut dhe deri në përmirësimin e situatës ata do të akomodohen përkohësisht në hotele. Gjithashtu, në dispozicion të tyre janë edhe rreth 165 pako kampingjesh në palestrat sportive, të marra në rezervat e shtetit.

Ora 17:53
Zjarret në bashkinë e Fushë-Arrëzit, prefektja e Qarkut Shkodër viziton fshatrat Xath e Flet

 

Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, ka mbërritur në fshatrat Xath e Flet të njësisë administrative Blerim, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, aty ku janë përfshirë nga flakët duke u shkrumbuar plotësisht dhjetëra hektarë me pyje pishe e bredhi.

Prefektja vlerësoi punën e forcave të angazhuara në terren nga bashkia Fushë-Arrëz dhe ushtria, teksa e konsideroi dëmin të konsiderueshëm.

Tashmë, kur flakët, të ndihmuara nga erërat që fryjnë në zonë, po ngjiten në Kuror Dardhë, po bëhet gjithnjë e më i pamundur manovrimi nga forcat për mbajtjen nën kontroll të situatës, pasi është i pamundur intervenimi i mjeteve, çfarë e bën të detyrueshme ndërhyrjen nga ajri.

Ora 17:33
Situatë kritike në Gramsh, zjarri përhapet në pyllin e Koshnicës! 8 fshatra të dëmtuar, banorët refuzuan evakuimin

 

Nga aksioni me helikopter për shuarjen e zjarreve në Gramsh

Katër fshatra të djegur dhe 4 të tjerë të dëmtuar, ndërsa 9 numri i të evokuarve nga banorët që rrezikonin jetën.

Flakët janë përhapur edhe në pyllin e Koshnicës. Policia ka krijuar një kordon sigurie.

Gazetari i report Tv, Ronaldo Gjoshi, informon se banorët kanë refuzuar fillimisht të evakuohen, por pas këmbënguljes së grupeve të emergjencave janë dorëzuar duke u larguar.

Ka pasur edhe persona të lënduar, mes tyre edhe 4 gra, që po mjekohen në spital, por pa rrezik jete.

Forcat operacionale po punojnë që të mos lejojnë përhapjen e tij më tej, duke e lokalizuar. Nuk ka pasur përmasa kaq të mëdha të zjarreve më parë në këtë zonë.

Ora 17:18
Zjarret në Tepelenë/ Shpërthejnë 2 bomba në Lekël! Digjet kisha e fshatit, 5 stane dhe 3 viça

Një kishë, 5 stande, 3 viça, sipërfaqe të mëdha pyjore dhe të mbjella nga fshatarët janë djegur në Lekël të Tepelenës si pasojë e flakëve masive. Për shkak të zjarreve kanë shpërthuar edhe 2 bomba të mbetura në fshat, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ora 17:13
Vatra masive zjarri edhe në periferi të Delvinës, flakë dhe re gjigante tymi mbulojnë zonën! (VIDEO)

 

Jo vetëm në Finiq dhe në zonën e Parkut Natyror te ‘Syri i Kaltër’, por edhe në territorin e Delvinës.

Kushtet atmosferike dhe era kanë favorizuar së tepërmi përhapjen e vatrave të zjarrit në zonën e jugut të vendit, mes qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, sidomos në zonën gjeografike mes Sarandës dhe Tepelenës.

Gazetari i Report Tv, Limos Didani, informon se tashmë flakët masive duken edhe në periferi të Delvinës dhe përhapen me intensitet. Re të mëdha tymi kanë mbuluar të gjithë territorin e kësaj bashkie, teksa është e nevojshme edhe ndërhyrja nga ajri përveçse nga toka.

Ora 17:03
Flakët në Poliçan dalin jashtë kontrollit, digjen 3 shtëpi, rrezikohen disa të tjera! Evakuohen 4 fshatra (VIDEO)

 

Tre shtëpi janë përfshirë nga flakët në fshatrat e Poliçanit, pasi zjarret po përhapen me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë.

Aktualisht raportohet se nga flakët masive rrezikohen edhe banesa të tjera në fshatrat Vokopolë, Zhapokikë, Rehovë dhe Tërpan, banorët e të cilëve janë evakuar nga autoritetet për arsye sigurie.

Ora 16:57
30 vatra zjarri aktive në të gjithë vendin, 5 helikopterë janë angazhuar për shuarjen e flakëve (ZONAT)

1755010519_gramsh.jpg

Ministria e Mbrojtjes bëri me dije sot në orën 16:55, se janë evidentuar 37 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 30 janë ende aktive:

Qarku Elbasan

Problematike paraqitet situata nga zjarri që nisi në fshatin Kullollas, Njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh. Po bëhet evakuimi i banorëve, një pjesë e të cilëve kanë vështirësi të  dalin nga zona e mbuluar nga tymi.

U përkeqësua situata në Skënderbegas.  Zjarri po shkon drejt fshatit Skenderbegas, ku rrezikohen gjithashtu banesat. Një helikopter ka shkuar në vatrën e zjarrit në fshatin Skëndërbegas. Si pasojë e zjarrit është raportuar një humbje jete.

Në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh vijon të jetë aktiv zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe ferra në situatë të rënduar. Mbi 150 forca tokësore punojnë për izolimin e zjarrit. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Qarku Vlorë

Në bashkinë Finiq, vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit dhe problematike e nisur në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, e cila tashmë ka kaluar në fshatin Pecë. Kjo vatër është shumë pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër. Në terren operuan 4 mjete zjarrfikëse me 31 efektivë të MZSH Finiq, Delvinë, Sarandë dhe Dropull të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 58 forca ushtarake. Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore  si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter Çek dhe 1 Sllovak. Zjarri,  gjithashtu ka prekur fshatrat Kardhikaq dhe Sirakat të bashkisë Finiq dhe me drejtim të kufirit të bashkisë Delvinë. Nga ana e bashkisë Delvinë po merren masa me skrepa, duke hapur breza mbrojtës. Vlen të theksohet se risku është i lartë dhe është kërkuar ndërhyrje nga ajri për t'i paraprirë çdo situate të mundshme.

Në bashkinë Finiq, vatra e zjarrit pranë varrezave në lagjen Vrion është shuar. Në terren kanë operuar 6 forca operacionale nga FA, 1 mjet FA, 6 forca dhe 2 mjete nga MZSH Sarandë dhe Delvinë. Sipërfaqja e djegur është kryesisht shkurre rreth 1 ha.

Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës. Situata paraqitet e qëndrueshme.

Në bashkinë Vlorë është shuar vatra e zjarrit e evidentuar në afërsi të karburant “Penta” në pyllin e Sodës.

Gjithashtu, raportohen  edhe dy vatra zjarri, në fshatin Sevaster,  Nj.a Sevaster, për ku është nisur mjeti zjarrfikës Selenic me efektiv e saj, dhe në fshatin Mesaplik Nj.a Brataj,  ku është nisur 1 mjet me 3 efektiv zjarrfikës nga bashkia Vlorë.

Qarku Dibër

Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktiv kjo vatër zjarri. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.

Vatra e zjarrit e aktivizuar në fshatin Xibër Murriz, njësia administrative Xibër, bashkia Klos është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.

Vatra e zjarrit në Ternovë të Nja. Zerqan, Bashkia Bulqizë ndihmuar nga era po shtrin perimetrin. Forcat po punojnë me intensitet për të neutralizuar flakët.

Qarku Berat

Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Momentalisht në këtë vatër po operojnë 35 forca FA, 35 forca dhe 6 mjete të MZSH së qarkut Berat, 15 forca dhe 3 mjete nga MZSH Berat, 15 forca dhe 3 mjete MZSH Poliçan, 5 forca dhe 1 mjete MZSH Skrapar.

Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.

U kërkohet banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Në fshatin Velçan, Njësia Administrative Sinjë, Berat është aktivizuar një vatër e re zjarri.

Në vëndngjarje janë duke punuar grupi i shërbimit dhe një mjet zjarrfikës prej 1 ore.

Qarku Tiranë

Vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Forcat operacionale vazhdojnë të angazhuara, 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 forca operacionale. Aktualisht po operon edhe një mjet ajror.

Vatra e zjarrit e nisur në fshatin Stërbeg, njësia administrative Kryevidh është shuar .  Janë angazhuar 50 forca të FA, dhe 31 zjarrfikës.

Vatra e zjarrit në fshatin Hemenraj, Njësia Administrative Sinaballaj u shua.

Vatrat e zjarrit në fshatin Hajdaraj, njësia Administrative Synej, bashkia Kavajë, është shuar.

Në  fshatin Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, vazhdon zjarri. Aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit. Për momentin s’ka rrezik për banesa, por zjarri po përparon në drejtim të Pezë Helmës.

Në fshatin Spanesh, Nj.a Kryevidh, qyteti Rrogozhinë zjarri ka përparuar pranë disa banesave, ndaj forcat e policisë të komisariatit Kavajë kanë vijuar me evakuimin e banorëve.

Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë vazhdon zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po operojnë MZSH Tiranë, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse të 50/1 Institutit Bujqësor dhe  grupet e gatshme, po vijon punën për izolimin e vatrës së zjarrit. Në terren ndodhen 10 forca zjarrëfikëse me 2 mjete të B. Tiranë, 10 forca zjarrëfikëse me 2 mjete të B. Kamëz, 5 forcat e APR-së, si dhe forca të Policis së Shtetit.

Qarku Durrës

Zjarri në fshatin Barkanesh, njësia administrative Krujë, bashkia Krujë po shkon drejt normalizimit dhe nuk ka përhapje. Forcat do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim të situatës.

Është aktivizuar një vatër e re zjarri në fshatin Arapaj, ku janë duke u djegur shkurre dhe barishte. Është aktivizuar 1 mjet zjarrfikës nga Autoriteti Portual Durrës me grupin e shërbimit.

Janë shuar vatrat e zjarrit në Ishëm dhe Spitallë. Janë  njoftuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës për hetime me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkakut.

Qarku Gjirokastër

Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder.  Në terren operuan forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, me 6 automjete zjarrfikëse me 23 efektivë, 20 forca policore, 20 forca bashkiake, 15 forca vullnetare dhe 20 forca ushtarake. Sot ka patur ndërhyrje nga ajri përmes helikopterëve çekë dhe sllovakë.

Në fshatin Hormovë, bashkia Tepelenë ka rënë një vatër zjarri, ku kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të bashkisë Tepelenë së bashku me trupat e FA për të mos lejuar kalimin e zjarrit në fshat.

Gjithashtu, në bashkinë Memaliaj ka rënë zjarr midis fshatrave Qesarat dhe Iliras, duke marrë drejtimin për në fshatin Kosbtan , Nja. Qesarat, zjarri  ka shkuar drejt teqesë së Koshtanit. Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Memaliaj ndodhen në vendin e ngjarjes.

Qarku Shkodër

Zjarri në hyrje të qytetit Pukë është në kontroll dhe nuk paraqet risk.

Në bashkinë Pukë, zjarri në Mesul ndodhet aktualisht nën kontroll. Në operacion janë angazhuar gjithsej 22 forca, përfshirë 5 efektivë të MZSH-së, 10 nga njësia administrative, 5 nga shërbimi pyjor, 2 nga policia, si dhe banorë të zonës. Situata po monitorohet nga afër, pasi në terren fryn erë e fuqishme që mund të riaktivizojë flakët .

Në fshatin Xhath, njësia administrative Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, të pa aksesueshme nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Gjatë ditë së sotme janë angazhuar: 65 forca të ushtrisë me 2 mjete zjarrfikëse; 16 efektivë të MZSH Fushë-Arrëz me 2 mjete zjarrfikëse; 22 inspektorë të shërbimit pyjor; 55 punonjës të administratës dhe shërbimeve; 16 efektivë të Policisë së Shtetit; 3 përfaqësues të AKMC-së.

Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë e mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithëse terreni i vështirë dhe temperaturat e larta e bëjnë shumë të vështirë zhvillimin e operacionit.

Në zonën pyjore Baks–Rrjoll, pjesë e PUTM Lumi Buna, NJ.a Velipojë është shfaqur një vatër zjarri në Knetën e Domnit në sipërfaqe me kallamishte, aktualisht e izoluar nga sipërfaqja ujore, ku po punohet intensivisht për fikjen nga forcat zjarrfikëse, strukturat e Emergjencave Civile, forca vullnetare dhe administratori i njësisë.  

Vatra e zjarrit në Ura e Shtrejtë, Njësia Administrative Postribë raportohet se ndodhet larg banesave dhe nuk paraqet rrezik të menjëhershëm. Po punohet për izolimin e tij nga forcat e Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile dhe banorë vullnetarë të fshatit.

Qarku Lezhë

 Në fshatin Mabë, njësia administrative Dajç, bashkia Lezhë ka rënë një vatër zjarri. Mjetet zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje me efektivët përkatës.

Qarku Kukës

Është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, Nj.a Tropojë e Vjetër, bashkia Tropojë. Vatra ngelet aktive, por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.

Në bashkinë Kukës vatra e zjarrit në zonë pyjore Parku Natyror i Monellës në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri Nj.a  Malzi vazhdon të jetë aktive. Nga forcat e angazhuara po punohet për izolimin e kësaj vatre zjarri. Për izolimin e saj janë angazhuar 9 forca të MZSH-së, 5 punonjës të AdZM-së Kukës dhe 3 punonjës të Nj. Adm. Malzi Bashkia Kukës.

Ndërsa vatra e zjarrit në fshatin Gegaj, Nj. Adm. Tropojë e vjetër bashkia Tropojë është shuar plotësisht.

Qarku Dibër

Në  fshatin Vat të Nja. Martanesh ka rënë një vatër zjarri, ku rrezikohen disa banesa, në të cilën kanë shkuar forca të Policisë së Shtetit, forca të njësisë dhe në mbështetje menjëherë është nisur një zjarrfikëse për të mbrojtur banesat. Policia e Shtetit po ndjek mundësinë e evakuimit të banorëve sipas rrezikut.

Qarku Korçë

Në fshatin Gërmenj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen.

Nga raportimet e deritanishme, zjarri në Parkun Natyror të Gërmenjit, Bashkia Kolonjë, kufiri me Greqinë vijon të jetë aktiv, forcat janë në terren, ku po ndeshen me predha te mbetura nga koha e luftës, nevojitet ndërhyrje për t'i asgjësuar.

Qarku Fier

Nga qarku i Fierit raportohet se në fshatin Gjonc-Selisht, Nj.a Cakran, ka rënë zjarri në një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, në të cilën ndodhen 2 mjete zjarrëfikëse me efektivët përkatës.

 

Mjete Ajrore që po operojnë:

2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe

1 Black Hawk nga Republika Çeke

1 Black Hawk nga Sllovakia

1 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Ora 16:54
Gramsh/ Evakuohen banorët në 5 fshatra të tjerë! 9 fshatra në total të evakuar, luftë me zjarret nga toka e ajri!

1755010060_gramsh.jpg

Emergjencat Civile nisin evakuimet masive edhe të banorëve në 5 fshatra të tjerë të Gramshit, që janë përfshirë nga vatrat e zjarrit dhe rrezikojnë jetën e njerëzve, duke e çuar në total në 9 numrin e fshatrave ku janë kryer evakuime.

Mësohet se janë larguar nga shtëpitë banorët e fshatrave, Harunas, Snos, Sojnik, Ermenj dhe ka nisur procesi në fshatin Nartë. Prefekti i Elbasanit, Ilir Bejtja konfirmoi aksionin për shpëtimin e jetëve të njerëzve.

Zjarri aktualisht ka përfshirë pyllin me pisha dhe ullinj, por nuk ka dëme në njerëz nga situata e pasdites. Viktima e vetme deri tani është i moshuari 80-vjeçar. Forca te MKZ, mbrojtjes, policisë së shtetit, banorë vullnetarë janë në terren. Nuk mungon as ndihma nga ajri me helikopter dhe të paktën më shumë se 5 fshatra rrezikohen nga flakët.

Operacioni ndiqet në terren nga ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, si dhe autoritetet lokale dhe prefektura.

9 fshatrat e evakuuar në Gramsh deri në 16:00:

-Kullollas
-Bletëz
-Menkollar
-Shimër
-Harunas
-Snos
-Sojnik
-Ermenj
-Nartë
Ora 16:17
Policia e Elbasanit apel banorëve: Largohuni nga zonat me rrezik nga zjarret, telefononi në rast nevoje! (VIDEO)

 

Edhe Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan iu bëri thirrje të gjithë banorëve të fshatrave që rrezikohen nga zjarri, të bashkëpunojnë me punonjësit, me kryetarët e fshatrave dhe të njësive administrative, si dhe me Emergjencat Civile, me qëllim që të largohen nga zona e rrezikut të zjarrit.

“Të gjithë inspektorët e Policisë së zonave janë në kontakt të pandërprerë me kryetarët e fshatrave dhe të njësive administrative, për të telefonuar çdo banor, për t’iu shkuar në ndihmë në rast nevoje, si dhe për t’i larguar nga zona e rrezikut”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Shërbime të shumta të Policisë Elbasan, të Komisariatit të Policisë Gramsh dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me zjarrfikësit, për të evakuuar banorët dhe për të neutralizuar flakët e zjarrit.

Ndërkohë, grupe hetimore dhe shërbime policore po kontrollojnë të gjithë zonën e prekur nga zjarri.

“Shërbimet zjarrfikëse, Emergjencat Civile, punonjësit e Policisë dhe helikopterët po punojnë intensivisht për të neutralizuar dhe shuar zjarrin. Policia apelon edhe një herë për banorët, që të largohen nga zonat e prekura nga zjarri dhe të bashkëpunojnë me shërbimet policore, me Emergjencat, me pushtetin vendor dhe me çdo strukturë shtetërore që ndodhet në terren”, mbyllet njoftimi i policisë për situatën kritike të krijuar në zonën e Gramshit dhe më gjerë.

Ora 16:12
Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes u kërkon edhe banorëve të 4 fshatrave në Poliçan të largohen nga banesat

1754934827_polican.jpg

Situata e zjarrit në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.

Ministria e Mbrojtjes u kërkon banorëve të fshatrave Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonave brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”, të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Ora 16:10
Zjarr i madh në Lekël të Tepelenës, digjen shtëpi dhe kisha e fshatit

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në fshatin Lekël të Tepelenës. Zjarri ka qenë aktiv prej disa ditësh, por gazetari i Report Tv Piro Nase ka mësuar se flakët kanë marrë përmasa më të mëdha.

Sipas tij, bëhet me dije se zjarri po djeg shtëpi dhe kishën e fshatit.

Nuk dihet nëse ka të lënduar.

Ora 16:01
Fier/ Zjarr edhe në Selishtë të Njësisë Cakran, digjen tokat bujqësore! Hetime për shkaqet, flakët vihen në kontroll

 

Fier- Vatra zjarri ka pasur ditën e sotme edhe në qarkun e Fierit.

Një zjarr ka përfshirë pasdite disa sipërfaqe tokash bujqësore në fshatin Selishtë, të njësisë administrative Cakran.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse me disa mjete, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve.

Gazetarja e Report Tv, Marsela Topi, informon se sipas burimeve nga terreni, situata më e rëndë është kapërcyer dhe zjarri është vendosur nën kontroll, ndërsa vijon puna për fikjen e plotë të vatrave. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, ndërsa po hetohen shkaqet e rënies së zjarrit.

Ora 15:51
Zjarret në Gramsh, ministri Pirro Vengu ndjek nga afër situatën në fshatin Harrunas dhe drejton aksionin e ekipeve në aksion! (VIDEO)

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, po ndjek nga afër situatën emergjente të zjarreve të krijuar në qarkun e Elbasanit dhe veçanërisht në fshatrat e thellë të Gramshit, ku është regjistruar edhe një viktimë.

Ai ka qenë i pranishëm në fshatin Harunas të Gramshit, teksa iu bashkua trupave të Forcave të Armatosura në terren dhe ekipeve të zjarrfikësve dhe organeve lokale të emergjencave civile.

Vengu ka orientuar forcat operacionale dhe njëkohësisht është interesuar për masat e marra, sigurimin e forcave shtesë, lokalizimin e vatrës dhe në veçanti me prioritet jetët e banorëve.

Ora 15:32
Finiq/ Zjarret përfshijnë fshatin Sirakat, raportohet për shtëpi të djegura! Evakuohen banorët

Në Bashkinë Finiq, dhe pranë Syrit të Kaltër, zjarret kanë pushtuar edhe fshatin Sirakat. Burime për Report Tv bëjnë me dije se flakët kanë përfshirë edhe disa shtëpi, ndërsa janë evakuar banorët e zonës.

Ora 15:19
Ministri Hoxha: Urdhër emergjent për evakuimin e banorëve të 3 fshatrave të Gramshit, forca të shumta në terren për kontrollin e vatrave të zjarrit!

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili ndjek situatën emergjente të zjarreve nga terreni në qarkun e Elbasanit dhe veçanërisht Gramsh, apeloi edhe një herë për evakuim të menjëhershëm të banorëve të tre fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të rrezikut të vatrave që kanë djegur gjithçka.

Ai shton se në terren janë dislokuar forca të shumta zjarrfikëse, emergjenca dhe efektivë ushtrie me mjetet e tyre.

“Për banorët në tre fshatrave të Gramshit, Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë është dhënë urdhër evakuimi, për shkak të fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit. Në terren janë dislokuar forca zjarrfikëse, shërbime të emergjencave dhe efektivë të Forcave të Armatosura në mbështetje të strukturave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve”.

Hoxha shpjegoi se po bëhet çdo përpjekje për ndërprerjen dhe izolimin e fkalëve, teksa nuk mungon as mbështetja nga ajri. Ai e mbyll postimin e tij në rrjetin Facebook edhe me një thirrje ndaj qytetarëve për çdo rast zjarri apo emergjence.

“Mbështetje edhe nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit. Telefono falas 112 për çdo emergjencë apo nevojë për ndihmë!”.

Postimi i ministrit Ervin Hoxha
Ora 15:18
Brataj flet për Report Tv nga Gramshi: Zjarri me përmasa të mëdha, në spital 4 gra! Banorët të largohen, të mbulojnë fytyrën me rrobë të lagur

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një lidhje live për Report Tv, ka bërë apel për banorët e fshatrave të Gramshit që të largohen me urgjencë për shkak se zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe u rrezikohet jeta.

Ai ka thënë se në spitalin e Gramshit morën trajtim 6 persona në total, nga të cilët 4 gra janë ende të shtruar me probleme që kanë të bëjnë me intoksikimin dhe sulme paniku. Megjithatë, gjendja e tyre paraqitet jashtë rrezikut.

Në gatishmëri janë të gjitha ekipet mjekësore, përfshirë edhe helikopterin.

“Zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha. Në spitalin e Gramshit ishin 6 persona dhe kanë mbetur 4 ferma, që janë me atake paniku dhe intoksikime. Janë 3 ekipe të Gramshit, përfshirë dhe heklikopterin. Janë në gatishmëri ekipet e Elbasanit dhe të tjera po të jetë e nevojshme”.

Brataj u ka bërë thirrje banorëve të zonave përreth, që të njoftojnë përmes celularit të njohurit e tyre në fshatrat e rrezikuara, të largohen me urgjencë.

“Do t’u lutesha familjarëve që jetojnë jashtë këtyre zonave që t’i njoftojnë të njohurit përmes telefonit që të largohen nga zona sepse shtëpitë janë të shpërndara. Po shohim që po përfshihen shumë zona të banuara. Lutem që qytetarët e kësaj zone me njohjet që kanë t’i njoftojnë përmes telefonit të largohen nga zona”.

Për banorët, Skënder Brataj ka apeluar që të mbajnë para fytyrës një rrobë të lagur për të mos u asfiksuar nga tymi i dendur.

“Me një rrobë të lagur përpara fytyrës të zënë dhe hundën që mos të thithin tymrat. Helikopteri ynë është te spitali i Gramshit kastile për këtë punë”.

 

 

Ora 15:16
Zjarret në Gramsh, Begaj u bën thirrje banorëve të Njësisë Administrative Skënderbegas: Bashkëpunoni me strukturat në terren

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me sitituatën kritike të shkaktuar nga zjarret në vend. Duke iu drejtuar në veçanti banorëve të Njësisë Administrative Skënderbegas, në Bashkinë Gramsh, ku situata është edhe më kritike, Begaj u kërkon të bashkëpunojnë e të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe policinë.

“ Me shqetësim të thellë po ndjek situatën kritike të shkaktuar nga zjarret, me të cilat po përballet vendi ynë. Në këto momente sfiduese dua të bëj thirrje për ndërgjegjësim maksimal nga secili prej nesh, duke treguar kujdes, angazhim dhe përgjegjësi.

Ftoj të gjithë qytetarët, veçanërisht banorët e Bashkisë Gramsh, Njësisë Administrative Skënderbegas, ku situata është edhe më kritike, të bashkëpunojnë e të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe policinë, të cilët po punojnë dhe sakrifikojnë për të mbrojtur jetën, pronën, pasurinë.

Mbështetja jonë për ta, me çdo formë të mundshme, është jetike.

Në emër të të gjithë shqiptarëve, falënderoj të gjithë efektivët e angazhuar, si dhe shpreh mirënjohje të thellë për ndihmën që po marrim nga vendet mike, përfshirë dërgimin e helikopterëve dhe pajisjeve të specializuara”,- shkruan Begaj.

Ora 15:10
Tiranë/ Zjarret në fshatrat Spanesh dhe Kazie, Mbrojtja: Po evakuojmë banorët, situata është përkeqësuar

Ministria e Mbrojtjes sërish në një njoftim për mediat ka bërë me dije se përveç Gramshit, situata me zjarret është përkeqësuar edhe në fshatrat Spanesh dhe Kazie.

Ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura po evakuojnë banorët, pasi flakët po përhapen me shpejtësi.

“Në fshatrat Spanesh dhe Kazie, ekipet e emergjencës dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po evakuojnë banorët nga banesat për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarret.

Terreni është i vështirë dhe flakët po përhapen me shpejtësi, ndërsa po bëhen përpjekje maksimale për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve”, njoftoi Mbrojtja.

Ora 14:59
Kreu i Urgjencës Kombëtare për Report TV: 6 banorë në spitalin e Gramshit, kanë probleme prej tymit! Kemi dërguar ambulancat, gati edhe helikopteri

1755002846_helikopteriiemergjencesnegramsh.jpg

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë për Report TV se 6 persona janë dërguar në spitalin e Gramshit për shkak të intoksikimit nga tymi.  Sipas tij, gjendja e tyre nuk është e rëndë dhe për momentin nuk kanë nevojë për transport drejt Tiranës.  

Brataj bën me dije gjithashtu se kanë dërguar ambulancat për transportimin nga fshatrat që janë prekur nga zjarri ndërsa në gatishmëri është edhe një helikopter.

Ora 14:22
Zjarret në Gramsh, policia: Flakët i ndezi 80-vjeçari që vdiq në kopshtin e banesës, u përhapën masivisht në fshatrat

1755001476_zjarretngramsh.png

Policia e Elbasanit ka njoftuar zyrtarisht se zjarri i përmasave të mëdha në fshatrat e Gramshit është shkaktuar nga një 80-vjeçar, i cili fatkeqësisht humbi jetën edhe vetë si pasojë e asfiksisë.

I moshuari, sipas policisë, ndezi zjarr në kopshtin e banesës, e për pasojë flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në të gjitha fshatrat e Gramshit.

Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Ora 14:05
Zjarret në Gramsh, administrator i njësisë Skënderbegas për Report TV: Situata shumë e rëndë, 2 fshatra janë djegur plotësisht

Arif Feimi, administrator i njësisë Skënderbegas në Gramsh tha për Report TV se situata është shumë shumë e rëndë.

Zjarri ka përfshirë 4 fshatra ku dy janë djegur plotësisht, Kullollas dhe Bletëz.

Feimi shtoi se vijon aksioni për të larguar banorët nga zona.

Ora 13:58
Riaktivizohet vatra e zjarrit te 'Syri i Kaltër' në Sarandë

Riaktivizohet përsëri një vatër zjarri në perëndim të  Parkut Natyror në Syrin e Kaltër. Aktualisht në terren nuk ka asnjë avion apo helikopter.
 

Ora 13:52
Zjarri në Malin e Koshnicës në Gramsh, burime për Report Tv: Humb jetën një i moshuar

Burime për Report TV bëjnë me dije se një person i moshuar ka humbur jetën pasi u asfiksua si pasojë e zjarrit që ka dalë jashtë kontrollit në Gramsh.

Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve në Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë ku raportohen dy fronte të rrezikshme zjarri. 

Ora 13:47
Kukës/ Zjarr në Parkun Natyror të Munellës, flakët të favorizuara nga era

Një zjarr i madh ka përfshirë gjatë orëve të fundit pjesën lindore të Parkut Natyror të Munellës në Kukës, në zonën e Majës së Zezë, brenda njësisë administrative Malzi.

Flakët janë përhapur shpejt për shkak të erërave të forta dhe terrenit të vështirë malor, duke vështirësuar ndërhyrjen nga toka.

Në operacion janë angazhuar 10 punonjës të zjarrfikëses, 5 të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe banorë të zonës dhe punonjës të njësisë administrative. Deri tani nuk raportohet për rrezik për zonat e banuara, pasi vatra ndodhet larg tyre.

Dëmet në pyll janë të konsiderueshme dhe pritet vlerësim i saktë në vijim. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në këtë periudhë me temperatura të larta dhe thatësirë, si dhe paralajmërojnë ndëshkime për çdo zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia.

Parku Natyror i Munellës është një nga zonat më të pasura të vendit për biodiversitet dhe çdo dëmtim përbën humbje të madhe mjedisore. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin nga afër të situatës.

Ora 13:29
Situatë e rënduar në Gramsh, Mbrojtja thirrje urgjente për të dytën herë: Largohuni menjëherë nga banesat

1754998155_zjarretnevend.jpg

Situata e zjarreve në Gramsh mbetet kritike, ndaj edhe Ministria e Mbrojtjes ka bërë përsëri një thirrje urgjente për banorët e fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Ata kërkojnë që banorët të largohen menjëherë nga banesat tyre.

"THIRRJE URGJENTE!

Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt", apelon Mbrojtja.

Ora 13:28
Prefekti i Elbasanit për Report TV: Po digjen dy fshatra në Gramsh, situata është shumë e rëndë

1754995277_rh.jpg

Prefekti i qarkut të Elbasanit, Ilir Bejtja thotë për Report TV se situata është shumë e rëndë në Gramsh. Ai thotë se janë duke u djegur dy fshatra.

Ndërkohë, më herët, ministria e Mbrojtjes njoftoi se kishte urdhëruar evakuimin e tre fshatrave  Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Ora 13:17
Situatë kritike në Gramsh/ Bllokohen nga flakët ekipet që kishin shkuar për të evakuuar banorët! 4 helikopterë drejt zonës

Situata e zjarreve në Gramsh vijon të rëndohet. Si pasojë e flakëve që janë përhapur me shpejtësi bëhet me dije se kanë mbetur të bllokuar edhe ekipet që kishin shkuar për të evakuuar banorët.

Raportohet se 4 helikopterë janë nisur në ndihmë të zjarrfikësve, ndërsa janë nisur edhe ministri Pirro Vëngu dhe kreu i Emergjencave, Haki Çako

Ora 12:58
Prefektja e Shkodrës: 20 vatra zjarri janë raportuar gjatë orëve të fundit në qark, vështirësi në Fushë Arrëz! Nuk kemi vatra afër banesave

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni foli për situatën e zjarreve në përfundim të mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile për situatën e zjarreve.

Ajo tha se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 20 vatra zjarri në qarkun e Shkodrës, ndërsa situata paraqitet më kritike në Xath të Fushë Arrëzit, ku po punohet për shuarjen e flakëve. Nuk ka vatra zjarri pranë banesave, shtoi ajo. 

“Në 24 orët kemi pasur 20 vatra zjarri në qarkun e Shkodrës. Kemi vështirësi në Fushë Arrëz, por është punuar gjithë natën. Janë zona të vështira malore. Po operojmë dhe po ndërhyjmë, po japim vlerësimin e duhur për ndërhyrje. Nuk kemi zjarr afër banesave. Situata po mbikëqyret vazhdimisht.", u shpreh prefektja. 

Ora 12:23
Situatë kritike nga zjarri në Gramsh, ministria urdhëron evakuimin e banorëve në tre fshatrat Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë urdhër evakuimi për banorët e tre fshatrave në Gramsh.

“Është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit. Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve. Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.”, njofton ministria.

Ora 11:55
Zjarri në Xath të Fushë Arrëzit, shefi i Shërbimit Zjarrfikës: Situata është kritike, era po përhap me shpejtësi flakët! Banorët të kenë kujdes

Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Fushë Arrëzit, Alfred Qafa thotë se situata e zjarrit në fshatin Xath është kritike. Era ka bërë që flakët të përhapen me shpejtësi, ndërsa apelon banorët që të kenë kujdes Prezente në terren janë forcat e zjarrfikëses, të ushtrisë si dhe punonjës të bashkisë.

“Situata është mjaft kritike për shkak se vatrat e zjarrit janë të përhapura në të gjithë territorin e fshati Xath. Po ashtu flakët kanë kaluar me shpejtësi të madhe nga fshati në një fshat tjetër. MZSH e Fushë Arrëzit është e mobilizuar me stafin, me kapacitetin e plotë, me 3 mjete zjarrfikëse dhe një autobot. Rreth 18 punonjës në terren. Falenderoj edhe policinë që bëri të mundur evakuimin e banorëve. Sot na ka ardhur në ndihmë dhe Ministria e Mbrojtjes, forcat e ushtrisë. Po ashtu është duke punuar edhe bashkia me punonjësit dhe kapacitetet që ka. Qytetarët të kenë kujdes, të largohen se është situatë e jashtëzakonshme për shkak se nuk mund ta menaxhojmë mjaftueshëm.”, tha ai.

Ora 11:44
Zjarret, flakët rrezikojnë shtëpitë në fshatin Pecë të Finiqit

Zjarri që vijon në fshatin Pecë të Finiqit ka përparuar duke rrezikuar edhe shtëpitë. Edhe sitiata nga vatra e zjarrit në fshatin Kardhikaq mbetet problematike.

Ndërkohë, më herët u shuan flakët në zonën e Syrit të Kaltër pasi vijonin prej ditës së djeshme.

Ora 11:33
Zjarri në Xath/ E pakalueshme rruga Fushë Arrëz-Bajram Curri, flakët rrezikojnë linjat e tensionit të lartë

Mbetet kritike situata nga zjarri në fshatin Xath të Fushë Arrëzit, pasi era po përhap flakët.  

Në të gjithë ekonominë pyjore të Kurorë Dardhës janë afro 30 vatra aktive që kanë përfshirë rreth 50 hektarë pyje pishe e bredhi, një pjesë e të cilave janë djegur plotësisht.

 Aktualisht janë angazhuar forcat pyjore të bashkisë Fushë Arrëz, të ushtrisë, Shërbimi Pyjor i Fushë Arrëzit, Pukës e Kukësit. Situata vijon të mbetet problematike pasi era po përhap me shpejtësi vatrat, duke bërë të pakalueshme edhe rrugën nacionale Fushë Arrëz-Bajram Curri.

Të evakuuar vijonë banorët e fshatrave Xath e Flet. Flakët po rrezikojnë dhe linjat e tensionit të lartë që lidhin hidrocentralin më të madh të vendit, Fierzën me nënstacionin e Fushë Arrëzit.

Ora 11:32
Zjarr në fshatin Kullollas të Gramshit, edhe vatra në Sojnik vazhdon akoma

Një tjetër zjarr ka rënë në territorin e Gramshit. Flakët kanë rënë në fshatin Kullollas të njësisë administrative Skënderbegas. Ndërkohë edhe zjarri i djeshëm në Sojnik vazhdon akoma.

Ora 10:10
Situata nga zjarret në Tiranë/ 10 vatra gjatë 24 orëve të fundit, aktiv mbetet vetëm ai mes dy reparteve ushtarake në Zall Herr

1754986503_zjarrimesdyreparteveushtarakenetirane.jpg

Që prej ditës së djeshme, Tirana ka pasur 10 vatra zjarri, por me problematike kanë qenë 4 vatra. Mes tyre ishin zjarri në Arbanë, Selitë, Zall Herr mes reparteve dhe në Brar, pranë Shkallës së Tujanit, në të cilat është ndërhyrë edhe nga ajri. 

Aktiv për momentin është zjarri në Zall Herr, ndërsa të tjerët janë drejt normalizimit të situatës. Mësohet se policia ka proceduar 2 persona, mes tyre një 32-vjeçar me probleme të shëndetit mendor, të cilat janë gjetur pranë vatrave të zjarrit.

Për ta ka nisur hetim jo për zjarrvënie të qëllimshme, por nga pakujdesia.

Ora 09:40
Zjarri në zonën e minuar 'Piramida 12' në kufi me Greqinë, prefektura e Korçës: Terreni i vështirë, flakët nuk kanë hyrë në Parkun Natyror të Gërmenjit

1754984877_maxresdefault.jpg

Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit të rënë pasditen e djeshme në afërsi të piramidës kufitare nr. 12, në kufirin me Greqinë, në territorin e Bashkisë Kolonjë.

Prefektura e qarkut Korçë bën me dije se në terren ndodhen 40 forca të mobilizuara nga strukturat e MZSH-së, shërbimet e bashkisë Kolonjë, policisë dhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, në gatishmëri për të izoluar përhapjen e zjarrit.

Ndërhyrja është e vështirë nga terreni i thyer dhe duke qenë së territori shtrihet në një zonë kufitare me prezencë minash, paraqet edhe rrezikshmëri për efektivët. 

"Deri më tani, zjarri nuk ka hyrë në Parkun Natyror të Gërmenjit. Është realizuar çdo komunikim i nevojshëm me AKMC dhe me palën greke, për të mobilizuar strukturat përgjegjëse nga të dyja anët, të cilat mbeten në gatishmëri të plotë e në kontakt të vazhdueshëm për koordinimin e veprimeve në terren.", njofton prefektura.
 

Ora 08:51
Zjarret/ Pamjet me dron gjatë natës të flakëve në fshatrat Xath e Flet të Fushë Arrëzit, banorët ende të evakuuar (VIDEO)

Këto janë pamjet me dron gjatë natës të zjarrit që ka prekur fshatrat Xath e Flet të bashkisë Fushë Arrëz. Situata paraqitet kritike, ndërkohë që është kërkuar ndërhyrje nga ajri.

Dje, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Hilë Curri tha për Report Tv se banesat në fshatin Xath rrezikoheshin seriozisht nga flakët masive.

Ai tha se pushteti qendror deri tani është treguar indiferent ndaj thirrjeve të tij për të ndihmuar me ndërhyrje nga ajri.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Prela: 12/08/2025 22:55

    Paradoks albaniet, me pas do satelita e me pas ni avjon sperkatjet! Morri fun nanemoder!

    Përgjigju
  • QYTETARI: 12/08/2025 21:19

    JU uroj shërim të shpejtë të dëmtuarveMegjithë ndryshimet klimaterike nuk mendoj se zjarret lindin nga hiçi,pra ka një shkak dhe ky është vetëm NJË njeriu ne sjellien e tij ndaj natyrës.Zjarri mënyra më e mirë për të dëmtuar ekosistemin dhe EKONOMIN E VËNDIT.Thënë këto zjarrer han të qëllimshëme,por nuk arrij të kuptoj fuksionimin e shërbimit pyjor,lër mua inegzistent, deri në vitin1986 ka patur verë por nuk ka patur zjarre masive.Zjarret për mua jan veprimtari armiqësore dhe politike.Një pyetie përse nuk bie zjarri në Gjirin e Lalëzit,në Razëm,e kudo ku ka pashallar?Nuk e di se me çfarë përveç të tjerash merret e ç'nderuari shërbim informativ si ai madhi dhe ai i të ashtuquajturit të ushtris?Për mua flejnë gjumë e marin rogat.Si për shërbimin e pyjeve,tëSHISH,SHIU,jemi pushim dje atdheut i shkon ....VAJ VATANI E MJERË MILETI.I lumshin krahët atyre. që luftojnë me flakët, ndërsa atyre që ju delë koha për mëntë e matje kohe jepuni lopata,sëpata,e pompa shpine të luftojnë me zjarrin.

    Përgjigju
  • PALERMO: 12/08/2025 17:38

    Fshatarët më të mirë hedhin një kovë me ujë në zjarr! Helikopterët fluturojnë për pak efekt! Jo "show" vetem! Nevojiten avionë të mëdhenj. Pyetje të mëdha: Pse nuk shpallni gjendje të jashtëzakonshme dhe nuk kërkoni ndihmën e vendeve fqinje? Pse nuk i anuloni menjëherë koncesionet e pyjeve private?

    Përgjigju
  • Anid: 12/08/2025 17:24

    U dogj me ne fund Shqiperia ca nga pakujdesia ca nga injoranca e ca nga idiotet qe jan ne pushtet. U dogj nga veriu ne jug. Kush e ka fajin!? Qeveria kush tjeter me politikat injorante te gabuara kush tjeter. Habitem si mund ta verifikojne qe zjarrin e vuri ai 80 vjecar qe vdiq!? Me metoda speciale sigurisht. Ah mjere ky popull e ky vend cfare po vuan. Po pse nuk bie zjarr ne parlament por bie ne vendet me te bukura te Shqiperise. Them qe:(90 % e zjarreve jan te qellimshme edhe adresuara gjthm mendimi im personal pa ja vendosur fajin kurrkujt). Por qe fajin e ka politika te gjithin per keto pasoja qe po lindin aktualisht e ne vazhdim vetem ajo e ka. Uroj pa jete njerezish e kafshes por deme materiale.

    Përgjigju
  • zaho: 12/08/2025 15:43

    JA KU NA COI VJEDHJA DHE BABEZIA E EDI RANES ME BANDEN E TIJ...NJEREZIT PO HUMBIN JETEN ,,;SHTEPITE E TYRE,,BAGETITE,,SEPSE QEVERIA KA VJEDHUR FONDET E BLERJES TE AVIONEVE DHE HELIKOPTEREVE..QE DUHESHIN PER TE SHUAR FLAKET,,;PO ASHTU QEVERUA ESHTE FAJTIRE QE NUK KA INVESTUAR NE KANALET UJITESE NE FSHATRA...MUND TE NDIHMONTE NE SHUARJEN E ZJARREVE....KEMI JETUAR PARA VITEVE 1990..DHE NUK KA PASUR ZJARRE NE VERE....

    Përgjigju
  • zakarel zaka: 12/08/2025 14:14

    I FSHIVE FSHATRAT O I URUAR CFARE QELLIMESH KE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?