Pamje nga zjarri në Delvinë

Kronikë

Ministria e Mbrojtjes: 27 vatra zjarri janë aktive! Rrezik për shtëpitë, evakuim banorësh (ZONAT)

12 Gusht, 22:42| Përditesimi: 13 Gusht, 00:23

  • Share

1755024855_delvine.jpg

Zjarri në Delvinë

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bënë bilancin e zjarreve për ditën e sotme.

Me një njoftim të lëshuar mbrëmjen e sotme, informohet se numri i vatrave aktive ka rënë me tre, por situata në jug të vendit u cilësua si kritike, kryesisht në zonën e Delvinës, ku ka vatër masive zjarri që po i afrohet qytetit dhe po shkrumbon gjithçka.

Nga 34 vatra që janë regjistruar sot, 27 prej tyre janë aktive dhe 7 mbahen nën monitorim.

“Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën”, njoftoi MM sot në mbrëmje.

Situata mbetet problematike në Gramsh, Finiq, Lekël dhe Hormovë të Tepelenës, Terpan dhe Plashnik të Poliçanit.

Ministria jep detaje edhe nga zjarri në Delvinë, ku rrezikohet edhe qyteti, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.

Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes për hartën e zjarreve:

"Qarku Vlorë

Bashkia Delvinë – Zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.

Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.

Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.

Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.

Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.

Lagjja “15 Tetori”, Vlora – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.

Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.

Qarku Dibër

Ternovë, Zerqan – Bulqizë – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.

Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.

Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.

Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.

Qarku Berat

Fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Në fshatin Vokopolë  u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.

Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.

Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.

Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.

Qarku Tiranë

Spanesh – Rrogozhinë – Zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.

Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.

Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.

Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.

Qarku Gjirokastër

Hormovë – Tepelenë – Zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.

Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.

Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.

Qarku Elbasan

Kullollas – Gramsh – Situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.

Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Qarku Shkodër

Xath – Fushë Arrëz – Po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.

Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.

Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.

Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.

Qarku Kukës

Gegaj – Tropojë – Vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.

Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.

Qarku Korçë

Gërmenj – Leskovik – Zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.

Qarku Fier

Gjonc-Selisht – Cakran – Vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.

Bashkia Lushnje – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës".


Lajmi kryesor:

Delvina rrethohet nga flakët, Vengu për Report Tv: Rreziku për banesat kaloi! Ditë dramatike në Gramsh, disa fshatra ‘pushtohen’ nga zjarri, vdes 80-vjeçari nga asfiksia! Digjen banesa, evakuohen banorët


A.Q/K.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?