Kronikë

Gramsh/ U asfiksuan nga zjarret, 10 banorë në spital! Brataj: Pa rrezik jete! Rrëfehet dhe nusja e 80-vjeçarit viktimë: S'e di kush e vuri zjarrin, u mundova ta shuaja!

12 Gusht, 19:37| Përditesimi: 12 Gusht, 20:07

  • Share

Gramsh- Kanë mbërritur 10 pacientët e parë në spitalin e Gramshit, ku gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar, kryesisht me asfiksim dhe ankth.

Ndërkohë mësohet se një repart është hapur posaçërisht nëse do të ketë pacientë të prekur nga zjarri. Pavarësisht thirrjes së autoriteteve për të lënë shtëpitë vetë banorët pohojnë se kanë refuzuar, pasi  kanë lënë pas gjithçka të ngritur me djersë e mund.

Ata tregojnë për Report Tv momentet e ferrit dhe sesi i shpëtuan zjarrit. Kërkojnë ndihmën e autoriteteve për t’u strehuar.

Ndërkohë nusja e djalit të 80-vjeçarit që dyshohet se shkaktoi zjarrin, shprehet në lot për ç’ka përjetoi dhe momentet e para të përballjes me zjarrin agresiv. Ajo e mohon se vjehrri e shkaktoi vatrën, duke thënë se nuk e dinte se si ra zjarri dhe se e njoftoi vajza.

“Po hiqja plehun, vjen goca dhe më thotë ‘mami ra zjarri’. Vajta mora ujë, nuk e fika dot zjarrin. Lajmërova vjehrrin, policinë, të gjithë. Erdhi vjehrri tha merr një markus me ujë për të shuar zjarrin në kasolle. E thirra nuk u përgjigj. Mendova se kishte shkuar poshtë nga çupa. E kërkoj, kur ç’të shikoj (qan dhe vë duart në kokë). Nuk e dimë se kush e vuri. Erdhi goca më tha ra zjarri, po s’e shpëtova dot, kaq di. Isha vetëm me çupën e vjehrrën, por s’e shuam dot. Bërtita të na ndihmonin dhe më pas erdhën nga komuna, që na larguan dhe na sollën këtu”.

Edhe kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, foli për gjendjen shëndetësore të pacientëve dhe masat e marra për të përballuar situatën e krijuar.

“Situata e zjarreve në Gramsh mbetet e vështirë, sidomos në fshatin Skënderbegas. Kanë ardhur 10 pacientë, pas 6 të parëve kanë ardhur edhe 4 të tjerë. Fatmirësisht pa rrezik për jetën, me intoksikime, ankth dhe gjëra të lehta. Janë 6 ekipe këtu të urgjencës dhe helikopteri të fusha e sportit dhe sipas emergjencës do i nisim drejt Tiranës. Deri tani nuk ka raste të tilla, po i përballojmë këti, spitali i Gramshit në gatishmëri, madje kemi edhe nga Trauma dhe Elbasani nëse do të jetë e nevojshme. Por në këtë moment situata është nën kontroll. Kemi hapur repartë sipër, gjithë personeli është në detyrë”, tha Brataj.

Ai apeloi për banorët që të evakuoheshin sa më parë nëse haseshin me zjarre, pasi rreziku është i lartë. Brataj këshilloi qytetarët dhe veçanërisht banorët e zonave me rrezik që të përdornin peshqir apo rrobë të njomë gjatë zjarreve dhe ta vendosnin në hundë, që të parandalonin asfiksimin nga tymi, që sjell edhe pasoja fatale.

Një banorë i fshatit Bletëz rrëfen dëmet që ka shkaktuar zjarri në zonën e tij, teksa shpreh shqetësimin për gjënë e gjallë që ka lënë atje.

“Jemi të tronditur, të habitur, nuk e dimë dëmin, se na erdhi policia dhe na mori. Kam 30 kokë lopë, hajvanë pune, kam lënë shumë gjëra mbrapa, kam stallë atje. Kam 110 krerë bagëti. Nuk e di se çfarë bëhet atje, unë isha në thellësi të fshatit Bletëz dhe zjarri na erdhi që nga Kullollasi, deri në qendër. Kur më mori policia shumë shtëpi i pashë të djegura, disa në përfundim e sipër në zjarr. Ka banorë që kanë bagëtitë atje brenda, nuk e dimë, njerëz jo nuk pati të dëmtuar”.

Një tjetër banor i fshatit më të dëmtuar nga zjarret, Skënderbegasit, tregon momentet e panikut dhe largimit nga rreziku i flakëve, teksa shpreh edhe shqetësimin për dëmet e shumta.

“Nuk e dimë se si dolëm nga zjarri, nga fshati e pylli. Atje i kemi lënë me lopë, shtëpi dhe të tëra. Ku të vemi? Jam nga fshati Skënderbegas, nuk ka lënë gjë zjarri atje, ku të vemi, nuk morëm asgjë me vete, i lamë atje. Nisi zjarri në fillim dhe e pamë, pastaj zbriti te shtëpitë e i dogji me radhë e u ngritëm e ikëm se nuk rrihej. Shteti të verifikojë, kemi mall atje, është djegur komplet”, thotë ai, duke apeluar edhe për ndihmë nga shteti.


Lajmi kryesor:

Delvina rrethohet nga flakët, Vengu për Report Tv: Rreziku për banesat kaloi! Ditë dramatike në Gramsh, disa fshatra ‘pushtohen’ nga zjarri, vdes 80-vjeçari nga asfiksia! Digjen banesa, evakuohen banorët


A.Q/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?