TIRANË- Një laborator për prodhimin e kanabisit është zbuluar në fshatin Pinet, në Ndroq të Tiranës! Sipas policisë shtetasja Rudina Xhambazi 32-vjeçe, e cila është shpallur në kërkim, kishte marrë me qira një banesë, afër xhamisë së fshatit, dhe e kishte përshtatur si ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike kanabis sativa. Në bashkëpunim me 32-vjeçaren punonte edhe shtetasi Eriban Daja, 29-vjeç, i cili arrestua në flagrancë brenda 'shtëpisë së barit', teksa kujdesej për bimët narkotike.
Në pranga kanë rënë gjithashtu edhe dy punonjës të OSHEE-së, Qemal Hasa (elektricist), 47 vjeç dhe Erion Mema (faturist) 26-vjeç. Sipas policisë 2 punonjësit e OSHEE-së, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim. Ndërkohë gjatë kontrollit të telefonit të Erion Memës, iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive.
Në hetim është vënë edhe një punonjës policie në zonën e Ndroqit, Adrian Malliku, 39 vjeç. Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike", “Shpërdorimi i detyrës” dhe "Organizimi i lotarive të palejuara".
Një ditë më parë me urdhër të Gledis Nanos, policia ndërmori një aksion në gjithë vendin për zhvillimin e një plani operacional kundër kultivimit të kanabis sativa, i cili u shtri në 12 qarqet e vendit. Në fokus ishin ambientet e mbyllura me risk të lartë të kultivimit të kanabis sativa në fazën e mbjelljes.
Momenti kur policia shtrin në tokë trafikantin!
Report Tv ka sjellë pamje nga banesa që ishte kthyer në një "shtëpi bari" në Ndroq. Shtëpia ndodhet mes fushave e 'vetmuar' dhe pa banesa të tjera rreth e rrotull duke e bërë edhe më të lehtë për trafikantët q të lëviznin lirshëm për aktivitetin e tyre kriminal të mbjelljes dhe kultivimit të kanabisit brenda ambienteve të shtëpisë.
Gjatë operacionit në pranga ranë 3 persona, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunuesja e tyre.