Britania e Madhe ka njoftuar për sanksione të reja, të cilat synojnë lidershipin e lartë të Rusisë.
Sanksionet e reja vijnë si përgjigje e pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha në faqen e saj zyrtare më 26 korrik se sanksionet, të cilat përfshijnë ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve, u vendosën ndaj 42 personave dhe subjekteve të reja, duke përfshirë disa guvernatorë të rajoneve ruse.
Sanksionet prekin edhe Vitaly Khotsenkon, kryeministrin e instaluar nga Kremlini të separatistëve për rajonin e Donjeckut në Ukrainë.
Lista përfshin edhe Vladislav Kuznetsovin, nënkryetar i parë i imponuar nga Moska në rajonin e Luhanskut në Ukrainën lindore, i cili mbahet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
“Ne nuk do të heshtim dhe të shikojmë se si aktorët shtetërorë të emëruar nga Kremlini shtypin popullin e Ukrainës ose liritë e popullit të tyre”.
"Ne do të vazhdojmë të vendosim sanksione të ashpra ndaj atyre që po përpiqen të legjitimojnë pushtimin e paligjshëm të Putinit, derisa Ukraina të mbizotërojë", tha sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.
Që kur Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt, Britania ka sanksionuar më shumë se 1.100 njerëz dhe mbi 100 biznese./REL
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë/ Në 5 gusht, sërish takim Erdogan-Putin, kësaj radhe në Soçi, Rusi
S.C/ReportTv.al