Kërkesa e avokatëve për përjashtimin e trupit gjykues u bë shkak për shtyrjen e procesit në gjykatën e Brukselit ndaj 129 personave, shumica shqiptarë, të akuzuar për trafik droge. Lidhjet e tyre me policinë, u zbuluan pas zbërthimit të mesazheve nga platformat SKYE ECC.
Gjykata e Brukselit ka shtyrë gjyqin ndaj 129 personave, shumica prej të cilëve shqiptarë të akuzuar për trafik droge në procesin e nisur pas zbardhjes së bisedave të grupeve kriminale në platformat Sky E C C dhe Enchrochat. Shkak për shtyrjen që mund ta vonojë procesin deri në 5 muaj, sipas gazetës Le Soir, është bërë kërkesa e avokatëve për përjashtimin e trupës gjykuese me tre anëtarë.
Ata e bazuan këtë kërkesë në faktin se të akuzuarit mund të gjykoheshin veç e veç, pasi grupimi it ë gjithëve në një dosje, u cënon mundësinë për tu mbrojtur. Sipas ligjeve belge, gjykimi pezullohet deri në marrjen e një vendimi për trupën gjykuese që do të vendosë fatin e të pandehurve, shumica prej të cilëve banojnë në Bruksel.
Ky proces, është vlerësuar i gjyqi më i madh i mbajtur ndonjëherë në Belgjikë kundër trafikut të drogës. Ai ka nisur falë zbërthimit të mesazheve të shkëmbyera në platformat Encrochat dhe Sky EC C, çka solli arrestimin e rreth gjysmës së të pandehurve, në mars 2021.
Kontrollet që pasuan zbardhjen e mesazheve sekuestruan sasi të mëdha droge dhe parash, dhe gjetën dhjetëra armë zjarri. Në mesin e të akuzuarve është edhe një inspektor policie në jug të Brukselit i akuzuar se u ka transmetuar kriminelëve informacione nga baza e të dhënave të policisë. Falë lidhjeve me policinë, të akuzuarit kanë kryer importimin e sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit nga Amerika e Jugut dhe Maroku në Evropë. Droga transportohej në kontejnerë detarë nëpërmjet porteve të Antvverp, Hamburg, Le Havre dhe Roterdam, dhe përpunohej në laboratorë ilegalë në Bruksel. Pas përpunimit, banda e transportonte drogën me makina të pajisura me ndarje të fshehura ku vendoseshin pakot e lëndës narkotike.
Disa avokatë e përshkruajnë dosjen si hedhurinë. "Dosja është një potpuri faktesh," tha Jonathan De Taye. "Elementi i vetëm i përbashkët është përdorimi i Sky EÇ. Nuk e kam kuptuar kurrë pse Drejtësia nuk e ndau këtë çështje në disa gjykime të vogla . Për mendimin tim, ne po përballemi me një problem. Të drejtat e mbrojtjes nuk janë të garantuara sa duhet. "
Avokati penal i Brukselit, Yannick De Vlaemynck nuk thotë asgjë tjetër. "Për klientët e mi, një gjyq katër-mujor do të thotë se ata duhet të paguajnë një avokat për të gjithë atë periudhë . Disa mund ta përballojnë atë, por jo të gjithë. Larg kësaj. Prandaj është e diskutueshme nëse ata do të mbrohen siç duhet."
Nuk është caktuar një datë e re për hapjen e debateve. Pjesa tjetër e gjyqit do të varet nga vendimi i gjyqtarëve. Nëse gjykata e apelit vendos se ata duhet të largohen, do të duhet të emërohen zëvendësuesit, gjë që mund të rezultojë në disa muaj vonesë .