Kronikë

Fushata/ Incidenti i parë, zyrtari në Bulqizë denoncon Mziun e nipin për dhunë! Deputeti: Intimidoi pjesëmarrësit, dhunuan kryetarin e Forumit! Hetimi në SPAK

25 Prill, 10:15| Përditesimi: 25 Prill, 18:59

  • Share

BULQIZË- Kryesuesi i listës së demokratëve në qarkun e Dibrës, deputeti Xhelal Mziu dyshohet se është përfshirë në një incident elektoral në fshatin Ostren të Bulqizës. Policia tha se pas një takimi elektoral të enjten e 24 prillit, Mziu bashkë me nipin e tij dyshohet se kanë goditur me grushte zyrtarin e bashkisë Bulqizë, Kalosh Murra, i cili qëndronte para zyrave të njësisë administrative Ostren.

“Me dyshimin për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” policia e Dibrës ka referuar materialet hetimore në SPAK ndaj Xhelal Mziut, 58 vjeç dhe djalit të vëllait të tij, E.Mziu, 36-vjeç.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje", për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, informoi sot policia.

33-vjeçari Kalosh Murra me detyrë, përgjegjës i ndihmës ekonomike tha për Report Tv se deputeti demokrat e ka kapur për fyti ndërsa nipi i tij e ka goditur me grushte në fytyrë pa asnjë shkak.

“Kam qenë para punës time (njësisë administrative). Xhelal Mziu bashkë me të tjerë dolën nga lokali, kaluan para zyrave dhe më pas u kthyen mbrapsht. Më kapi direkt për fyti, ndërsa nipi i tij më goditi me grushte. Më gjakosi! Më kanë çuar në spital dhe më kanë qepur në fytyrë. Pas mjekimit kam dalë nga spitali dhe ndodhen në shtëpi me raporte. Shkakun nuk e di, unë isha në punën time. Mund të jetë për fushatë por unë s’jam i sigurt se nuk e njoh personalisht Xhelal Mziu dhe s’kam patur kurrë lidhje me të. Edhe vetë jam i çuditur se pse më qëlluan. Ndoshta e kanë fryrë (shtyrë) persona të tjerë që ishin në takim elektoral me të. Kam bërë kallëzim në polici dhe janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë së institucionit. Pres të zbardhet ngjarja e plotë nga policia dhe prokuroria”, tha Murra në një bisedë telefonike për Report Tv.

Ndërsa Xhelal Mziu ka një version krejt ndryshe për ngjarjen. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai pretendon se punonjësi i bashkisë ka intimiduar pjesëmarrësit ne takimin e PD-se duke i kërcënuar se do tu heqë ndihmën ekonomike.

Po sipas Mziut, Murra ka njoftuar babanë e kandidatit të PS të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj kryetarit të PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjani. Kjo ngjarje, thotë deputeti po manipulohet nga policia, ndaj kërkon nga SPAK-u të sekuestrojë kamerat dhe të zbardhë të plotë rrethanat dhe shkaqet. Po sipas tij, policia nuk ka marrë denoncimin e demokratëve, pasi drejtori i policisë së Dibrës, Artion Duka ka lidhje familjare me Jeton Danin, babanë e kandidatin socialist për deputet, Murat Dani.  

Ora 12:46
Dhunoi zyrtarin në Bulqizë, Mziu: PS po intimidojnë njerëzit që mos të marrin pjesë në takime! Dhunuan kryetarin e Forumit të PD, policia manipuloi ngjarjen

1745064420_xhelalmziu770x433.jpg

Deputeti demokrat, Xhelal Mziu ka reaguar pasi policia e Bulqizës njoftoi se bashkë me nipin, e ka dërguar për hetim në SPAK, pasi kanë dhunuar një zyrtar. Mziu thotë se strukturat e PS po intimidojnë njerëzit që të mos marrin pjesë në takimet elektorale të PD.

Në një postim të gjatë në Facebook, Mziu akuzon edhe policinë se manipuloi ngjarjen, duke thënë se “para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuesve të opozitës, kanë mbërritur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine.”

Nisur nga deklaratat politike të policisë së qarkut të Dibrës lidhur me ngjarjen e ndodhur dje në Ostren të Bulqizës sqarojmë se situata ka qenë totalisht ndryshe, nga çfarë deklaron Policia.

Së pari dua të të them që në çdo takim që kam realizuar në qarkun e Dibrës, strukturat lokale të Partisë Socialiste me Kryetar njësishë administrative, punonjës të ndihmës ekonomike përpërfaqësues të strukturave të arsimit, shëndetsisë, policisë, etj vazhdimisht kanë intimiduar dhe kërcënuar qytetarët që të mos vijnë në takimet tona, apo të largohen teksa i pikasin në këto takime. Janë me dhjetëra qytetarë të kësaj që jo vetëm si kandidat i opozitës, por edhe si deputet më kanë shprehur këto shqetësime.

Këto sjellje arrogante dhe kriminale të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste u shtuan edhe më shumë ditët e fundit, në takimet e realizuar dje në Trebishtë në orën 09.00 dhe akoma më keq në Ostren në orën 11.30.

Në takimin e Ostrenit, në mënyrë demonstrative, punonjësi i ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë po intimidonte pjesëmarrësit, ku një pjesë u larguan pas këtyre kërcënimeve dhe një pjesë tjetër shprehën shqetësimin për heqjen e ndihmës ekonomike.

Pas shqetësimit që ngritën vetë banorët e kësaj zone, kam komunikuar me personin në fjalë që rrinte përpara vendit të takimit, dhe i kam kërkuar të mos intimidojë qytetarët, e aq më tepër të mos përdorë pozicionin e punës për shantazhimin e qytetarëve me heqjen e ndihmës ekonomike në rast të mbështetjes dhe votimit për Partinë Demokratike. Madje e kam paralajmëruar se për veprimet e tij të paligjshme do ta kallëzoj në Prokurori. Pas paralajmërimit për denoncomin e tij, personi në fjalë ka komikuar me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Kandidatin e kësaj force, të cilët ndodheshin pak metra më larg, çka  konfirmon se e gjitha ishte e inskenuar dhe organizuar për të shantazhuar qytetarët.

Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuersve të opzitës, kanë mbërriur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine.

Sjellja e Policisë ngre dyshimet për dijeni apo në mos të jetë e përfshirë në këtë ngjarje, pasi jo vetëm që manipuloi ngjarjen dhe shpërndau një informacion të rrem, por ka refuzuar që të marrë denoncimin e drejtuesve të PD Bulqizë.

I bëjmë thirrje SPAK të sekuestrojë pamjet e kamerave në zonë, dhe të hetojë ngjarjen ku janë dhunuar kryetari dhe përfaqësues së PD Bulqizë.

Bërja palë e Policisë në ngjarjen kriminale të goditjes së opozitës, shtohet edhe më shumë për faktin se Drejtori i policisë së Dibrës ka lidhje familjare me Jeton Danin, babai i kandidatit të Partisë Socialiste.

I bëjmë thirrje punonjësve të bashkive dhe policisë që të mos intimidoni dhe kërcënoni qytetarët.

Sigurojmë qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe policisë së shtetit nuk do të na trembin.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Guzi: 25/04/2025 23:35

    Mos i votoni kta jan njerez me bisht

    Përgjigju
  • Fatmir: 25/04/2025 15:51

    Me keqardhje por pd nuk fiton me kto tipa pasi populli I njeh mir per arogancen shpifjet dhe trazirat e tyre ndaj spaku te bej detyren dhe kto mendjemdhenj ti denoj dhe mos ushtrojne asnjelloj activities

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?