Bulqizë- Mekaniku i moshuar humb jetën teksa kryente punime në kantierin e ujëmbledhësit të kanalit të Bllacës, merret nën akuzë drejtuesi teknik i kompanisë Arjan Hoxha për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, kurse viktima Azem Picari është nga Tirana, ndërsa punonte si mekanik dhe për shkak të plagëve të pësuara, ka humbur jetën tragjikisht.
Policia e Dibrës njoftoi sot se menjëherë pas njoftimit nisi hetimet në vendngjarje dhe kreu veprimet proceduriale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për A. H., 70 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik i subjektit që kryen punimet në kantierin e ndërtimit të ujëmbledhësit të kanalit të Bllacës, pasi dje, gjatë punës, është dëmtuar A. P., 68 vjeç, banues në Tiranë, mekanik në këtë subjekt, i cili për pasojë ka humbur jetën në spital”, bëri me dije policia vendore.
Në pyetje po merren të gjithë personat që kanë dijeni, teksa pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore dhe ekspertimi për vendin ku ndodhi ngjarja.
Komente
