Nga viti 2011 deri në 2023-shin vendit i janë shtuar 70 mijë banesa. Sipas të dhënave të censit të banesave rezulton se në Shqipëri në total janë 1.082.529 banesa të zakonshme, nga të cilat 47% ishin shtëpi individuale, 39.9% ishin pallate dhe pjesa tjetër ishin janë banesa pjesërisht të veçuara dhe shtëpi në rend tarracor.
Në pamje të parë duket sikur një në dy banorë të vendit ka një banesë, por në fakt e vërteta është kundërta. Censi tregoi se 356,204 banesa të pabanuara ose 32.9% e totalit, pasi nga numërimi ka rezultuar se vetëm 726.325 banesa ishin të banuara. Sipas të dhënave rreth 40% e apartamenteve, pra (170 264 apartamente) në Shqipëri nuk kishin banorë.
“Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 përqind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 përqind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 përqind”, thuhet në raportin e CENS.
Kjo tregon për një stok të madh pronash të pa shitura, ndërkohë që çmimet e tyre sot kanë arritur në shifra rekord. Në këto kushte ku flitet për mijëra banesa bosh, pikëpyetja që ngrihet ka të bëjë me bumin e ndërtimeve në vend, se për kë po ndërtohet dhe a ka vërtetë blerës?
Një tjetër konkluzion i nxjerrë ka të bëjë me madhësitë e apartamenteve. Shqiptarët jetojnë në banesa të vogla dhe të mbipopulluara, pasi 47.1% e tyre janë me madhësi 40-69 metër katror, ndjekur nga 23.7% me sipërfaqe banimi 70-99 metër katror.
Afro 26.1% e këtyre banesave janë ndërtuar para vitit 1981, ndjekur nga 37.5% janë ndërtuar nga viti 1981 deri në vitin 2000, dhe 36.4% janë ndërtuar nga viti 2001. Në 82.5% të pronave të banuara familja ishte pronare, në 8% ishte me qira dhe 8.7% kishin marrëveshje tjetër banimi.